← Kthehu te rezultatet për „me afer se damari i qafes“

2. Bekare · Ajeti 194 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:191–2:196

Lufta u ishte e ndaluar myslimanëve. Mirëpo, vetëm atëherë kur ishte puna për mbrojtje u lejohej, por me kusht që të luftojnë vetëm kundër sulmuesve, e jo kundër atyre që nuk kishin marrë pjesë në luftë, as kundër pleqve, të sëmurëve e as fëmijëve.

Në muajt e shënjtë, që janë katër Dhilkade, Dhilhixhe, Muharrem dhe Rexheb lufta ishte e ndaluar, po ashtu ishte e ndaluar edhe në vendin e shenjtë, në Qabe dhe rrethinat e saj. Mirëpo idhujtarët nuk respektonin shenjtërinë, por i sulmonin myslimanët. Këto ajete të Kur'anit u lejojnë myslimanëve të luftojnë kundër armikut nëse sulmohen prej tij edhe në muajt dhe vendin e shenjtë. Rreziku që u kanosej myslimanëve nga propaganda dhe provokimet për t'i rikthyer në idhujtari, ishte edhe më i rëndë se lufta në vendin e shenjtë, andaj u porositën ta pastrojnë atë vend nga idhujtarët, e të mos mbetet vend për propagandim idhujtarësh (fitne).

Muaji i shenjtë ishte me rastin e vitit të gjashtë hixhrije, kur Pejgamberi së bashku me besimtarët e vet e mësyni vizitën e Qabes në muajin Dhilkade, por idhujtarët nuk e lejuan atë vizitë dhe myslimanët së bashku me Pejgamberin u kthyen, mirëpo në vitin e shtatë në të njëjtin muaj i bënë vizitën.

Saherë që në Kur'an përmendet lufta, mbytja, së bashku me to përmendet fjala, në rrugën ose për rrugën e Allahut, me çka kuptohet se lufta nuk ka për qëllim okupimin e vendit të huaj, nuk ka për qëllim prenë e luftës ose diçka tjetër, por ka për qëllim vetëm lirinë për besimin e drejtë, për zbatimin e lirë të fjalës së Zotit xh. sh.

Pas përgjigjes për rëndësinë e ndërrimit të hënës, sipas së cilës bëhet edhe agjërimi e edhe haxhi, ndërhyjnë ajetet rreth luftës, për t'ju sqaruar myslimanëve se në rast sulmi prej armikut, duhet të luftojnë edhe në muajt edhe në vendin e shenjtë.

"Haxhi" do të thotë: mësyerje, qëllim, e këtu është fjala për atë që vendosë ta vizitojë Qaben në kohën e caktuar. "Umre" i thuhet vizitës që i bëhet Qabes në cilëndo kohë të vitit. Umra ndryshon nga haxhi, sepse në umre nuk është obligim qëndrimi në Arafat. Për ata që kanë mundësi haxhi është obligim një herë në jetë. Mënyra e zbatimit të njërës dhe tjetrës, është sqaruar në shkencën I e fikhut.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:194

