2. Bekare · Ajeti 75 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:74–2:82
Edhe pas të gjitha atyre mrekullive, që u kishte shfaqur Zoti, jehuditë ishin shumë zemërfortë, nuk njihnin të mirat që iu ishin dhuruar, andaj gjithnjë u sprovuan me ndëshkime të lloj-llojshme.
Besimtarëve, së bashku me Muhammedin u drejtohet Kur'ani duke u thënë se nuk ka shpresë që jehuditë do të pranojnë fenë tuaj, ata, kur është fjala për Muhammedin dhe Kur'anin, ndryshojnë pjesë të librit të tyre, ata u thonin të vetve: mos u tregoni myslimanëve se në Tevrat i shkruan për Muhammedin dhe dërgimin e tij pejgamber, sepse në ditën e gjykimit nuk do të mund të arsyetoheni se nuk keni ditur.
Dijetarët që ishin pari fetare bënin shtrembërime në Tevratin, kurse masa e gjerë, nuk dinte i ta lexojë atë. Ata jetonin në shpresat që ua thonin paria, si: neve beni israilëve do të na mëshirojë Zoti, të parët tanë ishin pejgamberë, ne jemi popull më i zgjedhur, xhehenemi do të na djegë pak ditë, ose shtatë, ja katërdhjetë aq sa patën adhuruar viçin, dhe ashtu i mashtronin, Kur'ani u thotë qartazi se ai që sharron, vërshohet e mbytet në të këqia, ai do të jetë përgjithmonë në xhehenem, ashtu si ai që beson dhe bën vepra të mira do të jetë përgjithmonë në xhennet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:75–2:77
Allahu i Madhëruar u drejtohet be simtarëve dhe u thotë: Mos, vallë, po prisni që ata t’ju dëgjojnë dhe t’ju binden? Jo! Kurrë nuk ka për të ndodhur. Këto grupacione prej jehudëve janë të humbura. Mendoni pak për etërit e tyre të hershëm! Ata, edhe pasi panë ato shenja dhe mrekulli të shumta e të qarta, zemrat e tyre u ngurtësuan. Ndërsa një grup prej tyre, pasi e dëgjonin fjalën e Allahut e shtrembëronin dhe ndryshonin atë, ose e shpjegonin jo me shpjegimin e saktë e korrekt të saj. Dhe të gjitha këto i bënin pasi e kishin kuptuar mirë dhe qartë të vërtetën. Ata e refuzonin të vërtetën me vetëdije dhe duke qenë të sigurt se ishin të gabuar dhe keqbërës me këto ndryshime, shtrembërime e keqinterpretime. Kjo i ngjan shumë fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Për shkak se ata e thyen zotimin e dhënë, Ne i mallkuam ata dhe zemrat e tyre i bëmë të ashpra. Ata i ndryshuan fjalët (në Libër) nga domethënia e tyre dhe e braktisën një pjesë të madhe të asaj (shpalljes) me të cilën u këshilluan. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre, përveç një pakice nga ata. Fali ata dhe, me butësi, tolero! Allahu i do ata që bëjnë mirë.” [Maide 13]. El Seddiu thotë që, në ajetin: “...një grup i tyre e dëgjoi Fjalën e Allahut dhe, pasi e kishin kuptuar, e shtrembëroi atë...”, bëhet fjalë për Teuratin, të cilin ata e ndryshuan dhe tjetërsuan.”