← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 219 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:213–2:221

Njerëzit ishin të një drejtimi në fe, në fenë e drejtë që Zoti e shpalli, Kur filluan ta lëshojnë rrugën e drejtë, Zoti dërgoi pejgamber pas pejgamberi për t'i shuar përçarjet e tyre që rridhnin vetëm nga zilia dhe grupacioni i disave në një libër e i të tjerëve në librin tjetër. Pejgamberët e parë ishin të dërguar te një popull ose vend. Muhammedi është i dërguar te të gjithë njerëzit në botë dhe detyrë e tij ishte t'i bashkojë njerëzit përsëri në fenë e drejtë definitive që e shpalli Zoti për sa të ekzistojë kjo botë.

Për ta fituar xhennetin nevojitet punë, durim i fortë e qëndrueshmëri. Ashtu bënë myslimanët e parë. Nuk duhet humbur shpresën, sepse ndihma e Zotit gjithnjë është në anën e të drejtëve.

Pas çlirimit të Mekës shpërngulja ndërprehet, kurse myslimanët detyrohen të luftojnë me pasuri e me jetë kundër armikut. Mirëpo, derisa ishin më pak në numër dhe materialisht më të dobët, ata nuk e pritën me aq kënaqësi obligimin. Zoti u shpjegoi se fitimi i tyre është në zbatimin e obligimit, sepse njerëzit nuk janë në gjendje që të dinë se ku qëndron dobia e tyre.

Abdullah bin Xhahshi me disa shokë e sulmon një karvan të idhujtarëve dhe e mbyt udhëheqësin, kurse dy të tjerë i zë rob, por duke menduar se është dita e fundit e Xhemadal Ahir, kurse ajo kishte qenë dita e parë e muajit të shenjtë Rexheb. Armiqët e përgojuan Muhammedin gjoja se besimtarët e tij nuk po i respektojnë muajt e shenjtë, gjatë të cilëve lufta ishte ndaluar. Pejgamberi u brengos për atë rast, por kur zbriti ky ajet, Zoti u shpjegoi myslimanëve për mëkatin e tyre dhe për mëkatet e idhujtarëve që ishin shumë më të mëdha sepse: ata nuk besonin Zotin, nuk lejonin vizitën në Qabe, i dëbonin myslimanët nga vendlindja, e provokimi i tyre kundër myslimanëve për t'i larguar prej fesë islame ishte më i rrezikshmi.

Edhe psë në këtë ajet flitet për dëmin e madh të alkoolit dhe të bixhozit, nuk theksohet ndalimi definitiv i tyre, pse feja ju afrua njerëzve në çdo rast me fakte bindëse, me qëllim që t'u ofrojë besimtarëve njohuri të plota për dobinë ose dëmin e ndonjë sendi a vepre, e kur ta arrijë atë, atëherë vendimi definitiv paraqitej si shprehje e vetë masës së popullit. Kështu bëri me këto dhe në kaptinën "El Maide", shpallet ndalimi definitiv për to.

Të drejtën e pasurisë së jetimëve feja islame e mbron rreptë dhe në mënyrën më rigoroze u tërheq vërejtjen atyre, që nuk kujdesen për ruajtjen e pasurisë së tyre. i Martesa me idhujtarë-politeistë është e ndaluar në fenë islame, por ajo nuk është e ndaluar me ithtarë të librit. Krishterët dhe jehuditë e kishin të ndaluar me çdo fe tjetër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:219–2:220

- Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. – Për sa i përket “ el hamr ” (verës), siç ka thënë udhëheqësi i besimtarëve Umer Ibn Hatabi, është çdo gjë që trullos mendjen. Kjo do të shtjellohet më shumë në suren Maide, së bashku me çështjen e el mejsir-it (bixhozit). - Thuaju: “Ato sjellin të këqija (e gjynahe) të mëdha, por edhe ndonjë dobi për njerëzit. - Sa për gjynahet, ato janë në drejtim të fesë e besimit. Ndërsa dobitë e përmendura janë në aspektin e dynjasë, si shitblerja e përfitimi prej saj. Disa prej tyre e fitonin pasurinë në kumar, dhe me këtë pasuri mbanin familjen dhe fëmijët. Por ky lloj “përfitimi” nuk mund të krahasohet aspak me dëmin e madh që sjell. Ato (vera dhe bixhozi) dëmtojnë mendjen dhe fenë e njeriut, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - Por, e keqja e tyre është më e madhe sesa dobia.” - Ky ajet ishte si një parapërgatitje për dispozitën e ndalimit kategorik e në formë të prerë të pijeve dehëse. Ky ajet nuk ishte i drejtpërdrejtë në ndalesën e pijeve dehëse, por jepte një mesazh të fshehur dhe të nënkuptuar. Për këtë arsye, kur iu lexua ky ajet, Umer Ibn Hatabi tha: "O Zot, na zbrit në qartësim të plotë në këtë çështje!" Më pas zbritën ajetet që urdhërojnë qartësisht për ndalimin kategorik e të prerë të pijeve dehëse në suren Maide: " O ju që keni besuar! Pijet dehëse, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyra nga Shejtani. Largohuni prej tyre, që të jeni të shpëtuar! Nëpërmjet pijeve dehëse dhe bixhozit, Shejtani dëshiron veçse të hedhë armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga përmendja e Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Atëherë, a nuk po hiqni dorë? Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe kini kujdes! Nëse refuzoni, atëherë dijeni se detyra e të Dërguarit Tonë është vetëm komunikimi i qartë (i Shpalljes) ." [Maide 90 - 92]. S hpjegimi i hollësishëm për këtë do të jetë në suren Maide, në dashtë Allahu, tek i Cili e kemi besimin. Në hadith është

