2. Bekare · Ajeti 177 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:171–2:182
Derisa idhujtarët nuk i vunë veshin e kuptimit shpalljes së Zotit as thirrjes së Pejgamberit, por vazhduan ta praktikojnë traditën e të parëve injorantë, brengosjen e pejgamberëve për mossukses në thirrjen e tyre, Zoti ua qetëson duke u thënë se faji nuk është te ju, por tek ata që nuk pranojnë mësimet tuaja, të cilët janë sikurse bagëtia e bariut që zërin e tij e dëgjojnë po nuk e kuptojnë.
Edhe pse një numër i njerëzve i refuzoi mësimet e Zotit, Ai nuk ua ndërpreu të mirat në këtë botë. Përkundrazi, Ai i udhëzoi për ushqime të mira, e besimtarëve u tha: hani ushqimet e lejuara të cilat janë në dobi të shëndetit tuaj dhe falënderonie Zotin, i cili u udhëzoi për ruajtjen e shpirtit sikurse edhe për ruajtjen e shëndetit. Ushqimi i ndaluar është i dëmshëm, por nëse është në rrezik jeta nga uria, atëherë është i lejuar aq sa për t'i ikur rrezikut.
Çështja e ndryshimit të kibles shkaktoi polemikë të thellë te ithtarët e librit, ashtu që secili prej tyre pretendonte se vetëm kibla e tij është rrugë e drejtë. Për këtë polemikë të pavend shpallet ky ajet i Kur'anit, sipas të cilit kuptohet se e tërë e mira është në besimin e drejtë, në veprat e mira e humane, në zbatimin e obligimeve të fesë, e jo kthimi kah lindja ose perëndimi.
I Gjurmimi i hakmarrjes kundër dorasit që mbyt tjetrin pa kurrfarë të drejte e arsye, është obligim i bashkësisë, por në mënyrë dhe masë të drejtë, e jo në mënyrë revanshuese. Me këtë obligim synohet ruajtja e jetës, sepse mbytja e dorasit nga ana e bashkësisë, është vërejtje të tjerëve për pasojën e një krimi të tillë, e hakmarrja nuk është synim. Në Kur'an thuhet: kisasi - ekzekutimi i dënimit kundër katilit, është jetë për ju, anipse është humbje e një personi, pse ndikimi i një mase të tillë ka lënë përshtypje të madhe në ruajtjen e jetës së të tjerëve. Kur'ani zgjon ndër njerëz ndenjën. vëllazërore kur thotë: e atij që nga vëllau i vet i falet diçka.. ku viktima ose familja e viktimës quhet vëlla i dorasit, andaj falja e gjakut, ose kalimi në shpagim të tij, është shumë thevab.
Testamenti - vasijjeti, në ditët e para deri kur u shpall dispozita rreth të drejtës së trashëgimisë ka qenë obligim, e pas asaj dispozite testamenti kufizohet në suaza më të ngushta, por ata që e dëgjojnë porosinë e porositësit, janë të obliguar të dëshmojnë besnikërisht.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:177
Ky ajet i mrekullueshëm përmban rregulla bazë gjithëpërfshirëse e të përgjithshme; ai na tregon besimin e drejtë dhe korrekt. Ibn Ebu Hatimi sjell një hadith me senedin e tij nga Ebu Dherri, që tregon se e pyeti
Profetin njëherë: 178 “Çfarë është imani?” Atëherë, Profeti i lexoi atij ajetin: "Nuk është e tërë mirësia që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit...." Ebu Dherri e pyeti përsëri, dhe Profeti ﷺ përsëri i lexoi atë ajet. Kur e pyeti për herë të tretë, Profeti ﷺ tha: "(Shenjë e besimit është që) Nëse bën një punë të mirë, zemra jote e do atë, dhe nëse bën një të keqe, zemra jote e urren atë.” Por ky hadith është “munkati'”,99 sepse Muxhahidi nuk e ka arritur Ebu Dherrin. Ky i fundit vdiq shumë herët para Muxhahidit. Kuptimi i ajetit: Kur Allahu i Lartësuar urdhëroi fillimisht besimtarët që të drejtoheshin drejt Bejt el Makdesit, e pastaj i urdhëroi të ktheheshin drejt Qabes, kjo shkaktoi një reagim e refuzim të fortë të një grupi të ithtarëve të Librit, madje edhe të disa muslimanëve. Por Allahu i Lartësuar zbriti ajetet, për të treguar dhe shpjeguar urtësinë e këtyre dispozitave dhe urdhëresave. Përmes këtyre ajeteve, Ai na sqaron se ajo që kërkohet prej robërve është bindja ndaj Allahut të Madhëruar dhe zbatimi rigorozisht