. Ndërsa Katadja, duke shpjeguar këtë ajet, thotë: “Këta ishin jehudët, të cilët e dëgjonin Fjalën e Allahut e pastaj e ndryshonin atë, pasi e kishin kuptuar mirë dhe qartë përshkrimin e Profetit të Allahut (Muhamedit), dispozitat e hallallit e haramit, si dhe qartësimin e të vërtetës dhe të kotës.” - Kur ata takohen me besimtarët, thonë: “Ne besojmë”. - Ibn Abasi shpjegon: Ne e besojmë se Muhamedi është Profet i Allahut, por ai është dërguar vetëm për ju. - Por, kur veçohen me njëri -tjetrin, thonë: “A po u thoni atyre (muslimanëve) për atë që Allahu ju ka shpallur juve, që ata të kenë argumente para Zotit tuaj kundër jush?! A nuk e kuptoni?!” – Kur veçohen me njëri -tjetrin, thonë: Mos u tregoni arabëve për këtë, sepse më parë ju e prisnit këtë Profet, madje luteshit dhe shpresonit me ardhjen e tij (Muhamedit) ndihmën (e Allahut) kundër jobesimtarëve. Ju mendonit se do të dilte nga gjiri juaj, por ai doli nga mesi i tyre, e jo nga gjiri juaj.” Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “A po u thoni atyre (muslimanëve) për atë që Allahu ju ka shpallur juve, që ata të kenë argumente para Zotit tuaj kundër jush?! A nuk e kuptoni?!”. Pra, kështu ju po e pranoni dhe pohoni që ai është Profet i Allahut dhe është pikërisht ai profet për të cilin, Allahu ju mori besën tuaj që ta pasoni dhe ndiqni rrugën e tij. Madje, edhe ky profet u thotë ndjekësve të tij që ne e gjejmë përshkrimin e tij në Librin tonë. Kështu, mohojeni dhe refuzojeni ta pranoni se ai është Profet i Zotit! Por Allahu i Madhëruar ua kthen atyre me fjalët: - A nuk e dinë ata që Allahu e di mirë atë që e fshehin dhe atë që e shprehin hapur? - Ebu el Alije shpjegon: “Ai e di mirë mohimin dhe refuzimin e pranimit të Muhamedit si Profet të Zotit , që ata e fshihnin në shpirtin e tyre, edhe pse e kishin të shkruar në Librin e tyre.”. Ndërsa ajo që e shfaqnin ishte fjala: “Ne besojmë”.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:75–2:79
- “A shpresoni se ata (ehlul kitab -ët) do t’ju besojnë…” – Nëpërmjet këtij ajeti, besimtarët njoftohen se është e kotë të shpresojnë që ehlul kitab -ët (të krishterët
dhe çifutët) do të udhëzohen në rrugën e drejtë. Nuk ka shpresë që ata të besojnë, sepse vetë sjellja e tyre, që e tregon një gjë të tillë, e bën thuajse të pamundur udhëzimin dhe besimin e tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar e shpjegon këtë dhe thotë: - “…kur dihet se një grup i tyre e dëgjoi Fjalën e Allahut dhe, pasi e kishin kuptuar, e shtrembëroi atë?! Ata e dinin mirë (krimin që bënin) .” - Kjo pra, ishte sjellja e tyre. Ata i tjetërsonin dhe i shtrembëronin fjalët e Allahut, pasi i kishin kuptuar shumë mirë në fillim, dhe këtë e bënin me vetëdije. Fjalëve të Allahut të Lartësuar, ata u mvishnin kuptime që Ai kurrë nuk i kishte dashur. Pastaj, këto mendime të gabuara, ua përcillnin të tjerëve si të sakta dhe të vërteta prej Zotit të Madhëruar. Ata, pa të drejtë, i bënin njerëzit që të besonin se këto mësime ishin vërtet prej Zotit. Atëherë, nëse ata silleshin kështu kundrejt librit të tyre, të cilin e mbajnë si të shenjtë, si mund të prisni që ata t’ju besojnë juve dhe librit tuaj, në mënyrë të drejtë dhe të saktë, pa e tjetërsuar atë?! Pa dyshim, kjo është gjëja e fundit që mund të pranohet apo që mund të mendohet. Më pas, Allahu i Lartësuar na përshkruan sjelljen e munafikëve nga