2. Bekare · Ajeti 74 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:74–2:82
Edhe pas të gjitha atyre mrekullive, që u kishte shfaqur Zoti, jehuditë ishin shumë zemërfortë, nuk njihnin të mirat që iu ishin dhuruar, andaj gjithnjë u sprovuan me ndëshkime të lloj-llojshme.
Besimtarëve, së bashku me Muhammedin u drejtohet Kur'ani duke u thënë se nuk ka shpresë që jehuditë do të pranojnë fenë tuaj, ata, kur është fjala për Muhammedin dhe Kur'anin, ndryshojnë pjesë të librit të tyre, ata u thonin të vetve: mos u tregoni myslimanëve se në Tevrat i shkruan për Muhammedin dhe dërgimin e tij pejgamber, sepse në ditën e gjykimit nuk do të mund të arsyetoheni se nuk keni ditur.
Dijetarët që ishin pari fetare bënin shtrembërime në Tevratin, kurse masa e gjerë, nuk dinte i ta lexojë atë. Ata jetonin në shpresat që ua thonin paria, si: neve beni israilëve do të na mëshirojë Zoti, të parët tanë ishin pejgamberë, ne jemi popull më i zgjedhur, xhehenemi do të na djegë pak ditë, ose shtatë, ja katërdhjetë aq sa patën adhuruar viçin, dhe ashtu i mashtronin, Kur'ani u thotë qartazi se ai që sharron, vërshohet e mbytet në të këqia, ai do të jetë përgjithmonë në xhehenem, ashtu si ai që beson dhe bën vepra të mira do të jetë përgjithmonë në xhennet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:74
Allahu i Madhëruar i qorton bijtë e Izraelit, të cilëve nuk iu zbutën zemrat, me gjithë ato shenja të jashtëzakonshme që Allahu u solli. Madje, ata panë edhe si ngjallet i vdekuri. - Megjithatë, edhe pas kësaj, zemrat tuaja u bënë si shkëmbi, madje edhe më të forta. - Zemrat e tyre janë si gurët, të cilët nuk zbuten. Për këtë arsye, Allahu i ndalon besimtarët që të bien në këtë lloj gjendjeje, kur thotë: “A nuk është koha për besimtarët, që zemrat e tyre të zbuten me kujtimin e Allahut e me të Vërtetën që u zbriti dhe të mos bëhen si ata të cilëve iu dha libri më parë e pasi kaloi një kohë e gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan e shumë prej tyre janë jashtë rrugës?” [Hadid 16]. Në këtë ajet thuhet: “...zemrat tuaja u bënë si shkëmbi...”. Pra, zemrat e bijve të Izraelit, me kalimin e kohës, u bënë të forta, të vrazhda, të ashpra dhe larg çdo këshille, pas gjithë atyre shenjave dhe mrekullive që dëshmuan. Ato, në ngurtësinë e tyre, janë si gurët, të cilëve nuk mund t’u gjesh ilaç për t’i zbutur. Madje, “...edhe më të fortë” se vetë gurët. - Ka shkëmbinj prej të cilëve burojnë lumenj. Ka prej tyre që kur çahen prej tyre del ujë. Madje ka prej atyre që, nga frika ndaj Zotit, vithisen tatëpjetë. - Siç ka thënë një ajet tjetër: “ Atë e madhërojnë (me tesbih) shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka në to. Nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë (me tesbih), duke e lavdëruar, por ju nuk e kuptoni madhërimin (tesbihun) e tyre. Ai është i Butë dhe Falës i madh. ” [Isra 44]. Muxhahidi ka thënë: “Çdo gur nga i cili buron ujë, ose që çahet nga uji, ose që vithiset e rrëzohet nga maja e malit, i ndodh ashtu vetëm nga frika e tij prej Zotit. Kjo është shpallur në Kur 'an. Këta lloj gurësh janë më të butë se zemrat e bijve të Izraelit, sepse ato zemra nuk e besuan të vërtetën, por e quajtën gënjeshtër, edhe pasi e panë qartazi atë.” Disa mufesirë janë të mendimit se ky përshkrim i gurëve është thjesht metaforik. Por nuk janë të këtij mendimi Razi, Kurtubiu e shumë imamë të tjerë. Ata thonë se këtu nuk është i nevojshëm përdorimi i metaforave, sepse Allahu