← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 283 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:275–2:283

Pasi Allahu urdhëroi për dhënien e pasurisë në rrugën e mirë të Tij, Ai veçoi lëmoshën, sadakanë dhe shpërblimin për te, duke shpjeguar se ajo është bujari, krenari dhe pastërti. Në këto ajete përmendet edhe ana e kundërt, përmendet fitimi i ndyrë, koprracia dhe shpirtëngushtësia e atij që e merr kamatën. Fjala "riba" në sheriatin islam nënkupton kamatën - fajden, e që është teprica nga kryet e mallit, të cilën e merr prej borxhliut në emër të afatizimit. Kjo praktikë është e ndaluar rreptësisht në fenë islame, sepse pasanikët e kanë për detyrë t'i ndihmojnë nevojtarët në përmirësimin e gjendjes së tyre të vështirë, e jo t'i shtypin e t'ua keqësojnë gjendjen edhe më shumë. Ata që respektojnë urdhërat e Zotit, atyre u shtohet bereqeti e pasuria në këtë botë, kurse në botën tjetër, ata kanë thevab të shumëfisht. Ndërsa ata që nuk rrespektojnë urdhërin e Zotit, nuk do të gëzojnë pasurinë e tyre në këtë botë, kurse në botën tjetër ata do të ngriten prej varrezave të shtrembëruar nga defektet e çmendjes, e pastaj i pret zjarri i xhehenemit.

Kamata është aq shumë e urrejtur sa që shfrytëzuesit e saj, janë vënë në dyshim për besimin e tyre, e s'ka mjerim më i madh se të konsiderohen armiq të Allahut, dhe të dërguarit të Tij.

Ajeti 281 në këtë kaptinë, është i fundit nga Kur'ani që iu shpall Muhammedit. Thuhet se pas shpalljes, së këtij ajeti, Pejgamberi jetoi edhe nëntë ditë. Është përkujtues i madh, ndaj asaj dite të madhe kur çdo kush do të përgjigjet për veprat e bëra. Pra, me këtë ajet merr fund shpallja - vahji. me E ze Pas sadakasë së lavdëruar, pas kamatës së përbuzur, Kur'ani na mëson për rregullat që duhet. praktikuar në lëmenjt e ndryshëm të jetës, posaçërisht në huazime, në shitblerje, në dëshmime dhe në dokumente të shkruara.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:283

- E në qoftë se jeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, atëherë merrni një plaçkë peng! - Bëhet fjalë për rastet kur je udhëtar dhe merr borxh me një afat të caktuar dhe nuk gjen një shkrues. Ibn Abasi shpjegon: “...ose e gjen shkruesin, por nuk gjen letër ose bojë, ose laps e të ngjashme, për të shkruar. Në të tilla raste, huadhënësit i lihet një peng.” Një grup selefësh kanë argumentuar me këtë ajet për të thënë se lënia e pengut për të garantuar kontratat është e ligjëruar dhe e lejueshme veçse në rastet e udhëtimeve. Në dy Sahih-ët gjendet hadithi nga Enesi se: 446. “Kur Profeti ndërroi jetë, përkrenaria e tij ishte lënë peng tek një jehud për 30 uisk (njësi matëse) me elb, që i kishte marrë si ushqim për familjen e tij.” Në një transmetim thuhet se ky ishte një jehud i Medinës.133 - E nëse i besoni njëri -tjetrit, atëherë ai që ka marrë diçka me mirëbesim le ta përmbushë atë që i është besuar, dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij! - Ibn Ebu Hatimi sjell me sened të mirë nga Ebu Seid el Hudriu, që ka thënë se, ky ajet e abrogon ajetin para tij. Kuptimi i ajetit është: Nëse ju keni besim kundrejt njëri tjetrit, nuk ka problem që të mos e shkruani dhe të mos

merrni dës hmitarë për kontratën mes jush. Allahu i Lartësuar thotë: “ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij!” Pra, ai të cilit i është lënë me mirëbesim shlyerja e borxhit, duhet që të ketë frikë Allahun dhe të jetë i kujdesshëm në amanetin që ka marrë përsipër ta shlyejë. Në hadithin që sjell Imam Ahmedi dhe autorët e Sunen-eve nga Haseni dhe Sumrate shënohet se Profeti ka thënë: 447. “Mbi huamarrësin rëndon huaja që ka marrë, derisa ta shlyejë atë.” Ky është amaneti për shlyerjen e borxhit. - Mos e fshihni dëshminë - Mos e fshihni, sepse nëse e fshihni atë, ky është tregues i zemrës së sëmurë e të prishur nga gjynahet. - se ai që e fsheh atë e ka zemrën me gjynahe. - Zemra e tij është keqbërëse, që i kalon kufijtë e Allahut. Kjo i ngjan me fjalën e Allahut të Lartësuar: “...Ne nuk do ta shesim betimin në Allahun për asnjë çmim, edhe sikur të jetë fjala për çfarëdo të afërmi dhe dëshminë që na urdhëron Allahu nuk do ta fshehim kurrë, sepse atëherë do të ishim gjynahqarë.” [Maide 106]. Ose: “O ju që keni besuar! Të jeni përherë dëshmues të së drejtës për hir të Allahut, edhe nëse kjo është kundër vetes suaj, kundër prindërve tuaj ose kundër të afërmve tuaj, qoftë ai (për të cilin dëshmohet) pasanik ose varfanjak, sepse Allahu është më i ditur rreth tyre. Mos ndiqni emocionet e t’i shmangeni drejtësisë! Nëse shtrëmbëroni faktet ose tërhiqeni (nga drejtësia), (dijeni se) Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju.” [Nisa 135]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: - “Allahu di çdo gjë që bëni ju.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:283