i urdhëresave të Tij, ngado që Ai të na urdhërojë që të kthehemi. Ne jemi të urdhëruar që të ndjekim gjithmonë ligjet dhe dispozitat e Allahut. Kjo është devotshmëria, që Allahu kërkon që ne ta përmbushim. Ky është besimi i plotë dhe i kompletuar, që Allahu kërkon nga ne, dhe jo thjesht kthimi nga lindja apo perëndimi. Asnjë vepër nuk konsiderohet si bindje ndaj Zotit dhe adhurim për Të, nëse nuk vjen e qartë nga Sheriati dhe Shpallja e Tij. I Lartësuari sjell të tilla dispozita abroguese, që të na edukojë me bindjen e plotë ndaj urdhëresave të Tij . Allahu i Madhëruar thotë: "Nuk është e tërë mirësia që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit.” Imam Theuriu, duke shpjeguar këtë ajet, thotë: "Këto janë të gjitha kategoritë dhe llojet e të ashtuquajturit " el bir” (bamirësi), të cilat Allahu i solli të përmbledhura në një përkufizim.” Dhe të vërtetën e ka thënë, - Allahu e mëshiroftë! Çdokush që ka cilësitë e përmendura në këtë ajet, i ka përvetësuar të gjitha hallkat e Islamit dhe ka në dorë frerët e të gjitha mirësive. Në këtë ajet përmendet besimi në Allahun dhe në faktin se Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë; përmendet gjithashtu, besimi në ekzistencën e melekëve, të cilët janë lajmëtarët mes Allahut dhe profetëve të Tij; besimi në "El Kitab", që është një term gjithpërfshirës i të gjitha librave që Zoti u ka shpallur profetëve. I fundit dhe vula e të gjitha shpalljeve është Kur 'ani, në të cilin u përfshinë mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit dhe u abroguan të gjitha ligjet e librat e tjerë të shpallur nga Zoti. Përmendet edhe besimi në profetët e Zotit, nga i pari deri tek i fundit, pra, deri te Muhamedi ﷺ , që është vula e të gjithë profetëve. - të shpenzosh prej pasurisë që e do - Pra, të japësh për hir të Allahut, edhe pse e do shumë atë pasuri për veten tënde. Në dy Sahih-ët është hadithi i Ebu Hurejras, që ai ia atribuon Profetit ﷺ , që thotë : 179 “Sadakaja më e mirë (e shpërblyeshme) është ajo që ti e jep gjatë kohës kur je i shëndetshëm dhe lakmitar, atëherë kur
dëshiron të pasurohesh dhe ke frikë se varfërohesh.” Allahu i Madhëruar thotë: "(Të devotshmit) Janë ata që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve." [Insan, 7]. Gjithashtu thotë: "Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di. " [Al Imran 92]. Ndërsa në suren Hashr, Ai thotë: "Edhe atyre që përgatitën vendin dhe besimin para tyre, të cilët i duan ata që emigruan tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoks smirë për çfarë u jepet atyre. Madje ata u japin përparësi atyre para vetvetes, edhe sikur të kenë vetë nevojë të domosdoshme. Kush u ruajt prej koprracisë së vetes, ata janë të fituarit! " [Hashr 9]. Ky është një nivel tjetër shumë më i lartë. Këta i japin përparësi nevojtarit, edhe pse edhe vetë kanë shumë nevojë për atë pasuri. Ata japin dhe ushqimin, për të cilin kanë nevojë edhe vetë. Pastaj Allahu i Madhëruar sqaron kategoritë e atyre që duhen ndihmuar e janë në nevojë: "...e t'u japësh të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsave dhe për lirimin e robërve...". - të afërmve... - Kjo kategori e meriton më shumë sadakanë, sikurse thuhet në hadith: 180 “Sadakaja e dhënë për nevojtarët konsiderohet si një (mirësi) e vetme, ndërsa për farefisin konsiderohet si dy mirësi: ajo është sadaka dhe ruajtje e lidhjeve farefisnore. Ata janë njerëzit më të nevojshëm për sadakanë dhe bamirësinë tënde.” - jetimëve... - Jetim quhet një minoren, të cilit i ka vdekur babai dhe vetë nuk ka forcë që të punojë e fitojë jetesën. Abdurrezaku përcjell me senedin e tij nga Aliu se Profeti ﷺ ka thënë: 181 “Nuk konsiderohet jetim ai që ka arritur moshën e pubertetit.” - të varfërve (miskin) - Kjo fjalë shpjegohet në hadithin te dy Sahih-ët, nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 182 “Nuk është miskin ai lypës që endet andej -këtej e që mund të kthehet me një ose dy hurma, me një ose dy kafshata. Miskin është ai që nuk ka pasuri të mjaftueshme dhe që nuk mund ta njohësh se ka nevojë, në mënyrë që t’i japësh sadaka.”