← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

20. Ta Ha · Ajeti 128 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:115–20:135

Ngjarja rreth përuljes së engjëjve me urdhërin e Zotit ndaj Ademit dhe e refuzimit të shejtanit, është përsëritur në shtatë kaptina të Kur'anit me qëllim që besimtarët të kuptojnë se duhet zbatuar urdhërin e Zotit, i duhet larguar prej ndalesave dhe rikujtuar armiqësinë e shejtanit, të cilën ai e shfaqi kundër babait të tyre, i Ademit, e të cilën e shfaq edhe ndaj secilit pasardhës të Ademit.

Zoti xh. sh. ia bëri me dije Ademit armiqësinë e dreqit, ia bëri me dije telashet që do ta goditnin nëse do të dëgjonte mësimet e tij, por shejtani, me vesvesen e tij, e preku Ademin në dy pikat që janë më të ndieshmet dhe më lakmueset për njeriun në përgjithësi. E preku në pavdekshmëri, d.m.th. në jetë të amshueshme dhe në pasuri të pashtershme. Që të dyja këto ia ka anda njeriut, andaj, jo nga lakmia për të ngrënë nga ajo pemë, por nga lakmia e fitimit të atyre dy cilësive, Ademi u mashtrua.

Si masë e parë e ndëshkimit të Ademit dhe të Havës, ishte ajo kur ata u zhveshën prej petkut, që ishin rreze drite të cilat mbulonin trupin e tyre, e kur u zbuluan, ngarendin e mblidhnin gjethe të pemevë të xhennetit duke mbuluar avretin e tyre.

I Në xhennet jetën e kishin të garantuar pa kurrfarë mundi, e kur u larguan prej aty, çështja e jetës e gjallimit mbeti përgjegjësi e njeriut, e si rrjedhojë e saj, paraqiten mosmarrëveshjet dhe grindjet mes njerëzve, andaj u thuhet se do të jenë armiq të njëri-tjetrit, nëse nuk u përmbahen mësimeve të Zotit, që do t'i sillte me shpallje përmes pejgamberëve. Kush ua kthen shpinën porosive të Zotit, ai edhe në këtë jetë do të jetë gjithnjë në vështirësi, por mjerimi kryesor është se ai në botën tjetër do të jetë i mënjanuar nga mëshira e Zotit.

Muhammedi urdhërohet të jetë i durueshëm ndaj përgojimeve të armiqve, urdhërohet t'i falë pesë kohët e namazit e të mos u lakmojë atyre që përjetojnë kënaqësi të kësaj jete, pse kjo jetë është vetëm sprovë, është begati e shkurtër dhe e zhdukshme, e të mirat e Zotit janë shumë më të mëdha e të përjetshme. Pra, çështja e rrojtjes nuk guxon të jetë preokupim e ta largojë njeriun nga namazi dhe përkujtimi ndaj Zotit.

Idhujtarëve u erdhi Muhammedi me Kur'an në të cilin përkshkruheshin ngjarjet e shënuara në librat e mëparshëm, me çka dokumentohej se Kur'ani ishte mrekulli e shpallur prej Zotit, madje edhe në librat e hershëm kishte shënime për ardhjen e Muhammedit, e të Kur'anit, e megjithkëtë ata kërkonin ndonjë mrekulli tjetër, andaj u thuhet të pritnin se do të shihnin se cila ishte rruga e drejtë, e tyre ose ajo e besimtarëve të drejtë, e besimtarëve të besimit islam.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "TA HA". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:128–20:130

- “A nuk është paralajmërim për ata (që të kujtojnë), se sa e sa breza para tyre i kemi shkatërruar, nëpër vendbanimet e të cilëve (tani) janë duke ecur? ” - A nuk është një paralajmërim i mjaftueshëm për mohuesit e Shpalljes, që t’i u solle, o Muhamed, fakti që Ne ndëshkuam shumë popuj të hershëm, të cilët nuk i besuan dhe nuk pasuan profetët, që u dërguan ndër ta? Ata u shfarosën nga i pari, tek i fundit, siç mund të dallohet kjo në gërmadhat që mbetën. Vendbanimet e tyre janë të shkreta. A nuk i shohin ata këto rrënoja, kur kalojnë pranë? - “Sigurisht, në këtë ka argumente për ata që kanë logjikë të shëndoshë. ” - Ka argumente për ata që kanë logjikë të shëndoshë, të papërlyer dhe që gjykojnë drejt. I Lartë -suari thotë: “A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë, që zemrat e tyre të mund të mësojnë urtësinë dhe veshët e tyre të mund të dëgjojnë (të mirën)?! Vërtet, nuk verbo - hen sytë, por verbohen zemrat në kraharor .” [Haxh 46]. Ose: “A nuk marrin mësim ata (mohuesit e profetëve) nga gjithë ato breza që kemi shkatërruar para tyre, nëpër vendbani-met e të cilëve shpesh kalojnë? Me të vërtetë në ato (vende të shkretuara) ka argumente të shumta. A nuk po dëgjojnë me vëmendje?!” [Sexhde 26]. Pastaj tha: - “Sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, edhe këta do t’i kapte i njëjti dënim (si popujt e shkuar).” - Sikur të mos ishte vendimi i

