← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 236 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:233–2:242

Derisa edhe çështja e dhënies së gjinit foshnjes, është çështje e bashkëshortësisë, Kur'ani i e radhitë në mesin e këtyre çështjeve.

Gruas që i vdes burri i duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë, e pastaj mund të martohet. Gruas që i vdes burri e ajo mbetet me barrë, ka trajtim tjetër, në kaptinën "Et talak" jepen sqarime.

Gruas që i ka vdekur burri, i lejohet të shfaqë dëshirën për martesë edhe para kalimit të afatit, por kurrsesi të martohet pa kaluar afati i caktuar. Lëshimi i gruas nuk është i lejuar pa ndonjë shak të arsyeshëm, por edhe pas lëshimit nuk guxon të mbretërojë ndërmjet tyre armiqësi. Prandaj, nga palët, me qëllim të lehtësimit të gjendjes së krijuar me ndarje, porositet bujaria dhe bamirësia. Mes ajeteve që kanë të bëjnë me dispozita rreth familjes, bashkëshortësisë, shkurorëzimit etj., paraqitet ajeti rreth faljes së rregullt të namazit, nga arsyeja se ndarja e bashkëshortëve është brengë e madhe në jetë, e mjeti më i mirë për t'i harruar brengat dhe për të bërë durim është namazi. Pejgamberi brengat gjithnjë i largonte me namaz.

Rreth namazit të mesëm, të vlefshëm, janë dhënë mendime se cili është ai. Më i zgjedhuri i mendimeve është ai se me te nënkuptohet namazi i ikindisë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:236

Allahu i Madhëruar e ka bërë të lejuar divorcin, qoftë edhe menjëherë pas lidhjes së aktit martesor e para marrëdhënieve intime. Ibn Abasi e të tjerë kanë thënë se fjala el mess (të prekurit), e përdorur në ajet, ka kuptimin e marrëdhënieve intime. Fjalë për fjalë në ajet thuhet: "...nëse i ndani gratë para se t’i prekni ato", por kuptimi i ajetit, sipas shpjegimit të Ibn Abasit, është: "... nëse i ndani gratë me të cilat ende nuk keni kryer marrëdhënie.". Kështu, nëse divorci bëhet para përcaktimit dhe dhënies së mehrit, atëherë Allahu porosit që gruas t’i jepet ndonjë dhuratë, për të lehtësuar sadopak lëndimin e saj. I Madhëruari thotë: "Jepuni atyre ndonjë dhuratë: pasaniku sipas mundësive të tij, dhe i varfëri sipas mundësive të tij." Ibn Abasi ka thënë: "Masa më e madhe e dhuratës për të tilla raste është t’i mundësosh një shërbëtore. Një nivel më poshtë është t'i japësh një dhuratë monetare, ndërsa më pak se kaq është t'i japësh si dhuratë ndonjë veshje." A është detyrë dhënia e një dhurate të tillë për çdo lloj të divorcuare, apo kjo është e kufizuar veçse për rastin e përmendur në këtë ajet? Dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë çështje. Disa janë të mendimit se kjo dhuratë është e pëlqyeshme të jepet për çdo rast divorci. Disa janë të mendimit se kjo dhuratë jepet në rastin kur divorci është bërë para kryerjes së marrëdhënieve, pavarësisht a është përcaktuar apo jo mehri. Allahu e di më mirë, por mendimi i tretë, - që është mendimi më i saktë - është që: kjo dhuratë është e detyrueshme vetëm për atë grua që është lidhur akti martesor, me të cilën nuk është kryer marrëdhënie dhe që ende nuk i është përcaktuar e dhënë mehri. Arsyeja është që, nëse gruaja divorcohet pasi është kryer marrëdhënie me të, është detyrë që asaj t'i jepet mehri i simotrave të saj, edhe nëse nuk i është përcaktuar mehri gjatë aktit. Nëse është përcaktuar mehri dhe divorcohet para kryerjes së marrëdhënieve me të, asaj i takon gjysma e mehrit të përcaktuar. Nga ana tjetër, nëse ka kryer marrëdhënie me të, ajo e merr mehrin të plotë dhe nuk i jepet dhuratë mbi masën e mehrit. Dhuratë i jepet veçse asaj që ndahet para përcaktimit të masës së mehrit dhe para kryerjes së marrëdhënieve. Pikërisht për këtë rast urdhëron ajeti që t’i jepet një dhuratë, sipas mundësisë së burrit, në përputhje me zakonin dhe normat e mirësjelljes. Allahu i Madhëruar thotë: "Jepuni atyre ndonjë dhuratë: pasaniku sipas mundësive të tij, dhe i varfëri sipas mundësive të tij. Dhurata për to sipas zakonit është detyrë për bamirësit." Pra, edhe në të tilla rast e ka vend për bamirësi e mirësjellje.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:236

- “Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë, me të cilat ende nuk keni kryer marrëdhënie dhe të cilave ende nuk ua keni përcaktuar e dhënë mehrin. ” - Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë tuaja para se të keni kryer marrëdhënie seksuale me to dhe para se t’u keni përcaktuar mehrin. Kjo është e lejuar për ju, edhe pse i lëndon disi gratë nga gjendja shpirtërore. Por për të zbutur këtë lëndim, Allahu i Lartësuar i urdhëron burrat që t’i nderojnë këto gra, duke u falur diçka prej pasurisë së tyre. Thotë i Lartësuari: - “Jepuni atyre ndonjë dhuratë: pasaniku - sipas mundësive të tij, dhe i varfëri - sipas mundësive të tij. ” - Jepuni atyre diçka prej pasurisë, si zbutje të ndonjë lëndimi që mund t'u keni shkaktuar atyre. Çdokush le të japë sipas mundësisë dhe sipas zakonit të atij vendi e atij populli, siç thotë i Lartësuari: - “Dhurata për to sipas zakonit është detyrë për bamirësit. ” – Domethënë, me një furnizim sipas zakonit e traditës së njohur nga njerëzit. Ky veprim është një detyrë për bamirësit, të cilët nuk duhet të hezitojnë kurrë për plotësimin e kësaj dispozite. Burri është ai që i kërkon gruas në fillim ta lidhë zemrën me të dhe që bëhet shkak që ajo ta dojë burrin e saj. Për këtë arsye, tani që ai bëhet shkak për ta ndërprerë këtë dashuri, po ashtu duhet që ta lehtësojë lëndimin e zemrës së saj, duke i dhuruar diçka nga pasuria e vet. Subhanallah! Sa madhështore është kjo dispozitë hyjnore! Ajo është vërtet një tregues i qartë i mëshirës së Atij që e përcaktoi atë! E ku ka ligjvënës më të mirë

se Allahu, për ata njerëz që kanë siguri në premtimin e Tij! Ky qe rregulli që lidhej me gratë e divorcuara para përcaktimit të mehrit të tyre dhe para kontaktit seksual me to. Më pas, Allahu i Lartësuar sjell dispozitën rreth atyre grave të divorcuara, me të cilat nuk është kontaktuar seksualisht, por që u është përcaktuar mehri. Kështu, i Lartësuari thotë:

← Bekare 2:236