i Lartësuar është i plotpushtetshëm që të krijojë këtë cilësi tek gurët, sikurse thuhet në ajetin: “Ne ua ofruam amanetin qiejve, Tokës dhe Maleve, por nuk pranuan ta merrnin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij. E mori njeriu. Pa dyshim, ai qe i padrejtë dhe i paditur.” [Ahzab 72]. Gjithashtu, në ajetin: “Atë e madhërojnë (me tesbih) shtatë qiejt, Toka dhe gjithçka në to. Nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë (me tesbih), duke e lavdëruar, por ju nuk e kuptoni madhërimin (tesbihun) e tyre. Ai është i Butë dhe Falës i madh.” [Isra 44]. Ose: “Edhe yjet dhe drurët i përulen Atij.” [Rrahman 5]. Ose: “Sikur ta zbrisnim këtë Kur’an mbi ndonjë mal, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga Allahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë.” [Hashr 21]. Në hadith të saktë përmendet se Profeti a.s. ka thënë për malin e Uhudit: 82 . "Ky është një mal që na do ne dhe ne e duam atë.". Po kështu, në hadithe muteuatira është përmendur se një trung mbi të cilin Profeti mbante hytbe qau me zë dhe me dënesë kur Profetit i përgatitën një mimber tjetër prej druri dhe atë e larguan në një qoshe të xhamisë. Pastaj i madhëruari tha: "Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju." 67
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:67–2:74
- “Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin, Allahu e zbuloi atë që e mbanit të fshehtë! ”. – Kuptimi: Kujtoni atë që ndodhi mes jush dhe Musait (a.s.), gjatë kohës kur ju vratë dikë dhe filluat të grindeshit rreth çështjes së vrasësit të tij. Madje, gjendja u acarua aq shumë, saqë po të mos vinte zgjidhja e saj prej Allahut, juve do t’ju ndodhte një fatkeqësi e madhe. Kështu, për të zbuluar vrasësin, Musai (a.s.) u tha që, fillimisht, të thernin një lopë. - “Musai i tha popullit të vet: “Allahu ju urdhëron që të therni një lopë!” - Pas këtij urdhëri, për ta ishte e detyrueshme që, menjëherë dhe pa humbur kohë, ta zbatonin atë, pa as më të voglin kundërshtim. Por ata nuk dinin të bënin gjë tjetër, veç refuzimit dhe kundërshtimit të urdhrave: - “Ata thanë: “A po tallesh me ne?!”” - Atëherë, Profeti i Allahut tha: - Ai tha: “Allahut i kërkoj të më ruajë, që të mos bëhem injorant!” - Arsyeja: Sepse vetëm injorantët e të ulëtit flasin fjalë të padobishme. Janë pikërisht ata që tallen me njerëzit. Ndërsa të urtët e të mençurit e konsiderojnë talljen me të tjerët, që janë njëlloj si ata, si një nga mangësitë më të mëdha, që dëmtojnë dhe cenojnë fenë dhe mendjen e njeriut. Edhe nëse dikush mund të jetë i dalluar në shumë aspekte, kjo jo vetëm që nuk e shtyn të mençurin të tallet me të tjerët, por, përkundrazi, e nxit atë që të jetë më tepër mirënjohës ndaj Zotit dhe më tepër i mëshirshëm ndaj krijesave të Zotit. Kur Musai (a.s.) u tha atyre këto fjalë, ata e kuptuan tashmë që çështja ishte serioze, prandaj thanë: - “Lute Zotin tënd për ne, të na qartësojë se si duhet të jetë ajo?” – Pra, e pyetën për moshën e saj. Musai iu përgjigj: - “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë një lopë as e vjetër, as e re, por e mesme.” - Pra, as lopë plakë dhe as mëshqerrë, që nuk ka lindur viça, por mes këtyre dy ekstremeve. - “Zbatoni pra, atë që u urdhëruat të bëni!” – Pra, bindjuni urdhërit dhe lëreni mënjanë inatin dhe natyrën tuaj të kundërshtimit! Lëreni mënjanë koklavitjen e çështjeve! Por, me gjithë këtë këshillë: - “Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne, që të na sqarojë çfarë ngjyre duhet të ketë ajo?” - “Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë e verdhë. Ngjyra e saj duhet të jetë (e verdhë) e ndezur, që të kënaqë shikuesit”.”