20. Ta Ha · Ajeti 24 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:17–20:35
Zoti xh. sh., e dinte se ç'kishte Musai në dorë, e ia bën pyetjen në mënyrë që ai ta përcjellë me vëmendje ngjarjen, sepse ai shkop i thatë, do të shndërrohet në bollë të gjallë, pra do të shohë një mrekulli të madhe.
Musai nuk përfundon vetëm me përgjigjen në pyetje, por nga dëshira që ta shtojë edhe më tepër kënaqësinë e vet në bisedë me të Madhin, Zot, vazhdon duke i përshkruar cilësitë dhe dobitë e shkopit.
Mrekullia e shndërrimit të shkopit në gjarpër të madh dhe të zbardhimit e të shkëlqimit të dorës në atë moment, ishte parapërgatitje për paraqitjen e atyre mrekullive më vonë para faraonit.
Kur u urdhërua të shkojë te faraoni, i cili e njihte veten si zot, Musai kërkoi ndihmën e Zotit për zbatimin e asaj detyre, kërkoi që t'i lëshohej gjuha e të jetë oratori më i mirë, t'ia bashkojë atij vëllain Harun si bashkëpunëtor dhe si pejgamber dhe ashtu të formojë një fuqi më të madhe.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:22–20:35
- “Fute dorën nën sqetull dhe ajo do të dalë e bardhë (dhe e ndritshme) pa asnjë të keqe (sëmundje)! Kjo është një shenjë tjetër ...” - Kjo ishte një tjetër shenjë e jashtëzakonshme, që Allahu i Lartësuar i dha Musait (a.s). Kështu, Allahu i Lartësuar i tha Musait: “Fute dorën nën sqetull...”. Pra, fute pëllëmbën nën sqetull. Kur Musai e fuste dorën nën sqetull dhe pastaj e nxirrte jashtë, ajo shndriste e vezullonte si drita e hënës. Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe ajo do të dalë e bardhë (dhe e ndritshme) pa asnjë të keqe (sëmundje)!” Ajo ishte e bardhë, por jo me bardhësinë e shëmtuar që jep sëmundja e lebrës apo ndonjë sëmundje tjetër. Atëherë, Musai e kuptoi se tashmë po fliste me Zotin Krenar dhe të Lartësuar, prandaj dhe Allahu i Lartësuar tha: - “Për të treguar ty (dy) nga shenjat Tona më të mëdha. ” - Në vijim, i Lartësuari thotë: - “Shko te Faraoni, sepse ai vërtet i ka kaluar të gjithë kufijtë! ” - Shko tek Faraoni, prej të cilit ike në arrati. Shko tek ai dhe ftoje atë që të adhurojë Allahun si një të vetëm dhe pa ortak! Gjithashtu, urdhëroje atë që t’i trajtojë mirë bijtë e Izraelit dhe të mos i torturojë më! Me të vërtetë, ai i ka kaluar kufijtë në çdo drejtim, me padrejtë - sitë që u bën krijesave. Ai i ka dhënë rë - ndësi jetës së kësaj dynjaje dhe e ka harruar hakun e Zotit të tij, që është më i larti. - “Musai tha: “O Zoti im! Zgjeroma gjoksin!” - Musai (a.s) i lutet Zotit që t’ia zgjerojë gjoksin dhe ta bëjë të aftë për misionin e tij. Nuk ka dyshim se Allahu e urdhëroi atë për një çështje të madhe, për një përballje të jashtëzakonshme dhe të guximshme. Allahu po e dërgonte atë tek mbreti, sundimtari dhe tirani më i fuqishëm në Tokë në atë kohë, më i ashpri dhe më kryeneçi në kufrin, ashpërsinë dhe tiraninë e tij. Ai ishte mbreti me ushtrinë më të fuqishme dhe më të madhe, me pushtetin dhe sundimin më kohëgjatë. Ai ishte një rebel, që kishte kaluar çdo kufi, madje arriti deri atje sa nuk e njihte autoritetin e Zotit dhe u vetëdeklarua si i vetmi zot e hyjni , të cilin duhet ta adhuronte dhe t’i nënshtrohej i gjithë populli i tij. Duhet të kujtojmë se Musai qëndroi në kështjellën e Faraonit gjatë gjithë fëmijërisë së tij, madje kishte fjetur atje. Por kur u rrit, gjatë një mosmarrëveshjeje, ai vrau (pa dashje) një person. Duke iu trembur ekzekutimit, ai u arratis dhe qëndroi larg Egjiptit. Më pas, Zoti Krenar dhe i Lartësuar e dërgoi Musain sërish tek Faraoni, si paralajmërues dhe si kumtues të Shpalljes, për ta ftuar atë dhe popullin e tij të adhuronin Allahun dhe t’i nënshtroheshin vetëm Atij. - “Lehtësoma këtë punë! ” - Musai po i përgjërohej Zotit, duke i thënë: “Nëse Ti, o Zot, nuk më ndihmon, nëse nuk bëhesh mbrojtësi im, unë nuk kam forcë dhe mundësi që të dal faqebardhë në këtë përballje!” - “Dhe zgjidhma nyjën e gjuhës (pengesën që kam kur flas) , që ta kuptojnë fjalën
