← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 21 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:21–2:29

Pasiqë u përmendën tri grupet e njerëzve: besimtarë, jobesimtarë dhe hipokritë (munafikë), në këto ajete përmenden edhe argumentet që vërtetojnë për Zotin një, Krijuesin e çdo qenieje e sendi në ekzistencë, duke ftuar njerëzit që të jenë falënderues të të mirave që Ai ua dhuroi.

Askush tjetër, përveç Zotit, nuk ka krijuar ndonjë send, prandaj çdo adhurim ose madhërim përveç Atij, është i gabuar dhe do të ketë pasoja të rënda. Ai është dhurues i jetës së çdo gjallese, sigurues i kushteve për jetë si nga toka ashtu edhe nga qielli, pra përveç Tij nuk meriton kush tjetër të adhurohet.

Kundërshtarëve që e mohonin Kur'anin si shpallje nga Zoti, u tërheq vërejtjen se do të jenë ata edhe idhujt e tyre që i konsiderojnë si zotëra, lëndë e zjarrit të xhehenemit.

Besimtarëve vepërmirë u jepet myzhde se do të gëzojnë të gjitha kënaqësitë në xhennet, e si më me rëndësi atë se aty do të jenë përgjithmonë.

Kundërshtartët nuk mund ta thurin ndonjë pjesë të ngjashme me Kur'anin, as sa kaptina më e shkurtër e tij, por u përpoqën të quajnë si të metë të tij, përse përmend bletën, mushkojën, marimangën, bubrrecin etj. Zoti xh.sh. nuk frikësohet prej asaj që thonë ata se mos është e metë, sepse edhe krijesat më të thjeshta sikurse është mushkonja, madje edhe më të vogla, vërtetojnë për fuqinë dhe mjeshtërinë e përsosur të Krijuesit të tyre, pra begatojnë bindjen e besimtarëve, e ata që nuk respektojnë udhëzimet e Zotit, vazhdojnë të jenë edhe më të humbur. Ata zatën e kanë thyer besën e marrë prej tyre në shpalljet e mëparshme se, ishin të obliguar ta besojnë Allahun, e kur të vijë Muhammedi ta pranojnë edhe atë, andaj ata kanë humbur në tërësi. Ata nuk respektuan as lidhjen e gjakut ndaj pejgamberëve, ndaj familjes, ndaj besimtarëve, e Zoti ka urdhëruar të ruhet dhe të respektohet afria i familjare etj.

Në Kur'an përmendën shtatë qiej, por sa është madhësia e një qielli dhe ç'ka për qëllim me numrin shtatë, e di vetëm Zoti xh.sh. Hapësira e gjithësisë kurr nuk do të mund të arrihet e të studiohet në tërësi, andaj çështjet e këtilla mbeten në kompetencën e Atij që i krijoi.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:21–2:22

