← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 237 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:233–2:242

Derisa edhe çështja e dhënies së gjinit foshnjes, është çështje e bashkëshortësisë, Kur'ani i e radhitë në mesin e këtyre çështjeve.

Gruas që i vdes burri i duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë, e pastaj mund të martohet. Gruas që i vdes burri e ajo mbetet me barrë, ka trajtim tjetër, në kaptinën "Et talak" jepen sqarime.

Gruas që i ka vdekur burri, i lejohet të shfaqë dëshirën për martesë edhe para kalimit të afatit, por kurrsesi të martohet pa kaluar afati i caktuar. Lëshimi i gruas nuk është i lejuar pa ndonjë shak të arsyeshëm, por edhe pas lëshimit nuk guxon të mbretërojë ndërmjet tyre armiqësi. Prandaj, nga palët, me qëllim të lehtësimit të gjendjes së krijuar me ndarje, porositet bujaria dhe bamirësia. Mes ajeteve që kanë të bëjnë me dispozita rreth familjes, bashkëshortësisë, shkurorëzimit etj., paraqitet ajeti rreth faljes së rregullt të namazit, nga arsyeja se ndarja e bashkëshortëve është brengë e madhe në jetë, e mjeti më i mirë për t'i harruar brengat dhe për të bërë durim është namazi. Pejgamberi brengat gjithnjë i largonte me namaz.

Rreth namazit të mesëm, të vlefshëm, janë dhënë mendime se cili është ai. Më i zgjedhuri i mendimeve është ai se me te nënkuptohet namazi i ikindisë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:237

- E, nëse i ndani para se të kryeni marrëdhënie intime me to, por ndërkohë ua keni përcaktuar atyre masën e dhuratës martesore (mehrit), atëherë është detyrë për ju që t’u jepni gjysmën e asaj që keni caktuar. - Ky ajet i nderuar e përforcon edhe më shumë mendimin se dhurata jepet veçse në rastin e përmendur në ajetin e përmendur më parë, sepse në këtë ajet Allahu na urdhëron që të jepet gjysma e mehrit të përcaktuar nëse burri e divorcon gruan para marrëdhënieve me të. Nëse do të kishte ndonjë detyrim tjetër përveç gjysmës së mehrit, do ta përmendte në këtë ajet. Megjithatë, Allahu është më i ditur. Sidoqoftë, është e pranuar unanimisht se, nëse burri e ndan gruan para se të kryeje marrëdhënie me të dhe pasi i ka përcaktuar masën e mehrit, e ka detyrë që t’i japë asaj gjysmën e tij. Gjithashtu, ata janë dakord edhe për pikën që, nëse burri veçohet një herë me gruan, duhet t’i japë asaj mehrin të plotë, edhe nëse nuk ka kryer marrëdhënie me të. Kështu kanë gjykuar të Katër Kalifët. Por imam Shafiiu sjell episodin me Ibn Abasin, i cili duke gjykuar për një burrë që martohet me një grua dhe veçohet me të por nuk kryen marrëdhënie me të dhe e ndan atë, thotë: "Asaj i takon veçse gjysma e dhuratës martesore të përcaktuar, sepse Allahu i Madhëruar ka thënë: "E, nëse i ndani para se të kryeni marrëdhënie intime me to, por ndërkohë ua keni përcaktuar atyre masën e mehrit, atëherë është detyrë për ju që t’u jepni gjysmën e asaj që keni caktuar...". Imam Shafiiu thotë: “Këtë pasoj unë dhe pikërisht për këtë tregon edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i Librit të Allahut." Më pas, i Madhëruari thotë: - "...veç nëse ato (gratë) jua falin..." - Pra, nëse gruaja heq dorë nga e drejta që ka mbi burrin e saj, në këtë rast burri çlirohet nga ky detyrim. Gjithashtu, i Madhëruari thotë: - "...ose veç nëse atyre(grave) ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës." - Ibn Ebu Hatimi thotë se Luhe'jah tregon që Umer Ibn Shuajbi përcjell nga i ati e ky nga gjyshi i vet, se Profeti ka thënë: 379 “Ai që ka në dorë lidhjen e martesës është burri.” Ibn Ebu Hatimi thotë se nga Isa Ibni Asimi përcillet se ka thënë që ka dëgjuar Shurejhun të tregojë: "Ali Ibn Ebu Talibi më pyeti njëherë se cili është ai njeri "...që ka në dorë lidhjen e martesës”. Unë iu përgjigja: "Është kujdestari ligjor i gruas." Aliu tha: “Jo. Ai është bashkëshorti." Ky është edhe mendimi i Ibn Abasit, Xhubejr Ibn Mutaimit, Seidi Ibn Musejjibit e një grup tabiinësh. Disa janë të mendimit se ajeti ka për qëllim kujdestarin ligjor të vajzës, si babai i saj, vëllai i saj, ose një burrë pa lejen e të cilit ajo nuk mund të martohet. Megjithatë, një pjesë e këtyre e kanë preferuar më shumë mendimin se bëhet fjalë për bashkëshortin. Më pas, i Madhëruari thotë: - "Falja është më afër devotshmërisë." - Kështu, ata që janë më afër devotshmërisë janë ata burra dhe gra që e falin palën tjetër. - "Dhe mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush! - Muxhahidi e të tjerë thonë se: bamirësia në këtë rast është që gruaja t’ia falë burrit gjysmën e mehrit, që ai e ka detyrë që t’ia japë asaj, kurse burri t’ia japë të plotë mehrin gruas, edhe pse si detyrë ka që t’i japë vetëm gjysmën e mehrit. Kështu, Allahu udhëzon që të mos harrojmë bamirësinë, por gjithmonë ta kemi si qëllim atë. Ebu Bekr Ibn Merdeuejhi sjell me senedin e tij hadithin nga Ali Ibn Ebu Talibi, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 380 “Do të vijë për njerëzit një kohë, kur do të jenë dorështrënguar. Besimtari do ta shtrëngojë fort atë (pasuri) që ka në dorë dhe do ta harrojë bamirësinë, ndërkohë që Allahu ka thënë: "Dhe mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush!". Kjo është koha kur më të ligjtë do të bëjnë tregti me ata që janë në ngushti e nevojë të madhe", - edhe

