← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 40 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:40–2:48

"Israil" është emër i pejgamberit të Zotit, emër i Jakubit, birit të Is-hakut, birit të Ibrahimit a.s. dhe saherë që përmenden në Kur'an beni Israil (bijtë e israilit) kanë për qëllim pasardhësit e Jakubit. Emri Israil për Jakubin është thënë qartas në "Ali Imranë".

Beni israilët thirren që ta besojnë Kur'anin, i cili vërtetonte për Tevratin, që për qëllime të interesit të mos bëjnë ndryshime në librin e tyre, të mos e fshehin të vërtetën për Muhammedin.

Mirëpo, beni-israilët, të cilët në kohën e Muhammedit e quanin veten "jehudi", e posaçërisht I rabinët (prijësit fetarë) e tyre, përveç që nuk pranuan mësimet e Kur'anit, ata aty ku flitej për virtytet e Muhammedit, bënë ndryshime në librin e tyre e për të mos e humbur pozitën e tyre.

Disa prijës fetarë jehudi të afërmëve të tyre, të cilët kishin pranuar fenë islame u thonin: vazhdoni të jeni në fenë islame se është e vërtetë prej Zotit, e vetë nuk e pranonin.

Thirren ta falin namazin, ta japin zeqatin. "Zeqati" sipas sheriatit islam është pjesë e caktuar e pasurisë, të cilën myslimani është i obliguar ta japë, për ato nevoja që i ka cekur Kur'ani.

"Rukuë" krrusje, quhet një nga pjesët e namazit, e këtu vetëkuptohet i tërë namazi, pra jehuditë thirren të falen ashtu siç falen myslimanët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:40–2:41

Allahu i Lartësuar u drejtohet jehudëve, duke i thirrur me këtë emër “O bijtë e Izraelit.” Me këtë mënyrë, sikur i drejtohet dhe u thotë: “O bijtë e Izraelit, të atij robit të mirë dhe të bindur ndaj Allahut, bëhuni ashtu si ati juaj, në bindjen ndaj Allahut! Bindjuni edhe ju Allahut, ashtu si ai, dhe pasojeni të vërtetën, ashtu sikurse ai e pasoi!” Edhe mes njerëzve është e njohur kjo mënyrë nxitjeje, kur thonë: “O biri i bujarit, bëhu bujar dhe fisnik si babai yt!” Pra, Allahu i Madhëruar më këtë fjalë dhe emërtim i porosit dhe thotë: "O bijtë e Izraelit! Besojeni Muhamedin dhe bëhuni pasues dhe ndihmëtarë të së vërtetës, që Ai solli nga Zoti juaj.” Izrael quhej Jakubi ﷺ. - O bijtë e Izraelit, kujtoni të mirat e Mia, me të cilat ju begatova, - Mirësitë që Zoti u dha atyre dhe për të cilat i urdhëroi që t’i kujtojnë vazhdimisht, janë të shumta, si: shpëtimi nga skllavëria e Faraonit, uji që u nxori nga guri për të pirë, zbritja e ushqimit në shkretëtirë, zgjedhja dhe nxjerrja e profetëve nga mesi dhe lloji i tyre etj. Kjo i ngjan thënies së Musait ﷺ“ : O popull im, kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush kur nga mesi juaj nxori pejgamberë, ju bëri të jeni sundues (në Tokë) dhe ju dha atë që nuk i kishte dhënë asnjë populli (tjetër).” Pra, deri në atë kohë. [Maide 20]. - “...dhe përmbusheni premtimin që më keni dhënë siç e përmbush premtimin Tim ndaj jush” – Pra, - shpjegon Ibn Abasi - premtimin që keni marrë mbi veten tuaj përmes Profetit kur erdhi ndër ju, se do t’i bindeni e pasoni rrugën e tij. Nëse e bëni këtë, unë do të përmbush premtimin Tim ndaj jush, duke jua larguar peshën e gjynaheve të shumta nga shpina juaj. Ndërsa Hasen el Basriu ka thënë: “Kjo është fjala e Allahut të Madhëruar: “Allahu mori zotimin e bijve të Izraelit dhe caktoi dymbëdhjetë prijës nga mesi i tyre. Allahu tha: “Unë jam me ju. Në qoftë se falni rregullisht namazin, jepni zekatin, u besoni të dërguarve të Mi, i ndihmoni e i respektoni ata dhe huazoni për hir të Allahut hua të mirë, pa dyshim që Unë do t'jua fal të këqijat tuaja dhe do t’ju fus në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Por në qoftë se pas kësaj ndonjë prej jush kundërshton, ai e ka humbur rrugën e drejtë”. [ El maide 12]. Ndërsa të tjerë janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për premtimin që Allahu pati marë prej tyre, që të pasonin Profetin madhështor që do të sillte Zoti nga mesi i bijve të Ismailit dhe të cilit do t’i bindeshin të gjithë popujt, pra, Muhamedin ﷺ ,fakt që është përmendur në Teurat.” Razi ka sjellë përgëzime dhe lajme të shumta nga profetët rreth Muhamedit a.s.55 - Dhe vetëm Mua të më keni frikë! – Pra, vetëm Mua të më keni frikë dhe hashje.56 Kështu, pasi i inkurajoi duke përmendur mirësitë, Allahu i Madhëruar i kërcënon për t’i frikësuar nga ndëshkimi i Tij, siç kishte goditur shumë breza të shkuar të etërve të tyre, që ata i dinin mirë. Ai i fton ata herë me inkurajim e nxitje të shpresës, e herë me kërcënim e frikësim, që të pasojnë Muhamedin ﷺ . - Besojeni atë (Kuranin), që e shpalla si vërtetues të asaj (shpalljes) që e keni ju...” - Besojeni këtë Kur 'an, i cili ju urdhëron ashtu sikurse edhe Teurati, që të besoni siç duhet Allahun dhe të gjithë profetët e Tij. Ky është një urdhër i njëjtë me urdhrat e Teuratit, madje edhe urdhrin për të besuar Muhamedin ﷺ e gjeni të shkruar në të. Jeni urdhëruar që ta besoni atë, ta ndihmoni e qëndroni në krah dhe të pasoni Kur 'anin, që ju shpall atij nga Zoti dhe fjalëve të tij, që ai nuk i thotë nga mendja e vet, por nga Shpallja. - e mos u bëni mohuesit e parë të tij! - Mos u bëni të parët mohues të Tij mes bijve të Izraelit në atë kohë kur u shfaq Muhamedi ﷺ , pra, në kohën e jehudëve të Medinës. Në fakt, të parët që e mohuan Profetin ishin idhujtarët arabë, por qëllimi i

