← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 183 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:183–2:190

Agjërimi ishte rregull edhe më heret te popujt para nesh, por jo në këtë trajtë, as në këtë mënyrë e as me këtë qëllim. Agjërimi në fenë islame ka për qëllim: lartësimin shpirtëror, edukimin moral, përgatitjen e njeriut që t'i mbizotërojë emocionet e epshet dhe të bëhet i pavarur prej tyre. Ai nuk ka për qëllim vetëm braktisjen e ushqimit, por braktisjen e të gjitha punëve, sjelljeve dhe shprehjeve që nuk përkojnë me moralin islam. Fryma humane e obligimeve të fesë islame manifestohet edhe në agjërim, sepse i sëmuri ose ai që nuk i ka kushtet e volitshme për të agjëruar në kohën e caktuar, i lejohet të agjërojë më vonë, kur të shërohet ose kur t'i ketë kushtet më të mira.

Agjërimi u bë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, muaji i agjërimit është muaji i Ramazanit, në të cilin fillon shpallja e Kur'anit që është udhërrëfyes e shpëtimtar për njerëzit. Derisa agjërimi është vepra-ibadeti më i sinqert, agjëruesi i këtij muaji është më afër Zotit dhe për lutjet dhe kërkesat e veta, siç kuptohet nga Kur'ani, nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësuesi.

Në fillim të zbatimit të agjërimit, në raste të posaçme, nuk ishte e lejueshme të),flejnë" së bashku me gratë e tyre, e më vonë kjo u lejua.

Peri i bardhë dhe i ziu, të përmendur në Kur'an, kanë të bëjnë me dritën e agimit dhe errësirës para tij - thonë komentatorët.

Pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë është haram, pa marrë parasysh se pronari i pasurisë pajtohet për te siç është ryshfeti etj.

Hëna me fazat e saj përcakton kohët e nevojshme për çështjet fetare dhe përcakton llogari të tjera. Disa arabë, sa ishin në ihrame gjatë haxhit, mendonin ta ndryshonin jetën e rëndomtë, andaj e ndryshuan edhe hyrjen në shtëpitë e tyre, ata hynin nga prapa e jo nga dera, e Kur'ani u tha se kjo është bindje e gabuar. Disa komentatorë të Kur'anit janë të mendimit se me këtë thënie aludohet: çështjeve duhet hyrë kah është rruga dhe ato duhet besuar atyre që i njohin, e jo injorantëve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:183

Allahu i Madhëruar e ka urdhëruar këtë umet për agjërim. Agjërimi është vetëprivimi nga ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, me nijet të sinqertë për të kënaqur Allahun e Lartësuar, nga fillimi i agut të ditës e deri në perëndim të diellit. Allahu i Madhëruar na urdhëron për të agjëruar, sepse agjërimi është pastrim i shpirtrave dhe dëlirësim i tyre nga çdo cilësi e keqe dhe nga çdo moral i ulët e poshtërsi. Allahu i Lartësuar na tregon se, ashtu siç na urdhëroi ne për këtë adhurim, po ashtu i ka urdhëruar edhe popujt para nesh, për ta patur si shembull dhe për t’u përpjekur që ta kryejmë këtë adhurim në formë më të plotë se popujt që shkuan. I Madhëruari thotë: "Për secilin prej jush, Ne caktuam Ligj e program. Po të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm (në fe), por deshi t’ju sprovonte me atë që ju ka dhënë. Prandaj garoni për punë të mira! Tek Allahu është kthimi i të gjithëve ju dhe Ai do t’ju tregojë të vërtetën e çështjeve për të cilat ju kishit kundërshtime." [Maide 48]. Ndërsa këtu thotë:

- O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm. - Me qëllim që të jeni të ruajtur e të mbrojtur dhe sepse agjërimi është edhe pastrim për trupin. Ai është ndihmë e madhe për të arritur devotshmërinë dhe për të qenë i ruajtur nga gjynahet, sepse ai i ngushton rrugët e shejtanit, sikurse është sjellë në dy Sahihët: 194 “O ju të rinj! Kush ka mundësi prej jush, le të martohet. Ai që nuk ka mundësi, atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi është mbrojtje për të.” Në fillim të Islamit, agjërimi ishte një adhurim që bëhej 3 ditë në çdo muaj. Pastaj kjo u anulua me ligjërimin e agjërimit të muajit të Ramazanit. Në fillim, nëse dikush falte akshamin dhe flinte gjumë, duhet të agjëronte dhe nuk mund të hante, pinte e të shkonte me gruan deri në perëndim të ditës tjetër. Allahu i Madhëruar na sqaron se si ishte agjërimi në hapat e parë të ligjërimit:

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:183–2:185

- “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve një mirësi të madhe për ta, që është agjërimi. Agjërimi ka qenë i detyrueshëm edhe për popujt e mëparshëm, pasi ai është i dobishëm për të gjitha kohërat. Ky ajet shërben si nxitje e këtij umeti, për të garuar me popujt e mëparshëm në kryerjen e veprave të mira që i kushtohen Allahut. Kështu, ata nxiten për të arritur cilësitë më të mira, që do të thotë se agjërimi nuk është thjesht një vepër e vështirë për t’u kryer.