. - udhëtarëve të mbetur në rrugë... - Ky është udhëtari i cili e ka harxhuar pasurinë e tij dhe ka mbetur në mes të rrugës. Këtij i jepet aq sa të mbërrijë në vendin e vet. Të njëjtin gjykim ka edhe miku që ka bujtur tek ti. - lypsave - Këta janë ata që lypin e kërkojnë. Edhe këtyre mund t’u jepet prej zekatit. Ahmedi sjell me senedin e tij prej Abdurrahman Ibn Husejn Ibn Alij, se Profeti ﷺ ka thënë: 183 “Lypësi ka të drejtë (në pasurinë tënde), edhe nëse të vjen hipur mbi kalë.” - dhe për lirimin e robërve - Në këtë kategori bëjnë pjesë edhe robërit ose skllevërit " el mukatib ",100 që nuk kanë pasuri të mjaftueshme për të fituar lirinë nga zotëria e tyre. Një shtjellim më i hollësishëm do të vijë për ta kur të flasim rreth zekatit në suren Teube, - në dashtë Allahu i Madhëruar. - të përkryesh namazin - Ata e përkryejnë faljen e namazit në kohën e vet, duke plotësuar rukunë, sexhden, qetësimin, përunjësinë e frikërespektin për Zotin ashtu siç Ai e ka ligjëruar dhe e pëlqen. - e të japësh zekatin; - Qëllimi është për zekatin e detyrueshëm të pasurisë. Kështu, shpenzimet dhe sadakatë e përmendura më sipër flasin për rastet vullnetare në bamirësi dhe lidhjet farefisnore. Fatime Bintu Kajsi ka thënë: 184 “Në pasurinë e njeriut ka edhe detyrime të tjera, përveç zekatit.” Por Allahu është më i ditur. - të plotësosh fjalën e dhënë - Kjo i përngjan fjalës së Allahut, kur thotë: "Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë (qortimin). Ata që e përmbushin besën e dhënë Allahut dhe nuk e shkelin fjalën e premtuar." [Ra'd 20]. E kundërta e kësaj cilësie është hipokrizia, sikurse është thënë në hadith të saktë: 185 “Shenjat e munafikut janë tre : Kur flet gënjen, kur premton e thyen premtimin, dhe kur i besohet diçka të tradhton.”
- të jesh prej durimtarëve në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. - Domethënë, të jesh i durueshëm gjatë kohës së varfërisë dhe gjatë kohës së sëmundjes. Ndërsa “hinel be’si” është koha gjatë luftës kundër armikut. Vëreni me kujdes fjalën “sâbirin” - durimtarë. Në fakt, në këtë kontekst, kjo fjalë do të ishte “sâbirun”, pra, në rasën emërore, si kryefjalë. Por ajo është sjellë në rasën rrjedhore: që në gjuhën arabe përdoret për nxitje, domethënë që ne të stolisemi me këtë cilësi dhe për të lavdëruar gjendjen e këtyre të dalluarve e për të na bërë të jemi si ata në kohë vështirësie. Kjo sikur do të thotë: Prej bamirësisë është edhe durimi i vazhdueshëm e sistematik gjatë varfërisë, sëmundjeve dhe në përballje me armikun. - Vetëm këta janë me të vërtetë të sinqertë - Ata që gëzojnë këto cilësi janë të sinqertët në imanin e tyre, ata që e vërtetojnë imanin në zemër me fjalë dhe vepra. Këta janë me besim të sinqertë. - dhe vetëm këta janë të devotshëm. - Sepse ata ruhen nga haramet dhe i kryejnë urdhëresat me bindje e përunjësi ndaj Zotit.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:177
- “Nuk është e tërë mirësia që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit.” – Kuptimi: Bamirësia që u kërkohet adhuruesve nuk është thjesht kthimi drejt lindjes apo perëndimit, që të lodheni aq shumë me të tilla diskutime e polemika të gjata, shumica e të cilave sjellin veçse përçarje dhe armiqësi. Kjo fjali i ngjan shumë për nga ndërtimi thënies së Profetit (s.a.u.s.): “I fortë nuk është ai që arrin të mundë tjetrin me forcë. I fortë është ai që e përmban veten gjatë zemërimit.”
