2. Bekare · Ajeti 200 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:197–2:212
Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Ai që vendos për haxh duhet t'u përmbahet rregullave të parapara, e përveç përgatitjes shpirtërore, duhet përgatitur edhe materialisht për të mos u bërë barrë e të tjerëve. Ndonjë shitblerje gjatë kohës së haxhit nuk është mëkat.
"Arefat" është një vend jashtë Mekes dhe qëndrimi në atë vend ditën e nëntë të Dhilhixhes, është detyrë e domosdoshme për të gjithë haxhinjt. "Mesh'ari haram" është një vend në të kthyer prej Arefatit për në Mine. Disa nga kurejshitët nuk u bashkoheshin njerëzve të tjerë në Arefat, ata qëndronin në Muzdelife dhe prej aty ktheheshin për Minë. Këtë e bënin në shenjë krenarie mbi të tjerët, e Kur'ani ndalon atë gjest të tyre dhe u thotë, zdirgjuni kah zdirgjen të gjithë njerëzit. Në fenë islame nuk ekziston privilegj i një fisi ndaj tjetrit.
Pasi kryenin detyrat e haxhit, disa nga arabët ndaleshin në Mine, ku në shenjë krenarie përkujtonin të parët e tyre. Kur'ani urdhëron të përmendet Allahu si krenaria më e lartë, duke madhëruar dhe shpreh tekbirët, nuk ndaloi t'i përkujtojnë edhe prindërit e tyre.
Ata që kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, sepse të mirat e kësaj bote janë të përkohshme, po nuk është qëllim vetëm jeta e kësaj bote. Të lumtur janë ata që kërkojnë të mirat e kësaj bote, por qëllim kryesor kanë jetën në botën tjetër dhe kërkojnë të mirat e asaj që janë të përjetshme.
Gjatë faljes së çdo namazi, dhe gjatë hedhjes së gurëve në Mine, duhet thënë tekbirët, e ditët e caktuara janë ditet pas ditës së bajramit, ku dikush qëndron dy ditë e dikush tri ditë në Mine. Mine pra, është një vend jo larg Mekes dhe aty hidhen gurët edhe dy ose tri ditë pas ditës së bajramit.
Edhe pse në këtë ajet është fjala për njëfarë munafiku, një Ahnes bin Shurejk, që i paraqitej Muhammedit me demagogji, ajeti tërheq vërejtjen për të gjithë hipokritët që nga goja janë të ëmbël, e në zemër të prishur, që në buzë kanë mjaltin, kurse në zemër helmin.
Çdo përpjekje dhe çdo angazhim për hirë të zbatimit të punëve të mira e të porosive të Zotit, konsiderohet sakrificë, le të jetë mund fizik, fjalë e drejtë, pasuri e dhënë etj., prandaj shpërblimi për to është i madh.
Feja islame me rregullat e veta është tërësi e pandarë, andaj nuk vlen pranimi i disa dispozitave e refuzimi i të tjerave.
Ardhja e Zotit dhe e engjëjve nëpërmjet reve, ka të bejë me ditën e gjykimit dhe paraqet madhërinë e një tmerri të madh ku i tërë sundimi atë ditë i takon vetëm Allahut, e Ai i shpërblen të mirët dhe i ndëshkon të këqinjtë.
Jehuditë edhe pse e patën pejgamberin Musa me shumë mrekulli e fakte të qarta, nuk besuan si duhet, ndryshuan edhe pjesë të librit të tyre. Atyre u është hijeshuar jeta e kësaj bote, i lanë pas dore parimet e fesë, madje edhe u tallën me besimtarët, por duhet ta kenë të ditur se në ditën e kijametit, besimtarët do të gëzojnë vende të larta e shpërblim të madh dhe do t'ua kthejnë talljet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:200–2:202
Allahu i Madhëruar na urdhëron që ta kujtojmë dhe përmendim shumë Atë pas përfundimit të riteve të haxhit dhe përmbushjes syre. Ai thotë: - E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, por me një kujtim edhe më të fortë. - Është përcjellë nga Ibn Abasi se ka thënë: “Arabët në kohën e injorancës e kishin zakon që, gjatë sezonit, thoshin: "Babai im ushqente të varfërit dhe ndihmonte nevojtarët, paguante detyrimet e kompensimeve për vrasjen, e bëma të tjera të etërve të tyre. Atëherë, Allahu i Lartësuar i zbriti Muhamedit ﷺ“ :E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, por me një kujtim edhe më të fortë." Ky mendim është sjellë edhe nga Enesi e një grup i madh tabiinësh. Edhe Ibn xheriri e ka sjellë këtë mendim nga një grup i madh dijetarësh. Por Allahu është më i dituri. Pjesëza “eu" vjen me kuptimin "ose”, por në këtë ajet ajo vjen me kuptimin “madje”. Kështu ajeti nuk ka kuptimin: "...përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, ose me një kujtim edhe më të fortë!", por ka kuptimin: "...përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, madje me një kujtim edhe më të fortë!”