← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 248 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:243–2:252

Disa mijëra jehudi, që të mos shkojnë në luftë me pejgamberin e tyre dhe duke u frikuar se po vdesin, ikën prej vendit të vet ose ikën nga frika e vdekjes të një sëmundjeje që ishte përhapur, por prej vdekjes nuk mund të iket, sepse edhe pse ikën ata i kapi vdekja. Ndoshta ka për qëllim: u dobësuan nga frika se duhet të luftojnë, nuk u angazhuan për jetë dhe nuk punuan deri sa u varfëruan dhe e mbytën veten për së gjalli, andaj thirren të luftojnë, të gjallërojnë dhe t'i krijojnë vetes jetë.

Huaja nuk i nevojitet Allahut, por fjala është se Zoti do t'i shpërblejë shumëfish të gjitha ato vepra të mira e të sinqerta që kryhen për hirë të zbatimit të porosive të Zotit.

Pas vdekjes së Musait, ndër bijtë e israilit, pejgamber ishte Shem'uni që rridhte prej pasardhësve të Harunit. Beni israilët kërkuan prej tij t'ju caktojë një mbret që do t'i udhëheqë në luftë. Por këtu shihet dobësia e një populli që jeton në komoditet, kur nevrikoset e përmend luftën, e kur paraqitet nevoja për luftë, ai nuk lufton.

Sipas urdhërit të Zotit, sundues caktohet Taluti, pasardhës i Binjaminit të Jakubit, vëlla i Jusufit. Ishte shumë i dijshëm dhe i pashëm.

Arka e përmendur (tabuti) ishte simbol i pejgamberëve të beni israilëve prej Musait. Në te i kishte diçka nga thesari i pejgamberëve, ndoshta disa pjesë të Tevratit, shkopi i Musait dhe disa I petka të Harunit. Atë arkë e kishte rrëmbyer një popull tjetër, e Zoti u premton se do t'ua kthejë arkën nëse luftojnë nën komandën e Talutit. Ndalesën që u bëri për të mos pirë ujë prej lumit, kishte për qëllim t'i sprovojë se sa janë respektues të urdhërave para se të hyjë në luftë. Të gjithë ata që nuk iu përmbajtën urdhërit, i largoi prej radhëve të ushtrisë si të dobët. Besimtarët e sinqert, të mbështetur në ndihmën e Zotit, vendosën të sakrifikojnë jetën dhe si të tillë, edhe pse ishin më pak në numër, i dolën përballë ushtrisë së madhe të Xhalutit. i Një djalë i ri, me ndjenja të larta shpirtërore, që ishte në ushtrinë e Talutit, e që quhej Davud, e mbyti mizorin e madh Xhalutin. Pas Talutit, Davudi bëhet edhe sundues edhe pejgamber, e pas tij biri i tij Sulejmani dhe ajo periudhë historike konsiderohet më fatlumja për beni israilitët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:248

Profeti i tyre u drejtohet dhe u thotë: “Si shenjë për të treguar vërtetësinë dhe meritën

e mbretërimit të Talutit, dhe se ky mbretërim do të jetë i begatshëm, është fakti që Allahu i Lartësuar do t'ju kthejë Sëndukun, i cili ju ishte marrë prej kohësh.” - Profeti i tyre u tha: “Shenjë e sundimit të tij është ardhja te ju e Arkës, tek e cila do të gjeni qetësim nga Zoti juaj. - Tek Arka do të gjeni qetësim tek Zoti juaj, domethënë, tek ajo gjendet prehja, qetësia dhe madhështia. Ndërsa Atâu, duke shpjeguar këtë fjalë, ka thënë: "Në të ndodhen disa shenja të Allahut, të cilat ju i njihni dhe të cilat do të sjellin prehje në zemrën tuaj." Pra, kur ata ta shihnin, zemrat e tyre do të gjenin prehje dhe ata do të bindeshin plotësisht. - Në të ndodhet edhe diçka që ka mbetur nga thesari i familjes së Musait dhe Harunit. - Ibn Abasi e shpjegon kështu: “Në atë sënduk gjendeshin shkopi i Musait dhe disa copa të thyera të pllakave, në të cilat ishte shkruar Teurati." Ndërsa Ikrime shton dhe thotë që në të ishte edhe Teurati. Ebu Salihu thotë se brenda në arkë kishte edhe pak menna, pra, nga ushqimi që izraelitëve u zbriste kur ata endeshin në shkretëtirë. Më tej, Allahu i Lartësuar na tregon për mënyrën se si Sënduku shkoi në duart e bijve të Izraelit: - Atë e bartin melekët. S’ka dyshim se ky është një fakt për ju, nëse vërtet jeni besimtarë.” - Arkën e mbartin melekët. Ibn Abasi shpjegon: Ishin melekët ata që e sollën Sëndukun, duke e mbartur atë mes qiellit dhe Tokës, derisa e zbritën ngadalë dhe e vendosën përpara duarve të Talutit, ndërkohë që njerëzit e shihnin me sytë e tyre dhe e besuan këtë urdhëresë të Zotit. Ata besuan që Shemuni ishte Profet dhe tashmë iu bindën Talutit si mbret të tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:247–2:248