Ikrima përcjell nga Ibn Abasi dhe të tjerë, që thonë: “Kur Profeti ﷺ udhëtoi për të kryer umren në vitin e gjashtë të hixhrit, ai u pengua nga idhujtarët e Mekës që të hynin në Mekë dhe në Qabe. Ata e penguan atë së bashku me gjithë muslimanët që e shoqëronin. Kjo ndodhi gjatë muajit Dhul Kide, i cili është njëri nga katër muajt e shenjtë. Atëherë Profeti, pas negociatave me ta, ra dakord që të kthehej vitin tjetër për të bërë umren. Kështu, një vit më pas, ai kreu umren së bashku me gjithë besimtarët që ishin me të. Për këtë kanë zbritur edhe këto ajete: "Muaji i shenjtë për muajin e shenjtë. Dhe kështu për të gjitha gjërat e ndaluara është ligji i barazisë.” Imam Ahmedi sjell në Musnedin e tij hadithin nga Xhabir Ibn Abdilahi, i cili ka thënë: 233 “Profeti nuk ka luftuar në muajt e shenjtë, veçse nëse sulmohej. Nëse fillonte një ekspeditë luftarake dhe hynin muajt e shenjtë, ai ndalej derisa të përfundonin.” Ky është një isnad i saktë. Për këtë arsye, kur Profetit i erdhi një lajm teksa ishte në çadër në Hudejbije, se Uthmanin e kishin vrarë, - ndërkohë që ai e kishte dërguar si lajmëtar tek idhujtarët - ai lidhi besën poshtë një peme me shokët e vet, që ishin 1400 vetë, që të luftonin kundër idhujtarëve. Por kur u erdhi lajmi se Uthmani nuk ishte vrarë, Profeti u tërhoq nga plani për luftë dhe pranoi kushtet e ofruara nga idhujtarët mekas për paqe, derisa ndodhi ajo që ndodhi. Po kështu, kur përfundoi nga lufta me fisin Heuazin në betejën e Hunejnit dhe ata u mbyllën në kështjellat e tyre në Taif, Profeti i rrethoi ata. Hyri muaji i Dhul Kides, por Profeti e vazhdoi rrethimin e tyre, duke i gjuajtur edhe me katapulta. Kështu vazhdoi për dyzet ditë, siç është hadithi në dy Sahih-ët nga Enesi. Kur pa që po shtoheshin të vrarët ndër shokët e tij, Profeti u largua, pa arritur që ta çlironte. Ai u kthye për në Mekë dhe veshi ihramin për umre nga El Xhi’raneja. Po atje, ai shpërndau edhe plaçkën e luftës së fituar në Hunejn. Edhe kjo umre ndodhi në Dhul Kide, në vitin e 8 -të. Allahu i Madhëruar thotë: - Nëse ju sulmojnë, sulmojini edhe ju po në atë mënyrë. - Ky është një urdhër për të ruajtur drejtësinë, madje edhe me idhujtarët, sikurse ka thënë i Madhëruari në një ajet tjetër: "Ndëshkimi i së keqes (lejohet të) bëhet me një të keqe në të njëjtën masë..." [Shura 40]. Transmetohet nga Ibn Abasi se fjala e Allahut: "Nëse ju sulmojnë, sulmojini edhe ju po në atë mënyrë. ...” është zbritur në Mekë, gjatë kohës kur nuk kishte xhihad dhe muslimanët nuk kishin fuqi. Më pas, ky ajet u abrogua nga ajeti i luftës, i zbritur në Medinë.”. Por Ibn Xheriri

përcjell nga Muxhahidi se ajeti është zbritur në Medinë, pas umres kaza. Në vijim, i Lartësuari thotë: - Por kini frikë nga Allahu dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit. - Ky është një urdhër për t’u bindur dhe për të qenë të devotshëm ndaj Tij dhe njëkohësisht një lajm i mirë se Allahu i Madhëruar do të jetë gjithmonë me të devotshmit, me ndihmën e mbështetjen e tij për të arritur fitoren në dynja dhe në ahiret.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:194–2:195

- “Muaji i ndaluar – për muajin e ndaluar. Dhe kështu për të gjitha gjërat e ndaluara është ligji i barazisë. ” – Ky ajet ka dy shpjegime. Si fillim, duhet ditur që idhujtarët e ndaluan Profetin (s.a.u.s.) dhe sahabët që të vizitonin Qaben, vitin kur u krye Marrëveshja e Hudejbijes. Sipas marrëveshjes, atë vit, muslimanët duhet të ktheheshin në shtëpi, dhe vizitën e Qabes ta kryenin vitin e ardhshëm. Dhe ashtu ndodhi. Muslimanët e kryen vizitën e Qabes një vit më pas, gjatë muajit të shenjtë dhul kide. Në këtë kontekst, ajeti: “ Muaji i ndaluar – për muajin e ndaluar ” mund të shihet si një përgëzim për besimtarët, duke i njoftuar ata se adhurimi i tyre i lënë përgjysmë një vit më parë, tashmë është plotësuar me sukses. Por ka mundësi që kuptimi i kësaj fjalie të jetë edhe kështu: “Nëse ata ju luftojnë gjatë muajve të shenjtë, edhe ju mund t’i luftoni në muajt e shenjtë. Nuk ka pengesë dhe as gjynah për ju që t'i kundërpërgjigjeni agresionit të tyre, qoftë edhe në muajt e shenjtë.” Nëse kuptimi është ky i dyti, atëherë fjalia pasuese: “ Dhe kështu për të gjitha gjërat e ndaluara është ligji i

