← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 97 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:93–2:103

Jehuditë edhe Tevratin e pranuan me dhunë, duke i frikësuar mbi kokat e tyre me kodrën Tur dhe duke u tërhequr vëretjtjen që seriozisht të veprojnë sipas tij.

Duke jetuar në iluzione, jehuditë thonin se ishin populli më i zgjedhur dhe se xhenneti ishte thjesht vend i tyre, e jo i njerëzve të tjerë. Nëpërmjet Kur'anit Muhammedi urdhërohet t'iu thotë: nëse xhenneti është i juaji, atëherë lypne vdekjen e shkoni atje dhe kënaquni. Mirëpo, ata i dinin të zezat që i kishin bërë, andaj nuk e lypnin vdekjen, sepse ata janë populli më lakmues për jetë të gjatë, por e kanë kot se nuk mund t'i ikin dënimit.

Jehuditë e kanë pyetur Pejgamberin se cili ishte meleku që ia sjell shpalljen" Ai u tha se ishte Xhibrili. Ata thanë: ai është armik yni, ai e dirigjon luftën dhe të gjitha të zezat që na kanë gjetur i kemi prej tij, e sikur të thojshe për Mikailin që sjell shiun e mëshirën, ne do të vinim pas teje, e tash jo. Zoti xh. sh. shpalli se engjëjt, pejgamberët nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se zbatojnë urdhërin e Tij, e ai që është armik i tyre, është armik i Zotit.

Paria fetare e jehudive hodhi pas shpine edhe librin e vet, i cili fliste për Muhammedin. Ata u dhanë pas mësimeve të magjisë, për të cilën thonin se Sulejmani a.s. e praktikoi dhe sundoi me te. Kjo ishte shpifje kundër pejgamberit të Zotit, Sulejmanit. Magjinë ua mësonin masës dy njerëz, ose dy engjëj shumë të devotshëm, e për shkak se atëherë në Babilon, në Irak ishte përhapur shumë magjia sa që për magjistarët, njerëzit mendonin se janë pejgamberë. E për t'u dalluar pejgamberi prej magjistarit, Zoti i porositi ata të dy t'u mësojnë njerëzve e të dinë se si është magjia. Nëse mungon vullneti i Zotit magjia nuk ka kurrfarë efekti, andaj nuk duhet besuar në efektin e saj. Magjia nuk është ndonjë qenësi reale, ndonjë e vërtetë ekzistenciale, ajo është vetëm një trik mashtrimi.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:97–2:98

- Thuaju atyre që janë armiq të Xhibrilit, se ai e ka zbritur Kur 'anin në zemrën tënde me urdhrin e Allahut, si vërtetues të asaj që është shpallur para tij (Kur'anit) dhe si udhëzues e përgëzues për besimtarët. - Ai që shfaq urrejtje dhe armiqësi kundër Xhibrilit, le ta dijë se ai është Shpirti Besnik, i cili solli Kur 'anin, këtë këshillë plot urtësi në zemrën tënde, o Muhamed. Ai e solli atë me urdhrin e Allahut. Xhibrili është një prej të dërguarvemelekë të Zotit. Ai që urren dhe armiqëson një të dërguar të Zotit, ai ka urryer dhe është armik i të gjithë të dërguarve të Tij, ashtu sikurse edhe ai që beson në një të dërguar të Zotit, duhet dhe ka detyrë që t’i besojë të gjithë të dërguarit e Zotit. I Madhëruari thotë: "Ata që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë (besimin në) Allahun nga (besimi në) profetët e Tij, duke thënë “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duan të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur një dënim poshtërues për mohuesit." [Nisa 151]. Kështu, Allahu i gjykoi si mohues të vërtetë, sepse ata besuan disa të dërguar dhe mohuan në disa të tjerë. Po kështu, ai që urren dhe armiqësohet me Xhibrilin ﷺ ,në të vërtetë ai është armik i Allahut, sepse Xhibrili vjen veçse me urdhrin e Allahut, siç thotë i Madhëruari: "Ne (thonë melekët) zbresim veçse me urdhrin e Zotit tënd...." [Merjem 64]. Imam Buhariu sjell në Sahihun e tij hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti ka thënë: 93 “Ai që shpreh armiqësi kundër një uelij-i (të dashurit) Tim, më ka shpallur luftë Mua ....”. Allahu i Madhëruar zemërohet kundër atyre që urrejnë Xhibrilin dhe tha: "Thuaju atyre që janë armiq të Xhibrilit, se ai e ka zbritur Kur 'anin në zemrën tënde me urdhrin e Allahut, si vërtetues të asaj që është shpallur para tij (Kur'anit)..." Ai të shpalli ty nëpërmjet Xhibrilit, Librin, i cili është vërtetues i librave të shkuar. Ai e shpalli këtë libër si: "...udhëzues e përgëzues për besimtarët", si udhëzim për zemrat e tyre dhe si përgëzim e lajm i mirë për Xhenetin e Zotit. Ky premtim është veçse për besimtarët, siç ka thënë Allahu i Madhëruar: "...Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri." [Fusilet 44]. Pastaj i Lartësuari thotë: - Kush është armik i Allahut, i melekëve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit

dhe i Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve. - Fjala “të dërguarit e Tij” përfshin të dërguarit prej melekëve dhe prej njerëzve, siç ka thënë i Madhëruari: “ Allahu i zgjedh të dërguarit prej melekëve dhe prej njerëzve. " [Haxh 75]. Allahu i madhëruar përmendi Xhibrilin dhe Mikailin në mënyrë të veçantë, dhe pse ata janë prej melekëve, për të treguar rëndësinë e tyre. Kjo është përmendja e diçkaje që është “ has”, e veçantë, pas përmendjes së një fjale që është “ am”, e përgjithshme. Edhe Xhibrili është melek dhe i dërguar i Zotit dhe hyn në fjalën e Allahut: "Kush është armik i Allahut, i melekëve të Tij, i të dërguarve të Tij,...", por përmendet në mënyrë të veçantë, sepse i gjithë konteksti flet dhe është në mbrojtje të Xhibrilit. Ai është tregues i rëndësisë dhe vlerës së tij të madhe tek Zoti. Më pas përmendet edhe Mikaili, sepse jehudët pretendonin se Xhibrili ishte armiku, ndërsa Mikaili ishte miku i tyre. Me këtë ajet, Allahu u tregoi se ai që ka armiqësi dhe e urren njërin prej melekëve, po i tillë është edhe për melekët e tjerë, madje konsiderohet edhe si armik i Allahut. Pra, o ju që e urreni Xhibrilin, dijeni se ju jeni armiq edhe të Mikailit, edhe të vetë Allahut. Mikaili është përmendur së bashku me Xhibrilin, sepse edhe ai shkonte ndonjëherë te profetët e Zotit. Edhe Profetit tonë i zbriste Mikaili në fillim të Shpalljes. Por Xhibrili u zbriste më shpesh, sepse kjo është detyra e tij. Mikaili është i ngarkuar për bimësinë dhe reshjet. Xhibrili vjen me udhëzimin dhe ushqimin e shpirtrave, ndërsa Mikaili zbret me rizkun dhe jetën e trupave. Ndërsa Israfili është i ngarkuar me fryrjen në Sur, për t’i ringjallur njerëzit në Ditën e Kijametit. Në hadith sahih thuhet se kur Profeti ﷺ ngrihej natën për t’u falur, e hapte namazin me këtë lutje: " Allahum-me rab-be Xhibr âil ue Mik âil ue isr âfil! Fâtiras-semâuâti uel erdi Âlimel gajbi uesh-shehâdeti, ente ta ĥkumu bejne ib âdike fimâ kânû fihi jeħtelifûn / O Allah! Ti je Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit. Ti je Shpikësi i qiejve dhe i Tokës. Ti do të gjykosh (me drejtësinë tënde) mes robërve të tu në ato për të cilat ranë në kundërshti. Xhebrail do të thotë “rob i Allahut’, sepse Xhebr domethënë ‘rob’, ndërsa " Il" do të thotë "Allah". Allahu i Lartësuar thotë:"...ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve." Allahu i Madhëruar na tregon se ai që armiqëson dhe urren një uelij, - pra, një të dashur të Allahut - dhe ai që lufton kundër Allahut, duhet ta dijë se Allahun e ka armik të tij, dhe ai që është armiku i Allahut ka humbur dhe është i shkatërruar në të dyja jetët. Siç u përmend edhe më parë, hadithi thotë: “Ai që shpreh armiqësi kundër një të dashuri Tim, më ka shpallur luftë Mua ....” Ose: 94 “Unë hakmerrem për të dashurit e Mi, ashtu siç hakmerret luani (i zemëruar) në luftë.” Ose hadithi i saktë: 95 “Atë që Unë e kam bërë hasëm, kam për ta shkatërruar.” Imam Ibn Xheriri thotë: "Dijetarët e tefsirit janë të një mendimi se ky ajet u zbrit si përgjigje kundër jehudëve, të cilët pretenduan se Xhibrili ishte armiku i tyre, ndërsa Mikaili ishte miku dhe mbështetësi i tyre. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar shpalli ajetet: "Kush është armik i Allahut, i melekëve të Tij...".