Pastaj, Allahu i Lartësuar na tregon qëllimin e lartë të këtij adhurimi, duke thënë: - “…me qëllim që të bëheni të devotshëm.” - Agjërimi është një nga mënyrat më efikase për t’u pajisur me devotshmëri. Ai është zbatim i urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij, ashtu si vetë devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Agjërimi e ndalon agjëruesin nga disa gjëra, si nga: të ngrënit, të pirit, marrëdhëniet seksulale etj. Besimtari iu largohet këtyre veprimeve, ndonëse nefsi ia kërkon me forcë, me qëllim që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Siç shihet, pra, ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë. Nëpërmjet agjërimit, robi ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Zotit të tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar kënaqësitë e nefsit, ai u largohet atyre, sepse nuk do që të shkelë ligjet dhe rregullat e të Dashurit të Tij, Allahut të Ditur dhe të Urtë. Agjëruesi e ndien gjatë gjithë kohës vështrimin e Allahut dhe është shumë i sigurt për të. Nga ngjashmëritë e agjërimit me devotshmërinë ( takua) është edhe fakti se, agjërimi ia ngushton shejtanit rrugët e tij në trupin e njeriut. Dihet se shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut ashtu sikurse qarkullon edhe gjaku i tij, por gjatë agjërimit, damarët ngushtohen e, rrjedhimisht, ngushtohen edhe rrugët e shejtanit për të mashtruar dhe nxitur njeriun në gjynahe. E dihet, gjithashtu, se njeriu i pakëson shumë gjynahet gjatë agjërimit. Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse, në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira në bindje ndaj Zotit, dhe nuk ka dyshim se veprat e mira të bëjnë të devotshëm. Një njeri i pasur, kur agjëron, e ndien vështirësinë dhe vuajtjen e të varfërit, që nuk ka mundësi të ushqejë veten dhe familjen e tij. Kështu, ai bëhet më i dhembshur ndaj të tjerëve, prandaj përpiqet t’i ndihmojë ata me pasuri, dhe dihet se shpenzimi në rrugën e Zotit është cilësi e devotshmërisë. - “Agjërimi është për një numër të caktuar ditësh. ” – Vërtet, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin detyrim për ne, por gjithashtu na njoftoi se ai zgjat vetëm për disa ditë të numëruara, të cilat nuk e dëmtojnë dhe nuk e stërmundojnë njeriun. Përkundrazi, kjo detyrë është shumë e lehtë për t'u përmbushur dhe me shpërblim shumë të madh. Lehtësimi i Allahut të Lartësuar nuk ndalon këtu. Ai thotë: - “Të sëmurët ose udhëtarët (që nuk agjërojnë dot), le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar) . – Pra, për shkak të vështirësisë që zakonisht hasin këto dy kategori njerëzish, Allahu i Lartësuar u ka dhënë lehtësimin që, agjërimin e detyrueshëm të Ramazanit ta kryejnë në ditët e tjera pas këtij muaji, kur të jenë shëruar apo kur të jenë kthyer nga udhëtimi. Kështu, ata do ta marrin shpërblimin të plotë tek Zoti. Nga ajeti kuptojmë se ditët e paagjëruara të Ramazanit duhet të plotësohen detyrimisht, qofshin ato ditë të lëna plotësisht apo përgjysëm. Ajeti dëshmon se lejohet të zëvendësohen ditët e paagjëruara me ditë të tjera, edhe nëse nuk janë të njëjta në gjatësinë e tyre. Pra, nëse Ramazani, për shembull, ka qenë në stinën e verës, kur ditët janë të gjata, ato mund të zëvendësohen edhe me ditë të shkurtra dimri, sepse Allahu nuk ka përcaktuar gjë të tillë në ajet. Mjafton që të plotësohet vetëm numri i tyre. - “Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri. Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të. ” - Këtu flitet për mëshirën e madhe të Allahut, i Cili, para se ta bënte detyrim të plotë agjërimin për njerëzit, u dha atyre disa dispozita lehtësuese. Kështu, në fillim, edhe ai që kishte mundësi të agjëronte, mund të mos agjëronte, por ishte i detyruar të kompensonte, duke ushqyer një të varfër.

