← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 178 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:171–2:182

Derisa idhujtarët nuk i vunë veshin e kuptimit shpalljes së Zotit as thirrjes së Pejgamberit, por vazhduan ta praktikojnë traditën e të parëve injorantë, brengosjen e pejgamberëve për mossukses në thirrjen e tyre, Zoti ua qetëson duke u thënë se faji nuk është te ju, por tek ata që nuk pranojnë mësimet tuaja, të cilët janë sikurse bagëtia e bariut që zërin e tij e dëgjojnë po nuk e kuptojnë.

Edhe pse një numër i njerëzve i refuzoi mësimet e Zotit, Ai nuk ua ndërpreu të mirat në këtë botë. Përkundrazi, Ai i udhëzoi për ushqime të mira, e besimtarëve u tha: hani ushqimet e lejuara të cilat janë në dobi të shëndetit tuaj dhe falënderonie Zotin, i cili u udhëzoi për ruajtjen e shpirtit sikurse edhe për ruajtjen e shëndetit. Ushqimi i ndaluar është i dëmshëm, por nëse është në rrezik jeta nga uria, atëherë është i lejuar aq sa për t'i ikur rrezikut.

Çështja e ndryshimit të kibles shkaktoi polemikë të thellë te ithtarët e librit, ashtu që secili prej tyre pretendonte se vetëm kibla e tij është rrugë e drejtë. Për këtë polemikë të pavend shpallet ky ajet i Kur'anit, sipas të cilit kuptohet se e tërë e mira është në besimin e drejtë, në veprat e mira e humane, në zbatimin e obligimeve të fesë, e jo kthimi kah lindja ose perëndimi.

I Gjurmimi i hakmarrjes kundër dorasit që mbyt tjetrin pa kurrfarë të drejte e arsye, është obligim i bashkësisë, por në mënyrë dhe masë të drejtë, e jo në mënyrë revanshuese. Me këtë obligim synohet ruajtja e jetës, sepse mbytja e dorasit nga ana e bashkësisë, është vërejtje të tjerëve për pasojën e një krimi të tillë, e hakmarrja nuk është synim. Në Kur'an thuhet: kisasi - ekzekutimi i dënimit kundër katilit, është jetë për ju, anipse është humbje e një personi, pse ndikimi i një mase të tillë ka lënë përshtypje të madhe në ruajtjen e jetës së të tjerëve. Kur'ani zgjon ndër njerëz ndenjën. vëllazërore kur thotë: e atij që nga vëllau i vet i falet diçka.. ku viktima ose familja e viktimës quhet vëlla i dorasit, andaj falja e gjakut, ose kalimi në shpagim të tij, është shumë thevab.

Testamenti - vasijjeti, në ditët e para deri kur u shpall dispozita rreth të drejtës së trashëgimisë ka qenë obligim, e pas asaj dispozite testamenti kufizohet në suaza më të ngushta, por ata që e dëgjojnë porosinë e porositësit, janë të obliguar të dëshmojnë besnikërisht.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:178–2:179

Allahu i Madhëruar i njofton besimtarët se Ai e ka bërë detyrë drejtësinë në masat ndëshkimore të sjella në ligjin e Tij. Kështu, i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Nuk lejohet që të kalosh kufijtë e vendosur nga Allahu, siç vepruan popujt e mëhershëm. Në atë kohë, kur fiset Benu Nadir dhe Benu Kurejdha luftonin kundër njëri-tjetrit dhe ndodhte që një nadiras vriste një kurejdhas, nadirasi nuk dënohej me vdekje për këtë vrasje, por jepte kompensim 1000 uiskë me hurma. Por nëse një kurejdhas vriste një nadiras, atëherë kurejdhasi dënohej me vdekje. E nëse bihej dakord për kompensim, ai duhet të paguante 2000 uiskë, pra, dyfishin e kompensimit të palës tjetër. Atëherë, Allahu i Madhëruar urdhëroi për drejtësi në zbatimin e këtyre masave ndëshkimore. Nuk lejohet që ligjet e Zotit të ndryshohen, duke kaluar në këtë mënyrë çdo kufi, madje edhe duke mohuar Zotin. I Lartësuari thotë: - O ju që keni besuar! Për ju është urdhëruar shpagimi me barazi (kisas) në rast vrasjeje: i liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. - Ebu Maliku thotë se ky ajet është abroguar nga ajeti tjetër kuranor: "Ne i urdhëruam ata në Teurat: "Jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me masë (të drejtë) ndëshkimore. Por, për atë që fal, ka shlyerje gjynahesh. Ata që nuk gjykojnë me atë që ka shpallur Allahu, ata janë të padrejtë." [Maide 45]. Kështu, të lirët janë të barabartë në masat ndëshkimore, si meshkujt edhe femrat, si në rastin e vrasjes, ashtu edhe në penalitetet poshtë saj (plagosja, fyerja etj). Edhe robërit (skllevërit) janë të barabartë mes tyre në vrasjen me paramendim dhe në dispozitat për penalitetet poshtë saj, si meshkujt, ashtu edhe femrat (prej skllevërve). Ebu Hanife është i mendimit që edhe i liri dënohet me vdekje, nëse ka vrarë një rob (skllav), sepse ajeti në suren Maide është gjithëpërfshirës. Të njëjtin mendim ka edhe El Theuriju, Ibn Ebu Lejla dhe Daudi (Dhahiriju). Është transmetuar që ky është edhe mendimi i Aliut, Ibn Mesudit, Ibn Musejibit etj. Këta mbështeten në hadithin e përgjithshëm e të paspecifikuar të El Hasenit, që e përcjell nga Sumrate, që thotë: 186 “Ai që vret robin (skllavin) e tij, ne e vrasim. Ai që

