2. Bekare · Ajeti 198 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:197–2:212
Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Ai që vendos për haxh duhet t'u përmbahet rregullave të parapara, e përveç përgatitjes shpirtërore, duhet përgatitur edhe materialisht për të mos u bërë barrë e të tjerëve. Ndonjë shitblerje gjatë kohës së haxhit nuk është mëkat.
"Arefat" është një vend jashtë Mekes dhe qëndrimi në atë vend ditën e nëntë të Dhilhixhes, është detyrë e domosdoshme për të gjithë haxhinjt. "Mesh'ari haram" është një vend në të kthyer prej Arefatit për në Mine. Disa nga kurejshitët nuk u bashkoheshin njerëzve të tjerë në Arefat, ata qëndronin në Muzdelife dhe prej aty ktheheshin për Minë. Këtë e bënin në shenjë krenarie mbi të tjerët, e Kur'ani ndalon atë gjest të tyre dhe u thotë, zdirgjuni kah zdirgjen të gjithë njerëzit. Në fenë islame nuk ekziston privilegj i një fisi ndaj tjetrit.
Pasi kryenin detyrat e haxhit, disa nga arabët ndaleshin në Mine, ku në shenjë krenarie përkujtonin të parët e tyre. Kur'ani urdhëron të përmendet Allahu si krenaria më e lartë, duke madhëruar dhe shpreh tekbirët, nuk ndaloi t'i përkujtojnë edhe prindërit e tyre.
Ata që kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, sepse të mirat e kësaj bote janë të përkohshme, po nuk është qëllim vetëm jeta e kësaj bote. Të lumtur janë ata që kërkojnë të mirat e kësaj bote, por qëllim kryesor kanë jetën në botën tjetër dhe kërkojnë të mirat e asaj që janë të përjetshme.
Gjatë faljes së çdo namazi, dhe gjatë hedhjes së gurëve në Mine, duhet thënë tekbirët, e ditët e caktuara janë ditet pas ditës së bajramit, ku dikush qëndron dy ditë e dikush tri ditë në Mine. Mine pra, është një vend jo larg Mekes dhe aty hidhen gurët edhe dy ose tri ditë pas ditës së bajramit.
Edhe pse në këtë ajet është fjala për njëfarë munafiku, një Ahnes bin Shurejk, që i paraqitej Muhammedit me demagogji, ajeti tërheq vërejtjen për të gjithë hipokritët që nga goja janë të ëmbël, e në zemër të prishur, që në buzë kanë mjaltin, kurse në zemër helmin.
Çdo përpjekje dhe çdo angazhim për hirë të zbatimit të punëve të mira e të porosive të Zotit, konsiderohet sakrificë, le të jetë mund fizik, fjalë e drejtë, pasuri e dhënë etj., prandaj shpërblimi për to është i madh.
Feja islame me rregullat e veta është tërësi e pandarë, andaj nuk vlen pranimi i disa dispozitave e refuzimi i të tjerave.
Ardhja e Zotit dhe e engjëjve nëpërmjet reve, ka të bejë me ditën e gjykimit dhe paraqet madhërinë e një tmerri të madh ku i tërë sundimi atë ditë i takon vetëm Allahut, e Ai i shpërblen të mirët dhe i ndëshkon të këqinjtë.