barazisë.” është një gjykim që përfshin jo vetëm përdhosjen e muajve të shenjtë, por edhe përdhosjen e vendeve të shenjta, të riteve të shenjta etj., për të cilat Sheriati ka urdhëruar që të respektohen. Në këtë mënyrë, çdokush që guxon të përdhosë diçka të shenjtë, duhet të marrë dënimin përkatës, si për shembull: kush bën luftë në muajt e shenjtë duhet të luftohet, kush përdhos vendet e shenjta duhet të ndëshkohet sipas ligjit, kush vret një njeri duhet të dënohet me vdekje, kush plagos apo gjymton tjetrin duhet të ndëshkohet në të njëjtën mënyrë, kush merr pasurinë e dikujt duhet të dënohet duke ia marrë pasurinë, për të çuar në vend padrejtësinë që ka bërë. Pyetje: Personi të cilit dikush i ka cenuar një të drejtë, a e ka të lejuar që ta marrë hakun e vet nga pasuria e cënuesit, në çdo rast e situatë, apo jo? Dijetarët i kanë dhënë përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje, por mendimi më i saktë do të shtjellohet më poshtë. Këtu kemi të bëjmë me dy raste: 1. Nëse e drejta që ka njeriu kundrejt tjetrit është shumë e qartë dhe e sigurt, atëherë atij i lejohet që të marrë prej pasurisë së tjetrit, kur ky i fundit nuk ia jep hakun që meriton. Për shembull, bujtësi ka të drejtë që të pritet prej njeriut tek i cili ka bujtur. Nëse pritësi nuk ia jep hakun e tij si mysafir, atëherë mysafirit i lejohet të marrë prej pritësit aq sa Sheriati e ka përcaktuar hakun e tij. Gjithashtu, gruaja e fëmijët kanë të drejta mbi pasurinë e burrit. Këto të drejta janë përcaktuar nga Sheriati. Nëse burri nuk ua jep këto të drejta, atëherë atyre u lejohet që të marrin nga pasuria e tij aq sa Sheriati e ka përcaktuar qartë dhe konkretisht për të drejtat e tyre. 2. Rasti i dytë është kur e drejta e dikujt nuk është e përcaktuar qartë, në mënyrë konkrete dhe të sigurt, si për shembull, kur dikush e mohon se i ka borxh dikujt tjetër ose kur kemi të bëjmë me mashtrime dhe vjedhje të pavërtetuara. Në të tilla raste nuk lejohet që të merret prej pasurisë së të akuzuarit, derisa të shqyrtohet dhe të përcaktohet qartësisht kjo e drejtë, e cila mund të jetë objekt abuzimi. Kjo mënyrë trajtimi e çështjes është harmonizim i gjitha fakteve që janë dëshmuar për atë. Më tej, Allahu i Lartësuar e përforcon më shumë një parim të Sheriatit, kur thotë: - “Nëse ju sulmojnë, sulmojini edhe ju po në atë mënyrë. ” - Duhet të jemi të kujdesshëm në praktikat e shpagimit, në mënyrë që të mos bëhemi të padrejtë, në vend që të vendosim drejtësinë. Shpagimi duhet të bëhet me drejtësi, duke mos lejuar asnjë lloj teprimi, sado i vogël qoftë ai. Allahu di gjithçka për krijesat e Tij. Shpesh, nga dëshira për të shfryrë dufin e urrejtjes kundër atij që i ka bërë padrejtësi dhe kur, njëkohësisht, i hapet udha për të marrë shpagim, njeriu kërkon më tepër dhe e kalon kufirin në marrjen e hakut të tij. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i ka këshilluar adhuruesit e Tij që të jenë gjithnjë të devotshëm dhe respektues ndaj dispozitave të Tij: - “Por kini frikë nga Allahu dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit.” – Pra, jini të vazhdueshëm në devotshmërinë tuaj ndaj Allahut, duke ruajtur kufijtë e Tij. Nëse jeni të tillë, dijeni se Allahu është me të devotshmit. Ai është pranë tyre, duke i ndihmuar, mbështetur e duke iu dhënë sukses. Njeriu që ka Allahun e Lartësuar pranë, do të jetë i lumtur përjetësisht, ndërsa ai që nuk ka devotshmëri të vazhdueshme, do të braktiset nga Allahu i Lartësuar e do të mbetet thjesht me forcat e tij. Por kush braktiset në këtë mënyrë, e ka shkatërrimin më afër se vetë damari i qafës së tij. - “Shpenzoni në rrugë të Allahut...” - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit që të shpenzojnë për hir të Tij, për të ndihmuar luftën në rrugën e Tij. Ta japësh pasurinë në rrugë të Zotit do të thotë që ta shpenzosh atë në të gjitha mënyrat që të afrojnë te Zoti, si për shembull, për të varfërit, për të afërmit dhe për ata që e kemi detyrë t’i furnizojmë. Megjithatë, mënyra më e mirë dhe më e rëndësishme e shpenzimit të pasurisë është për ndihmën dhe mbështetjen e luftës