gjymton robin e tij, ne e gjymtojmë! Ai që e tredh robin e tij, edhe ne e tredhim atë.” Por shumica e dijetarëve janë të mendimit se i liri nuk vritet për skllavin e tij, sepse skllavi konsiderohet si mjet pune, ndaj nëse vritet gabimisht, zotërisë së tij nuk i jepet masa e përcaktuar si kompensim për vrasje gabimisht, por i jepet vetëm vlefta që ka paguar për ta blerë atë. Po kështu, shumica e dijetarëve janë të mendimit se muslimani nuk vritet për qafirin, sepse në Sahihun e Buhariut vjen hadithi i Aliut, që tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 187 “Nuk vritet muslimani për qafirin”. Asnjë hadith që bie ndesh me këtë hadith ose e keqinterpreton atë nuk është i saktë. Ndërsa Ebu Hanife është i mendimit se muslimani dënohet me vdekje edhe nëse vret një qafir, duke marrë si argument ajetin e mësipërm nga surja Maide 45, i cili është i përgjithshëm. A vritet një burrë nëse ka vrarë një grua? El Hasenu dhe El Atau janë mendimit se nuk vritet, duke marrë si argument këtë ajet. Por shumica e dijetarëve janë të mendimit se vritet dhe argument për këtë sjellin ajetet në suren Maide 45 dhe hadithin e Profetit ﷺ që thotë: 188 “Muslimanët janë të barabartë në shenjtërinë (paprekshmërinë) e jetës së tyre.” Nëse një grup i madh vret një njeri, a dënohen me vdekje të gjithë anëtarët e grupit? Katër imamët dhe shumica e dijetarëve janë të mendimit se dënohen me vdekje të gjithë. Umer Ibn Hatabi, duke dhënë gjykimin për vrasësit e një djaloshi, të cilët ishin 7 vetë, tha: “Sikur të ishin bashkuar të gjithë banorët e Sanasë në vrasjen e këtij djaloshi, do t’i kisha ekzekutuar të gjithë.” Për këtë gjykim të tij, nuk njihet të ketë pasur ndonjë kundërshtim nga sahabët, ndaj mund të konsiderohet si unanimitet i tyre në këtë çështje. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: - Kurse ai, të cilit i falet gjaku prej vëllait të vet, nuk ekzekutohet. - Pra, ai nuk ekzekutohet nëse familja e viktimës pranojnë të falin, domethënë, të mjaftohen me pagesën e kompensimit. Allahu thotë: - Pas faljes, le të sillen butë me të falurin. - Pra, nëse familja pranon kompensimin, duhet të sillet me njerzillëk me autorin e veprës. Nga ana tjetër: - Ndërsa shpagimi (kompensimi për vrasjen) le t'u jepet me mirësi. - Kështu, kompensimi duhet të dorëzohet pa u vonuar dhe pa i dëmtuar ata që meritojnë marrjen e tij. Maliku, Ebu Hanife, Shafiu dhe njëri nga mendimet e Ahmedit gjykojnë se kujdestarit ligjor të viktimës i lejohet të falë dhe pranojë kompensimin veçse me lejen dhe pranimin e këtij verdikti nga vetë vrasësi. Ndërsa dijetarë të tjerë janë të mendimit se kjo lejohet edhe pa pranimin e tij. Disa nga dijetarët e parë (selefë) janë të mendimit se gruaja vrasëse nuk falet. Por ky mendim është kundërshtuar nga të tjerët. Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - Ky është lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. - Kjo është një dispozitë lehtësuese dhe treguese e mëshirës, nëse do të shihnim se si ishte ligji për popujt e shkuar. Ibn Abasi thotë: “Për bijtë e Izraelit ishte e shkruar në ligj se dënimi me vdekje për vrasjen ishte i pakthyeshëm dhe nuk lejohej falja e tij”. Ndërsa për këtë umet Allahu i Madhëruar thotë: - Kurse ai, të cilit i falet gjaku prej vëllait të vet, nuk ekzekutohet. - Domethënë, të pranohet pagesa e kompensimit në rastin e vrasjes me paramendim. Ky është një lehtësim i madh, në krahasim me ato ligje që ekzistonin mes bijve të Izraelit. Zoti thotë: "... le të sillen butë me të falurin. Ndërsa shpagimi (kompensimi për vrasjen) le t'u jepet me mirësi." Katadja thotë: “Allahu e mëshiroi këtë umet dhe i lejoi të pranojë pagesën për kompensim në rastin e vrasjes me paramendim, pasi askush para këtij umeti nuk e kishte të lejuar diçka të tillë.” - E kushdo që pas kësaj, e kapërcen kufirin, ka një dënim të dhembshëm. - Ai që vret pasi ka pranuar ose marrë kompensimin, ai kërcënohet me një