hershëm i Allahut të Lartësuar, sipas të cilit Ai nuk dënon asnjë pa i sjellë në fillim argumente të mjaftueshme, ndëshkimi do t’i kapte ata befasisht, që në këtë jetë, por Allahu i Lartësuar përcaktoi që ndëshkimi i tyre të jepej në ahiret. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e ngushëllon Profetin e Tij, duke i thënë: - “Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata ...” - Bëj durim për mosbesimin që ata shfaqin ndaj teje dhe Shpalljes, që ti përcjell. - “... dhe lavdëroje dhe falënderoje Zotin tënd, para se të lindë dielli dhe para se të perëndojë ...” - Me fjalën “para se të lindë dielli” është për qëllim namazi i sabahut, ndërsa me me fjalën “para se të perëndojë” është për qëllim namazi i ikindisë, siç thotë hadithi në dy Sahih-ët, i rrëfyer nga Xherir Ibn Abdullah el Bexheui (Allahu qoftë i kënaqur prej tij): 1799. “Ishim ulur tek Profeti i Allahut, i cili, duke vështruar hënën e plotë në një natë të bardhë, tha: “Ju do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç shihni tani këtë hënë, pa ngushtuar për ta parë Atë.” Pastaj tha: “Nëse keni mundësi që të mos ju shpëtojë asnjëherë namazi para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, bëjeni!” Pastaj lexoi këtë ajet ...” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Umarate Ibn Ruejbete, i cili tregon: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Nuk ka për të hyrë në zjarr dikush që fal namazin para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij.” [Transmeton Muslimi]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “... edhe në orët e natës ...” - Lavdëroje Allahun edhe në orët e natës, duke falur namaz në to. Disa kanë komentuar duke thënë se këtu bëhet fjalë për namazin e akshamit dhe të jacisë. - “... dhe në skajet e ditës ...” - Kjo qëndron përballë fjalës “në orët e natës”. Pra, falu edhe në orët e ditës. - “... që të mund të gjesh kënaqësi. ” - Allahu thotë në një ajet tjetër: “Bota e ardhshme është për ty shumë më e mirë se kjo e para. Zoti yt do të të japë, e ti do të kënaqesh.” [Duha 4, 5]. Gjithashtu, në një hadith të saktë thuhet: 1800. “Allahu i Lartësuar do të thotë: “O banorë të Xhenetit!” Ata do të përgjigjen: “Të përgji - gjemi, o Zoti ynë! E gjithë lumturia është në dorën Tënde!” Ai do të thotë: “A jeni të kënaqur?” Ata do të thonë: “O Zoti ynë, e si të mos jemi të kënaqur, kur Ti na ke dhënë dhe dhuruar diçka, që nuk ia ke dhënë asnjë prej krijesave të Tua!” Atëherë, Ai do të thotë: “Unë kam për t’ju dhënë diçka, që është më e mirë se kjo!” Ata do të thonë: “E çfarë është më e mirë se kjo?!” Ai do të thotë: “Unë do të hedh mbi ju kënaqësinë Time dhe kurrë nuk kam për t’u zemëruar me ju pas kësaj dite, kurrën e kurrës!” Ndërsa në një hadith tjetër: 1801. “Allahu u thotë banorëve të Xhenetit: “O banorë të Xhenetit, ju keni nga Allahu një premtim, të cilin Ai dëshiron ta përmbushë për ju sot!” Ata thonë: “Çfarë është ky premtim?! A nuk na i zbardhi Allahu fytyrat tona? A nuk na e shtoi peshën e veprave tona të mira? A nuk na shpëtoi nga zjarri dhe na futi në Xhe - net?!” Atëherë, Allahu i Lartësuar largon perden e Vet dhe ata do ta shohin. Betohem në Allah, se Ai s’u ka dhënë banorëve të Xhenetit ndonjë mirësi më të madhe sesa vështrimi drejt Tij, dhe kjo është ajo që quhet “shtesa” ose “dita e shtesës.””