ajetit është: mos u bëni të parët mohues prej jehudëve të Medinës. Pra, mos u nxitoni në mohimin e refuzimin e Profetit.57 - Mos i fshihni ajetet e Mia për hir të një çmimi të ulët... - Besimin në shpalljet e Mia dhe pasimin e profetëve të Mi mos i shkëmbeni me stolitë e kësaj bote dhe epshet e saj, sepse ato janë të parëndësishme që do të zhduken. E gjithë bota, me gjithë stolitë dhe bukuritë e saj, janë të papërfillshme dhe të pavlefshme përballë besimit në shpalljet e Zotit dhe besimit në profetët e Tij. Siç e ka shpjeguar Abdullah Ibn Mubaraku, “çmim i ulët” është e gjithë dynjaja me çka në të. Kështu, ata të mjerë preferojnë këtë dynja dhe kënaqësitë e saj të përkoshme, që do të zhduken shumë shpejt, kundrejt besimit dhe veprave të mira, që të japin përjetësinë në Xhenet dhe lumturinë në të dyja jetët. Një interpretim tjetër i ajetit është thënë: “Mos hiqni dorë dhe t’i shmangeni qartësimit dhe shfaqjes së të vërtetës të sjellë nga Zoti dhe përhapjes së diturisë së dobishme ndër njerëz, duke e fshehur ose duke e ngatërruar e pështjelluar atë, për të ruajtur pushtetin dhe ofiqet, që keni frikë se mos ju largohen nëse i përkushtoheni besimit të drejtë në Allahun dhe në Profetin e Tij! Në Sunen-in e Ebu Daudit shënohet se Ebu Hurejra tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Çdokush që mëson një dituri me të cilën mund të synohet kënaqësia e Allahut dhe e mëson veçse për të fituar ndonjë gjë të kësaj dynjaje, nuk ka për ta ndierë aromën e Xhenetit në Ditën e Kijametit.”. Ndërsa për sa i përket dhënies së mësimit dhe diturisë kundrejt pagesës, dijetarët kanë thënë: Nëse këtë dituri mund ta japë veçse një person i caktuar, - dhe në këtë rast kjo është detyrë që ai nuk mund t’i shmanget - ky njeri nuk lejohet të marrë pagesë nga nxënësit. Këtij i jepet një pagesë nga shteti, aq sa mund të mbajë dhe kujdeset për familjen e vet. Por nëse nuk i jepet një pagesë e tillë (nga shteti) dhe mësimdhënia e pengon nga fitimi përmes rrugësh të tjera i pasurisë hallall për veten dhe familjen e vet, atëherë i lejohet të marrë pagesë kundrejt mësimdhënies, siç ndodh në rastin kur ka edhe mësues të tjerë që mund ta japin këtë njohuri dhe detyra për përhapjen e saj nuk rëndon vetëm mbi një person të veçantë. Ky është mendimi i imam Malikut, imam Shafiut, imam Ahmedit dhe shumicës së dijetarëve. - por vetëm prej Meje ruhuni! – Kuptimi i ‘ruajtjes’ ( et-takua) është: “Të punosh në bindje ndaj Allahut, duke shpresuar në mëshirën e Tij, i ndriçuar nga drita e Tij, duke lënë haramet gjithashtu i ndriçuar nga drita e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij.” Pra, Allahu i Lartësuar i kërcënon ata për fshehjen e së vërtetës dhe shfaqjen dhe reklamimin e së kotës, si dhe për kundërshtimin dhe luftën kundër Profetit ﷺ.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:40–2:43