ndëshkim të dhembshëm nga Allahu, pra, me një dënim të ashpër, që është ekzekutimi. Seid Ibn Ebu Arubete sjell me senedin e tij hadithin nga Semrate, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 189 “Unë nuk e fal atë person që vret pasi ka pranuar pagesën për kompensim.” Pra, nuk pranohet kompensim për të, por ai ekzekutohet. - Në ligjin e barazisë është jeta juaj, o ju njerëz që kuptoni, në mënyrë që të përmbaheni. - Domethënë, dënimi me vdekje i vrasësit dhe ligji për këtë çështje ka një urtësi e madhe: ruajtjen dhe mbrojtjen e jetës. Nëse njeriu e di që, nëse vret, do të vritet, ai do të frenohet, dhe kështu ruhet jeta e njerëzve. Allahu thotë: "...o ju njerëz që kuptoni..." Pra, Ai u drejtohet të mençurve, atyre që kanë mendje të shëndoshë. - " ... në mënyrë që të përmbaheni." - Domethënë, këto ligje janë shkak që ju të frenoheni nga shkelja e kufijve të Allahut. El takuâ është një emër gjithëpërfshirës, që tregon kryerjen e veprave të mira në bindje ndaj Allahut dhe largimit nga ndalesat e Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:178–2:179