- O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush që të bëheni të devotshëm! - Ibn Is’haku sjell me senedin e tij shpjegimin e Ibn Abasit për fjalën e Allahut: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj...”: “Kjo fjalë u drejtohet të dyja grupeve, si mohuesve t ë hapur të besimit, ashtu edhe munafikëve, që e mohojnë Islamin fshehtas. Pra, njësojeni dhe adhurojeni si Një të vetëm Zotin tuaj, që ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush ! Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar fillon të na qartësojë faktin se Ai është Një i vetëm në meritën e adhurimeve, duke përdorur si argument faktin e pranuar gjerësisht nga të gjithë se Ai është i vetmi Bamirës që u ka dhuruar të gjitha mirësitë robërve të Tij. Është Ai që i solli në ekzistencë, pasi nuk ishin, dhe i mbuloi me mirësi të shumta dhe të panumërta, të dukshme e të padukshme. - (Allahu është) Ai që tokën e bëri shtrat (vendbanim) për ju, nd ërsa qiellin çati (mburojë) - Është Allahu Ai që e bëri Tokën shtrojë, që mund të shkelim dhe ecim lehtësisht në të, madje e bëri atë të qëndrueshme e të paluhatshme nëpërmjet maleve të larta dhe të forta që vendosi në të. Allahu e bëri qiellin si një mbulesë, sikurse thotë në ajetin tjetër: “Dhe qiellin e kemi bërë si një mbulesë të sigurt. Megjithatë, ata u kthejnë shpinën shenjave që këto objekte tregojnë.” [Enbija 32]. - që prej qiellit ju lëshon ujë, nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh, si furnizim për ju. - Me fjalën “ qiell”, k ëtu nënkuptohen retë. Allahu e zbret shiun për krijesat kur ata kanë nevojë për të. Me këtë ujë të begatshëm, Ai bën që toka të mbijë llojshmëri farërash, të lashta, bimësi e fryte, që të shërbejnë si ushqim për njerëzit dhe kafshët e tyre. Kjo është diçka që e dëshmojmë vazhdimisht në Tokë. Allahu është Krijuesi e Furnizuesi. Ai është Pronari i kësaj bote dhe i gjithë krijesave në të, që kujdeset dhe i furnizon ata. Për këtë arsye, Ai meriton që ta adhurohet si Një dhe i Vetëm, pa i bërë shok, prandaj: - Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini (të vërtetën)! - Mos i shoqëroni Zotit shokë në adhurimin e Tij dhe as të barabartë me të, sepse ata janë veçse krijesa, që nuk sjellin as dëm e as dobi, dhe ju e dini mirë se nuk ka ndonjë Zot tjetër përveç Allahut, që kujdeset për ju dhe ju furnizon nga qielli e nga toka. Në dy Sahihët sh ënohet se Ibn Mesudi ka thënë: 50. “Unë i thashë: O Profet i Allahut! Cili është gjynahu më i madh tek Zoti? - “Ti bësh Zotit shok në adhurim, kur është Ai që të ka krijuar.” Po kështu është thënë edhe në hadithin e Muadhit: 51 “...A e di se kush është haku i Zotit mbi robërit e Tij? Haku i