(xhihad) në rrugën e Zotit. Kush e shpenzon pasurinë për këtë qëllim, është edhe vetë luftëtar në rrugën e Allahut; ai është muxhahid me pasurinë e tij. Lufta me shpenzimin e pasurisë është farz, ashtu sikurse është edhe lufta me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë me veten tënde. Ajo është shumë e dobishme, saqë shpeshherë është vendimtare për fitoren e muslimanëve dhe për poshtërimin e politeizmit dhe të ndjekësve të tij. Pasuria është faktor shumë i rëndësishëm në fuqizimin e fesë së Allahut. Ajo është për xhihadin si shpirti për trupin: sikurse trupi nuk mund të jetojë pa shpirtin, edhe lufta nuk mund të jetojë nëse nuk ka pasuri të mjaftueshme. Nëse braktis shpenzimin në rrugë të Allahut, do të pengosh në njëfarë mënyre luftën në rrugën e Tij. Por nëse bllokohet lufta në rrugë të Tij, atëherë do të fuqizohen kufri dhe shirku, do të forcohen armiqtë e Islamit, dhe kjo do të thotë që të çosh veten tënde, me duart e tua, drejt shkatërrimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar paralajmëron, duke na kujtuar pasojat e neglizhencës së luftës në rrugën e Tij: - “...mos e çoni veten drejt shkatërrimit.” – Vajtja me dëshirë drejt vetëshkatërrimit bëhet në dy mënyra kryesore: 1. Duke mos zbatuar urdhrat e Zotit, e të marrësh si pasojë shkatërrimin e trupit dhe të shpirtit tënd. 2. Duke bërë ato gjëra që shkaktojnë drejtpërdrejt shkatërrimin e trupit e të shpirtit. Këto dy mënyra përfshijnë nën vete shumë veprime të njeriut, si për shembull, lënia e xhihadit në rrugën e Zotit apo mosshpenzimi për këtë qëllim, që, siç e thamë, sjellin si pasojë mbizotërimin e qafirëve ndaj muslimanëve. E tillë është edhe hapja e një lufte që është e pamundur të fitohet, apo ndërmarrja e një udhëtimi në një vend të mbushur me egërsira e gjarpërinj, apo ngjitja në një pemë apo objekt të lartë e të rrezikshëm e të tjera të ngjashme. Si vetëshkatërrim konsiderohet edhe zhytja e vetes në gjynahe, apo humbja e shpresës për faljen e Zotit, apo mosbindja ndaj urdhrave të Tij. Duke qenë se shpenzimi i pasurisë për hir të Zotit është një mënyrë e bamirësisë, Allahu i Lartësuar e përforcon këtë urdhër me një urdhër tjetër, që i përfshin të gjitha llojet e bamirësisë: - “Bëni mirë, se Allahu i do vërtet bamirësit!” - Ky urdhër është për të gjitha mënyrat e bamirësisë, sepse fjala “bamirësi” këtu nuk është e përcaktuar. Bamirësia mund të bëhet me shumë mënyra, si: duke pajtuar njerëzit, duke urdhëruar për vepra të mira dhe duke ndaluar nga veprat e këqija, duke përcjellë dijen e dobishme për dynjanë dhe për ahiretin, duke përmbushur nevojat e njerëzve, duke zgjidhur ose duke lehtësuar hallet dhe problemet e tyre, duke vizituar të sëmurët, duke marrë pjesë në xhenaze, duke udhëzuar të devijuarit e çdo vepër tjetër që Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar t’i kryejmë ndaj njerëzve. Nga veprat më të mira që mund të kryejë robi, është përsosja e adhurimeve që ai kryen për hir të Allahut të Lartësuar. Profeti (s.a.u.s.) e ka shpjeguar kështu këtë çështje: “Ta adhurosh Allahun e Lartësuar sikurse do ta bëje një gjë të tillë po ta shihje haptazi Atë, pasi edhe pse ti nuk mund ta shohësh Atë, Ai pa dyshim të sheh ty.” Për ata që gëzojnë të tilla cilësi, Allahu thotë: “Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht. ” [Junus 26]. Këta njerëz e kanë afër Allahun, domethënë udhëzimin, ndihmën dhe suksesin e Tij, në çdo çështje. Pas sqarimit të dispozitave të agjërimit dhe të luftës, Allahu i Lartësuar vijon me dispozitat që lidhen me haxhin.

← Bekare 2:194