← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 224 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:222–2:232

Pas sëmundjeve shoqërore, të cilat e dëmtojnë bashkësinë njerëzore, e prishin unitetin e saj dhe shkaktojnë përçarje e armiqësi, siç ishte alkooli e bixhozi, bëhet fjalë për bërthamën e parë të bashkësisë, për familjen, e në radhë të parë për marrëdhëniet bashkëshortore, të cilat duhet themeluar në dashuri, mëshirë e sinqeritet, andaj edhe u tha se nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet besimtarit dhe idhujtares, etj.

Sipas sheriatit islam janë të ndaluara marrëdhëniet (intime) bashkëshortore gjatë kohës së menstruacionit-hajdit, por nuk është e lejuar që gruaja të izolohet prej shtratit, prej ushqimit dhe prej jetës tjetër të përbashkët, e nuk lejohet as shkurorëzimi i saj gjatë asaj kohe. Jehuditë e kishin zakon t'i izolonin gratë në ditët e tyre. Marrëdhëniet bashkëshortore duhet të shërbejnë për largim nga imoraliteti dhe për kujdes për pasardhës të mirë. Betimi në emër të Allahut nuk guxon të bëhet pengesë dhe shkak për të mos punuar punë të mira e të dobishme. Betimin duhet thyer kur është fjala për punë të mira dhe duhet bërë kompensimin për te. Gjatë bisedave të rëndomta e të rastit, betimet pa qëllim nuk kanë ndonjë peshë, e betimet me qëllim të caktuar, ato kanë përgjegjësi.

Ndër arabë ishte zakon të betohet burri se nuk to t'i afrohej gruas dhe ajo mbetej ashtu e varur për kohë të pacaktuar. Kur'ani ndaloi atë gjest dhe caktoi afatin maksimal katër muaj.

Shkurorëzimi edhe pse është i përbuzur, është akt i lejuar në fenë islame. Mirëpo, derisa edhe kjo vepër është njëra nga dukuritë e natyrshme, feja e lejoi atë, por duke caktuar rregulla të posaçme për te.

Pritja e gruas së lëshuar për afat të caktuar, jep të kuptosh për një ndarje të përkohshme dhe për mundësinë e rikthimit në jetën bashkëshortore. Për një iniciativë të këtillë kanë të drejtë të barabartë si burri ashtu edhe gruaja, kurse epërsia e përmendur e burrit nuk ka të bëjë me epërsi në nderë, por në obligim në jetën familjare. Dhurata e dhënë gruas me rastin e kurorëzimit, nuk bën t'i merret, vetëm nëse ajo pajtohet që të heqë dorë nga ndonjë pjesë e saj, pasi që jeta bashkëshortore nuk është në mbarëvajtje. Gruaja nuk guxon të keqpërdoret në rastet e lëshimit, asaj duhet dhënë rrugë të lirë që ajo të zgjedhë vetë fatin e saj.

Pas lëshimit për herë të parë, gruaja duhet të mbetet në (iddet) pritje. Gjatë kësaj kohe të ndarjes, përsëri mund të shfaqet dëshira për jetë të përbashkët. Kjo e drejtë vazhdon edhe për ndarjen e dytë, por në këtë rast ata duhet të vendosin: të jetojnë bashkë përjetë, ose të ndahen definitivisht përjetë. Nëse ndahen për së treti, atëherë burri nuk ka të drejtë ta rikthej gruan para se ajo të martohet për një burrë tjetër. Nëse burri tjetër e lëshon, atëherë burri i parë mund të martohet me te. Martesa me burrin tjetër nuk guxon të jetë formalitet, duhet të jetë e sinqert, sepse martesa me tjetrin sa për sy e faqë e me qëllim të lejimit për t'u kthyer tek i pari, është mëkat i madh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:224–2:225

- Mos të bëhet shkak betimi në Allahun, që t'ju pengojë të bëni vepra të mira, të ruheni nga të këqijat dhe të bëni paqe midis njerëzve. - Mos i bëni përbetimet tuaja pengesë që të bëni punë të mira e të mbani lidhjet farefisnore. Allahu i Lartësuar thotë: " Bamirësit dhe të pasurit të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që i lanë shtëpitë e tyre