- O bijtë e Israilit, kujtoni të mirat e Mia, me të cilat ju begatova…” - Israili është Profeti Jakub (a.s.). Këto fjalë iu drejtohen çifutëve që jetonin në Medinë dhe rreth saj. Këto fjalë vlejnë edhe për ata që vijnë pas tyre. Allahu i Lartësuar jep një urdhër që i përfshin të gjithë, pra: Kujtoni, të gjithë ju, mirësinë Time me të cilën ju begatova. Fjala “mirësi” i përfshin këtu të gjitha llojet e mirësive me të cilat Allahu i Lartësuar i begatoi ata, disa prej të cilave Ai do t ’i përmendë në këto ajete dhe disa në ajete të tjera. Kujtimi i këtyre mirësive ka qëllime dhe urtësi në vetvete. Ai synon që zemrat tona të jenë mirënjohëse dhe falënderuese ndaj m irësive të përmendura, kurse gjuha jonë të jetë lavdëruese e Dhuruesit dhe shprehëse e ndjenjave të zemrës. Gjymtyrët, gjithashtu, duhet të jenë vërtetuese dhe në përputhje të plotë me fjalët që themi dhe me ndjenjat që fshehim në zemër. E vetmja mënyrë që gjymtyrët ta bëjnë këtë vërtet, është nënshtrimi i tyre për t'u përdorur në ato drejtime që dëshiron Allahu i Lartësuar dhe me të cilat Ai është i kënaqur. Pra, përsëri kemi të bëjmë me një nxitje për pasimin e mësimeve të marra nga Profeti (s.a.u.s) dhe nga Libri i Allahut. Më tej, i Madhëruari thotë: - “…dhe përmbusheni premtimin që më keni dhënë siç e përmbush premtimin Tim ndaj jush ” - Allahu i Lartësuar i nxit besimtarët që të mbajnë premtimin që i kanë dhënë Atij për ta besuar sinqerisht, Atë dhe profetët e Tij. Ai i nxit që ta mbajnë premtimin që i kanë dhënë për të zbatuar porositë e Tij dhe ligjin e jetës që shpalli për ta. Nëse krijesat do ta mbajnë fjalën e dhënë, atëherë edhe Allahu i Lartësuar do ta përmbushë premtimin e Tij. Disa ajete kuranore që e qartësojnë më tepër kuptimin e këtij fragmenti janë dhe ato të sures Maide (nr. 12-14): “Allahu mori zotimin e bijve të Izraelit dhe caktoi dymbëdhjetë prijës nga mesi i tyre. Allahu tha: “Unë jam me ju. Në qoftë se falni rregullisht namazin, jepni zekatin, u besoni të dërguarve të Mi, i ndihmoni e i respektoni ata dhe huazoni për hir të Allahut hua të mirë, pa dyshim që Unë do t'jua fal të këqijat tuaja dhe do t’ju fus në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Por në qoftë se pas kësaj ndonjë prej jush kundërshton, ai e ka humbur rrugën e drejtë”. Për shkak se ata e thyen zotimin e dhënë, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të ashpra . Ata i ndryshuan fjalët (në Libër) nga domethënia e tyre dhe e braktisën një pjesë të madhe të asaj (shpalljes) me të cilën u këshilluan. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre, përveç një pakice nga ata. Fali ata dhe, me butësi, tolero! Allahu i do ata që bëjnë mirë. Ne morëm zotimin edhe nga ata që thanë “Ne jemi nesara (pasues të Isait)”. Por edhe ata e harruan një pjesë të asaj (shpalljes) me të cilën u urdhëruan. Prandaj, Ne kemi hedhur ndërmjet tyre armiqësinë dhe urrejtjen midis njëri tjetrit, deri në Ditën