- “O ju që keni besuar! Për ju është urdhëruar shpagimi me barazi (kisas) në

rast vrasjeje” - Me këtë dispozitë, Allahu i Lartësuar tregon mirësinë e Tij ndaj besimtarëve, pasi, vërtet, shpagimi me të njëjtën masë i krimit të vrasjes është një nga mirësitë më të mëdha që Zoti ka ligjëruar për njerëzimin. Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshme që vrasësi të ekzekutohet me të njëjtën mënyrë sikurse ai ka ekzekutuar viktimën e tij. Vetëm në këtë mënyrë vendoset drejtësia dhe barazia mes robve. Ky urdhër, siç duket nga fillimi, u drejtohet të gjithë besimtarëve. Të gjithë e kanë detyrë që ta dorëzojnë vrasësin para ligjit, që të marrë dënimin e merituar. Madje edhe të afërmit e vrasësit, edhe vetë vrasësi duhet t'i dorëzohet ligjit, në mënyrë që të afërmit e viktimës të marrin shpagimin, nëse ata e kërkojnë një gjë të tillë. Nuk u lejohet besimtarëve që të ndalojnë të afërmit e viktimës të kërkojnë shpagimin, nëse ata duan të ekzekutojnë vrasësin, sipas ligjit përkatës. Ky pengim ndodhte gjatë kohës së injorancës, para Islamit, por jo në Islam. Në kohën e injorancës, ata e strehonin vrasësin, me qëllim që t'i fshihej ligjit, por në Islam drejtësia duhet të shkojë në vend. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon të shpjegojë zbatimin e kësaj dispozite, duke thënë: - “…i liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën”. Nga pjesa: “femra për femrën” duket, në pamje të parë, sikur drejtësia kërkon që vrasësi dhe i vrari të jenë të së njëjtës gjini, domethënë, sikur femra vritet për femrën, e jo për mashkullin, ndërsa mashkulli vritet për mashkullin, e jo për femrën. Por ky këndvështrim është i papranueshëm dhe nuk merret për bazë. Me fjalë të tjera, nuk është e domosdoshme që vrasësi dhe viktima të kenë të njëjtën gjini, që shpagimi të quhet i drejtë. Për këtë që themi, ne sjellim dy fakte: Së pari, është vetë fjala e Allahut të Lartësuar: “i liri për të lirin”, që do të thotë se mashkulli të ekzekutohet për mashkullin, femra për femrën, femra për mashkullin dhe mashkulli për femrën, sepse fjala “i lirë” i përfshin të gjithë këta. Këtu duhet të sqarojmë diçka. Çdo tekst që lexohet ka një kumt të drejtpërdrejtë dhe një tjetër të fshehur, të nënkuptuar. Në rastin tonë, katër kategoritë që nxirren nga fraza: “i liri për të lirin” kuptohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fjalët e saj. Ndërsa kumti i nxjerrë më sipër nga fraza “femra për femrën” është një nënkuptim i saj. Dihet shumë mirë në parimet e fikh-ut, se kumtet e drejtpërdrejta janë më parësore për t’u marrë në konsideratë, sesa kumtet e nënkuptuara të tekstit. Kështu, kumti i drejtpërdrejtë i frazës: “i liri për të lirin”, në të cilën hyjnë katër grupet e mësipërme, është më parësore që të pranohet, kundrejt kumtit të nënkuptuar të frazës: “femra për femrën”, e cila, në pamje të parë, duket sikur tregon që kusht për drejtësinë është edhe marrja në konsideratë e gjinisë së vrasësit dhe viktimës. Por kjo mbështetet edhe nga hadithet e sakta, ku sqarohet se edhe mashkulli vritet për femrën. Këtu duhet sqaruar edhe diçka tjetër. Nga kjo dispozitë e përgjithshme bëjnë përjashtim prindërit, sepse nuk vritet prindi për fëmijën e tij. Pra, nëse një prind vret fëmijën e tij, ai nuk dënohet me vdekje për këtë krim. Ky përjashtim mbështetet në Traditën profetike, që e sqaron mirë një gjë të tillë. Ai mbështetet edhe në fjalën e Allahut “ kisas”, pra: “shpagim me barazi”, sepse nuk është e drejtë dhe nuk tregon barazi që prindi të ekzekutohet për fëmijën që ka vrarë, pasi një prind ka aq shumë dashuri dhe dhembshuri për fëmijën e tij, saqë kurrë nuk do ta vriste atë, veçse në dy raste: ose kur ai (prindi) është mangët nga mendja, ose për shkak të një arsyeje shumë të fortë, që e ka bërë thuajse të pashmangshme këtë vrasje. Nga kjo dispozitë përjashtohen, gjithashtu, edhe jobesimtarët, sepse ajeti u drejtohet në mënyrë të veçantë besimtarëve. Pra, nuk është e drejtë që, për një jobesimtar, të vritet një besimtar. Ky qëndrim mbështetet në Traditën profetike. Megjithatë, për disa dijetarë, nuk është e drejtë që të ekzekutohet besimtari, i dashuri i Allahut, për hir të një qafiri, që është armik i Allahut. 6 Thënia e

