← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 87 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:83–2:92

Edhe në Tevrat gjendeshin rregullat dhe dispozitat obliguese sipas së cilave bijtë e israilit ishin të obliguar të veprojnë, të adhurojnë Zotin një, të respektojnë prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit dhe të luten e të japin zeqat. Namazi i tyre nuk ishte si i myslimanëve, as në trajtë as në numër e ashtu edhe zeqati.

Në Medine ishte fisi jehudi "Beni Kurejdha", që ishte bashkuar me fisin arab "Evs" dhe fisi tjetër jehudi "Benu Nadir", që ishte bashkuar me fisin arab "Hazrexh". Kur shpërthente ndërmjet tyre lufta, jehuditë luftonin me aleatin e vet arab, kundër palës tjetër jehudi dhe arab, dhe ashtu mbytnin njëri-tjetrin dhe i dëbonin prej shtëpive. Këtë sipas Tevratit jehuditë e kishin të ndaluar. Kur pushonte lufta, punonin sipas Tevratit, sepse jehuditë e zënë robër i kompensonin me pasuri dhe i lironin, andaj një pjesë të Tevratit e respektonin, kurse pjesën tjetër jo.

Ashtu siç ishte Musai i dërguar te beni israilët, ashtu ishte i dërguar edhe Isai me Inxhil, por ata nuk respektuan asnjë pejgamberë që u erdhi me shpallje, që nuk u pëlqenin atyre.

Xhibrili është një engjëll që gjithë pejgamberëve u solli prej Zotit shpalljen, ashtu edhe Isait.

Para se të vinte Muhammedi pejgamber dhe para se t'i vinte shpallja, jehuditë u kundërviheshin idhujtarëve arabë, duke u thënë se Zoti do ta dërgojë një pejgamber dhe spallje që i ndihmon ata kundër politeistëve arabë. Kur zbriti Kur'ani, ata nuk e pranuan, por thonin se disi zemrat nuk e kuptonin, nuk e pranuan as Muhammedin edhe pse sipas mësimeve të Tevratit e dinin kush ishte ai. Këtë e bënin nga zilia, sepse donin vetëm ata të kenë shpallje e pejgamber, e jo popujt tjerë siç ishin arabët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:87