pse Profeti e ka ndaluar atë tregti që bëhet për shkak të shtrëngimit dhe ajo tregti që ka paqartësi (e pabesi) . Nëse ke mundësi, ndihmoje vëllanë dhe mos e rëndo e përshpejto shkatërrimin dhe humbjen e tij. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk e dëshpëron atë dhe nuk e privon nga mirësitë.” - Allahu e sheh gjithçka që bëni." - Atij nuk i fshihet asgjë nga ato që ju bëni, as gjendjet dhe çështjet tuaja, dhe Ai do t'ju shpërblejë secilin sipas asaj që ka vepruar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:237

- “E, nëse i ndani para se të kryeni marrëdhënie intime me to, por ndërkohë ua keni përcaktuar atyre masën e dhuratës martesore (mehrit), atëherë është detyrë për ju që t’u jepni gjysmën e asaj që keni caktuar ...” – Pra, gratë që divorcohen para kryerjes së kontaktit seksual dhe pasi u është përcaktuar masa e mehrit, meritojnë që t’u jepet gjysma e mehrit të përcaktuar, ndërsa gjysma tjetër i takon burrit. Ky është rregulli bazë në këtë çështje, i cili është i detyrueshëm të zbatohet, nëse nuk ka tolerime nga asnjëra palë. Por në rast se ka falje dhe tolerancë të ndërsjelltë, atëherë Allahu i Lartësuar ka lënë hapësirën për bamirësi, duke thënë: - “...veç nëse ato (gratë) jua falin ose veç nëse atyre (grave) ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës. ” – Pra, nga ky detyrim nuk shpëton askush, përveç dy rasteve: 1. Kur gruaja e divorcuar toleron dhe pranon që t'ia kthejë ish -burrit të saj gjysmën e mehrit të përcaktuar për të, duke ia dhuruar atij të plotë. 2. Kur burri toleron dhe ia lë të plotë mehrin ish -gruas së tij, duke i falur edhe gjysmën e vet, që i takon me ligj. Pra, pjesa: “...veç nëse ato jua falin” nënkupton gratë, ndërsa: “ata që kanë në dorë lidhjen e martesës” bën fjalë për burrat, sepse ata e kanë në dorë çështjen e martesës. Disa janë të mendimit se rasti i dytë i përjashtimit nga dispozita për përgjysmimin e mehrit flet për kujdestarin e vajzës, kur ai toleron dhe ia fal ish-bashkëshortit të saj të gjithë mehrin. Por ky mendim është i dobët, sepse kujdestari i vajzës nuk ka kompetenca të tolerojë për një të drejtë që nuk i takon atij. Ai nuk është pronar i mehrit dhe as kujdestar i tij. Gjysma e mehrit është pronë e vajzës dhe jo e kujdestarit të saj. Kështu që mendimi më i saktë rreth kësaj pjese të ajetit është se ajo bën fjalë për ish-bashkëshortin e gruas. - “Falja është më afër devotshmërisë. Dhe mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush!” - Kështu, Allahu i Lartësuar i nxit adhuruesit për të qenë falës, tolerues dhe bamirës me njëri -tjetrin, duke na treguar se këto virtyte janë më pranë devotshmërisë.

Në fakt, toleranca, bamirësia dhe falja janë shenja të devotshmërisë së njeriut. Ai i nxit adhuruesit për të tilla veprime, sepse ato janë bamirësi, dhe çdo bamirësi të zgjeron gjoksin dhe të qetëson zemrën. Njeriu nuk duhet të lërë pas dore veprat e mira dhe humanizmin. Ai nuk duhet të shpërfillë sjelljen e mirë në marrëdhëniet shoqërore. Allahu i Lartësuar na kujton të jemi bamirës në këto marrëdhënie, sepse kjo është grada më e lartë e etikës shoqërore. Në plotësimin e të drejtave dhe përgjegjësive ndaj njëri tjetrit, njerëzit ndahen në dy grada: 1. Ata që qëndrojnë striktë në respektimin e të drejtave dhe përgjegjësive ndaj njëri - tjetrit, pa bërë asnjë lëshim tjetër. Ky qëndrim është, gjithsesi, korrekt dhe i paqortueshëm. 2. Ata që tolerojnë, që falin dhe që tregohen bujarë ndaj tjetrit. Ata falin kur është fjala për plotësimin e disa detyrimeve të palës tjetër ndaj tyre. Ata japin edhe kur nuk e kanë të detyrueshme që të japin. Ata heqin dorë nga disa të drejta vetjake, për hir të mirësjelljes. Kjo është një gradë shumë e lartë, që njeriu nuk duhet ta shpërfillë, qoftë edhe në disa raste të caktuara, sidomos kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me njerëzit që ai haset e përzihet më shpesh. Allahu i Lartësuar do t'i shpërblejë bamirësit për sjelljen e tyre, me bujarinë e Tij të madhe: - “Vërtet, Allahu e sheh gjithçka që bëni.” - Pra, ai sheh çdo vepër tuajën dhe do t'iu shpërblejë me bujarinë dhe mirësinë e Tij.

← Bekare 2:237