sjell se: 305 “Lajmëtari i Profetit ﷺ , kur bëhej thirrja për në namaz, thoshte: “Të mos i afrohet namazit ai që është i dehur!” Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Të pyesin se sa duhet të shpenzojnë. Thuaju: “Tepricën”. Kështu jua sqaron Allahu argumentet e Tij, që ju të mendoni. - Ibn Ebi Hatimi përcjell nga Jahja se atij i kishin treguar se, njëherë, Muadh Ibn Xhebeli dhe Thealebi shkuan tek Profeti ﷺ dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut, ne kemi skllevër, kemi dhe familje. Çfarë të shpenzojmë nga pasuritë tona?” Atëherë u shpall: "Të pyesin se sa duhet të shpenzojnë? Thuaju: “Tepricën”.” Pra, atë që të tepron nga shpenzimet për familjen tënde. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Ibn Umeri dhe një grup tabiinësh. Abd Ibn Humejdi sjell në Tefsirin e tij shpjegimin nga El Haseni, i cili thotë: "Kjo është thënë që të mos e harxhosh të gjithë pasurinë tënde, dhe pastaj të ulesh e t’u kërkosh e lypësh njerëzve." Për këtë tregon edhe rrëfimi që Ibn Xheriri sjell nga Ebu Hurejra: 306. “Njëherë, një burrë tha: “O i Dërguari i Allahut, unë kam një dinar (floriri).” Profeti tha: “Shko e shpenzoje për veten tënde!” Burri tha: "Kam dhe një tjetër." Profeti tha: "Shpenzoje atë për familjen tënde!" Ai tha: "Unë kam dhe një tjetër." Profeti tha: "Shpenzoji për fëmijët e tu!" Ai tha: "Kam dhe një tjetër." Profeti tha: "Ti e di më mirë (se ku do ta shpenzosh)...”. Këtë hadith e sjell Muslimi në Sahih-un e tij. Po në Sahihun e Muslimit përcillet nga Ebu Hurejra se Profeti ﷺ ka thënë: 307. “Sadaka e mirë është ajo që jepet në kohë pasurie. Dora që jep është më e mirë se sa dora që merr. Filloje me ata që i ke nën përgjegjësinë tënde!” - “Për këtë jetë dhe për jetën tjetër. - Pra, ashtu siç ua sqaroi juve këto dispozita, ashtu do t’jua sqarojë të gjitha të tjerat, - edhe ajetet që lidhen me çështjen e përgëzimit e kërcënimit, - që ju të mendoni thellë e të meditoni për dynjanë dhe ahiretin tuaj. Ibn Abasi e shpjegon kështu: “Domethënë, që të mendoni në faktin se kjo dynja është diçka që do të fanitet dhe zhduket, kurse ahireti është duke ardhur dhe është i përjetshëm." Ndërsa në një transmetim nga Katadja vjen ky shpjegim: “Domethënë, që t’i jepni përparësi ahiretit kundrejt kësaj dynja je." Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Të pyesin ty për jetimët. Thuaju: Bamirësia ndaj tyre është punë e mirë. - Ibn Xheriri përcjell se Ibn Abasi ka thënë se kur zbritën ajetet: "Mos iu afroni pasurisë së jetimit, veçse në mënyrën më të mirë, derisa ai të arrijë pjekurinë! " [En'am 152] dhe: "Ata që e hanë pa të drejtë pasurinë e jetimëve, në të vërtetë hanë atë që ua mbush barkun me Zjarr. Ata do të hidhen në Zjarrin e ndezur fort." [Nisa 10], të gjithë ata që kishin në kujdestari ndonjë jetim, e veçuan tërësisht pasurinë e tij, madje edhe ushqimin dhe pijen e veçonin. Edhe nëse jetimi linte diçka nga ushqimi, ata e linin mënjanë, për t’ia dhënë më vonë, aq sa ndonjëherë ushqimi edhe prishej, e nuk e prekte kush. Por kjo filloi të sillte vështirësi, prandaj ata e pyetën Profetin ﷺ . Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetet: "Të pyesin

