← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 94 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:93–2:103

Jehuditë edhe Tevratin e pranuan me dhunë, duke i frikësuar mbi kokat e tyre me kodrën Tur dhe duke u tërhequr vëretjtjen që seriozisht të veprojnë sipas tij.

Duke jetuar në iluzione, jehuditë thonin se ishin populli më i zgjedhur dhe se xhenneti ishte thjesht vend i tyre, e jo i njerëzve të tjerë. Nëpërmjet Kur'anit Muhammedi urdhërohet t'iu thotë: nëse xhenneti është i juaji, atëherë lypne vdekjen e shkoni atje dhe kënaquni. Mirëpo, ata i dinin të zezat që i kishin bërë, andaj nuk e lypnin vdekjen, sepse ata janë populli më lakmues për jetë të gjatë, por e kanë kot se nuk mund t'i ikin dënimit.

Jehuditë e kanë pyetur Pejgamberin se cili ishte meleku që ia sjell shpalljen" Ai u tha se ishte Xhibrili. Ata thanë: ai është armik yni, ai e dirigjon luftën dhe të gjitha të zezat që na kanë gjetur i kemi prej tij, e sikur të thojshe për Mikailin që sjell shiun e mëshirën, ne do të vinim pas teje, e tash jo. Zoti xh. sh. shpalli se engjëjt, pejgamberët nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se zbatojnë urdhërin e Tij, e ai që është armik i tyre, është armik i Zotit.

Paria fetare e jehudive hodhi pas shpine edhe librin e vet, i cili fliste për Muhammedin. Ata u dhanë pas mësimeve të magjisë, për të cilën thonin se Sulejmani a.s. e praktikoi dhe sundoi me te. Kjo ishte shpifje kundër pejgamberit të Zotit, Sulejmanit. Magjinë ua mësonin masës dy njerëz, ose dy engjëj shumë të devotshëm, e për shkak se atëherë në Babilon, në Irak ishte përhapur shumë magjia sa që për magjistarët, njerëzit mendonin se janë pejgamberë. E për t'u dalluar pejgamberi prej magjistarit, Zoti i porositi ata të dy t'u mësojnë njerëzve e të dinë se si është magjia. Nëse mungon vullneti i Zotit magjia nuk ka kurrfarë efekti, andaj nuk duhet besuar në efektin e saj. Magjia nuk është ndonjë qenësi reale, ndonjë e vërtetë ekzistenciale, ajo është vetëm një trik mashtrimi.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:94–2:96