- “…Mirësi e vërtetë është të besosh në Allahun,…” – Pra, të besosh se Ai është i Vetëm dhe Absolut, me cilësitë më të larta, larg çdo mangësie që i përshkruajnë krijesat. - “…Ditën e Fundit …” – Ky nocion përfshin, në fakt, gjithçka që do të ndodhë pas vdekjes, ashtu siç na e ka përshkruar Allahu dhe Profeti i Tij. - “…melekët…” – për vërtetësinë e të cilëve na ka dëshmuar Allahu dhe Profeti i Tij, në Kur’ân dhe në Sunet. - “…Librat (e Zotit) …” – Domethënë, të gjithë librat që Zoti ia ka zbritur njerëzimit, nëpërmjet profetëve. Më madhështori i tyre është Kur’âni, prandaj çdokush duhet të besojë në vërtetësinë e gjithçkaje që përmendet në të, dhe duhet ta marrë seriozisht çdo dispozitë e ligj të sjellë në të, për të rregulluar jetën njerëzore. - “…dhe profetët…” – Pra, duhen besuar të gjithë profetët në përgjithësi, dhe në mënyrë të veçantë Vula e tyre, Profeti i fundit, Profeti i mëshirës, Muhamedi (s.a.u.s.). - “…të shpenzosh prej pasurisë që e do e t'u japësh të afërmve, jetimëve, të varfërve, udhëtarëve të mbetur në rrugë, lypsave dhe për lirimin e robërve; ” – “El mâle” quhet çdo pasuri që është nën pronësinë e njeriut, qoftë ajo e madhe apo e vogël. Pra, shprehja e bamirësisë së njeriut është shpenzimi i pasurisë që ai zotëron, në fushat në të cilat na ka nxitur Allahu i Lartësuar që të shpenzojmë. Madje, njeriu duhet të shpenzojë nga kjo pasuri edhe atëherë kur pasuria është shumë e nevojshme dhe robi e ka të vështirë që të japë. Allahu i Lartësuar thotë: “…prej pasurisë që e do”. Pra, shenjë e bamirësisë është edhe shpenzimi i asaj pasurie që robi e dëshiron ta ketë pranë dhe të mos e shpenzojë. Dihet që pasuria është shumë e dashur për njeriun dhe ai e ka shumë të vështirë që ta japë atë, prandaj shpenzimi i saj është tregues bamirësie. Në të njëjtën kohë, ai që e shpenzon pasurinë e tij, edhe pse e do shumë atë, duke synuar që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, ka dëshmuar për imanin e tij të pastër. Por cili konsiderohet si shpenzues i pasurisë nën presionin e dashurisë për të? I tillë konsiderohet ai që shpenzon atë pjesë të pasurisë që e do më shumë dhe ai që jep ndërkohë kur rrezikon varfërinë. I pari, edhe pse ka pasuri tjetër për ta shpenzuar, jep pikërisht atë pjesë që është më e dashura dhe më e çmuara për të, sikurse thotë i Lartësuari në suren Al imran, ajeti 92: “Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. ” Ndërsa i dyti, është njeriu që jep sadaka, ndërkohë që ka shumë pak pasuri, sepse ai jep nën trysninë e frikës nga varfëria dhe skamja. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon se kujt i jepen këto pasuri: - “…të afërmve…” - Pra, të parët njerëz që e meritojnë bamirësinë me pasuri, me vepra, me ndjenja dhe me fjalë, janë të afërmit. Të afërmit janë njerëzit që, kur ata lumturohen, edhe ti gëzohesh, e kur ata trishtohen, edhe ti trishtohesh. Të afërmit janë ata që të gjenden pranë në kohë nevoje. Kështu, ndër