ty për jetimët. Thuaju: Bamirësia ndaj tyre është punë e mirë. Nëse jetoni bashkë me ata (dijeni se) janë vëllezërit tuaj.” Kështu, njerëzit filluan që t’i përzienin lirisht ushqimet dhe pijet e tyre me të jetimëve. Kështu e sjellin edhe Ebu Daudi, Nesaiu, Ibn Ebu Hatimi, Ibn Merdeuejhi, El Hakimi, përmes shumë rrugësh transmetimi nga At â Ibn Saib, me të njëjtin tekst. Po kështu e ka përcjellë edhe El Seddiju nga Ibn Abasi dhe Ibn Mesudi, me tekst të ngjashëm. El Uekiu sjell me musnedin e tij thënien e Aishes: "Unë nuk e pëlqej që ta lë pasurinë e jetimit të veçuar, duke mos e përzier ushqimin e tij me ushqimin tim, e pijen e tij me pijen time. Unë i përziej ato.” Allahu i Lartësuar thotë: "Bamirësia ndaj tyre është punë e mirë." Pra, nëse e veçoni atë pasuri e kujdeseni për mirëmbajtjen e saj, kjo është diçka e mirë. - Nëse jetoni bashkë me ata (dijeni se) janë vëllezërit tuaj.” - Pra, edhe nëse e përzieni ushqimin e pijen e tyre me tuajën, kjo nuk përbën gjynah. - Allahu di ta dallojë keqbërsin nga bamirësi. - Allahu e di mirë se çfarë qëllimesh fshehin njerëzit në zemrat e tyre: cili synon rregullin, e cili synon shtypjen e abuzimin. - Sikur të kishte dashur, Allahu do t’ju kishte vënë në vështirësi. Vërtet, Allahu është Krenar e i Urtë. - Nëse do të dëshironte, Allahu do t’ju ngushtonte me rregulla të shumta e të koklavitura, por Ai jua lehtësoi dhe ju la hapësirë që t’i përzieni ushqimet tuaja me të tyre. Në suren Nisa do të vijë një shtjellim më i hollësishëm rreth trajtimit të pasurisë së jetimit, në dashtë Allahu, tek i Cili kemi besimin e sigurinë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:219

- “Të pyesin ty për verën dhe bixhozin.” – Kuptimi: Të pyesin ty, o Profet i Zotit, për ligjin mbi pijet dehëse dhe kumarin. Pijet dehëse dhe bixhozi kanë qenë shumë të përhapura në kohën para Islamit, si dhe në fillim të epokës islamike. Me sa duket, njerëzit ndienin diçka dhe donin të qartësoheshin plotësisht rreth këtyre dy fenomeneve kaq të përhapura. Atëherë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që të tregonte se ato kanë edhe dobi, edhe dëme për njeriun. Por dëmi i tyre është më i madh se dobia. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar i udhëzoi njerëzit që, duke përdorur mendjen e tyre, të fillonin e të largoheshin prej atyre gjërave të dëmshme. Kjo qe një formë e përshkallëzuar e caktimit të një ligji, i cili mund të ishte i vështirë që të pranohej menjëherë nga njerëzit. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar përgatiti terrenin, që më pas të sillte dispozitën përfundimtare të ndalimit të këtyre dy veprave të lartpërmendura. Më tej, i Lartësuari thotë: - “Thuaju: “Ato sjellin të këqija të mëdha, por edhe ndonjë dobi për njerëzit. Por, e keqja e tyre është më e madhe sesa dobia.” – Pra, i Lartësuari na tregon se të këqijat që ato sjellin janë më të mëdha se ndonjë dobi që mund të përfitohet prej tyre. A ka dëmtim më të rëndë sesa dëmtimi që i shkaktohet të menduarit ose pasurisë? Gjithashtu, ato dy vepra të pengojnë nga për mendja e Allahut dhe nga falja e rregullt e namazit. Jo vetëm kaq, por ato nxisin edhe armiqësinë e urrejtjen mes njerëzve. E pra, dëme të tilla nuk mund të krahasohen kurrë me ato pak dobi që mund të fitohet nëpërmjet tyre. Duke tregtuar pije dehëse apo duke luajtur kumar, mund të fitohet pasuri, madje, me përdorimin e tyre, njeriu provon një lloj kënaqësie, por përballë dëmeve që ato shkaktojnë, këto ‘dobi’ janë të papërfillshme. Ky ajet vjen si qortim i ashpër për njerëzit, që ata të largohen prej kënaqësive të fituara në këtë mënyrë. Mendja e shëndoshë duhet t'i japë përparësi gjithmonë asaj që është më e dobishme dhe më larg dëmit. Ajo kurrë nuk mund t’i afrohet diçkaje, dëmi i së cilës është më i madh se dobia e saj. Duke qenë se njerëzit asokohe ishin mësuar dhe ishin