Allahu i Madhëruar na përshkruan bijtë e Izraelit dhe na tregon inatin, refuzimin dhe kundërshtitë e mëdha që shfaqnin kundër profetëve dhe për faktin se ata ndjekin epshet e tyre. Allahu na tregon se Ai u shpalli Musait Teuratin, të cilin ata e ndryshuan, tjetërsuan, keqinterpretuan dhe kundërshtuan. Ai u dërgoi profetë e lajmëtarë pas Musait, të cilët gjykonin me Sheriatin e Tij, siç thotë i Lartësuari: “Ne e zbritëm Teuratin, në të cilin është udhëzimi i drejtë dhe drita. Sipas tij gjykuan pejgamberët e bindur mes judejve. Me të gjykuan edhe dijetarët e devotshëm e paria fetare. Ata ishin të obliguar ta ruanin Librin e Allahut (të pacënuar) dhe të ishin dëshmitarë (të së vërtetës). Prandaj, mos i kini frikë njerëzit, por më kini frikë vetëm Mua! Dhe mos i ndërroni argumentet e Mia me një çmim të vogël! Kush nuk gjykon me ligjin që ka shpallur Allahu, është jobesimtar.” [Maide 44]. Ndërsa në këtë ajet thotë: - “Ne i dhamë Musait Librin, dhe pas tij dërguam profetë të tjerë. - I Madhëruari thotë: ”Më pas, Ne i dërguam profetët Tanë njëri pas tjetrit. Por, çdo herë që një populli i vinte profeti i vet, ata e mohonin atë. Prandaj, Ne i dënuam ata popuj njëri pas tjetrit dhe i bëmë që të përmenden në tregime. Larg mëshirës së Zotit qoftë një popull që nuk beson! ” [Mu’minun 44]. Në fund, Allahu i Madhëruar e mbylli zinxhirin e profetëve të dërguar nga bijtë e Izraeilit me Isain, birin e Merjemes, i cili solli disa ndryshime në disa ligje të Teuratit. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e pajisi atë me shumë mrekulli e shenja të jashtëzakonshme, si: ringjallja e të vdekurit ose krijimi i zogut prej balte, që pasi i frynte, kthehej në zog të gjallë, me lejen e Allahut, shërimin e sëmundjeve, lajmërimin dhe profecitë për të fshehtat, ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Xhibrilit, ose siç e quajti Zoti “Shpirti i Shenjtë”. - Isait, birit të Merjemes, i dhamë Shenja të qarta dhe e fuqizuam me Shpirtin e Shenjtë.” - Ai ia dha këto shenja e mrekulli, që ata të besonin në vërtetësinë e tij si profet i Zotit. Por refuzimi i bijve të Izraelit u bë më i fortë, e po kështu u shtua edhe smira dhe inati i tyre, për shkak të ligjeve lehtësuese që solli Isai dhe që anulonin Teuratin në disa çështje. Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët që Isai u tha atyre: “Unë jam dëshmues i vërtetësisë së Teuratit, që është shpallur para meje , dhe do t’ju lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Unë kam ardhur me argumente (të qarta) nga Zoti juaj, prandaj kijeni frikë Allahun dhe bindmuni mua!” [Al Imran 50]. Kështu, bijtë e Izraelit i trajtonin profetët në formën më të keqe. Disa i vrisnin dhe disa i refuzonin e i quanin mashtrues. Këtë e bënin veç për shkak se ata sillnin ligje nga Zoti, që binin ndesh me dëshirat e tyre. Madje, profetët e përforconin urdhrin për t’iu përmbajtur Teuratit, të cilin bijtë e Izraelit e kishin tjetërsuar e kundërshtuar. Duke qenë se profetët sillnin ligje që u dukeshin të rënda e të vështira, ata i quanin gënjeshtarë dhe trillues, madje edhe i vrisnin. I Lartësuari thotë: - Sa herë që ndonjë i dërguar (i Zotit) ju sillte diçka (ligje e porosi) që nuk ju pëlqente, ju tregoheshit kryeneçë! Disa prej tyre i mohuat e disa i vratë. - E përmendëm më sipër se Ruh el-Kudus (Shpirti i Shenjtë) është Xhibrili ﷺ .Dëshmi për këtë është fjala e Allahut: “Atë e solli Shpirti i Shenjtë (Xhibrili) në zemrën tënde

(o Muhamed), për t’u bërë paralajmërues (i gjithë botës), (Ai e solli) me një me gjuhë të kulluar arabe. Pa dyshim, ai (Kur'ani) është i përmendur edhe në Librat e mëparshëm.” [Shuara 193 - 196]. Ibn Hibani sjell hadithin nga Ibn Mesudi, i cili tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 89 “Me të vërtetë, Shpirti i Shenjtë fryu në shpirtin tim se askush nuk ka për të vdekur pa e marrë të plotë riskun dhe exhelin e vet. Prandaj frikësojuni e ruajuni (ndëshkimit të) Allahut dhe bëni lutje sa më të përmbledhura!” Nga Aishja përcillet se Profeti ﷺ vendosi në xhami një mimber për Hasan Ibn Thabitin (zëdhënësi dhe poeti i Profetit), i cili mbronte dhe përhapte kauzën e Profetit . Profeti thoshte: 90. “O Allah! Forcoje e ndihmoje Hasanin me Shpirtin e Shenjtë”!". [Buhariu]. Ndërsa Hasani i thoshte: Xhibrili, i dërguari i Allahut është mes nesh / dhe Shpirti i Shenjtë nuk është aspak i fshehur. Ibn Xheriri ka thënë: Mendimi më i saktë rreth “Shpirtit të Shenjtë” dhe çfarë ai simbolizon është se ai është Xhibrili, sepse Allahu i Madhëruar na ka njoftuar se Ai e nderoi Isain nëpërmjet tij kur tha: “O Isa, biri i Merjemes! Kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe ndaj nënës sate, se si të fuqizova me Shpirtin e Shenjtë...”. Ndërsa mendimi i disave se “Ruh el Kudus” është Ungjilli, është i pasaktë. Argument për pasaktësinë e këtij mendimi është fjala e Allahut: “O Isa, biri i Merjemes! Kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe ndaj nënës sate, se si të fuqizova me Shpirtin e Shenjtë, se si ti u predikoje njerëzve kur ishe foshnjë (në djep) dhe i rritur, se si ta mësova ty Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin...” [Maide 110]. Pra, nëse Shpirti i Shenjtë është Ungjilli, atëherë fjalia: “se si ta mësova ty Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin”, është përsëritje e panevojshme, dhe Allahu është i lartësuar nga fjalët e panevojshme dhe të padobishme. Gjithsesi, Allahu është më i ditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:87–2:88