. Domethënë, t’i gëzojë dhe t'i kënaqë vështruesit e saj, prej bukurisë dhe pamjes që do të ketë. - “Ata thanë: “Kërkoi Zotit tënd në emrin tonë, që të na sqarojë çfarë lloji duhet të jetë ajo, se lopët të gjitha na duken njësoj, e ne, në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën! ” - Ata, me natyrën e tyre për t’i ngatërruar gjërat, thanë që lopët u dukeshin të ngjashme, dhe për këtë arsye nuk po e gjenin dot atë që dëshironte Zoti. Por: - Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë që nuk është përdorur për punë, nuk është përdorur për të lëruar tokën, e as për të ujitur bimët. Ajo duhet të jetë pa asnjë të metë dhe pa asnjë shenjë (ngjyrë) tjetër.” - Domethënë, pa mangësi, e pa lodhur me punë dhe pa asnjë ngjyrë a njollë tjetër në të. Atëherë, pas gjithë kësaj koklavitjeje dhe teprimi me pyetjet e tyre të panevojshme, ata thanë: - “Tani u sqaruam plotësisht” – Kuptimi: Vetëm tani na sqarove plotësisht. Megjithatë, një reagim i tillë vinte prej paditurisë që ata kishin, pasi e vërteta u ishte bërë e qartë që në fillim. Nëse ata do
të kishin marrë çfarëdolloj lope, që në krye të herës, ajo do të ishte e pranueshme dhe e mjaftueshme për të plotësuar urdh rin e Allahut të Lartësuar. Por ata e koklavitën çështjen me pyetjet e tyre të shumta dhe të panevojshme. Për këtë arsye, merituan që edhe Allahu i Lartësuar t'ua vështirësonte dhe ngatërronte më tepër çështjen. Madje, nëse së fundmi, ata nuk do të thonin: “…në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën”, ata përsëri nuk do të gjenin zgjidhje. - “Kështu, ata e therën atë, por, desh e lanë pa e bërë këtë punë. ”. – Domethënë, ata e therën lopën, me cilësitë e saj të kërkuara, por gati sa nuk mbetën pa rrugëzgjidhje, për shkak të asaj natyre gërnjare, që i karakterizonte. - “Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin, Allahu e zbuloi atë që e mbanit të fshehtë! ”. - Kështu, pasi e therën lopën e kërkuar, Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që, me një pjesë të saj, të preknin të vrarin, siç tregon i Madhëruari: - “Ju thamë: “Prekeni atë (të vrarin) me një pjesë të saj (të lopës së therur) "! Ja, kështu i ngjall Allahu të vdekurit ” – Kuptimi: Prekeni të vrarin me një gjymtyrë të lopës së therur, ose me çfarëdo pjese të trupit të saj. Kur ata e prekën të vdekurin me një pjesë të lopës, Allahu i Lartësuar e ringjalli të vdekurin. E pas kësaj, Allahu i Lartësuar ua nxori jashtë ato që mbanin fshehur, sepse vetë i ringjalluri kallëzoi se cilët kishin qenë vrasësit e tij. Pamja e ringjalljes me sy nga ana e tyre, ishte një mrekulli, që tregonte pushtetin dhe fuqinë absolute të Allahut për të ringjallur të vdekurit. - “dhe ju tregon Argumentet e Tij, në mënyrë që të kuptoni.” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua solli këtë argument, që ju të mendoni seriozisht dhe të largoheni nga çdo gjë që është në dëmin tuaj. “Megjithatë, edhe pas kësaj, zemrat tuaja u bënë si shkëmbi, …” - Kuptimi: Zemrat tuaja u forcuan dhe ashpërsuan më tepër, aq sa nuk u bënte më dobi asnjë qortim. Ato nuk ndikoheshin nga asnjë lloj përkujtimi. - “…edhe pas kësaj” – Domethënë, edhe pasi Allahu i Lartësuar ju nderoi me plot mirësi të mëdha, pasi ju paraqiti shumë argumente, shenja dhe mrekulli të qarta. Pra, pas gjithë këtyre, zemrat tuaja nuk duhej kurrsesi që të ngurtësoheshin, por të zbuteshin. Ato duhej të prekeshin thellë e t’i nënshtroheshin Allahut të Lartësuar. Më tej, Allahu i Lartësuar e përshkruan ashpërsinë e zemrave të tyre nëpërmjet disa krahasimeve. Ai thotë se ato: - “u bënë si shkëmbi ” – Pra, ato u bënë të forta si gurët e shkëmbinjtë, madje edhe më shumë se aq. Dhe të mendosh se guri është edhe më i fortë se vetë hekuri apo plumbi, sepse këto të fundit, kur i fut në zjarr, shkrihen dhe zbuten, ndërsa guri jo, nuk zbutet. - “madje edhe më të forta” - Pra, ngurtësia e tyre ua kalonte asaj të gurëve. Madje, gurët janë më të mirë se zemrat e tyre, siç thotë i Lartësuari: - “Ka shkëmbinj prej të cilëve burojnë lumenj. Ka prej tyre që kur çahen prej tyre del ujë. Madje ka prej atyre që, nga frika ndaj Zotit, vithisen tatëpjetë. ” – Pra, me të tilla cilësi, gurët janë më të mirë se ato zemra. Pas përshkrimit të zemrave të tyre, Allahu i Lartësuar u jep më të ashprin kërcënim: - “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju. ”. – Kuptimi: Allahu është absolutisht i ditur rreth veprave tuaja. Ai i ka ruajtur dhe i ka shënuar të gjitha punët tuaja, të mëdhatë dhe të voglat, dhe, me siguri, ka për t'ju shpërblyer për to në mënyrën më të drejtë. Shumë interpretues të Kur’ânit i kanë mbushur librat e tyre me rrëfime e gojëdhëna hebraike (të ashtuquajtura israilijate), për të shpjeguar ajetet kur’ânore. Këtë metodë ata e mbështesin në fjalën e Profetit (s.a.u.s.), që thotë: “Tregojini rrëfimet e bijve të Israilit, se nuk ka problem.” Por, sipas meje, qëndrimi më i drejtë në këtë çështje është që përcjellja e historive të ardhura nga
hebrenjtë, edhe pse lejohet të kryhet si veprim, nuk do të thotë që ato mund të përdoren bashkë me argumentet tona, për të shpjeguar ajetet e Librit të Allahut, sepse asnjë e dhënë nuk lejohet të paraqitet si shpjeguese e Kur’ânit, nëse ajo nuk është e mbështetur dhe vërtetuar nga goja e Profetit (s.a.u.s.). Edhe në rastin më të mirë, kur rrëfimet e judejve dhe të të krishterëve nuk bien ndesh me fenë tonë, ne i konsiderojmë ashtu sikurse na ka mësuar Profeti (s.a.u.s.), kur thotë: “As mos i besoni ehlu kitab-ët dhe as mos i përgënjeshtroni ata!” Rrjedhimisht, nëse këto informacione janë të pasigurta e të dyshimta, atëherë ne duhet të jemi shumë të rezervuar në përdorimin e tyre, sidomos kur flitet për interpretimin e ajeteve të Kur’ânit. Në fenë Islame, dihet se është detyrë që ta besojmë Kur’ânin e shenjtë pa patur as më të voglin dyshim. Ne duhet të jemi plotësisht të sigurt për saktësinë e termave dhe fjalëve të tekstit të Kur’ânit, nga njëra anë, dhe të kuptimeve të tij, nga ana tjetër. Për këtë arsye, nuk duhet dhe nuk lejohet që ne t’i nxjerrim kuptimet e Kur’ânit duke u mbështetur në histori dhe rrëfenja, që janë të paqarta e të pasigurta në transmetimet e tyre. Aq më tepër që, në të shumtën e rasteve, të krijohet bindja se ato janë thjesht trillime dhe legjenda. Pra, të tilla informacione nuk mund të jenë kurrsesi shpjeguese të Librit më të sigurt në botë. Po ashtu, ato kurrë nuk mund të merren si të pranueshme dhe të sigurta, thjesht dhe vetëm se dikush i përdor si shpjeguese të ajeteve të Kur’ânit. Tefsiret u mbushën me të tilla rrëfenja pikërisht për shkak të pakujdesisë nga ana e atyre dijetarëve që e bënë këtë gjë. Allahu i Lartësuar i jep sukses dhe udhëzon atë që do në rrugën e drejtë dhe të saktë.