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:128–20:131

- A nuk është paralajmërim për ata (që të kujtojnë) se sa e sa breza para tyre i kemi shkatërruar, nëpër vendbanimet e të cilëve (tani) janë duke ecur? Sigurisht, në këtë ka Argumente për ata që kanë arsye të shëndoshë. - Allahu i Madhëruar solli në Kur'an historitë e shumë popujve të shkuar, të cilët Ai i ndëshkoi për mosbesimin dhe për shpërfilljen e të vërtetës. Allahu i Madhëruar shtron një pyetje, që duhet t’i bëjë njerëzit të mendojnë: A nuk nxjerrin mësim këta mohues të së vërtetës nga historia e popujve të ndëshkuar, të cilëve ua njohin mirë historinë dhe vendbanimet? Të tillë ishin populli i Hudit, Salihut, i Lutit etj. A nuk nxjerrin mësime nga ato histori dhe të pasojnë rrugën e Zotit, duke u larguar nga rruga e shkatërrimit? Të gjithë popujt e shkuar, kur refuzuan të dërguarit dhe iu kthyen shpinën shpalljeve, u dënuan me ndëshkime të dhembshme. Atëherë, pse janë të sigurt këta që nuk i godet i njëjti ndëshkim, siç i goditi ata të tjerët?! Zoti thotë: “Vallë, jobesimtarët tuaj janë më të vlefshëm se ata që u përmendën, apo keni ndonjë premtim shpëtimi në Librat e qiellit? Mos, vallë, po thonë: “Ne jemi një grup, të bashkuar dhe ngadhënjyes?!” Ai grup shpejt do të pësojë disfatë dhe ata do të ikin me të shpejtë (të tmerruar). Por Kijameti është premtim i pakthyeshëm për ta. Kijameti është edhe më i vështirë, edhe më i hidhur.” [Kamer 43 – 46]. Këta mohues nuk janë aspak më të mirë se ata të popujve të shkuar, që të mendojnë se mund t’i shpëtojnë ndëshkimit të Allahut. Madje këta të sotmit janë më të këqinj se ata, sepse këta kanë mohuar Profetin më të zgjedhur dhe Librin më të rëndësishëm dhe madhështor të