Muhamed Ibn Is’haku tregon se Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë që, në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i thotë Profetit të Tij: - Thuaj: “Nëse bota tjetër është tek Allahu vetëm për ju e jo për njerëzit e tjerë, kërkojeni vdekjen, nëse jeni të sinqertë.” - Pra, kërkoni që të vdesin dhe që mallkimi i Zotit të godasë ata që janë mashtrues, muslimanët ose jehudët! Por ata e refuzuan ftesën e Profetit ﷺ për këtë përballje. Prandaj Allahu i Madhëruar tha më pas: - Por ata nuk do ta kërkojnë kurrë vdekjen për shkak të veprave të tyre. Allahu di gjithçka për keqbërësit. - Ai e di mirë atë që ata dinë dhe për mohimin që fshehin në zemrat e tyre. Nëse ata do të pranonin atë ftesë e sfidë, kur u përballën me Profetin, në faqen e Tokës nuk do të mbetej më asnjë jehud i gjallë. Ibn Xheriri përcjell nga Ibn Abasi se Profeti ﷺ ka thënë: 92 “Nëse jehudët do ta bënin këtë lutje (për vdekjen e gënjeshtarëve), do të vdisnin në vend dhe do të shihnin vendin e tyre në zjarr. Dhe kur ata që bënë këtë mubahele me Profetin e Allahut të ktheheshin në shtëpitë dhe viset e tyre, nuk kishin për të gjetur në to as farë e fis dhe as pasuri të mbetur.” I ngjashëm me këtë është edhe ajeti në suren Xhum ua: “Thuaju: “O judej! Nëse mëtoni se jeni miqtë më të dashur të Allahut mbi të gjithë njerëzit e tjerë, atëherë kërkojeni vdekjen, në qoftë se jeni të sinqertë!”. Por ata nuk do ta dëshirojnë kurrë atë për shkak të veprave, që kanë bërë me duart e tyre. Allahu është i Gjithëditur për keqbërësit.” [Xhumua 6 - 7]. Këta të mjerë, - mallkimet e Allahut qofshin mbi ta! - duke pretenduar se janë bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij, thanë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet në qoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” [Bekare 111]. Por kur Profeti i ftoi në mubahele, pra, që të luteshin e mallkonin gënjeshtarët dhe të padrejtët mes dy grupeve, atyre ose muslimanëve, ata refuzuan. Atëherë çdokush e kuptoi se kush ishin të padrejtët dhe keqbërësit e vërtetë. Nëse ata do të ishin këmbëngulës dhe vërtet të sigurt në atë që besonin, nuk do të tërhiqeshin. Por kur u tërhoqën, doli në pah mashtrimi i tyre. Kështu veproi Profeti edhe me delegacionin e krishterëve prej Nexhranit 71, pasi ua qartësoi plotësisht argumentet në bisedën që ndodhi mes tyre. Kur ata këmbëngulën dhe u treguan kryeneçë dhe inaçorë, atëherë i ftoi në mubahele. I Lartësuari: “Atyre që të kundërshtojnë ty në çështjen e tij (Isait), pasi të është bërë e ditur e vërteta, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju dhe të lutemi për mallkimin e Allahut mbi gënjeshtarët!” [Al Imran 61]. Kur u përballën me këtë sfidë, i thanë njëri -tjetrit: “Për Zotin, nëse pranoni të hyni në mubahele me këtë profet, nuk ka për të mbetur më prej jush ndonjë sy që pulitet.” Atëherë u nënshtruan që të paguanin xhizjen. Kështu, edhe jehudët, - mallkimet e Allahut të një pas njëshme goditshin mbi ta deri në Ditën e Gjykimit! - nuk e pranuan mubahelen, sepse jeta e kësaj dynjaje është shumë e rëndësishme, e vyer dhe e shtrenjtë tek ata, dhe sepse e dinë mirë se çfarë i pret pas vdekjes. Allahu i Madhëruar thotë më pas: - Ju do të shihni se ata janë njerëzit më lakmitarë për të jetuar, madje edhe më lakmitarë se idhujtarët. - Ata janë njerëzit më të dhënë pas jetëgjatësisë, sepse e dinë mirë përfundimin e tyre të tmerrshëm dhe dëshpërues tek Allahu. Kjo botë është burg për besimtarin dhe xhenet i qafirit. Kështu, ata përpiqen me ç’të mundin ta vonojnë kalimin në ahiret. Por ajo që i frikëson ka për t’i gllabëruar dhe kjo është e pashmangshme. Këta të mjerë janë më të

dhënë pas kësaj dynjaje edhe më shumë se idhujtarët, që nuk kanë as libër qiellor ku mbështeten. - Çdokush prej tyre dëshiron të jetojë një mijë vjet. - Çdo jehud do të dëshironte të jetonte 1000 vjet. Muxhahidi thotë për ta, se: gjynahet ua kanë bërë të dashur këtë jetë dhe gjatësinë e saj. Por Allahu i Madhëruar thotë: - Por edhe sikur të jetonte kaq, kjo nuk do ta shpëtonte atë prej dënimit. - Nuk ka për t’i shpëtuar kurrsesi nga ndëshkimi. Idhujtari nuk shpreson se do të ringjallet pas vdekjes, prandaj e dëshiron jetën e gjatë në këtë botë. Ndërsa jehudi e di mirë se çfarë poshtërimi e pret në jetën tjetër, prej asaj që shpërfill dhe e di qartësisht. El Aufiju sjell komentimin nga Ibn Abasi: “Këta janë ata që shfaqën urrejtje dhe armiqësi kundër Xhibrilit.” Ndërsa Ebu Alije dhe Ibn Umeri kanë thënë: “Askush nuk mund t’i mbrojë nga dënimi dhe as t’i shpëtojë prej tij.” - Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata. - Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur dhe Gjithëshikues i veprave të robërve të vet, i veprave të mira dhe të këqija, dhe të gjithë do t’i shpërblejë sipas tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:94–2:96