- "Profeti i tyre u tha: “Allahu ka caktuar Talutin, si mbretin tuaj.” - Ky ishte një caktim i drejtpërdrejtë nga Allahu i Lartësuar dhe, si i tillë, ai duhej pranuar pa asnjë diskutim. Por dihet se çifutët dinë veçse të kundërshtojnë, prandaj, si përherë, ata thanë: - “Ata thanë: “Si mund të jetë mbretëria në dorën e tij, kur ne kemi më shumë merita për të qenë mbretër sesa ai?! Madje, ai nuk është as i pasur. ” – Kuptimi: Si mund të jetë mbret dikush që qëndron shumë më poshtë se ne, për sa i përket prejardhjes dhe pozitës së tij shoqërore?! Sipas këtyre kritereve, jemi ne që e meritojmë më shumë pushtetin. Jo vetëm kaq, por ai është edhe i varfër, që nuk ka se me çfarë ta ndërtojë mbretërinë dhe pushtetin e tij. Këto ishin parametrat e tyre për të përzgjedhur udhëheqësit e tyre. Ata mendonin gabimisht se udhëheqësi duhet të zgjidhet patjetër prej të pasurve e fisnikëve. Ata nuk e dinin se janë disa cilësi të tjera që përcaktojnë se cili e meriton të jetë mbret apo udhëheqës. Pastaj, i Madhëruari thotë: - “Ai tha: “Atë e zgjodhi Allahu si mbretin tuaj, duke e pajisur me dituri të gjerë e me fuqi trupore.” - Kuptimi: Allahu e përzgjodhi atë nga mesi juaj, duke i dhuruar di turi të gjerë dhe trup të fuqishëm. Mendja e ndritur dhe trupi i fortë janë dy elementë që i japin sukses të plotë udhëheqësit. Nëse një prijës gëzon dije të gjerë dhe fuqi për ta ekzekutuar këtë dije, ecuria e veprave do të jetë e sigurt dhe frytdhënëse. Nëse mungon njëra prej tyre, atëherë patjetër që veprat do të çalojnë. Nëse mbreti ka fuqi, por nuk ka urtësi dhe mençuri, në mbretërimin e tij do të ndodhin padrejtësi dhe kalim të kufijve të Zotit. Kur forca ushtrohet pa urtësi dhe mençuri, ajo nuk mund të sjellë kurrë drejtësi dhe mirësi. Po ashtu, kur diturisë i mungon forca, atëherë ajo nuk mund të vihet në jetë. - “Allahu ia jep pushtetin kujt të dojë. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëditur.” - Këto janë cilësitë e duhura për zgjedhjen e një udhëheqësi. Allahu është Bujar e Mirëbërës (Uasiun) i madh me mirësitë dhe dhuratat e Tij. Të gjithë janë të barabartë përpara bujarisë së Tij: i fismi dhe jo i fismi, i pasuri dhe i varfëri, të gjithë kanë të drejtë që të përfitojnë nga mëshira dhe dhuratat e Tij. Por përveç kësaj, Ai është edhe i Gjithëditur ( Alim). Ai e di më mirë se çdokush tjetër se cili meriton që të përfitojë nga dhuratat dhe mirësitë e Tij. Ai e di shumë mirë se kujt ia fal begatitë e Tij. Me këto fjalë, Allahu i Lartësuar u largoi atyre nga mendjet çdo lloj dyshimi dhe pakënaqësie për atë përzgjedhje. Ai i bindi ata se i përzgjedhuri i plotësonte më së miri kushtet për të qenë një udhëheqës i denjë. Allahu i Lartësuar ia jep pushtetin kujt të dëshirojë dhe askush nuk mund ta kthejë mbrapsht vendimin e Tij të urtë. Megjithëse ky ishte një argumentim i kthjellët si drita e diellit, Profeti i tyre u solli edhe një argument tjetër përforcues, që ata ta pranonin totalisht dhe me zemër të qetë: - “Profeti i tyre u tha: “Shenjë e sundimit të tij është ardhja te ju e Arkës, tek e cila do të gjeni qetësim nga Zoti juaj. Në të ndodhet edhe diçka që ka mbetur nga thesari i familjes së Musait dhe Harunit. Atë e bartin melekët. S’ka dyshim se ky është një fakt për ju, nëse vërtet jeni besimtarë.”” - Kjo qe një shenjë madhështore dhe e prekshme për ata njerëz. Ata, si shenjë, do të shihnin Arkën, brenda së cilës ndodheshin disa relike të mbetura prej familjes së Musait dhe Harunit. Kur ta shihnin atë, zemrat e tyre do të gjenin prehje dhe ata do të bindeshin plotësisht. E si të ndodhte ndryshe, kur ata do të shihnin me sytë e tyre melekët e Zotit të madhëruar duke e bartur atë Arkë?!

← Bekare 2:248