lidhur shumë fort me të tilla mënyra argëtimi dhe fitimi, atëherë Allahu i Lartësuar zbriti ajete të tilla nxitëse për të menduar dhe si parapërgatitje për shpirtrat dhe mendjet e besimtarëve, para zbritjes së ajeteve (në suren Maide, 90 -92) që i ndalojnë rreptësisht pijet dehëse dhe kumarin. Sigurisht që kjo tregon butësinë, mëshirën dhe urtësinë e Krijuesit për ne. Fjala “verë” ( el ħamru ) në ajet nënkupton çdo lloj pijeje dehëse, që e mpin dhe e turbullon mendjen. Ndërsa ‘bixhoz’ ( el mejsir) quhen të gjitha ato lojëra, si tavlla, shahu etj., ku palët pjesëmarrëse vendosin pasuri, të cilat i merr ai që fiton lojën. Pra, çdo lloj loje që bëhet për të fituar pasuri në këtë mënyrë është e ndaluar, edhe nëse loja në vetvete mund të jetë e lejuar nga Sheriati. - “Të pyesin se sa duhet të shpenzojnë. ” - Kjo është një pyetje për masën e shpenzimit. Sa kërkon Allahu i Lartësuar prej pasurive tona, për të fituar kënaqësinë e Tij? Allahu i Lartësuar e lehtësoi këtë çështje, duke dhënë përgjigjen vijuese: - “....Thuaju: “Tepricën”...” - Pra, Allahu i Lartësuar na tregon se prej pasurive tona kërkon atë që (në arabisht) quhet “ el afu ”, domethënë ajo pjesë e pasurisë që çdokush e ka të thjeshtë ta japë, sepse është shtesë mbi nevojat e njeriut. Me fjalë të tjera, nëse njeriu ia ka plotësuar vetes dhe familjes së tij kushtet e domosdoshme të jetesës ose gjërat e nevojshme për një jetë normale, atëherë pasuria që tepron pas këtyre quhet “el afu ”. Pikërisht nga kjo pasuri kërkon Allahu i Lartësuar që ne të shpenzojmë për hir të Tij. Nevojat e njerëzve ndryshojnë në varësi të vendit, kohës, shtresës së tyre etj. Gjithsesi, çdokush është në gjendje të japë prej pasurisë së tepërt të tij, qoftë edhe një gjysmë hurme. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që ta pranonte ndjesën e njerëzve dhe të merrte prej tyre veçse tepricën e pasurisë. Në këtë mënyrë, Ai urdhëroi që njerëzit të mos ngarkoheshin më shumë sesa mbanin. Këtu duhet kuptuar një fakt shumë i rëndësishëm. Allahu i Lartësuar, me detyrimet që na ka ngarkuar, nuk kërkon që të plotësojë nevojat apo dëshirat e Tij personale, sepse Ai nuk ka nevojë për asgjë. Por Allahu nuk i ka sjellë dispozitat e Tij as që të na rëndojë ne. Përkundrazi, çdo urdhër i Tij synon që të na lumturojë dhe të na lehtësojë çdo çështje, prandaj Ai meriton lavdërimin dhe mirënjohjen tonë të plotë për gjithçka që ka ligjëruar. Pasi e sqaroi çështjen e mësipërme, Allahu i Lartësuar thotë: - “Kështu jua sqaron Allahu argumentet.” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua sqaron juve çështjet e dobishme. Këto janë argumente që i ndihmojnë njerëzit të dallojnë të vërtetën nga e kota, të saktën nga e gabuara. - “....që ju të mendoni” - Kuptimi: Ky lloj sqarimi bëhet që ju të përdorni mendjet tuaja dhe të meditoni thellë rreth urtësive të Sheriatit. Kështu, ju do të bindeni se urdhrat e Allahut shërbejnë për lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ju do ta kuptoni, gjithashtu, se kjo dynja do të mbarojë shpejt dhe do të zhduket, ndërsa ajo që mbetet është jeta e ahiretit dhe çfarë keni përgatitur për të. Në këtë mënyrë, ju do të dini se çfarë duhet të refuzoni e ta nënçmoni dhe çfarë duhet të pranoni dhe ta vlerësoni.

← Bekare 2:219