e Kijametit. Allahu do t’ua shpalosë se çfarë kanë bërë ." Pastaj, Allahu i Lartësuar i urdhëron ata të pajisen me ato cilësi, që do t'ua bëjnë të mundur mbajtjen e premtimit të dhënë Atij. Ai u thotë atyre: - “Dhe vetëm Mua më k ini frikë! ” - Kur njeriu e ka frikën dhe respektin ndaj madhështisë së Allahut, kjo patjetër që do ta detyrojë t’i përmbahet premtimit, duke realizuar dhe përmbushur urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Më pas vjen një urdhër i veçantë, një urdhër për diçka, pa të cilën kurrë nuk mund të plotësohet imani. Vetëm imani i atij që ka plotësuar këtë urdhër të veçantë, që Allahu i Lartësuar ua drejton krijesave, mund të quhet iman i vërtetë dhe i plotë. Kështu, i Madhëruari thotë: - “Besoni në atë (Kur'anin), që e shpalla si vërtetues të asaj (shpalljes) që e keni ju,…” – Kuptimi: Besojini Kur’ânit, të cilin Allahu i Lartësuar ia shpalli robit dhe Profetit të Tij të dashur, Muhamedit (a.s). Allahu i Lartësuar i fton ata që ta besojnë dhe ta pasojnë Muhamedin (a.s), gjë që bën të detyrueshme edhe besimin e pasimin e Shpalljes ( Kur’ânit dhe Sunetit) që i erdhi atij. Allahu i Lartësuar përmend edhe arsyen pse duhet pasuar ky Profet: që t'u shërbejë si nxitës më i madh për ta, pasi Ai thotë se libri që iu shpall këtij Profeti është: “muŝaddiķal-limâ meakum ”, pra: “… si vërtetues të asaj që e keni ju ”. Ky libër, ose kjo Shpallje, është në përputhje të plotë me atë Shpallje hyjnore që keni ju, pasi ndërmjet tyre (shpalljeve hyjnore) nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj kundërshtimi. Përse pra, duhet ta kundërshtoni këtë Shpallje? Nëse kjo Shpallje është në përputhje të plotë me traditën e të gjithë të dërguarve, atëherë përse refuzoni?! Përkundrazi, të parët që duhet ta pranojnë këtë Shpallje duhet të jeni pikërisht ju, që jeni të ditur rreth librave hyjnorë. Fjala e Allahut të Lartësuar: “muŝaddiķal-limâ meakum ” – “…si vërtetues të asaj (shpalljes) që e keni ju” , përmban edhe një mesazh tjetër: Nëse ju nuk besoni atë që vërteton dhe argumenton vërtetësinë e librave tuaj, të cilët i ndiqni e i zbatoni (siç pretendoni), kështu ju keni hedhur poshtë edhe librat tuaj, sepse kjo Shpallje përmban të njëjtin mesazh që sollën edhe profetët që ju pretendoni se i pasoni, si Musai, Isai etj. Nëse ju e mohoni Shpalljen e Fundit, në të vërtetë keni hedhur poshtë edhe librat tuaj. Pra, i vetmi verifikues i saktësisë së mësimeve hyjnore që ju keni, është ky libër, i cili përmban të vërtetën e sigurt: “lâ rajbe fîhi” – tek ai nuk ka dyshime. Çdo tekst tjetër lë për të dëshiruar në mënyrën e përcjelljes së tij. Një arsye tjetër që duhet t'ju bëjë ta besoni këtë Shpallje është edhe fakti që: ky Profet dhe cilësitë e Tij janë përshkruar qartë në tekstet e mbetura ende në duart tuaja. Nëse ju mohoni ato pjesë të librave tuaj ku përshkruhet dhe, madje, përgëzohet ardhja e këtij Profeti, kjo konsiderohet si mohim i një pjese të asaj që ju është shpallur juve nga Zoti juaj. Por mohimi i një pjese të Shpalljes hyjnore konsiderohet si mohim i plotë i saj, ashtu sikurse ai që mohon dhe nuk pranon të pasojë qoftë edhe një profet të vetëm, konsiderohet si mohues dhe refuzues i pasimit të të gjithë profetëve. Allahu i Lartësuar, pasi i urdhëron ata për ta besuar këtë Profet dhe Shpalljen e Tij, i ndalon ata edhe nga e kundërta e kësaj, duke thënë: - “…e mos u bëni mohuesit e parë të tij!” – Pra, të mos bëheni mohues të Kur’ânit dhe të Profetit (s.a.u.s). Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar nuk ka thënë thjesht: "dhe mos u bëni mohues”, por ka thënë: “…mos u bëni mohuesit e parë të tij”. Vërtetësia e kësaj fjale zbulon një padrejtësi të madhe të tyre, sepse - sikurse e përmendëm më sipër - ata duhej të ishin të parët që ta besonin. Por duke u bërë mohuesit e parë, ata treguan nxitimin (e padrejtë) e tyre në mohimin dhe refuzimin e tij. Kjo nga njëra anë. Nga ana tjetër, duke qenë të parët që mohonin (të vërtetën e qartë), ata u bënë shembujt e të tjerëve, të cilët do t’i pasonin në rrugën e tyre. Kështu,