Jehuditë edhe pse e patën pejgamberin Musa me shumë mrekulli e fakte të qarta, nuk besuan si duhet, ndryshuan edhe pjesë të librit të tyre. Atyre u është hijeshuar jeta e kësaj bote, i lanë pas dore parimet e fesë, madje edhe u tallën me besimtarët, por duhet ta kenë të ditur se në ditën e kijametit, besimtarët do të gëzojnë vende të larta e shpërblim të madh dhe do t'ua kthejnë talljet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:198
- Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh). - Buhariu përcjell nga Ibn Abasi, se ka thënë: "Në kohën e injorancës paraislamike, Ukadhi, Mexhinetu dhe Dhul Mexhazi ishin tregjet e arabëve. Gjatë kohës së haxhit, ata ndiheshin si në faj kur kalonin nëpër këto tregje dhe përfitonin prej tregtisë në to. Atëherë zbritën ajetet "Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh)." Pra, nuk ka asnjë gjynah për ju që, gjatë sezonit të haxhit, të përfitoni mirësi nga Zoti juaj, përmes tregtisë apo mënyrave të tjera të lejuara. Ahmedi sjell nga Ebu Umamete el Tejmij rrëfimin e tij: “E kam pyetur njëherë Ibn Umerin: “Ne jepnim e merrnim me qera (gjatë haxhit). A na ka vlejtur haxhi që bëmë?” Ai tha: “A bëtë tavaf rreth Qabes? A i kryet ritet? A i gjuajtët gurët dhe a i rruajtët kokat tuaja?” - “Po”- i thashë. - “Atëherë, - tha Ibn Umeri - 264. po ju tregoj se, njëherë, një burrë erdhi tek Profeti ﷺ dhe e pyeti për atë që me pyete mua, dhe ai nuk u përgjigj, derisa Xhibrili zbriti me këtë ajet: "Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh) .". Ndërsa Ibn Xheriri sjell me senedin e tij rrëfimin nga Ebu Salih meula Umer, që tregon se ka pyetur Umerin: “O Prijësi i besimtarëve! A bënit tregti gjatë haxhit?” Ai tha: “E gjithë jetesa ishte e lidhur me haxhin.” - Kur të largoheni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vendet e shenjta! - Arafati ishte vendi i qëndrimit gjatë haxhit, dhe ky qëndrim është kulmi dhe themeli i të gjitha riteve të haxhit. Imam Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve sjellin me sened të saktë hadithin nga Abdullah Ibni Jea’mer el Dejlij, që tregon se e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 265 . “Haxhi është qëndrimi në Arafat (3 herë). Ai që arrin të qëndrojë në Arafat para se të lindë agu, e ka kryer haxhin. Koha e qëndrimit në Mina është tri ditë. Ai që nxiton të largohet pas dy ditëve nuk merr gjynah; edhe ai që rri (edhe ditën e tretë) nuk merr gjynah.” Koha e qëndrimit në Arafat fillon nga koha e zevalit (drekës) të ditës së Arafatit, deri në lindjen e agimit të dytë (të vërtetë), ditën e Kurban Bajramit, sepse Profeti ﷺ , në Haxhin e Lamtumirës, qëndroi në Arafat që pasi fali namazin e drekës, e deri në perëndim të diellit, dhe tha: 266 . “Merrni prej meje adhurimin dhe ritet e haxhit!” Në të njëjtin hadith ka thënë: 267 . “Ai që arrin të qëndrojë në Arafat para se të lindë agu (i ditës së Bajramit të Kurbanit), e ka arritur haxhin”. Ky është medhhebi i Imam Malikut, Ebu Hanifes dhe Shafiut (Allahu i mëshiroftë!). Ndërsa Imam Ahmedi është i mendimit se qëndrimi në Arafat fillon që nga fillimi i ditës së Arafatit, dhe për këtë mbështetet në hadithin e Harithe Ibn Lam Et-Taij, i cili i ka thënë: 