radhët e ehlul kitab-ëve në marrëdhëniet e tyre me besimtarët, duke thënë: - “Kur ata takohen me besimtarët, thonë: “Ne besojmë”.” – Pra, ju deklaronin besimtarëve se edhe ata besonin, por kjo ndodhte vetëm me gjuhë, sepse ata thonin diçka që, në fakt, nuk e kishin në zemër. - “Por kur veçohen me njëri -tjetrin, thonë: “A po u tregoni atyre (muslimanëve) për atë që Allahu ju ka shpallur juve, që ata të kenë argumente para Zotit tuaj, kundër jush?!”” - Domethënë, ata qortonin njëri -tjetrin, duke thënë: A po u deklaroni atyre se edhe ju besoni në vërtetësinë e fesë së tyre? A e dini që kjo mund të shfrytëzohet prej tyre si argument kundër jush?! A e dini që ata do të thonë për ne: “Ata e pranuan se rruga jonë dhe besimi ynë është i vërtetë dhe i saktë, ndërsa rruga dhe feja e tyre është e kotë”. Dhe, sigurisht, këtë do ta përdorin si argument kundër jush para Allahut, Zotit tuaj. - “A nuk e kuptoni?!” – Kuptimi: “A nuk po mendoheni pak dhe të hiqni dorë prej atij veprimi, të cilin ata do ta përdorin si argument kundër jush?” Këto janë fjalë që ata ua thonin njëri-tjetrit me qortim. - “A nuk e dinë ata që Allahu e di mirë atë që e fshehin dhe atë që e shprehin hapur?” - Ata, edhe nëse e fshehin atë që besojnë në zemër dhe e shprehin kur janë me njëri -tjetrin, duke menduar se, në këtë mënyrë, besimtarët nuk do të kenë mundësi të argumentojnë kundër tyre Ditën e Gjykimit, kjo nuk do t’u vlejë aspak. Ky është një gabim shumë i madh dhe një shprehje e paditurisë së tyre të thellë. Kjo fshehje nuk do t’u vlejë aspak, sepse Allahu i Lartësuar e di gjithçka që ata e fshehin dhe gjithçka që ata shfaqin. Po ashtu, Ai do t’ua shfaqë besimtarëve gjendjen e tyre të vërtetë. - “Ka prej tyre që janë të paditur dhe nuk e njohin Librin. Ata njohin veçse trillime dhe jetojnë vetëm me shpresa. Ata vetëm hamendësojnë” - Pra, prej ehlul kitab-ëve ka shumë që janë të paditur, njerëz të thjeshtë, që nuk kanë asnjë dije rreth librave të shenjtë. Ata nuk dinë më shumë sesa thjesht të lexojnë atë që u paraqitet. Ata nuk dinë asgjë se çfarë kanë bërë dijetarët e tyre të parë. Brezat e mëvonshëm dinë veçse të ndjekin teza dhe ide të pabazuara e të pasigurta, të cilat i pranojnë verbërisht prej ‘dijetarëve’ të tyre. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar përshkruan gjendjen e dijetarëve të tyre, nga njëra anë, dhe të njerëzve të thjeshtë, nga ana tjetër. Ai na tregon, gjithashtu, për betejën shpirtërore të shtiracakëve dhe të atyre që nuk pranuan të shtiren si besimtarë muslimanë. Dijetarët e ehlul kitab-ëve vazhdojnë me kokëfortësi dhe arrogancë në rrugën e tyre, edhe pse e dinë që ajo është e gabuar dhe të çon në Zjarr. Ndërsa njerëzit e zakonshëm janë