Kjo u bë me qëllim që detyrimi t'u vinte sa më i lehtë. Megjithatë, edhe pse i lejoi që, në vend të një dite agjërimi, të ushqenin një të varfër, Allahu i lartësuar tha: - “Por, sikur ta dini, është më mirë për ju të agjëroni.” - Por pas disa kohësh, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin të detyrueshëm për cilindo që mund të agjërojë. Ndërsa kush nuk mundet, duhet që ditët e lëna pa agjëruar, t'i agjërojë më vonë. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet flet për atë kategori njerëzish, të cilët e kanë të vështirë agjërimin, sepse mund të sjellë probleme të mëdha për ta, sikurse mund të jenë, për shembull, pleqtë e shtyrë në moshë. Për këtë kategori njerëzish lejohet që të mos agjërojnë, por ata e kanë të detyrueshme që të japin kompensim, duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë të paagjëruar. Ky mendim i dytë është më i saktë për t'u pranuar. - “Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues (i së vërtetës nga e kota) ."– Kuptimi: Muaji që duhet të agjëroni është muaji i Ramazanit, në të cilin zbriti Kur’âni, mirësia e madhe e Zotit tuaj. Këtu përmenden disa cilësi të Kur’ânit. Kështu, ai quhet “udhërrëfyes për njerëzit”, për t'u treguar atyre mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Së dyti, ai cilësohet “sqarues i rrugës së drejtë”, për ta bërë këtë me mënyrën më të thjeshtë dhe më të kuptueshme. Dhe më pas Kur’âni quhet “kriter dallues”, sepse ai të mundëson të shohësh dhe të dallosh rrugën e drejtë nga rruga e gabuar. Ai bën dallimin mes të lumturve, që do të jenë përherë në kënaqësinë e Allahut, dhe të dëshpëruarve, që do të vuajnë përjetësisht ndëshkimin dhe zemërimin e Zotit. Siç shihet, ky është muaj madhështor, prandaj duhet mbushur me adhurime kushtuar Zotit të gjithësisë, pikësëpari me agjërim. Kjo është urtësia e Allahut dhe mëshira e Tij. Vetëm pasi tregon dobitë e këtij muaji të madh dhe urtësinë e agjërimit gjatë tij, Ai thotë: - “Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!” - Me këtë ajet, pra, u bë i detyrueshëm agjërimi i Ramazanit për çdonjë që ka mundësi të agjërojë dhe nuk është në udhëtim. Dikush mund të mendonte se ky ajet, përveçse anulon kompensimin për ata që mund të agjërojnë, anulon edhe lehtësimin për të sëmurët e udhëtarët, prandaj Allahu i Lartësuar e përmend sërish lehtësimin për të sëmurët dhe udhëtarët, që të largohet ky keqkuptim. Ai thotë: - “Por kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) .” – Kjo bëhet sepse Allahu i Lartësuar kërkon që të na i lehtësojë në maksimum rrugët që të çojnë drejt kënaqësisë së Tij. - “Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju. ” - Ai dëshiron të na thjeshtësojë çdo rrugë të mirë dhe të drejtë. Për këtë arsye, të gjithë urdhrat e Tij janë shumë të thjeshtë në origjinën e tyre. Në rastet kur, për shkaqe të justifikueshme nga Sheriati, zbatimi i këtyre

urdhrave vështirësohet, Ai ka sjellë dispozita lehtësuese, të cilat ose mund ta anulojnë krejt urdhrin e parë, ose mund të bëjnë disa lehtësime të tij. Çështja e lehtësimeve të Zotit për adhuruesit e Tij është mjaft e gjerë, saqë përfshin çdo aspekt të Sheriatit, prandaj këtu nuk mund të përmenden të gjitha ato. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë. - “Plotësojeni numrin e ditëve të agjërimit ...” - Allahu i Lartësuar e di më mirë, por, me sa duket, ky sqarim është i nevojshëm për ndonjë që mendon se qëllimet e larta të Ramazanit mund të plotësohen edhe duke agjëruar një pjesë të tij. Pra, Allahu i Lartësuar thekson se duhen plotësuar të gjitha ditët e këtij muaji. Dhe, si përfundim, Allahu i Lartësuar duhet adhuruar dhe falënderuar për suksesin që u jep besimtarëve në kryerjen e agjërimit dhe për qartësimin e të vërtetës: - “...dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin (që ju dhuroi) , që të bëheni mirënjohës!” - Këtu bëjnë pjesë edhe tekbir-et, të cilat fillojnë që në momentin kur shfaqet hëna e re e muajit sheval, që tregon mbarimin e Ramazanit, dhe vazhdojnë deri në kohën e hytbes së namazit të Bajramit, ditën e festës.

← Bekare 2:183