Zotit mbi robërit e Tij është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojë asgjë (e askënd) në adhurimin për Të.” Ndërsa në një hadith tjetër thuhet Profeti ka thënë: 52 “Askush prej jush të mos thotë: “Le të bëhet çfarë do Zoti dhe çfarë do filani!” Por le të thotë: “Le të bëhet çfarë do Zoti, pastaj çfarë do filani.””. Ibn Abasi, duke shpjeguar ajetin: “Atëherë mos adhuroni asnj ë tjetër përveç Allahut...”, ka thënë: “T’i shoqërosh Allahut partner, do të thotë që ke rënë në idhujtari. Dhe ta dini se dhujtaria është më e fshehtë sesa hapat e milingonës në një rrasë të zezë, në errësirat e natës. Të tilla janë fjalët e dikujt kur thotë: “Betohem në jetën tënde, o filan” ose “Betohem për jetën time" ose: “Sikur të mos ishte filani, do të na vidhnin hajdutët”, ose: “ U bëftë çfarë do Zoti dhe çfarë do ti, o filan!” Ose: “Sikur të mos ishte Allahu dhe filani, do të ndodhte kjo dhe ajo.” Të gjitha këto fjalë janë shprehje të shirkut.” Në një hadith tregohet: 53 “Një burrë i tha Profetit: “U bëftë çfarë do Zoti dhe ti!”. Atëherë, Profeti i tha: A më bërë të barabartë me Zotin?!”. Ndërsa në një hadith tjetër, Profeti, duke folur për disa njerëz, tha: 54 “Sa njerëz të mirë jeni ju, nëse nuk i bëni shirk Zotit e nuk thoni: “U bëftë çfarë do Zoti dhe filani!” Allahu i Lartësuar thot ë: “Atëherë, mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut, kur ju e dini (të vërtetën)!” Domethënë, kur ju e dini se nuk ka Zot tjetër veç Allahut, që ju furnizon dhe kujdeset për ju. Ajeti tregon se Allahu është i vetëm dhe i pashoq në meritën e adhurimeve. Gjithashtu, shumë prej mufesirëve kanë argumentuar me këtë ajet për ekzistencën e Krijuesit të gjithësisë dhe, sigurisht, ajeti e tregon qartë këtë fakt. Kushdo që mediton në këto krijesa të botës tokësore dhe qiellore, me format dhe pamjet e larmishme, me ngjyrat, me natyrën e veçantë të gjithësecilës, me dobitë e shumta të tyre dhe vendosjen e tyre pikërisht atje ku duhet dhe ku e kërkon urtësia, do të bindej se Krijuesi i tyre është Allahu i Plotpushtetshëm, i Urtë dhe i Gjithëditur, që çdo gjë e bën me saktësi perfekte. Ajeti tregon gjithashtu për pushtetin dhe sundimin gjith ëpërfshirës t ë Allahut. Nj ë nomad, kur u pyet për argumentin e ekzistencës së Allahut të Lartësuar, tha: “Subhanallah! A nuk tregon bajga, për devenë që ka kaluar? A nuk tregojnë gjurmët në rërë për udhëtarin që ka shkuar? Po gjithë ky qiell me yje e galaktika? Po kjo tokë plot me lugina e rrugë? Po detet e trazuar e plot dallgë, a nuk tregojnë për ekzistencën e Atij që di gjithçka me hollësi e në detaje?!” El Razi tregon se Rashidi e pyeti njëherë imam Malikun për këtë, dhe ai i solli si argument ndryshimin e gjuhëve, zërave dhe tingujve. Disa mohues të besimit e pyetën Imam Ebu Hanifen rreth ekzistencës së Krijuesit, dhe ai tha: “Më lejoni t’ju tregoj për diçka të çuditshme. Thuhet se një anije e mbushur plot me mallra lundron e vetme në det dhe në të nuk ka asnjë njeri që ta drejtojë. Ajo çan e vetme mes dallgëve dhe shkon e vjen ku të dëshirojë vetë pa e drejtuar askush.” Ata i thanë: “Këtë nuk e thotë asnjë njeri i logjikshëm.” - “Të mjerët ju! - i tha ai. - Po e gjithë kjo botë me gjithçka brenda saj dhe rregullsinë e përkryer, a nuk e ka një Krijues dhe Mbretërues?!”. Kur imam Shafiu u pyet për ekzistencën e Krijuesit, tha: “A e keni parë gjethet e pemës së manit? Ato i ha krimbi i mëndafshit, dhe prej tij del mëndafshi. Me t ë ushqehet bleta, dhe prej saj del mjaltë. Me t ë ushqehen delet lopët e bagëtitë, dhe prej tyre del qumësht. Me të ushqehet edhe kaprolli, dhe prej tij del misk...” Imam Ahmedi është pyetur për të njëjtën gjë dhe ka thënë: “E keni parë vezën, aq e mbyllur e ruajtur pa dyer e dritare? Nga jashtë duket si argjendi i bardhë e nga brenda si floriri i verdhë. Kalon një kohë, dhe ajo çahet e prej saj del një krijesë, që sheh, dëgjon dhe ka një pamje dhe zë të bukur...”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:21–2:22