- “Thuaj: “Nëse Bota tjetër është tek Allahu vetëm për ju e jo për njerëzit e tjerë,... - Kuptimi: Thuaju atyre, o Muhamed, duke i ftuar që të vërtetojnë pretendimin e tyre: Ju thoni se Xheneti është vetëm për ju dhe se atje do të hyjnë veçse ata që janë çifutë ose krishterë. Ju pretendoni, gjithashtu, se zjarri i Xhehenemit do t’ju prekë veçse për disa ditë të caktuara. Atëherë, nëse jeni të sinqertë dhe të sigurt në këtë pretendim: - “…kërkojeni vdekjen, nëse jeni të sinqertë!” - Kjo qe një sfidë e hapur, në të cilën Profeti (s.a.u.s.) i ftonte ata. Në fakt, flitet për një lloj “ mubâheletu”, domethënë për një lloj përbetimi, ku dy grupe kundërshtare me njëri -tjetrin e lusin Allahun që të ndëshkojë dhe mallkojë atë palë që është mashtruese prej tyre. Pra, kjo duket si një ftesë që u bëhet atyre për një ballafaqim të tillë, ku të kërkohet mallkimi mbi mashtruesit e padrejtë. Në të tilla kushte, atyre nuk u mbetet gjë tjetër veçse të zgjedhin mes dy mundësive: ose të besojnë tek Allahu dhe te Profeti i Tij, ose të luten që mashtruesit dhe të padrejtët t'i kapë vdekja. Kjo mundësi e dytë duhej të ishte e thjeshtë për ata, me pretendimin që kishin, pasi vdekja do t’i afronte më shumë te Xhenetet e përjetësisë, që – sipas tyre – janë përgatitur vetëm për ta. Por ata nuk e pranuan një ballafaqim të tillë, dhe kjo ishte dëshmi e kryeneçësisë së tyre kundër Allahut dhe Profetit të Tij. Ata e dinin shumë mirë se ishin në gabim, siç thotë i Madhëruari: - “Por ata nuk do ta kërkojnë kurrë vdekjen për shkak të veprave të tyre. Allahu di gjithçka për keqbërësit. - Për shkak të mohimit, rebelimit dhe poshtërsive të tyre, ata kurrë nuk do ta dëshironin vdekjen. Ata e dinin shumë mirë se kjo do të thoshte përshpejtim i ndëshkimit të hidhur, për shkak të veprave të tyre të shëmtuara. Vdekja është gjëja më e trishtueshme dhe më e keqe për ta, madje: - “Ju do të shihni se ata janë njerëzit më lakmitarë për të jetuar, madje edhe më lakmitarë se idhujtarët. ” - Ata janë njerëzit më të dhënë pas kësaj jete. Ata e duan këtë jetë me shumë se çdo njeri tjetër, madje edhe më shumë se idhujtarët, të cilët nuk besojnë asnjë profet dhe asnjë libër qiellor. Aq e madhe është dashuria e tyre për këtë jetë, sa Allahu i Lartësuar e përshkruan në këtë mënyrë: - “Çdokush prej tyre dëshiron të jetojë një mijë vjet. Por edhe sikur të jetonte kaq, kjo nuk do ta shpëtonte atë prej dënimit.” - Ky është përshkimi i një dashurie të pamatë për këtë jetë, sepse ata kërkojnë dhe dëshirojnë diçka të pamundur,

për të kënaqur dëshirat e tyre kundrejt kësaj jete. Megjithatë, ata nuk arrijnë ta kuptojnë se, edhe sikur të jetonin aq kohë, kjo nuk do t'i shpëtonte ata nga dënimi i pashmangshëm që i pret. Kërcënimi i Allahut do t'i ndjekë gjithmonë nga pas, siç thotë i Madhëruari: - “Allahu sheh gjithçka që bëjnë ata. ” – Domethënë, ata kurrë nuk mund t'i ikin këtij kërcënimi të Allahut, që u kujton llogarinë e drejtë të Tij për punët e tyre të shëmtuara.

← Bekare 2:94