268 . “Unë shkova tek Profeti i Allahut në Muzdelife, kur ai doli për të falur namazin, dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Unë po vij nga mali i Tajit. E rraskapita kafshën e udhëtimit dhe vetë u lodha shumë (duke ecur). Vallahi, nuk lash vend pa qëndruar në të. A më quhet haxhi mua?” Profeti tha: “Ai që merr pjesë në këtë namaz (në Muzdelife) dhe qëndron me ne, derisa të largohemi (pra, ditën e Kurban Bajramit) dhe ka qëndruar në Arafat para kësaj, natën apo ditën, e ka kryer haxhin dhe është çliruar nga ihrami.” Arafati është quajtur " Mesh'arul Haram "
ose "El Mesha'rul Aksa" dhe "Ilâlun". Mesi i këtij mali quhet "Mali i Mëshirës". Ibn Ebu Hatimi sjell një hadith me senedin e tij nga Ibn Abasi, që ka thënë: 269 . “Në kohën e injorancës paraislamike, njerëzit qëndronin në Arafat derisa dielli arrinte mbi majat e maleve, si amame mbi kokat e tyre, dhe atëherë (para perëndimit) ata largoheshin. Por Profeti ﷺ e shtyu largimin nga Arafati deri në perëndimin e diellit.” Këtë hadith e sjell edhe Ibn Merdeuejhi nga hadithi i Zumate Ibn Salih, që shton në të: 270. “Pastaj qëndroi në Muzdelife dhe e fali sabahun në errësirë (pra, në fillim të kohës së tij). Pastaj, pasi ishte zbardhur çdo gjë dhe ishte fundi i kohës së faljes së sabahut, u largua nga Muzdelifeja.” Ky është isnâdi më i mirë për këtë hadith. Ebu Is’hak el Subej'ij përcjell nga Umer Ibn Mejmun, që tregon: “E pyeta Abdullah Ibn Amrin rreth Mesh'aril Haram dhe ai heshti, derisa këmbët e kafshëve tona qëndruan në Muzdelife. Atëherë, ai tha: “Ku është ai që pyeti për Mesh'aril Haram? Ky, pra, është Mesh'aril Haram. ” Ndërsa në hadithin e gjatë të Xhabir Ibn Abdil-lahit në Sahihun e Muslimit, ndër të tjera, thuhet: 271 . “Ai vazhdoi të qëndronte në këmbë - d.m.th në Arafat - derisa dielli filloi të perëndonte. Kur horizonti filloi të zverdhej dhe dielli (perëndoi) humbi, atëherë Profeti ﷺ hipi në deve, duke marrë pas vetes edhe Usamën dhe bëri të largohej. Profeti po i shtrëngonte frerët e Kasuas, aq sa koka e saj prekte shtrojen (e shalës) ku ishte ulur Profeti, i cili, duke bërë shenjë me dorën e tij të djathtë, thoshte: "O njerëz! Me ngadalë, me ngadalë!". Kur kalonte në ndonjë mal, ia lironte pak frerët e Kasuas, që të mund të ngjitej. Kështu vazhdoi, derisa mbërriti në Muzdelife. Atje fali namazin e akshamit dhe të jacisë me një ezan dhe dy ikamete, dhe nuk bëri ndonjë tesbih mes dy namazeve. Pastaj u shtri (për gjumë) deri në kohën e sabahut. Ai e fali sabahun me të hyrë koha e tij, me një ezan dhe ikamet. Pastaj i hipi Kasuas dhe u nis, derisa mbërriti në Mesh'aril Haram . Atje u drejtua nga kibla dhe filloi të lutej e të madhëronte Allahun, duke thënë Allâhu Ekber dhe Lâ ilâhe il - lall-llâh. Qëndroi në këmbë derisa u zbardh dhe u largua prej andej pa lindur dielli.” Nga Ibn Umeri përcillet se ka thënë që, Mesh'arul Haram është e gjithë Muzdelifeja. Meshair do të thotë "shenja të dukshme e të qarta". Muzdelifeja u quajt Mesh'arul Haram sepse ajo është brenda Territorit të Shenjtë (Haram). - Përmendeni Atë i Cili ju ka udhëzuar edhe pse më parë ishit të humbur. " - Allahu i Madhëruar u kujton atyre mirësitë e shumta që u dhuroi, ndër të cilat