. Kjo i ngjan fjalës së Allahut: "Megjithatë, edhe pas kësaj, zemrat tuaja u bënë si shkëmbi, madje (eu) edhe më të forta.” [Bekare 74]. Dhe: "Por kur iu bë detyrim lufta, një grup prej tyre iu frikësuan njerëzve ashtu si duhet t’i frikësohesh Allahut, madje (eu ) edhe më shumë...." [Nisa 77]. Pra, pjesëza “ eu" nuk ka kuptimin "ose", e cila shpreh pasiguri dhe mëdyshje apo mundësinë për të përzgjedhur, por ka kuptimin “madje”. Pastaj Allahu i Lartësuar urdhëron e porosit që, pas përmendjes dhe kujtimit të shumtë të Tij, t’i lutemi Atij, sepse në të tilla kushte, duaja është më e pranuar. Ai qorton ata njerëz që luten veçse për çështjet e dynjasë së tyre, duke e harruar dhe shpërfillur tërësisht ahiretin. Ai thotë: - Ka njerëz që thonë: “O Zoti ynë! Na jep (të mira) në këtë botë!” Por, për këta nuk ka pjesë në Botën Tjetër." - Pra, nuk ka pjesë e shpërblim në të. Kështu p.sh., ata luten dhe thonë: “O Zot, bëje një vit me bereqet të shumtë! Bëje një vit me reshje! Bëje një vit me fëmijë e pasardhës të mirë!” Dhe nuk kërkojnë asgjë nga çështjet e ahiretit. Për këta Allahu e shpalli këtë ajet. Por ka të tjerë besimtarë, të cilët thonë: - Por ka edhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër, dhe na ruaj prej dënimit në Zjarr!”- Për këta Allahu zbriti ajetin: - Këta do ta kenë pjesën e tyre për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari. - Allahu lavdëron ata që luten për të dyja, duke thënë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit në Zjarr!”. Kjo lutje përmbledh brenda saj çdo të mirë të dynjasë dhe shpëtimin nga çdo e keqe e saj. Fjala “të mira” përmbledh çdo të mirë të dynjasë si: shëndet, shtëpi të mirë, grua të dashur dhe të mirë, që të kënaq dhe të do, pasuri hallall,të mjaftueshme e që fitohet pa shumë lodhje, dituri të dobishme, vepra të mira dhe sevape, mjet të mirë transporti e pune, lëvdata dhe emër të mirë ndër njerëz. Të gjitha këto i përfshin fjala: “të mira në dynja”. Ndërsa nga “të mirat në ahiret”, më e larta e të gjithave është hyrja në Xhenet dhe gjithë çfarë lidhet me të, si siguria nga tmerri i madh i Kijametit dhe llogaria e lehtë para Zotit. Ndërsa lutja: “Na ruaj nga dënimi në Zjarr” presupozon kryerjen e të gjitha atyre gjërave në dynja që sjellin këtë përfundim, siç është largimi nga haramet e gjynahet, largimi nga dyshimet dhe ndalesat e Zotit, ruajtja e kufijve të Tij. Kasim Ebu Abdurrahmani ka thënë: “Atij që i është dhënë një zemër mirënjohëse e
falënderuese, një gjuhë që e përmend Allahun, një trup i durueshëm, atij i është dhënë e mira në dynja dhe e mira në ahiret dhe është ruajtur nga dënimi i Zjarrit. Në Sunet është përcjellë nxitja për këtë dua. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enesi: 279. “Profeti i Allahut shkoi për vizitë tek një burrë prej muslimanëve, i cili ishte bërë sa një trumcak nga dobësia dhe i tha: “A i lutesh Allahut për ndonjë gjë dhe a i kërkon Atij gjë?” - “Po. Unë jam lutur dhe i kam thënë: O Zot! Atë ndëshkim që e ke përgatitur të ma japësh në ahiret, ma jep që në këtë dynja!” Atëherë, Profeti i Allahut tha: “Subhanallah! Nuk mund ta përballosh dhe nuk ke për t’ia dalë ta durosh këtë . Përse nuk e lut e të thuash: “ Rabbenâ âtinâ fid-dun'jâ haseneten ue fil âhireti haseneten ue kinâ adhâben -nâr! [Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër, dhe na ruaj prej dënimit në Zjarr!] Ai iu lut Allahut dhe e shëroi.” Hadithin e sjell vetëm Muslimi. Imam Shafiu sjell me senedin e tij hadithin prej Abdullah Ibn Saibit, se: 280 “Ai e ka dëgjuar Profetin ﷺ që, duke kaluar (gjatë tavafit) përgjatë dy shtyllave të Qabes, - shtyllës së Benu Xhemrate dhe asaj të Gurit të Zi - të lutej dhe të thoshte: “Rabbenâ âtinâ fid -dun'jâ haseneten ue fil âhireti haseneten ue kinâ adhâben -nâr!” Ibn Merdeuejhi sjell me senedin e tij hadithin prej Ibni Abasit, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 281 . “Sa herë që kaloja pranë një shtylle (të Qabes), shikoja një melek që thoshte “Amin”. Nëse kaloni atje, thoni: “ Rabbenâ âtinâ fid -dun'jâ haseneten ue fil âhireti haseneten ue kinâ adhâben-nâr!"