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:97–2:99

- “Thuaju atyre që janë armiq të Xhibrilit, se ai e ka zbritur Kur’ânin në zemrën tënde me urdhrin e Allahut…” – Pra, thuaju atyre që pretendojnë se shkaku që i pengon të besojnë është pikërisht afërsia dhe miqësia jote me melekun Xhibril (a.s.), dhe se po të ishte ndonjë melek tjetër i Allahut, ata do të të besonin dhe do të miratonin Shpalljen që të është zbritur ty. Domethënë, thuaju atyre se ky është thjesht një pretendim dhe justifikim i pabazë nga ana juaj, dhe një shprehje mendjemadhësie e paturpshme e juaja ndaj Allahut. Arsyeja është se ju e dini shumë mirë që është Xhibrili (a.s.) ai, nëpërmjet të cilit Allahu i Lartësuar ia zbriti Kur’ânin Muhamedit (a.s.) dhe e futi në zemrën e tij. Është Xhibrili (a.s.) ai që i ka zbritur shpalljet tek të gjithë profetët para teje. Pra, ai është veçse një i ngarkuar me mision prej Allahut të Madhëruar, një i dërguar dhe i urdhëruar prej Zotit te profetët. Të mos harrojmë, gjithashtu, se ky libër që Xhibrili (a.s.) e solli prej Allahut të Lartësuar te Profeti i fundit, është miratues, vërtetues dhe në përputhje të plotë me shpalljet e tjera, të përcjella po nga ai. Xhibrili (a.s.) ka përcjellë te njerëzit veçse atë që i ka lejuar dhe urdhëruar Zoti i tij dhe i njerëzve, Allahu i Lartësuar. - “…si vërtetues të asaj që është shpallur para tij (Kur'anit)…” – Kuptimi: Xhibrili (a.s.) e solli Kur’ânin në zemrën tënde, me lejen e Allahut të Lartësuar, që të jetë vërtetues, garantues dhe saktësues i shpalljeve të mëparshme. Në Shpalljet hyjnore nuk mund dhe nuk duhet të ketë asnjë lloj kundërshtie. - “…dhe si udhëzues e përgëzues për besimtarët.” - Ky libër është udhëzues dhe tregues i rrugës së shpëtimit prej të gjitha llojeve të devijimit dhe përhumbjes. Ai përmban udhëzimin e plotë dhe të mjaftueshëm për të shpëtuar dhe për t'u ruajtur nga rrugët e humbjes dhe të shkatërrimit. Ky është kuptimi i cilësimit të Shpalljes si “udhëzim”. Gjithashtu, kjo Shpallje, të cilën ata e refuzojnë, është përgëzim e sihariq për besimtarët, për mirësitë që i presin ata në të dyja jetët: në dynja dhe në ahiret. Atëherë, çfarë kuptimi ka armiqësia me një të dërguar të Allahut, me një melek, i cili sjell të tilla mirësi prej Allahut të Lartësuar dhe Mëshirues?! A nuk tregon kjo, në fakt, armiqësi dhe rebelim kundrejt vetë Zotit të botërave, i cili e dërgon atë? A nuk tregon kjo mohim dhe refuzim të paskrupullt dhe të padrejtë të argumenteve dhe udhëzimeve të Tij? Nëse armiqësia ndaj Allahut, ndaj profetëve dhe ndaj shpalljeve të Tij do të kishte një përshkrim ekzakt, do të ishte pikërisht ai që jep Allahu, kur thotë: - “Kush është armik i Allahut, i melekëve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhibrilit dhe i Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve. ”. - E si të mos i konsiderojë armiq ata, të cilët, kur shprehin armiqësinë dhe urrejtjen e tyre ndaj Xhibrilit (a.s.), në të vërtetë kanë

shprehur urrejtjen për Allahun, për Dërguesin e Xhibrilit?! Në këtë mënyrë, ata urrejnë të gjithë melekët e tjerë, profetët dhe shpalljet e tyre. A nuk e meritojnë këta të quhen jobesimtarë? E me gjithë këto pretendime të kota të tyre, Allahu i Lartësuar pohon diçka shumë të mrekullueshme për këtë Kur’ân, edhe pse ata nuk i kënaq një gjë e tillë: - “Ne të kemi shpallur ty argumente të qarta…” - Ky Kur’ân është udhëzues për ata që e kërkojnë udhëzimin prej tij. Ndërsa për ata që i kthejnë shpinën, ky do të jetë dëshpërim, sepse me sqarimet e tij, ata nuk do të kenë asnjë justifikim para të Madhëruarit. Ata nuk do të kenë asnjë justifikim, sepse Kur’âni është aq i qartë, aq i kthjellët, aq i sigurt në gjithçka që përshkruan, që urdhëron dhe që ndalon, saqë nuk mund të mohohet dhe shpërfillet nga askush. Thotë i Lartësuari: - “…të cilat nuk i mohon askush, përveç atyre që i shkelin kufijtë (e Zotit) . - Pra, atë nuk e mohon askush, përveç atyre që kanë dalë jashtë kontrollit të vetes dhe jashtë kufijve të Allahut, që nuk i binden të Madhëruarit dhe që janë mendjemëdhenj e kundërshtues.

← Bekare 2:97