Allahut të Lartësuar: “i liri për të lirin” në aspektin e saj të nënkuptuar, tregon se i liri nuk ekzekutohet nëse vret një rob (skllav). Fakti i dytë që tregon se nuk është e domosdoshme që vrasësi dhe viktima të kenë të njëjtën gjini, është thënia e Allahut të Lartësuar: “skllavi për skllavin”, e cila i përfshin të gjithë llojet e skllevërve, meshkuj apo femra qofshin, të shtrenjtë apo të lirë në çmim. Me fjalë të tjera, thënia: “skllavi për skllavin” nënkupton që skllavi (mashkull) ekzekutohet nëse ka vrarë një skllav (mashkull), skllavja ekzekutohet nëse ka vrarë një skllave, skllavi ekzekutohet nëse ka vrarë një skllave, dhe një skllave ekzekutohet nëse ka vrarë një skllav. Ky ajet tregon, gjithashtu, se shpagimi parësor i krimit të vrasjes është dënimi me vdekje i vrasësit, ndërsa kompensimi me pasuri është dytësor dhe zëvendësues. Kjo do të thotë që vrasësi nuk dënohet me vdekje në rast se të afërmit e viktimës pranojnë kompensimin me pasuri ose e falin vrasësin. Për këtë, i Madhëruari thotë: - “Kurse ai, të cilit i falet gjaku prej vëllait të vet, nuk ekzekutohet. Pas faljes, le të sillen butë me të falurin. Ndërsa shpagimi (kompensimi për vrasjen) le t'u jepet me mirësi.” - Nëse vrasësit i falet jeta nga ana e të afërmve të viktimës, ose të paktën nga disa prej tyre, ekzekutimi rrëzohet dhe bëhet e detyrueshme pagesa e kompensimit. I takon kujdestarit të viktimës që të zgjedhë mes ekzekutimit dhe kompensimit. Nëse kujdestari i viktimës ia fal jetën vrasësit, ai duhet që, pas kësaj, të sillet njerëzishëm me vrasësin, duke mos e rënduar atë. Edhe kompensimin duhet ta kërkojë brenda normave njerëzore, duke e ngushtuar sa më pak vrasësin, të cilin e ka falur. Më pas vjen këshilla për palën tjetër. Edhe vrasësi duhet të tregohet korrekt dhe mirënjohës, duke e dhënë masën pasurore të kompensimit pa e vonuar. Ai duhet ta vlerësojë faljen dhe tolerimin e palës tjetër, sepse bamirësia e falësit duhet shpërblyer veçse me sjellje të mirë e mirënjohje. Kështu, Allahu i Lartësuar i urdhëron të dyja palët për drejtësi e mirësi. Familjen e viktimës e udhëron që të sillet me butësi dhe me tolerancë, ndërsa vrasësin, të cilit i falet jeta, e urdhëron që ta dorëzojë kompensimin me mirënjohjeje dhe pendesë. Në fragmentin: “atij që i falet jeta prej vëllait të tij” gjejmë një shenjë apo një nxitje për të pasur dhembshuri mes njëri - tjetrit. Allahu thotë: “prej vëllait të tij”, për të ngjallur ndjenjën e mëshirës mes muslimanëve edhe në të tilla situata, kur urrejtja pushton zemrat. I Lartësuari kujton vëllazërinë në Islam, për të shtuar dhembshurinë, me qëllim që të mos këmbëngulet në ekzekutimin e vrasësit. Kësisoj, është më mirë që vëllai t'ia falë gjakun vëllait të tij musliman dhe ta pranojë me butësi kompensimin e ofruar prej tij. Madje, më mirë akoma do të ishte falja e vrasësit, pa kërkuar prej tij asnjë lloj kompensimi. Nga ky fragment i mësipërm kuptohet, gjithashtu, se vrasësi i muslimanit, me veprën e tij, nuk bën kufër që të nxjerr nga Islami, sepse Allahu i Lartësuar e ka quajtur familjen e të vrarit “vëlla” të vrasësit. Pa dyshim, vëllazëria që është pasur për qëllim këtu është pikërisht vllazëria në fenë Islame. Siç u tha, një musliman nuk bëhet qafir sepse vret një musliman tjetër. E nëse vrasja, që është gjynahu më i madh pas kufrit dhe shirkut, nuk e bën muslimanin qafir, atëherë sigurisht që gjynahet e tjera që qëndrojnë poshtë vrasjes, nuk e bëjnë muslimanin qafir. Thënë ndryshe, muslimani nuk bëhet qafir nëse bën çfarëdo gjynahu tjetër, përveç kufrit dhe shirkut. Por, pa dyshim, me të tilla gjynahe, besimi i tij ulet shumë. Nëse të afërmit e viktimës, qoftë dhe disa prej tyre, e pranojnë ta falin vrasësin, atëherë jeta e këtij të fundit mbrohet. Askush nuk lejohet ta vrasë atë apo të tregojë armiqësi ndaj tij, siç thotë i Madhëruari: - “Ky është lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E, kushdo që pas kësaj, e kapërcen kufirin, ka një dënim të dhembshëm.” - Çdokush që i shfaq