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:200–2:202
- “E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun sikurse i kujtoni prindërit tuaj, por me një kujtim edhe më të fortë! ” - Arabët e kishin zakon që, pas përfundimit të haxhit, të tuboheshin dhe të kujtonin bëmat e të parëve të tyre. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që të kujtonin mirësitë e Tij ndaj tyre më shumë sesa bëmat e të parëve të tyre. - “Ka njerëz që thonë: “O Zoti ynë! Na jep në këtë botë!” Për të këtillët nuk ka pjesë në botën tjetër.” - Ka njerëz që i kërkojnë Allahut vetëm ato gjëra që lidhen me dynjanë. Ata kërkojnë gjithçka që ua kërkon epshi i tyre i shfrenuar. Ata kanë si pikësynim veçse plotësimin e dëshirave të kësaj jete të shkurtër dhe nuk mendojnë aspak për ahiretin. Për këtë arsye, ata nuk do të kenë pjesë në ahiret. - “Por ka edhe të tjerë që thonë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe në jetën tjetër dhe na ruaj prej dënimit në Zjarr!” - Këta e lusin Allahun e Lartësuar që t'ua rregullojë çështjet e të dyja jetëve. Ata kërkojnë ndihmën e Tij në rregullimin e të dyja jetëve, duke i shfaqur Atij nevojën e tyre për ndihmën dhe suksesin e Tij. - “Këta do ta kenë pjesën e tyre për atë që kanë bërë. Allahu është i shpejtë në llogari.” - Si njëri grup, edhe tjetri do ta marrin shpërblimin për veprat që bëjnë në dynja. Allahu i Lartësuar do t'i shpërblejë ata në varësi të këtyre veprave dhe të qëllimeve të tyre. Ky shpërblim do të bazohet në dy parime të gjykimit të Tij: në drejtësinë e Tij absolute dhe në bamirësinë e Tij të gjerë, dhe për këto, Ai e meriton të lavdërohet, të admirohet dhe të falënderohet thellësisht. Nga këto ajete mësojmë se Allahu i Lartësuar i përgjigjet lutjes së çdo lutësi që i drejtohet Atij. Po ashtu, duhet kuptuar mirë se përgjigjja ndaj lutësve nuk tregon gjithmonë se Allahu i do ata. Por, kur bëhet fjalë për lutje që synojnë të përsosin fenë dhe të ardhmen e njeriut në jetën tjetër, atëherë plotësimi i tyre është argument i sigurt se Allahu i Lartësuar e do atë person dhe është pranë Tij me dijen, mëshirën, ndihmën, mbrojtjen dhe suksesin e dhënë prej Tij. Besimtarët, kur i luten Allahut të Lartësuar, nuk thonë vetëm: “Na jep në dynja”, sikurse thonë qafirët, por ata
thonë: “Na jep të mira në dynja”, pra, e përcaktojnë kërkesën e tyre me fjalën “të mira”. Tek “të mirat e dynjasë” bëjnë pjesë një mori gjërash, nga të cilat mund të përmendim furnizimin e këndshëm, të bollshëm, hallall dhe të lehtë për t'u arritur, një bashkëshorte të mirë, të dashur dhe të sjellshme, fëmijët e edukuar, të dashur, që të kënaqin syrin dhe shpirtin, gëzimi dhe lumturia, dituria e dobishme, veprat e mira e shumë të tjera si këto, që janë të lejuara dhe të dashura për robin. Ndërsa tek “të mirat e ahiretit” bëjnë pjesë shumë gjëra të tjera, si: shpëtimi prej ndëshkimit që nga momenti i vdekjes e deri në Ditën e Llogarisë para Zotit, ruajtja nga ndëshkimi në zjarrin e Xhehenemit, arritja e kënaqësisë së Zotit, arritja e shpërblimit që Zoti ka premtuar për vepërmirët, afërsia te Krijuesi i Dashur dhe Mëshirues etj. Rrjedhimisht, lutja për këto dy lloje të mirash konsiderohet si lutja më gjithëpërfshirëse që mund të bëjë njeriu, prandaj ajo e meriton që të përsëritet shpesh dhe të zërë vend në zemrën dhe gjuhën e besimtarëve. Vetë Profeti (a.s.) e përsëriste shpesh këtë lutje dhe i nxiste të tjerët që ta bënin një gjë të tillë: “Rabbenâ, âtinâ fiddunjâ ĥaseneten, ue fil âħirati ĥaseneten, ue ķinâ adhâben -Nâr” (Zoti ynë, na jep të mira në këtë jetë dhe të mira në jetën tjetër, dhe na ruaj prej dënimit në Zjarr!)”