- “E në qoftë se jeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, ...” – Pra, nëse jeni në udhëtim dhe nuk keni mundësi që t’i shkruani marrëveshjet tuaja, atëherë: - “...atëherë merrni një plaçkë peng !” - Këtë peng e merr huadhënësi, si garanci për borxhin e dhënë. Ajeti tregon se, nëse pengu nuk i është dorëzuar huadhënësit, atëherë ai nuk është i vlefshëm si garanci. Gjithashtu, nëse më pas palët kanë kundërshtime rreth plaçkës së lënë peng (për sasinë apo cilësinë e saj, për shembull), atëherë merret në konsideratë pohimi i penglënësit. Përse? Sepse është penglënësi ai që e lë plaçkën si garanci, në vend të dokumentit që vërteton borxhin, dokument që duhej të diktohej po prej tij. Nëse nuk do të ishte i besueshëm pohimi i huamarrësit për pengun e lënë nga ai, atëherë plaçka e lënë peng do të ishte e pavlefshme si garanci. Kjo do të ishte njëlloj sikur të thoshim që deklarata e huamarrësit e diktuar në procesverbal është e pavlefshme si dokument, pasi pengu i lënë është në vend të dokumentit të shkruar. Duke qenë se qëllimi i pengut është garancia e borxhit, kjo praktikë lejohet jo vetëm gjatë udhëtimeve, por edhe në kushte normale. Allahu i Lartësuar e ka sjellë këtë si zgjidhje në situata jo të zakonta, sepse atëherë nevoja për një zgjidhje të tillë është e domosdoshme, pasi kur je në udhëtim nuk është e thjeshtë të gjesh shkrues për të dokumentuar një marrëveshje. - “E nëse i besoni njëri -tjetrit, atëherë ai që ka marrë diçka me mirëbesim le ta përmbushë atë që i është besuar...” - Të gjitha këto masa ndërmerren nëse mes huadhënësit dhe huamarrësit apo mes dy palëve në marrëveshje ka njëfarë pasigurie për plotësimin e të drejtave të tyre. Por nëse palët kanë siguri të ndërsjelltë për plotësimin e të drejtave dhe detyrimeve, atëherë kjo, pra lënia në mirëbesim dhe mos marrja peng apo mos dokumentimi i aktit,

është diçka e lejuar. Por, në këtë rast, pala marrëse duhet të jetë e drejtë në përmbushjen e detyrimeve të saj. Ajo nuk duhet të bëjë asnjë lloj padrejtësie. - “...dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e tij” – Pra, pala që ka marrë diçka prej tjetrit me mirëbesimin e tij, le të ketë frikë Zotin dhe t’i përgjigjet bamirësisë së tjetrit me bamirësi, duke qenë e drejtë në kthimin e hakut të tij. - “Mos e fshihni dëshminë...” – Arsyeja është se e vërteta është e lidhur ngushtë me dëshminë. Ajo nuk mund të vihet në vend pa të. Ai që e fsheh të vërtetën ka bërë një gjynah të madh. Duke e fshehur të vërtetën, dëshmuesi ka mashtruar dhe, si rrjedhojë, ka shkelur të drejtat e të tjerëve, për të cilat do të mbajë përgjegjësi para Zotit të tij. - “...se ai që e fsheh atë e ka zemrën me gjynahe. Allahu di çdo gjë që bëni ju.” - Këto norma, me të cilat Allahu i Lartësuar udhëzon adhuruesit e Tij, përmbajnë urtësi dhe dobi gjithëpërfshirëse. Ato tregojnë se, nëse krijesat do të merrnin mësim nga udhëzimet e Krijuesit të tyre, jeta e tyre do të shkëlqente jo vetëm në dynja, me të gjitha problemet e saj, por edhe në ahiret, sepse ato rregullojnë fenë dhe besimin e tyre. Ato rregullojnë lidhjet e krijesave me Zotin e tyre. E si mund të ndodhë ndryshe, nëse krijesa zbaton udhëzime të ndërtuara mbi drejtësinë, rregullimin dhe mirësinë? Vetëm nëpërmjet tyre mund të arrihet në shuarjen e grindjeve e të keqkuptimeve. Vetëm nëpërmje t tyre mund t ë rregullohet jeta e krijesave. Allahu qoftë i lavdëruar ashtu si i takon lartësisë dhe madhështisë së Tij, sepse ne nuk mund ta lavdërojmë Atë dhe t’i shprehim adhurimin tonë ashtu si Atij i takon.

← Bekare 2:283