për hir të Allahut, por le t’ua falin (gabimin) dhe të mos ua vënë re. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë ju? Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë." [Nur 22]. Kështu mbajtja e një betimi të tillë ka më shumë gjynah sesa thyerja dhe kompensimi i tij. Profeti ﷺ ka thënë: 328. “Të hyjë dikush në familjen e tij duke iu përmbajtur përbetimit për keq, ka gjynah më të rëndë tek Allahu i Lartësuar, sesa ta thyejë përbetimin dhe të japë kompensimin që Allahu i Lartësuar ka vendosur për të.” Kështu e kanë sjellë hadithin Muslimi dhe Ahmedi. Duke shpjeguar kuptimin e këtij ajeti, Ibn Abasi ka thënë: "Mos u beto që "të mos bësh të mira", por edhe nëse betohesh, thyeje betimin, bëji ato punë të mira dhe jep kompensimin për betimin e shkelur!" Kështu kanë thënë edhe një grup tabiinësh. Në mbështetje të këtij mendimi është hadithi në dy Sahihët, që vjen nga Ebu Musa el Eshariu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), i cili rrëfen se Profeti ﷺ ka thënë: 329. “Në dashtë Allahu, nëse do të betohem për diçka dhe pastaj shoh se diçka tjetër është më e mirë se ajo, unë kam për ta thyer këtë betim, do ta kompensoj atë dhe do të kryej atë që është më e mira.” Muslimi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 330. “Nëse dikush betohet për diçka, por sheh se diçka tjetër është më e mirë se ajo, atëherë le ta thyejë betimin e tij dhe le të bëjë atë që është më e mirë.” Ka edhe hadithe të tjera, ku nuk është përmendur fakti se për betimin e thyer duhet të jepet kompensim. Megjithtë, nga Profeti ka ardhur me saktësi ajo që është përmendur në hadithin: 331. “...Pra, le të kompensojë për betimin e tij të thyer.” Allahu i Lartësuar tha: - Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. - Allahu i Lartësuar dhe nuk ju merr në përgjegjësi dhe nuk ju ndëshkon për ato betime, të cilat i bëni në mënyrë të paqëllimtë. Flitet për ato shprehje, me të cilat folësi nuk ka qëllimin e përbetimit, por që janë thjesht shprehje, me të cilat është mësuar goja. Në dy Sahihët vjen hadithi nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 332 “Çdokush që betohet në Latin dhe Uzan, le të thotë menjëherë më pas: “Lâ il-lâhe il -lall-llâh”.” Arsyeja ishte se këtë betim e bënin njerëzit që sapo ishin bërë muslimanë, të cilëve u ishte mësuar gjuha, edhe pse nuk kishin për qëllim përbetimin. Kështu, ata u urdhëruan që menjëherë pas kësaj fjale të paqëllimtë, të përmendnin fjalën e teuhidit, duke e zëvendësuar atë shprehje më këtë fjalë të mirë. 109 Ebu Daudi, në kapitullin që e ka emërtuar “Betimet e paqëllimta” , sjell hadithin nga Aishja (r.a) se Profeti i Allahut ka thënë: 333. “Betime të paqëllimta konsiderohen ato shprehje që njeriu i thotë zakonisht në shtëpinë e tij, si: “Jo, për Zotin!” ose: “Po, për Zotin!” etj.” Ibn Xheriri përcjell nga Hasen Ibn Ebu Haseni, se, njëherë: 334. “Profeti ﷺ kaloi pranë disa njerëzve, të cilët ishin duke gjuajtur me shigjeta. Së bashku me Profetin e Allahut ishte edhe një nga sahabët e tij. Dikush nga ata që po gjuanin u ngrit dhe tha: “E qëllove, për Zotin!”. Ose: “Gabove, për Zotin!” Atëherë, ai që ishte së bashku me Profetin tha: “A e theu betimin ky burrë, o i Dërguari i Allahut?” Profeti tha: “Jo, sepse betimet e shigjetarëve janë të paqëllimta. Ato nuk është e nevojshme të kompensohen dhe për to nuk ka ndëshkim.” Ky është një hadith mursel hasen , i sjellë nga El Haseni. Ibn Ebu Hatimi përcjell se Aishja (r.a), duke shpjeguar se cili është përbetim i paqëllimtë, ka thënë: "Është kur dikush thotë rëndom: ‘Po, vallahi', ose: 'Jo, vallahi”, dhe mendon se është i sinqertë, por në fakt mund të mos jetë i tillë." Ibn Abasi ka thënë se të paqëllimta janë përbetimet për të bërë haram diçka që Allahu ta ka bërë hallall. Këto janë ato përbetime të cilat nuk kanë nevojë për kompensime. Ebu Daudi sjell në kapitullin e tij: "Përbetimet gjatë zemërimit" një hadith nga Seid Ibn Musejibi, ku tregohet se dy vëllezër ensarë po sqaronin një çështje trashëgimie, kur njëri prej tyre i kërkoi tjetrit pjesën e vet.