Zotit. Gjithashtu, këta nuk kanë ndonjë premtim të dhënë nga Zoti se do të jenë të ruajtur nga ndëshkimi. As pretendimi i tyre i mjerë se ushtritë dhe aleatët e shumtë që kanë do t’i mbrojnë nga dënimi i Allahut nuk është i vërtetë. Madje, ata janë shumë më të poshtëruar dhe të nënçmuar. Kështu, shkatërrimi i popujve të shkuar për gjynahet dhe mohimin e tyre konsiderohet si një nga shkaqet e udhëzimit, nëse njeriu do të dinte të nxirrte mësime, sepse ato konsiderohen si shenja treguese për vërtetësinë e shpalljeve të Zotit dhe të profetëve të Tij. Ato tregojnë, gjithashtu, ligësinë dhe humbjen e atyre popujve mohues. Por jo çdo njeri përfiton nga shenjat dhe shpalljet e Allahut. Nga ato përfitojnë veçse të mençurit dhe të diturit, ata që dinë të kuptojnë e të mendojnë me ftohtësi e drejtësi, ata që kanë mendje të shëndoshë dhe natyrë të papërlyer. - Sikur të mos ishte vendimi dhe afati i caktuar më herët nga Zoti yt, edhe këta do t’i kapte i njëjti dënim (si popujt e shkuar). - Ky ishte një ngushëllim për Profetin dhe, gjithashtu, një porosi për të qenë i duruar, që të mos kërkonte shkatërrimin e mohuesve të së vërtetës. Në fakt, thjesht mohimi i së vërtetës është shkak i mjaftueshëm i dënimit. Allahu na ka treguar se ndëshkimet shkaktohen nga gjynahet. Edhe ata e kishin mbushur kupën, por ndëshkimi nuk po u vinte sepse nuk ishte plotësuar ende afati që Allahu kishte vendosur për ta. Mbase ata e reflektonin, mbase pendoheshin, dhe kështu Allahu e largonte ndëshkimin që ishte përgatitur për ta. Më pas, nëse vjen koha e zbritjes së dënimit, asgjë nuk e kthen apo pengon atë. - Prandaj, ti bëhu i durueshëm ndaj asaj që thonë ata, dhe lavdëroje dhe falenderoje Zotin tënd, para se të lindë dielli dhe para se të perëndojë, edhe në orët e natës dhe në skajet e ditës, që të mund të gjesh kënaqësi. - Allahu i Madhëruar e urdhëroi Profetin e Tij që të bënte durim ndaj fjalëve fyese në adresë të tij dhe e urdhëroi që ta mësonte veten të ishte i durueshëm. Gjithashtu, Allahu e porositi Profetin (a.s.) që ta qetësonte veten me tesbih dhe tahmid në këto vakte të veçanta: para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij, në skajet e ditës. Momentet para lindjes së diellit dhe para perëndimit të tij janë përmendur në mënyrë të veçantë, edhe pse ato përfshihen “në skajet e ditës”, për të treguar rëndësinë dhe dobinë e madhe të dhikrit në këto kohë. Pastaj përmendet edhe koha e natës. Kuptimi: Nëse e bën këtë, do të kënaqesh me atë që do të të japë Zoti yt që në këtë botë dhe me shpërblimin e përjetshëm në botën tjetër. Zemra jote do të gjejë prehjen dhe qetësinë dhe sytë e tu do të lumturohen me adhurimin e Zotit tënd. Ky do të jetë një ngushëllim i madh kundrejt mundimeve që të sjellin jobesimtarët. Kështu do të kalitet durimi yt, ndërsa shpërblimi për ty do të jetë pa llogari. - Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete me të cilën i bëmë të kënaqen disa prej tyre (jobesimtarë), për t’i sprovuar me të! – Mos u mahnit nga kënaqësitë e kësaj bote, mos u huto pas ushqimeve, pijeve të shijshme, veshjeve luksoze, shtëpive e kështjellave gjigande e grave të bukura, që zotërojnë disa të mashtruar të kësaj bote. Të gjitha ato janë stoli të kësaj bote, pas të cilave mahniten të mashtruarit. Pas tyre jepen tërësisht ata që i kanë kthyer shpinën ahiretit dhe janë treguar të padrejtë. Ata e shikojnë këtë botë si vendin ku gjejnë kënaqësinë dhe prehjen. Por shumë shpejt ajo do të largohet dhe bashkë me të edhe ata që janë mahnitur pas saj. Ata do të pendohen atëherë kur pendimi nuk do t’iu bëjë më dobi. Ata do të shohin realitetin e kësaj gjendjeje fatkeqe kur të ringjallen Ditën e Kijametit. Allahu e ka bërë këtë jetë thjesht si sprovë, për të dalë në pah ata që mashtrohen pas saj dhe ata që bëjnë vepra të mira, sikurse thotë Allahu: “Gjithçka në tokë, Ne e kemi bërë vetëm si stoli, për t’i provuar se cili prej tyre do të jetë më vepërmirë.” [Kehf 7]. - Shpërblimi i Zotit tënd është më i mirë dhe është i përjetshëm. - Rrizku i Zotit

është më i mirë. Në jetën e kësaj bote, nëse Zoti të ka dhënë dituri të pastër rreth besimit, të ka dhënë iman të sinqertë e korrekt dhe të ka mësuar si të bësh vepra të mira, dije se të ka dhënë mirësitë më të mëdha të kësaj jete. Ndërsa në ahiret, ajo që të premtohet është shumë më madhështore sesa të mund të përshkruhet me fjalë: mirësi të përjetshme, jetë në paqe e kënaqësi pranë Zotit Mëshirëplotë. Kjo është shumë më e mirë se të gjitha ato stoli që u kemi dhënë të mashtruarve me dynjanë. Mirësitë e premtuara nga Zoti janë të përhershme, që nuk shterojnë kurrë. Si ushqimet, ashtu edhe hijet e bukura janë të përjetshme në Xhenet, siç thuhet në Kur'an: “Ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme." [El ea’la 17]. Ky ajet na mëson që, nëse njeriu ndien tek vetja tërheqje drejt stolive të kësaj jete mashtruese, le të kujtojë premtimin e Allahut dhe le të bëjë krahasimin e dy rasteve.

← Ta Ha 20:128