ata do të mbartin në shpinën e tyre edhe gjynahet e pasuesve, të cilët i përhumbën dhe i devijuan nga rruga e drejtë. Në suren Maide, ajetet 77 -79, i Madhëruari thotë: “Thuaju: “O ithtarë të Librit! Mos e teproni me fenë tuaj, duke dalë jashtë të vërtetës, dhe mos shkoni pas dëshirave të njerëzve para jush, që kanë humbur rrugën, kanë shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që janë larguar shumë prej rrugës së drejtë”. Ata bij të Israilit që mohuan të vërtetën u mallkuan prej gjuhës së Daudit dhe Isait, birit të Merjemes. Ndodhi kështu, sepse ata kundërshtuan dhe e tepruan. Ata nuk e ndalonin njëri -tjetrin nga të këqijat që bënin. Sa e shëmtuar ishte sjellja e tyre! ” Ndërsa në suren Ankebut, ajeti 12, Ai thotë: “Ata që nuk besojnë u thonë atyre që besojnë: “Ejani në rrugën (në fenë) tonë, se gjynahet tuaja do t’i bartim ne! Po, në fakt, ata nuk do të bartin asgjë nga gjunahet e tyre. Në të vërtetë, ata janë gënjeshtarë. Ata do të bartin veç barrën e vet, e me atë të vetën edhe barrë të tjera, ndërsa Ditën e Kijametit do të merren në përgjegjësi për atë që kanë trilluar”. Por cili është shkaku që i detyron ata të bëjnë këtë zgjedhje? Atëherë, Allahu i Lartësuar përmend shkakun e saj dhe i ndalon ata nga kjo vepër, duke thënë: - “Mos i fshihni ajetet e Mia për hir të një çmimi të ulët !” – Kuptimi: Ajetet (argumentet) e Mia mos i ndërroni apo mos i shkëmbeni me vlera të pakta, që ju mund të përjetoni në të gjitha aspektet e jetës. Mos i shkëmbeni ato me pushtete dhe ofiqe që keni frikë se mos ju largohen nëse i përkushtoheni besimit të drejtë në Allahun dhe në Profetin e Tij. Me fjalë të tjera, mos i shpenzoni ajetet e Allahut për të blerë disa dobi të përkohshme e të pakta. Kurrë mos u jepni përparësi dobive të pakta të dynjasë, kundrejt besimit dhe pasimit të ajeteve (shpalljeve) të Allahut të Lartësuar. Për të arritur këtë triumf mbi vetveten, vjen një urdhër i prerë: - “…por vetëm prej Meje ruhuni!” – Kuptimi: Asgjëje tjetër të mos i druheni, por vetëm Mua. Nëse do t'i druheni vetëm Allahut të Lartësuar, kjo do t’ ju bëjë që t'i jepni përparësi besimit në ajetet (shpalljet) e Tij, kundrejt kënaqësive dhe interesave të kësaj bote të pavlerë dhe të parëndësishme. Po ta shohim anasjelltas, do të thonim: Nëse ju përzgjidhni çmimin e ulët të këmbimit, atëherë kjo dëshmon për zbrazëtinë e zemrave tuaja nga takua-ja (frika prej Allahut) dhe për mosvlerësim të madhështisë së Tij. Më pas, i Madhëruari thotë: - “Mos e mbuloni të vërtetën me të pavërtetën! Në këtë mënyrë, ju po e fshihni të vërtetën , edhe pse e dini.” – Këtu, Allahu i Lartësuar na ndalon nga dy gjëra: 1. Na ndalon nga përzierja e të vërtetës me të pavërtetën. 2. Nga fshehja e së vërtetës ose nga mossqarimi i të vërtetës. Ai na ndalon nga këto dy gjëra, sepse qëllimi dhe misioni i atyre që u është dhënë dije dhe kanë libra, argumente dhe informacion, është pikërisht e kundërta e asaj që u përmend. Qëllimi i tyre është dallimi i së vërtetës nga e kota dhe sqarimi e qartësimi i plotë i së vërtetës. Këto dy detyra janë të domosdoshme që, ata të cilët e duan udhëzimin ta gjejnë atë udhëzim, dhe atyre që janë të humbur t’ u qartësohet rruga e pendimit dhe e kthimit. Ndërsa atyre që refuzojnë dhe kundërshtojnë, të mos u mbetet asnjë justifikim te Krijuesi për të argumentuar mospranimin e tyre. Allahu i Lartësuar i shtjelloi shpalljet e Tij dhe i sqaroi ato me hollësi, pikërisht për të dalluar të vërtetën nga e kota dhe me qëllim që të qartësohet rruga e të udhëzuarve nga rruga e zullumqarëve. Të gjithë dijetarët që kryejnë këtë detyrë janë mëkëmbës, zëvendësues dhe pasues të denjë të profetëve. Ata janë udhëzuesit e popujve. Ndërsa ata që e përziejnë të vërtetën me të kotën, ata që nuk e zbardhin të vërtetën, edhe pse e dinë atë, ata që e fshehin të vërtetën, të cilën e njohin shumë mirë dhe për të cilën janë urdhëruar që ta sqarojnë dhe ta shfaqin, pikërisht këta

