← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 232 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:222–2:232

Pas sëmundjeve shoqërore, të cilat e dëmtojnë bashkësinë njerëzore, e prishin unitetin e saj dhe shkaktojnë përçarje e armiqësi, siç ishte alkooli e bixhozi, bëhet fjalë për bërthamën e parë të bashkësisë, për familjen, e në radhë të parë për marrëdhëniet bashkëshortore, të cilat duhet themeluar në dashuri, mëshirë e sinqeritet, andaj edhe u tha se nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet besimtarit dhe idhujtares, etj.

Sipas sheriatit islam janë të ndaluara marrëdhëniet (intime) bashkëshortore gjatë kohës së menstruacionit-hajdit, por nuk është e lejuar që gruaja të izolohet prej shtratit, prej ushqimit dhe prej jetës tjetër të përbashkët, e nuk lejohet as shkurorëzimi i saj gjatë asaj kohe. Jehuditë e kishin zakon t'i izolonin gratë në ditët e tyre. Marrëdhëniet bashkëshortore duhet të shërbejnë për largim nga imoraliteti dhe për kujdes për pasardhës të mirë. Betimi në emër të Allahut nuk guxon të bëhet pengesë dhe shkak për të mos punuar punë të mira e të dobishme. Betimin duhet thyer kur është fjala për punë të mira dhe duhet bërë kompensimin për te. Gjatë bisedave të rëndomta e të rastit, betimet pa qëllim nuk kanë ndonjë peshë, e betimet me qëllim të caktuar, ato kanë përgjegjësi.

Ndër arabë ishte zakon të betohet burri se nuk to t'i afrohej gruas dhe ajo mbetej ashtu e varur për kohë të pacaktuar. Kur'ani ndaloi atë gjest dhe caktoi afatin maksimal katër muaj.

Shkurorëzimi edhe pse është i përbuzur, është akt i lejuar në fenë islame. Mirëpo, derisa edhe kjo vepër është njëra nga dukuritë e natyrshme, feja e lejoi atë, por duke caktuar rregulla të posaçme për te.

Pritja e gruas së lëshuar për afat të caktuar, jep të kuptosh për një ndarje të përkohshme dhe për mundësinë e rikthimit në jetën bashkëshortore. Për një iniciativë të këtillë kanë të drejtë të barabartë si burri ashtu edhe gruaja, kurse epërsia e përmendur e burrit nuk ka të bëjë me epërsi në nderë, por në obligim në jetën familjare. Dhurata e dhënë gruas me rastin e kurorëzimit, nuk bën t'i merret, vetëm nëse ajo pajtohet që të heqë dorë nga ndonjë pjesë e saj, pasi që jeta bashkëshortore nuk është në mbarëvajtje. Gruaja nuk guxon të keqpërdoret në rastet e lëshimit, asaj duhet dhënë rrugë të lirë që ajo të zgjedhë vetë fatin e saj.

Pas lëshimit për herë të parë, gruaja duhet të mbetet në (iddet) pritje. Gjatë kësaj kohe të ndarjes, përsëri mund të shfaqet dëshira për jetë të përbashkët. Kjo e drejtë vazhdon edhe për ndarjen e dytë, por në këtë rast ata duhet të vendosin: të jetojnë bashkë përjetë, ose të ndahen definitivisht përjetë. Nëse ndahen për së treti, atëherë burri nuk ka të drejtë ta rikthej gruan para se ajo të martohet për një burrë tjetër. Nëse burri tjetër e lëshon, atëherë burri i parë mund të martohet me te. Martesa me burrin tjetër nuk guxon të jetë formalitet, duhet të jetë e sinqert, sepse martesa me tjetrin sa për sy e faqë e me qëllim të lejimit për t'u kthyer tek i pari, është mëkat i madh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:232

Ali Ibn Ebu Talĥa përcjell nga Ibn Abasi shpjegimin: "Ky ajet ka zbritur e flet për një burrë që e ndan gruan e vet një ose dy herë dhe, pasi përfundon kohëpritja e ata ndahen, ai e dëshiron përsëri të martohet me të, por familja e gruas e pengon, edhe pse vetë gruaja e dëshiron rimartesën me këtë burrë. Kështu, Allahu i Madhëruar porosit që familja të mos e ndalojë këtë grua nëse ajo dëshiron të rimartohet me atë burrë.” Kështu kanë thënë edhe një grup tabiinësh. Ky ajet tregon, gjithashtu, se gruaja nuk mund të martohet vetëm me kompetencat e saj, por duhet patjetër kujdestari ligjor dhe leja e tij. Kështu vjen edhe në një ether:118 361 “Nuk ka martesë pa lejen e kujdestarit ligjor dhe pa dy dëshmitarë të drejtë ( adale 119).” Kjo është një çështje për të cilën dijetarët kanë mendime të ndryshme dhe të cilën e kemi shtjelluar hollësisht në librin tonë " El Ahkam ". Vetëm Allahut i takojnë të gjitha lavdërimet dhe mirënjohja për mirësitë që na ka dhuruar! Kështu, Tirmidhiu sjell një hadith nga Mea'kil Ibni Jesâr, hadith të cilin e gjykon si të saktë: 362 “Ai (Mea'kil Ibni Jesâri) tregon se e martoi motrën e tij me një musliman, në kohën e Profetit. Ajo qëndroi e martuar me të për njëfarë kohe, derisa ai i bëri një ndarje dhe nuk e ktheu më, derisa përfundoi ideti, dhe kështu ata u divorcuan. Më pas, ai e dëshiroi përsëri atë vajzë, madje edhe ajo e donte bashkimin me të. Për këtë arsye, ai dërgoi ndërmjetësit për të kërkuar përsëri dorën e saj për martesë. Por unë i thashë: "O i marrë, i biri i të marrit! Në të nderuam e ta dhamë vajzën për grua, kurse ti e ndave! Vallahi, nuk kemi për ta dhënë më ty, edhe sikur të jesh i fundit (në dynja)!" Por Allahu e dinte nevojën e tij për atë grua dhe nevojën e asaj gruaje për të, ndaj zbriti ajetin: "Kur t’i keni ndarë gratë dhe ato të kenë përmbushur afatin e tyre të pritjes, mos i pengoni që të rimartohen me burrat e tyre, nëse ka pëlqim mes çiftit, ashtu si e kërkojnë rregullat, nga të cilat përfitojnë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në botën tjetër. Kjo është më e dobishmja dhe më e pastra për ju. Allahu e di e ju nuk e dini." Kur dëgjoi ajetin, Mea'kili tha: "E dëgjova urdhrin e Zotit tim dhe u binda!" Pastaj e thirri atë burrë dhe i tha: "Po të martoj me të dhe po të nderoj .” Ibn Merdeuejhi shton këtu: “...dhe do ta kompensoj shkeljen e betimit tim .” Vëreni me kujdes kur Allahu thotë: " ... ashtu si e kërkojnë rregullat, nga të cilat përfitojnë

vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në botën tjetër." Pra, mos i pengoni vajzat tuaja që të rimartohen me (ish) burrat e tyre, nëse ka pëlqim mes çiftit, nëse besoni në Allahun dhe në Ligjin që ai ka vendosur për ju dhe kini frikë ndëshkimin e ahiretit! - Kjo është më e dobishmja dhe më e pastra për ju. - Pra, pasimi e zbatimi i ligjit të Zotit, duke i lënë të ribashkohen në martesë sipas rregullave, është vendimi më i dobishëm që mund të merrni dhe më i pastër për zemrat tuaja. - Allahu e di e ju nuk e dini. - Ai e di më mirë se cila është më e dobishmja dhe me e pastra nga ato vendime që merrni dhe ato që i lini. Ndërsa ju nuk e dini këtë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:232

- “Kur t’i keni ndarë gratë dhe ato të kenë përmbushur afatin e tyre të pritjes (id-deh), mos i pengoni që të rimartohen me burrat e tyre, nëse ka pëlqim mes çiftit, ashtu si e kërkojnë rregullat...” – Ky ajet u drejtohet kujdestarëve ligjorë të grave të divorcuara. Allahu i Lartësuar nuk i lejon ata që, pas mbarimit të kohëpritjes, ta ndalojnë gruan të martohet përsëri me burrin nga i cili është ndarë, nëse bien dakord mes tyre. Pas ndarjes, babai apo vëllai i gruas, nga zemërimi, mund të duan që ta pengojnë vajzën të rimartohet me të njëjtin burrë. Por Allahu i Lartësuar i ndalon ata nga një veprim i tillë, nëse burri dhe gruaja bien dakord që të rimartohen. Madje kjo lloj ndalese është shumë e fortë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: - “...nga të cilat përfitojnë vetëm ata që besojnë në Allahun dhe në Botën Tjetër.” - Pra, kush beson në Allahun dhe në Ditën e Llogarisë nuk e pengon femrën që të rimartohet me ish burrin e saj, nëse ata të dy bien dakord për rikthimin e normalitetit. Madje kjo është më e pastër dhe më e mirë për ata, siç thotë Allahu i Lartësuar: - “Kjo është më e dobishmja dhe më e pastra për ju. ” - Kjo është më e mirë dhe më e drejtë për ju. Pra, kujdestari i vajzës të mos mendojë aspak se ndalimi i rimartesës së saj me bashkëshortin e dikurshëm është veprim i drejtë dhe i mirë. Madje, të tilla qëndrime vijnë shpeshherë nga fodullëku i njerëzve, por Allahu i Lartësuar dëshiron të mirën dhe lehtësimin e adhuruesve të Tij. - “Allahu e di e ju nuk e dini.” - Askush të mos mendojë se moslejimi është më i drejtë, sepse Allahu, i Cili e ka lejuar rimartesën e gruas me ish burrin e saj, është më i ditur rreth mirësive dhe drejtësisë, ndërsa ne jemi të paditur. Kush e di më mirë se cila është më e drejta dhe më e dobishmja për ne? Kush është ai që më së shumti i dëshiron ato për ne? Kush është i plotfuqishëm për të na i dhuruar dhe për të na i ruajtur ato? Vetëm Allahu mund t’i bëjë të gjitha këto për ne, me mënyra që ne i njohim ose jo. Ky ajet është argument për domosdoshmërinë e lejes së kujdestarit të vajzës për saktësinë e martesës. Pra, leja e kujdestarit të vajzës është e domosdoshme, që martesa të jetë e saktë dhe e ligjshme. Si kuptohet kjo nga ajeti? Kjo kuptohet nga fakti që Allahu i Lartësuar i ka ndaluar kujdestarët e vajzës nga pengimi i rimartesës së saj me ish burrin, dhe ndalesa mund të ishte veçse për diçka që është në kompetencën e tyre. Thënë ndryshe, nëse leja e tyre për martesën e vajzës nuk do të ishte e rëndësishme në martesë, atëherë nuk kishte pse të ndaloheshin nga kjo gjë. Allahu i Lartësuar i ndalon ata të pengojnë

vajzën që të martohet, sepse leja e tyre është kusht për saktësinë e martesës.

← Bekare 2:232