armiqësi dhe hakmerret duke e vrarë vrasësin, pasi këtij i është dhënë njëherë falja, ka për të patur një dënim të dhimbshëm në ahiret. Ndërsa në dynja, mbi të do të rëndojë ligji për krimin e vrasjes. Disa dijetarë mendojnë se shprehja “dënim i dhembshëm”, nuk tregon dënimin në ahiret, por dënimin në dynja, që do të thotë se një vrasës i tillë, që kryen hakmarrje pas faljes, dënohet me vdekje. Pra, ai që guxon të vrasë atë të cilit i është falur gjaku, ose prej të cilit është pranuar kompensimi pasuror, duhet të dënohet me vdekje dhe nuk lejohet që të falet, sipas disa dijetarëve. Megjithatë, më i saktë është mendimi i parë, që thotë se: “dënimi i dhembshëm” do të jetë dënimi në ahiret. Ndërsa në dynja, ndëshkimi i këtij vrasësi bëhet sipas ligjit përkatës, sepse krimi i tij nuk ndryshon nga krimi i të tjerëve. Edhe ai trajtohet si një vrasës, që gjykohet me të njëjtin ligj. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon urtësinë e Tij në caktimin e dispozitës së shpagimit me drejtësi dhe barazi për krimin e vrasjes: - “Në ligjin e barazisë është jeta juaj, o ju njerëz që kuptoni, në mënyrë që të bëheni të devotshëm .” – Domethënë, nëpërmjet këtij ligji ruhet gjaku i pafajshëm dhe frenohen kriminelët. Nëse njeriu e di shumë mirë se, nëse vret, do të vritet, ai do ta frenojë veten nga ky krim i shëmtuar. Gjithashtu, kur njerëzit shohin ndëshkimin e kriminelit, ai bëhet një mësim shumë i mirë për ta. Nëse shpagimi për vrasjen nuk do të ishte vrasja, atëherë ky krim i shëmtuar nuk do të frenohej kurrë. Të gjitha dënimet penale të Sheriatit janë e vetmja mundësi frenimi të krimit dhe padrejtësisë. Kjo tregon se Allahu që i ligjëroi ato është, pa dyshim, i Dituri, i Urti dhe Falësi. Fjala “jetë” në ajetin e mësipërm, është në trajtën e pashquar, për të treguar (në arabisht) kështu dobinë e madhe që u sjell njerëzve ky ligj i drejtë. Madje, duke qenë se vlerën e këtij ligji mund ta kuptojnë veçse mendimtarët e mëdhenj, Allahu iu drejtohet pikërisht atyre, duke thënë: “… o njerëz që kuptoni …”. Kjo tregon se Allahu i Lartësuar e dëshiron dhe kënaqet që njerëzit të meditojnë dhe të përdorin mendjen e tyre, për të studiuar hollësisht ligjet e sjella prej Tij. Ai i do ata që përnxjerrin urtësitë dhe dobitë e dispozitave të Tij, sepse ato tregojnë që Ligjvënësi është Absolut në urtësinë e madhështinë e Tij. Ato tregojnë qartë drejtësinë e Tij të pakrahasueshme dhe mëshirën e Tij të gjerë. Njerëzit që meditojnë dhe përnxjerrin urtësitë dhe dobitë e ligjeve të Allahut, e meritojnë të quhen të urtë , dijetarë. Ata janë vërtet të privilegjuar e të përzgjedhur, sepse vetë i Madhëruari (Allahu) i ka quajtur “ njerëz që kuptoni”. Mjafton kaq si nderim për ata që dinë të mendojnë. Thënia e Allahut: “në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”, tregon dobinë e njohjes dhe të zbatimit të dispozitave të Tij. Për atë që e njeh Zotin e Tij dhe madhështinë e Tij, apo që arrin të njohë urtësitë në dispozitat e Tij, sigurisht që do të ketë shtim të bindjes dhe të nënshtrimit të plotë ndaj Atij. Njohësi i mirë i këtyre çështjeve e ndien madhështinë e Allahut, prandaj nuk ia lejon vetes që të shkelë kufijtë e të Madhërishmit. Ky njeri meriton të quhet ‘i devotshëm’, sepse devotshmëria nuk është gjë tjetër, por veçse të ruajturit nga ndëshkimi i Zotit, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Devotshmëria është ruajtja e kufijve të Zotit, në shenjë madhërimi dhe dashurie për Të.

← Bekare 2:178