- “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj…” - Ky është një urdhër gjithëpërfshirës, që u drejtohet të gjithë njerëzve, për një çështje që, në kuptimin e saj, është po ashtu gjithëpërfshirëse. Kjo çështje, për të cilën urdhërohen të gjithë njerëzit është adhurimi (ose ibadeti). Ky term përfshin tri aspekte kryesore, që janë: 1. Zbatimi rigoroz i urdhrave të Allahut të Lartësuar. 2. Largimi nga të gjitha ndalesat e Tij. 3. Pranimi, pohimi dhe besimi i plotë dhe pa mëdyshje te çdo lajm e kumt i ardhur prej Allahut të Lartësuar. Allahu Krenar e i Lartësuar i urdhëron njerëzit t’i përkushtohen asaj çështjeje, për hir të së cilës Ai i krijoi. Allahu i Madhëruar thotë në suren Dhariat, ajeti 56: “Unë i krijova xhindët dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë”. Më poshtë, Allahu i Madhëruar shpjegon përse Ai duhet adhuruar si Një i vetëm, duke u kujtuar dhe u qartësuar njerëzve se vetëm Ai është Zoti i tyre, i Cili kujdeset për ta, duke u mundësuar mirësi të pafundme. - “…i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush!” – Pra, Ai ju krijoi ju dhe të parët tuaj, kur nuk ekzistonit fare; Ai ju solli në ekzistencë. Por cili është qëllimi i këtij adhurimi? I Madhëruari thotë: - “që të bëheni të devotshëm …” - Kjo frazë mund të kuptohet në dy mënyra: 1. Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja veç Allahut, të Vetmit dhe Absolutit, ju do të jeni të ruajtur dhe të sigurt nga zemërimi dhe ndëshkimi i Tij, sepse keni vepruar pikërisht atë gjë që e largon nga ju zemërimin dhe ndëshkimin e Tij. 2. Nëse ju ia kushtoni adhurimet tuaja vetëm Allahut të Lartësuar e të Pashoq, ju jeni bërë të devotshëm e, sigurisht, ndër të shpëtuarit. Të dyja kuptimet janë të sakta dhe, në fund të fundit, rrjedhin nga njëra - tjetra, sepse kush bën adhurim të pastër dhe të plotë veç për Allahun, është edhe i devotshëm, dhe kush është i devotshëm, sigurisht që ka shpëtuar prej zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut të Lartësuar. Më tej, i Madhëruari vazhdon të na tregojë mirësitë e Tij: - (Allahu është) Ai që tokën e bëri shtrat (vendbanim) – Kuptimi është: Mirësitë e Tij, të shfaqura apo të fshehta qofshin, vërshojnë pafundësisht e pandërprerë mbi ju. Ai e bëri tokën për ju të qëndrueshme dhe të qetë, si shtrat, që të sistemoheni dhe të gjeni prehje në të. Ju qëndroni të qetë në të, ndërtoni banesat tuaja, kultivoni ushqimet tuaja dhe nxirrni prej saj furnizimet e nevojshme për jetën. Mbi këtë tokë ndërtoni edhe rrugët ku ecni, për të përfituar nga të mirat e saj, e shumë e shumë të mira të tjera, të cilat i di Allahu i Lartësuar. - “…dhe qiellin kulm (mburojë)”- Ndërsa qiellin, Allahu i Madhëruar e bëri si ndërtesë dhe fortesë mbrojtëse për vendqëndrimin tuaj, për tokën ku jetoni. Allahu i Madhëruar e mbushi këtë qiell me dobi të shumta, të cilat janë të