bamirësitë më të mëdha është ruajtja e lidhjeve me të afërmit, duke i ndihmuar me pasuri apo duke u thënë fjalë të mira e ngushëlluese. Sigurisht, kjo bëhet në varësi me nevojat e tyre dhe të shkallës së afrimitetit me ta. - “…jetimëve…” - Ndër njerëzit që meritojnë më së shumti bamirësi janë jetimët,5 të cilët nuk kanë mundësi që të sigurojnë jetesën e tyre dhe të jenë të pavarur. Kjo është një shprehje e mëshirës së madhe të Allahut të Lartësuar për krijesat e Tij. Ai është më i kujdesshëm, më i dashur e më i mëshirshëm për robin, sesa prindi për fëmijën e tij. Allahu i Lartësuar i urdhëron njerëzit që të shpenzojnë pasurinë e tyre për fëmijët që nuk i kanë prindërit, në mënyrë që ata të mos e ndiejnë mungesën e përkujdesjes së tyre. Një gjë është e sigurt: Kush e mëshiron jetimin e tjetrit, ta dijë se edhe jetimi i tij do të mëshirohet. - “…të varfërve…” – Të varfërit kanë të drejta në pasurinë e të pasurve, sepse këta të fundit duhet të ndihmojnë që t’ua largojnë varfërinë atyre, ose, së paku, t'ua lehtësojnë atë. Pra, të pasurit duhet të japin çfarë të munden, për të ndihmuar vëllezërit e tyre të varfër. - “…udhëtarëve të mbetur në rrugë…” - Prej atyre që duhen ndihmuar, janë edhe udhëtarët që kanë mbetur në mes të rrugës për shkaqe të ndryshme dhe janë larg vendit dhe pasurisë së tyre. Allahu i Lartësuar na nxit që ne të japim prej pasurisë sonë, me qëllim që t'i ndihmojmë këta nevojtarë të përfundojnë udhëtimin e tyre. Dihet shumë mirë se udhëtimi ka të papritura dhe nevoja të shumta. Për këtë arsye, ata të cilët Allahu i Lartësuar i ka begatuar me të mira materiale dhe me qetësinë pranë vendit dhe pasurisë së tyre, duhet të tregohen mëshirues e bamirës ndaj atij që gjendet larg vendit, pasurisë dhe njerëzve të tij. Ndihma jepet sipas rastit, për shembull, duke e furnizuar me ushqim për udhëtimin e tij, duke i mundësuar mjetin e transportit, duke e ndihmuar të plotësojë detyrimet që e pengojnë të kthehet në vendin e tij etj. - “…lypsave…” – Kështu quhen ata të cilët nevoja i shtyn që të kërkojnë. I tillë është, për shembull, edhe dikush që nuk arrin të paguajë ndonjë gjobë të detyrueshme ndaj shtetit, ose dikush që u kërkon njerëzve që të japin për ndërtimin e një xhamie, shkolle, për shërbime të përgjithshme etj. Këta duhen ndihmuar, edhe pse mund të jenë të pasur, porse nevoja urgjente i shtyn që të kërkojnë. - “…dhe për lirimin e robërve…” – Domethënë, për çlirimin nga skllavëria, në mënyrë të drejtpërdrejtë, ose duke ndihmuar skllavin që ka bërë marrëveshje me zotërinë për të blerë lirinë e tij. Këtu hyn edhe çlirimi i muslimanëve të burgosur ose të kapur rob nga qafirët ose nga tiranët. - “…të përkryesh namazin e të japësh zekatin…” – Një shprehje e bamirësisë, të cilën jemi urdhëruar ta kryejmë, është edhe falja e namazit e dhënia e zekatit. Tashmë është përmendur disa herë që Allahu i Lartësuar e përmend faljen e namazit bashkë me dhënien e zekatit, për shkak se janë dy adhurimet më të mira dhe dy mënyrat më efikase për t'iu afruar Zotit të botëve. Ato janë adhurime që përfshijnë zemrën, trupin dhe pasurinë e robit. Namazi dhe zekati janë matësit e imanit dhe treguesit e sigurisë që gjendet në zemrën e robit për vërtetësinë e premtimit të Zotit. - “…të plotësosh fjalën e dhënë…” – Këtu flitet për premtimin për të kryer diçka që Allahu e ka bërë të detyrueshme, ose që vetë robi ia bën të detyrueshme vetvetes. Në fakt, në këtë përkufizim hyjnë të gjitha të drejtat e Allahut të Lartësuar mbi robërit e Tij, sepse Allahu i Lartësuar ua ka bërë të detyrueshme adhuruesve që të plotësojnë detyrimet ndaj Tij, të cilat ata me vetëdije i kanë pranuar, duke premtuar se do t'i plotësojnë. Këtu përfshihen edhe të drejtat e krijesave, të përcaktuara nga Allahu i Lartësuar, që të plotësohen në marrëdhëniet mes tyre. Këtu bëjnë pjesë edhe përbetimet e robit, të cilat nuk i ka bërë të detyrueshme Allahu i Lartësuar, por vetë robi ia bën