- “Ne i dhamë Musait Librin, (Teuratin) …” - Nga mirësitë më të mëdha që Allahu i Lartësuar u bëri Beni Israilëve, ishte dërgimi tek ta i Musait (a.s.) si profet, të cilit i shpalli Teuratin. - “…dhe pas tij dërguam profetë të tjerë.” – Vargu i profetëve vazhdoi edhe pas Musait (a.s.). - “Isait, birit të Merjemes, i dhamë Shenja të qarta” - Derisa u dërgoi Profetin e fundit nga mesi i tyre, Isain (a.s.), të cilin e pajisi me shenja dhe mrekulli të pamohueshme, të cilat çdokush duhet t'i besonte. Madje, i Lavdëruari e përforcoi atë edhe me Rûĥul Kudus-in, Shpirtin e Shenjtë, siç thotë Ai: - “…dhe e fuqizuam me Shpirtin e Shenjtë.” – Disa shpjegues të Kur’ânit janë të mendimit se Rûĥul Kudus-i ishte meleku Xhibril. Disa janë të mendimit se Ruhul Kudus është besimi i fortë që Allahu i Lartësuar mbjell në zemrat e besimtarëve, nëpërmjet të cilit ata bëhen të pathyeshëm. Por, me gjithë këto mrekulli dhe shenja të mëdha, ata përdorën të njëjtin kriter për të pranuar ose jo profetët dhe mësimet e tyre: - “Sa herë që ndonjë i dërguar (i Zotit) ju sillte diçka (ligje e porosi) që nuk ju pëlqente, ju tregoheshit kryeneçë! Disa prej tyre i mohuat e disa i vratë. ” – Kuptimi: Kur ju erdhën profetët, ju i dhatë përparësi dëshirave tuaja. Ishin pikërisht dëshirat tuaja të pakontrolluara që ju bënë kryeneçë ndaj imanit. Ato ju shtynë t'i mohonit të dërguarit e Allahut, madje më keq, disa edhe t'i vrisnit. Shkaku ka qenë i njëjtë: parapëlqimi i dëshirave të veta kundrejt udhëzimit të Allahut, zgjedhja e kënaqësive të kësaj jete të shkurtër përkundër jetës së amshuar në kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. - “Ata thonë: “Zemrat tona janë të vulosura!” – Kështu, Allahu i Lartësuar tregon një justifikim qesharak nga ana e tyre, të cilin ata e përdornin shpesh, për të justifikuar mosbesimin që kishin ndaj ftesës së Muhamedit (s.a.u.s.). Ata justifikoheshin se nuk mund ta besonin dhe ndiqnin atë, sepse zemrat e tyre ishin të vulosura e, rrjedhimisht, nuk mund t’i kuptonin dot ato që ai u thoshte. Kësisoj, ata pretendonin se ishin të justifikuar përpara Allahut të Lartësuar, pasi nuk kishin dije rreth këtij

Profeti dhe argumenteve të tij. Por ky qe një mashtrim nga ana e tyre, për shkak të të cilit ata u mallkuan nga Allahu i Lartësuar, siç thotë Ai: - Allahu i ka mallkuar ata për shkak të refuzimit të së vërtetës, prandaj shumë pak prej tyre besojnë. ” – Pra, Allahu i Lartësuar e ka quajtur “mohim” pretendimin e tyre, për të cilin meritonin mallkimin, dëbimin larg mëshirës së Mëshirëplotit. Për këtë arsye, janë të pakët ata që besojnë mes tyre, sepse i pakët është imani brenda zemrave të tyre.

← Bekare 2:87