domosdoshme për jetën tuaj në tokë dhe për vazhdimësinë e saj. A nuk e shihni diellin, hënën, yjet etj.? - “… që prej qiellit (semãun) ju lëshon ujë, nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh” - Çfarë quhet semãun (qiell)? Semãun quhet gjithçka që qëndron apo ekziston sipër teje. Për këtë arsye, shpjeguesit e Kur’ânit kanë thënë se me fjalën ‘ semãu’ këtu nënkuptohen retë, prej të cilave, Allahu i Madhëruar lëshon shiun. - “…nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh” - Me anë të këtij uji, prodhohen shumë fryte të tokës. Me këtë ujë rriten dhe zhvillohen të gjitha prodhimet e tokës, duke filluar prej drithërave, frutave, perimeve, vreshtave, hurmave, agrumeve etj. - “…si furnizim për ju” - Të gjitha këto mirësi Allahu i ka krijuar për ju, thjesht dhe vetëm që ju të ushqeheni dhe të përfitoni kënaqësi pas kënaqësish në këtë jetë, që po kaloni mbi tokë. - Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini (të vërtetën)! – Pra, mos i përshkruani Allahut shokë e partner në adhurimin ndaj Tij ! Mos i konsideroni asnjë si të ngjashëm, të njëjtë dhe të barabartë me Të ! Mos merrni si të barabartë a të njëjtë me Allahun asgjë e asnjë prej krijesave, në asnjë këndvështrim ! Nuk ka ndonjë krijesë që të jetë e barabartë apo e njëjtë me Allahun, dhe që të meritojë adhurimin tuaj. Asnjë krijesë nuk duhet adhuruar, por adhurohet vetëm Allahu. Asgjë nuk e meriton dashurinë tuaj, sikurse e meriton Allahu. E si mund të meritojnë krijesat adhurimin dhe dashurinë tuaj, kur ato, sikurse dhe ju, janë të krijuara, të nënshtruara, nevojtare në vetvete? Ato vetë kanë nevojë për furnizimin e Allahut. Ato nuk kanë asnjë grimcë të vogël pushteti, as në qiej e as në tokë, dhe nuk kanë asnjë lloj mundësie për t'ju sjellë juve dobi apo dëm. - kur ju e dini (të vërtetën)– Pra, mos i bëni këto gabime, kur ju e dini shumë mirë se Allahu i Madhëruar është Absolut dhe nuk ka të ngjashëm dhe të barabartë me Të, që të meritojë adhurimin tuaj. Askush nuk mund t’ i afrohet Madhështisë së Tij, as në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të gjithësisë, dhe as në aspektin e meritueshmërisë së adhurimit dhe dashurisë së krijesave për Të. Atëherë, si është e mundur që ju adhuroni dhe u shprehni dashurinë zotave të tjerë, pas dijes dhe sigurisë që keni krijuar për çështjet e sipërpërmendura?! Kjo po, që konsiderohet si çudia e çudirave dhe si mendjelehtësi e paparë. Ky ajet përmban në vetvete disa çështje: 1. Urdhrin për të adhuruar një Zot të vetëm. 2. Ndalimin nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij. 3. Ai është provë e qartë dhe e padiskutueshme, që vërteton detyrueshmërinë e adhurimit të Allahut të Madhëruar. 4. Ai dëshmon se çdo adhurim që kryhet dhe i përkushtohet dikujt tjetër veç Allahut, është i kotë dhe i pavlefshëm. 5. Në këtë ajet përmendet dhe vërtetohet teuhidi rububije , ose besimi se Allahu i Lartësuar është Unik, i Vetëm dhe Absolut, në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave. 6. Ky ajet është ftesë për njerëzit që, ashtu sikurse ata pohojnë dhe janë të sigurt se Allahu i Lartësuar është i Vetëm, Unik, Absolut dhe i Pakrahasueshëm në aspektin e krijimit, furnizimit, administrimit dhe rregullimit të çështjeve të krijesave, në të njëjtën mënyrë duhet të pohojnë dhe të besojnë bindshëm, se ai është Unik, i Vetëm, Absolut dhe i Pakrahasueshëm edhe në aspektin e meritës së adhurimit. Ai është argumenti më i qartë logjik që, nga njëra anë, dëshmon unifikimin e Allahut në çdo aspekt dhe, nga ana tjetër, dëshmon kotësinë e adhurimit të të gjithë atyre që konsiderojnë si Zot dikë tjetër veç Allahut. 7. Ky ajet hedh poshtë shirkun, me të gjithë përmasat dhe format e tij. Më pas Allahu i Madhëruar thotë:

← Bekare 2:21