detyrim vetvetes; edhe këto, pra, duhet të çohen në vend dhe të plotësohen. - “…të jesh i durueshëm në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. ” – Bamirësi tjetër që është urdhëruar të kryhet, është edhe durimi i shprehur në tri momentet e përshkruara në ajet. - “…në skamje” – Pra, bamirës të vërtetë janë ata që tregohen të durueshëm në gjendje varfërie. I varfri ka nevojë për durim, për shumë arsye dhe në shumë drejtime. Ai ka nevojë për durim të madh që të përballojë dhimbjet trupore dhe psikologjike, të cilat i përjetojnë veç të varfërit. Nëse të pasurit gëzojnë dhe shijojnë kënaqësi të ndryshme, i varfëri vuan. Kur ha një ushqim që nuk i pëlqen, ai vuan. Kur ndien nevojën të vishet mirë dhe nuk mundet, ai vuan. Kur shikon të tashmen dhe të ardhmen që e pret, dhe ndihet i pasigurt për të, ai vuan. Kur ndien ftohtë dhe nuk gjen me çfarë të ngrohet, ai përsëri vuan. Të gjitha këto, pra, janë sprova, të cilat jemi urdhëruar t’i durojmë, duke llogaritur shpërblimin e Allahut të Lartësuar për to. - “…në sëmundje” - Pra, të duruarit gjatë sëmundjeve të të gjitha llojeve. Për çdo sëmundje që godet njeriun është i nevojshëm durimi. Kur njeriu është sëmurë, shpirti dobësohet dhe trupi ndien dhimbje. Sëmundjet janë shumë të vështira për t'u përballuar, sidomos kur ato zgjasin. Në të tilla kushte, njeriu është i urdhëruar të tregohet i durueshëm, që të arrijë shpërblimin e pamasë, të përgatitur nga Allahu i Lartësuar për durimtarët. - “…në flakën e luftës” – Një nga situatat që kërkon durimin më të madh është koha gjatë betejës kundër armiqve, për të cilët jemi urdhëruar që t'i luftojmë. Durimi në këtë rast është nga veprat më të vështira për shpirtin, sepse janë momente kur njeriu e ndien afër frikën nga vrasja, plagosja apo kapja rob. Për këtë arsye, durimi në luftime është shumë i nevojshëm. Në fakt, luftëtarit në rrugën e Zotit të Madhëruar i lehtësohet durimi kur llogarit shpërblimin e Allahut të Lartësuar dhe faktin që ndihma vjen prej Zotit të gjithësisë, i Cili ka premtuar fitore dhe ndihmë për durimtarët. - “Vetëm këta janë me të vërtetë të sinqertë dhe vetëm këta janë të devotshëm.” – Pra, vetëm ata që kanë cilësitë e lartpërmendura janë të sinqertë, që e vërtetojnë besimin e tyre me vepra. Ata kanë besim të drejtë, vepra të mira dhe moral të lartë. Ata janë të sinqertë, që e vërtetojnë besi min, me anë të veprave të tyre. Por ata meritojnë të quhen edhe “të devotshëm”, sepse ata i largohen haramit dhe i zbatojnë me përpikmëri urdhrat e Zotit të tyre. E si të mos u përmbahen dispozitave të vendosura nga Zoti i tyre, kur dihet se ato janë kultivuese të çdo cilësie të lartë. Mbajtja e premtimeve dhe e përgjegjësive i përfshin të gjitha fushat e jetës dhe të fesë, ndërsa adhurimet e cituara në këtë ajet janë adhurimet më të mëdha të Islamit. Ai që tregohet rigoroz në zbatimin e tyre, me siguri që në adhurimet e tjera do të jetë shumë i rregullt. Këta janë bamirësit, të sinqertët e të devotshmit. Shpërblimi që Allahu i Lartësuar ka përgatitur për të tillë njerëz, në këtë jetë dhe në jetën tjetër, është i pamundur të tregohet e përshkruhet në një libër të vetëm si ky, me të tilla përmasa.