janë ftues për në Xhehenem, sepse njerëzit udhëzohen pikërisht nga dijetarët e tyre rreth çështjeve të fesë. Ata nuk pranojnë udhëzime nga askush tjetër, përveç dijetarëve të tyre. Atëherë, zgjidhni për veten cilën të doni prej dy mundësive dhe gjendjeve. Më pas, i Madhëruari thotë: - “Përkryejeni namazin, jepeni zekatin dhe bini në ruku (falni namaz bashkë) me ata që bëjnë ruku!” – Domethënë: falni namaz bashkë me ata që falen. Nëse ju e bëni këtë, pasi i keni besuar profetët e Allahut dhe shpalljet e Tij, atëherë ju keni kryer dy gjëra të domosdoshme për shpëtimin tuaj, duke vënë në një nivel veprat e dukshme (të jashtme) me ato të padukshme (të brendshme). Ju keni realizuar njëkohësisht dy shkaqet e lumturisë, të cilat janë: sinqeriteti ndaj Krijuesit (me besim e namaz) dhe bamirësia ndaj krijesave (me anë të zekatit). Në këtë mënyrë, ju keni adhuruar Allahun me veprime trupore, me akte shpirtërore dhe me pasuritë tuaja. Thënia e Allahut: “ Uerkeû mear -râkiaîn” (… dhe bini në ruku me ata që bëjnë ruku), tregon se: 1. Ky është një urdhër për të falur namazin me xhemat. 2. Falja e namazit me xhemat është e detyrueshme. 3. Ruku-ja është shtyllë e namazit. Ajo është shtylla pa të cilën namazi është i pavlefshëm. Arsyeja është se vetë namazi është quajtur me emrin e kësaj pjese përbërëse të tij (që është e ruku-ja), dhe kjo tregon se ruku-ja është pjesë e domosdoshme për saktësinë e namazit. Në çdo rast, të quajturit e një adhurimi me emrin e një pjese përbërëse të tij tregon që ajo është pikërisht një nga pjesët e domosdoshme e tij, pa të cilën adhurimi është i pasaktë dhe i pavlefshëm.

← Bekare 2:40