Tjetri i tha: "Nëse vjen përsëri dhe më kërkon pjesë në pasuri, atëherë të betohem që e gjithë pasuria do të shkojë për Qaben!” Atëherë Umeri i tha atij: "Qabja nuk ka nevojë për pasurinë tënde, prandaj jep kompensim për betimin dhe shko foli vëllait tënd. Unë e kam dëgjuar Profetin e Allahut që të thotë: 335 “Nuk merret në konsideratë asnjë lloj përbetimi apo zotimi që bëhet në kundërshtim me Allahun e Lartësuar, as ata që bëhen për të shkëputur lidhjet farefisnore dhe as për diçka që nuk është prona jote!” Allahu i Lartësuar thotë: "...por për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër." Ibn Abasi dhe të tjerë e shpjegojnë: "Për bazë merret betimi i dikujt që e di shumë mirë se po gënjen.” Ndërsa Muxhahidi dhe të tjerë thonë: "Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: "Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por për ato të qëllimtat..." [Maide 89]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Allahu është Falës i madh dhe i Butë. - Allahu është Falës i madh për adhuruesit e Tij. Ai është Mëshirëplotë, që nuk nxitohet t’i ndëshkojë ata. Ai është i Ditur, që di për gjithçka që bëjnë robërit e Tij e, megjithatë, është Falës i madh, Mëshirëplotë dhe i afatizon ata.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:224–2:225

- “Mos të bëhet shkak betimi në Allahun, që t'ju pengojë të bëni vepra të mira, të ruheni nga të këqijat dhe të bëni paqe midis njerëzve. ” - Qëllimi i betimit është madhërimi i atij në emër të të cilit përbetohesh dhe vërtetimi i asaj çështjeje për të cilën betohesh. Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t'u përmbahemi betimeve dhe t'i plotësojmë ato. Normalisht, betimet duhet të plotësohen në të gjitha rastet, pa përjashtim. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ka bërë disa përjashtime në këtë çështje. Kështu, për shembull, nëse plotësimi i betimit të çon në lënien e diçkaje tjetër që është më e dashur për Allahun e Lartësuar, atëherë betimi nuk duhet të plotësohet. Allahu i Lartësuar i ka ndaluar adhuruesit e Tij që, për hir të plotësimit të një betimi, të lënë veprat e mira apo të mos largohen nga veprat e këqija. Po ashtu, Ai i ka ndaluar njerëzit që t'i nxjerrin përbetimet si pengesë për të mos u pajtuar mes njëri -tjetrit. Ai që betohet se do të lërë pa kryer një detyrim, në fakt, e ka detyrë që ta thyejë betimin e tij dhe ta kompensojë atë sipas rregullit. Ai e ka haram që ta mbajë betimin e bërë. Gjithashtu, kush betohet se do të lërë një vepër që është e pëlqyeshme që të kryhet (musteĥab), e ka të pëlqyeshme që ta thyejë betimin e bërë dhe ta kompensojë sipas rregullit. Kush betohet se do të kryejë një vepër që është ĥaram, ai e ka të detyrueshme që ta thyejë betimin e bërë dhe duhet ta kompensojë atë sipas rregullit. Për atë që betohet se do të kryejë një vepër që është e papëlqyeshme ( mekrûh), është e pëlqyeshme ( musteĥab) që ta thyejë atë betim dhe ta kompensojë atë sipas rregullit. Së fundi, kush betohet për kryerjen apo moskryerjen e një çështjeje të lejuar, duhet t'i përmbahet betimit dhe të mos e thyejë atë. Me këtë ajet, dijetarët mbështesin parimin e njohur në Islam, që thotë: Nëse ka përplasje interesash, atëherë i jepet përparësi atij më të rëndësishmit. Më pas, Allahu i Lartësuar e përfundon ajetin me dy emra të mrekullueshëm të Tij, duke thënë: - “Allahu Dëgjon dhe di gjithçka. ” – Ai është Dëgjues ( Semîun), domethënë Ai i dëgjon të gjitha zërat dhe fjalët që thuhen. Ai është edhe i Gjithëditur ( Alîmun), pra, i di motivet dhe qëllimet e njerëzve. Allahu i dëgjon fjalët e atyre që betohen dhe i njeh qëllimet e tyre, a janë të mira apo të këqija. Ky ajet është një vërejtje nga Allahu i Lartësuar që të jemi të kujdesshëm, sepse Ai i di shumë mirë fjalët dhe qëllimet tona. Ai është i Drejtë në gjykimin e Tij dhe Bamirës ndaj krijesave. Pastaj thotë i Lartësuari: - “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër. ” – Pra, Allahu i Lartësuar nuk na merr në përgjegjësi për ato betime që dalin shpesh nga goja, pa pasur qëllim betimin. Të tilla janë disa shprehje të zakonshme, si: “Jo, për Zotin” ose: “Po, për Zotin .” etj., që njerëzit i thonë rëndom, pa pasur si qëllim betimin. Ky ajet tregon, gjithashtu, se për fjalët që njeriu thotë, ashtu si edhe për veprat që ai kryen, duhet të merret në konsideratë qëllimi që ai ka me to. - “Allahu është Falës i madh dhe i Butë. ” - Ai është Falës i madh (Gafûrun), që ia mbulon gjynahet atij që pendohet dhe kthehet tek Ai. Allahu është i Butë (Halîmun), që nuk nxitohet të dënojë atë që bën gabime ndaj Tij. Ai e mëshiron dhe ia mbulon gjynahet robit të Tij, edhe pse është i Plotfuqishëm për ta ndëshkuar, me drejtësinë e Tij.

← Bekare 2:224