më të rëndësishmet janë udhëzimi në Islam dhe qartësimi i rregullave dhe dispozitave të kësaj feje madhështore, si dhe riteve të haxhit në mënyrë të veçantë, që ata të mund t'i kryejnë ato ashtu siç i kreu Ibrahimi, i dashuri i Allahut të Madhëruar. Ai u kujton një fakt të rëndësishëm, duke thënë: "...edhe pse më parë ishit të humbur.". Pra, përpara këtij Kur 'ani ose përpara dërgimit të këtij Profeti të madh. Të dyja mendimet janë të përafërta, të sakta dhe përmbajnë njëra - tjetrën.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:198
Pasi urdhëroi për takua-n, Allahu i Lartësuar thotë diçka tjetër që i qetëson zemrat e besimtarëve. Më parë, disa njerëz mendonin se, po të bënte haxhiu tregti gjatë kohës së haxhit, do t’i humbte krejt shpërblimi i adhurimit. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar tregoi se ky qe një mendim i gabuar: - “Nuk është gjynah të kërkoni mirësi nga Zoti juaj (në haxh).” – Kuptimi: Nuk është gjynah që të kërkoni mirësitë e Zotit tuaj duke bërë tregti apo diçka tjetër gjatë kohës së haxhit. Mjafton që tregtia apo puna
për të fituar në hallall të mos ju pengojë nga kryerja e detyrave të haxhit dhe të mos ju shtyjë në kryerjen e harameve gjatë tij. Pra, nëse adhuruesi i kryen plotësisht detyrimet e tij gjatë haxhit, nuk ka gjynah që të kërkojë, në mënyrë të lejuar, bereqetin e Allahut. Megjithatë, ai duhet t’i kushtojë rëndësi kënaqësisë së Allahut, duke mos u mbështetetur në forcat e veta gjatë kësaj përpjekjeje, por t'i mbështetet plotësisht Atij që i mundëson këto të mira. - “Kur të ktheheni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vendet e shenjta!” – Te kjo fjali mbështetet argumentimi i shumë çështjeve. Kështu, për shembull, qëndrimi në Arafat është shtyllë e haxhit, - ashtu siç njihej nga arabët dikur, - sepse “kthimi prej Arafatit” mund të kuptohet veçse pas qëndrimit në të. Allahu na urdhëron që ta kujtojmë Atë në vendet e shenjta, pra, në Muzdelife. (Edhe ky rit ka qenë i njohur nga arabët e hershëm). Pas kthimit prej Arafatit, duhet kaluar një natë në Muzdelife, në mënyrë që të nesërmen të përgatitesh për kurbanin. Pasi të falësh namazin e sabahut në Muzdelife, duhet të qëndrosh atje dhe të bësh lutje, derisa të zbardhë. Në fakt, “kujtim i Allahut” quhet çdo e mirë që adhuruesi kryen, farz apo synet qoftë ajo. Ajeti tregon, gjithashtu, se qëndrimi në Muzdelife kryhet pas kthimit prej Arafatit dhe qëndrimit në të. Qëndrimi në Arafat dhe në Muzdelife janë nga ritet e domosdoshme që duhen kryher gjatë haxhit. Muzdelifeja është pjesë e territorit të shenjtë, sikurse thuhet në ajet, ndërsa Arafati nuk bën pjesë në këtë territor, sepse, në të kundërt, do të ishte i panevojshëm cilësimi i Muzdelifesë si “e shenjtë”, nëse edhe Arafati do të ishte i tillë. - “Përmendeni Atë, i Cili ju ka udhëzuar, se ju më parë ishit të humbur.” – Pra, kujtojeni Allahun e Lartësuar, në shenjë mirënjohjeje për mirësinë e Tij ndaj jush, duke ju udhëzuar pasi ishit të humbur, duke ju mësuar atë që nuk e dinit më parë. Kjo e fundit është mirësia më e madhe e Tij ndaj nesh, që e bën të detyrueshëm falënderimin dhe lavdërimin e Tij nga ana jonë, duke e përmendur Atë me gojë dhe me zemër.