pasues të verbër të dijetarëve të tyre, duke mos parë se kë pasojnë, dhe pse u besojnë. Ata janë krejtësisht të paqartë në rrugën që ndjekin. Këto dy grupe, pra, janë të pashpresë për t’u udhëzuar. - Atëherë, mjerë për ata që, me duart e veta e shkruajnë librin, e pastaj thonë: “Ky është prej Allahut... ”, - Allahu i Lartësuar i kërcënon ata që i ndryshojnë, i tjetërsojnë ose që i keqinterpretojnë librat e Zotit, dhe ua përcjellin njerëzve si të vërteta nga Allahu i Lartësuar. Ata u thonë njerëzve: “Ky libër është shpallur prej Allahut.” Kështu, ata shfaqin të gabuarën dhe fshehin të vërtetën. Po çfarë i shtyu të veprojnë në këtë mënyrë? Thotë i Lartësuari: - “…për të arritur ndonjë fitim të paktë.” - E gjithë dynjaja, nga fillimi deri në fund, vlen shumë pak, por ata e përdorin të kotën dhe gënjeshtrën si kurth dhe si mjet për të përfituar padrejtësisht nga pasuritë e njerëzve. Kësisoj, ata u bëjnë padrejtësi njerëzve në dy drejtime: duke u tjetërsuar e shkatërruar fenë dhe duke i penguar nga rruga e vërtetë, nga njëra anë, dhe duke ua zhvatur pasurinë, nga ana tjetër. Madje, kjo mënyrë e marrjes së pasurisë është nga më të shëmtuarat. Ajo është shumë herë më e madhe se vjedhja e zakonshme. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar u bën atyre dy kërcënime: - Mjerë për ata, për çka shkruajnë me duart e tyre! - Pra, mjerë ata për mashtrimin, duke ndryshuar, keqinterpretuar dhe tjetërsuar fjalët e Allahut. - Mjerë për ata, për çka fitojnë! ” – Pra, mjerë ata, për pasurinë e fituar në mënyrë pa të drejtë. Fjala ‘ uejl’ nënkupton ashpërsinë e ndëshkimit dhe të dëshpërimit që i pret ata. Ky është vërtet një kërcënim i frikshëm dhe i ashpër. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije, pasi përmend këto ajete (nr. 75 - 79), thotë: “Allahu i Madhëruar i ka qortuar dhe u ka tërhequr vërejtjen atyre që i ndryshojnë dhe i tjetërsojnë kuptimet e fjalëve të Allahut. Këtu përfshihen edhe ata që përpiqen t’i japin Kur’ânit dhe fjalëve të Profetit (s.a.u.s.) kuptime të kota, që ata vetë i kanë sajuar, pa bazë të qëndrueshme. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar qorton nëpërmjet këtyre ajeteve edhe ata që nuk kuptojnë asgjë prej Librit. Këtu përfshihen edhe ata që nuk meditojnë rreth ajeteve kur’ânore, por që vetëm i lexojnë dhe i këndojnë ato. Në këtë qortim përfshihen edhe ata që shkruajnë vetë libra, në të cilët kundërshtohet Libri i Allahut, me qëllimin që të fitojnë diçka nga kjo dynja. Jo vetëm kaq, por ata pretendojnë se ajo çfarë shkruhet në librat e tyre është e vërteta prej Allahut, është ligji i Zotit dhe feja e pranuar prej Tij. Ata mëtojnë se në librat e tyre paraqitet kuptimi i saktë i Librit të Allahut dhe i Sunetit të Profetit (s.a.u.s.), ose kuptimi i drejtë që patën selefët dhe imamët e mëdhenj të këtij umeti. Ata pretendojnë, gjithashtu, se shkrimet e tyre paraqesin themelet e fesë, të cilat duhet të besohen dhe pasohen nga të gjithë. Në këto ajete përfshihen edhe ata që i fshehin argumentet që gjejnë në Kur’ân dhe në Sunetin e Profetit (s.a.u.s.), me qëllimin që të mos ua mundësojnë kundërshtarëve që t’i përdorin si argumente kundër tyre rreth së vërtetës. Këto cilësi gjenden të spikatura më shumë te pasuesit e egove dhe të ideve boshe, sikurse janë rafidi-të (sufitë, shiitët etj.), por ka të tillë edhe shumë dijetarë të fikh-ut.”