time!” - Ai e tha këtë lutje, sepse në vogëli kishte pësuar një dëmtim, kur i dhanë bashkë me hurma edhe disa thëngjij. Ai mori një thëngjill dhe e vendosi në gjuhën e tij, siç do ta sqarojmë më pas. Pra, Musai u lut që Allahu i Lartësuar t’ia largonte këtë vështirësi në të folur, por nuk u lut t’ia largonte atë plotësisht. Ai e bëri këtë lutje, në mënyrë që njerëzit ta kuptonin atë çka ai po u kumtonte atyre. Nga kjo kuptohet se Musai (a.s) u lut vetëm për aq sa e shihte të domosdoshme se i duhej për të përmbushur detyrën e tij dhe nuk u lut për ta larguar tërësisht atë problem, që kishte në të folur. Nëse do të dëshironte, ai mund të lutej, dhe Allahu do t’ia largonte tërësisht, por profetët luten veçse për ato gjëra që kanë nevojë. Kështu, Allahu i Lartësuar ia përmbushi kërkesën dhe ia zgjidhi nyjën e gjuhës së tij. Më pas, ai u lut dhe tha: - “Më jep një ndihmës nga familja ime, Harunin, tim vëlla! ” - Kjo është një lutje, që Musai (a.s) i drejtoi Allahut të Lartësuar, që Ai të lejonte edhe vëllanë e Musait, Harunin, të shkonte me të, për t’i qenë krah. Theuriu sjell nga Ibn Abasi këtë shpjegim: “Haruni (a.s) u bë profet pikërisht në çastin kur u bë profet edhe Musai (a.s), më këtë lutje që ai i drejtoi Allahut të Lartësuar.” - “Ma shto fuqinë me të dhe bëma shok në punën time! ” - Muxhahidi shpjegon: “Pra, bëje atë që të më mbrojë krahët dhe bëje shoqëruesin tim, me të cilin të këshillohem.” - “Që të të lavdërojmë Ty shumë e më shumë dhe të të kujtojmë Ty shumë e më shumë!” - Muxhahidi shpjegon dhe thotë: “Robi vlerësohet si përkujtues i madh i Allahut nëse e përkujton Allahun kur është në këmbë, kur është ulur dhe kur është shtrirë.” - “Vërtet, Ti je Ai që i sheh gjithmonë punët tona.”. - Domethënë, në lidhje me përzgjedhjen që bëre dhe faktin që na dallove nga njerëzit e tjerë dhe na dhurove profetësinë. Ti je i Gjithëditur, edhe në lidhje me dërgimin tonë tek Faraoni, armiku ynë dhe i besimit të vërtetë. Prandaj, vetëm Ty të lavdërojmë, që na përzgjodhe dhe ngrite në këtë gradë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:24–20:36
- Shko te faraoni sepse, ai vërtet i ka kaluar të gjithë kufijtë! - Pasi e bëri Profet dhe pasi i tregoi shenjat e mëdha, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain të shkonte tek Faraoni, sundimtari i Misirit, sepse ai i kishte kaluar kufijtë. Ai ishte treguar arrogant e tiran. Faraoni i kishte kaluar kufijtë me mohimin e Zotit, me shkatërrime, padrejtësi dhe me shtypjen e të dobtëve. Madje ai, - Allahu e shëmtoftë! - shkoi më larg se kaq dhe pretendoi se ishte Zot. Kalimi i kufijve ishte shkak për shkatërrimin e tij. Megjithatë, Allahu i Madhëruar është i Mëshirshëm, i Urtë dhe i Drejtë dhe nuk ndëshkon asnjë pa i çuar argumente përmes profetëve. Atëherë e kuptoi Musai se po mbante një peshë të rëndë. Ai do të shkonte si i dërguar i Zotit tek ky tiran i pamëshirshëm, arrogant e inatçor, të cilit nuk i dilte para askush në Misir. Përveç kësaj, ishte edhe një çështje tjetër shumë shqetësuese. Musai (a.s) ishte shpallur në kërkim për një vrasje në
popullin e Faraonit. Megjithatë, ai e pranoi urdhrin e Zotit të tij, me kënaqësi e nënshtrim dhe iu lut Atij për ndihmë e lehtësim. Në fakt, kjo lutje ishte edhe një përpjekje nga Musai për të bërë sa më mirë punën e davetit: - Musai tha: “O Zoti im! Zgjeroma gjoksin... - Më zgjero gjoksin, që të jem në gjendje të përballoj çdo vështirësi që mund të më shkaktojnë fjalët dhe veprimet e kundërshtarit. Bëj që zemra ime të mos ndikohet nga ato dhe shpirti të mos më ngushtohet. Nëse zemra ngushtohet, njeriu nuk ka më forcë për të ftuar të tjerët në rrugën e Zotit. Allahu i Madhëruar i tha profetit Muhamed (a.s) në një ajet: “Në sajë të mëshirës së Allahut, ti u solle me butësi me ta. Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do largoheshin prej teje. Fali dhe kërko falje (nga Allahu) për ta! Këshillohu me ta për të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetju Allahut! Allahu i do ata që i mbështeten Atij. Nëse ju ndihmon Allahu, atëherë nuk ka kush që mund t’ju mposhtë. Por nëse Ai ju lë pa ndihmë, atëherë kush është ai që mund t’ju ndihmojë?! Pra, vetëm Allahut le t’i mbështeten besimtarët!” [Al Imran 159, 160]. Domethënë, shpresohej që krijesat ta pranonin të vërtetën, me butësinë dhe gjoksin tënd të zgjeruar. Nëse Allahu të ndihmon dhe ta lehtëson një punë, fitorja është e sigurt, prandaj Musai tha: - ...lehtësoma këtë punë... - Ma lehtëso çdo çështje që nis me emrin Tënd dhe çdo rrugë që marr për kënaqësinë Tënde! M’i lehtëso problemet që do të më dalin përpara! Të t'i lehtësojë veprat Allahu do të thotë që Ai të ta prijë mbarë që t’i hysh çështjeve nga porta e duhur e me mënyrën e duhur, që çdokujt t’i drejtohesh me mënyrën më të përshtatshme, që njerëzit ta pranojnë ftesën tënde dhe ti të gjesh rrugën më të shkurtër për arritjen e qëllimeve të tua. - ... Dhe zgjidhma nyjën e gjuhës (pengesën që kam kur flas), Që ta kuptojnë fjalën time! – Musai kishte njëfarë vështirësie në të folur, aq sa thuajse nuk kuptohej çfarë fliste, shpjegojnë mufesirët. Allahu tregon në një ajet tjetër se vetë Musai tha: “Vëllai im, Haruni, është më orator se unë. Prandaj, dërgoje atë me mua si ndihmë, që t’i vërtetojë fjalët e mia. Unë kam frikë se nuk do të më besojnë.” Kështu, Musai u lut që Allahu t'ia zgjidhte gjuhën, që njerëzit t’ia kuptonin fjalët dhe misioni i tij të përmbushej me sukses. Misioni i Musait ishte kumtimi i të vërtetës dhe mesazhit të Zotit, si edhe sqarimi i plotë i kuptimeve të këtij mesazhi. - Më jep një ndihmëtar nga familja ime, Harunin, timvëlla! - Bëje Harunin ndihmësin tim, që të më mbështesë në mision! Musai kërkoi që mbështetësi të ishte prej familjes së tij, sepse ky do të ishte një prestigj e mirësi e madhe për familjen. Nuk ka dyshim se, njerëzit që meritojnë më shumë bamirësi prej teje, janë të afërmit e tu, prandaj Musai e përmendi konkretisht edhe me emër, duke thënë: “...Harunin, vëllanë tim!" - Ma shto fuqinë me të... - Ma shto forcën me vëllanë tim! Bëj Harunin mbështetjen time! Dhe Allahu i tha: “Ne do të ta shtojmë mbështetjen me vëllanë tënd dhe do t’ju japim pushtet me shenjat Tona, që ata të mos ju afrohen. Ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë.”. [Kasas 35]. - ...dhe bëma shok në punën time... - Musai i kërkoi Allahut që ta bënte Harunin profet, ashtu siç kishte bërë edhe vetë Musain. - ... Që të të lavdërojmë Ty shumë e më shumë. Dhe të të kujtojmë Ty shumë e më shumë! - Musai (a.s) e dinte mirë se e gjithë feja dhe të gjitha adhurimet ndërtohen mbi përmendjen e Zotit. Kjo qe arsyeja që ai u lut që ta kishte vëllanë si mbështetës, në mënyrë që ta ndihmonin njëri -tjetrin në përmendjen sa më shumë të Allahut dhe që të ndihmonin njëri tjetrin në vepra të mira e devotshmëri. Kështu, të dy vëllezërit do ta përmendin më shumë Allahun me tesbih, tahlil dhe me çdo lloj adhurimi tjetër.
- Vërtet, Ti je Ai që i sheh gjithmonë punët tona.”. – Ti, o Zot, e njeh mirë dobësinë e varfërinë tonë, e di mirë nevojën tonë ndaj Teje, në çdo çështje. Ti je më i Ditur dhe më i Mëshirshëm për ne, sesa ne për vetet tona. Na dhuro mirësi me mëshirën Tënde dhe përgjigjju lutjeve tona! Atëherë, Allahu i Madhëruar, i tha: - Ai (Allahu) tha: “T’u dha ajo që kërkove, o Musa.” - Do të t’i jap të gjitha sa më kërkove. Allahu do ta zgjerojë gjoksin, do t’i lehtësojë çështjet, do ta zgjidhë gjuhën, që njerëzit të të kuptojnë qartë dhe që ta kryesh misionin me sukses. Për këtë mision nuk do të jesh vetëm, sepse do të të shtojmë mbështetjen më vëllanë tënd, Harunin. Veç kësaj, Allahu i tha: “Ne do të ta shtojmë përkrahjen me vëllanë tënd dhe do t’ju japim pushtet me shenjat Tona, që ata të mos ju afrohen. Ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”. [Kasas 35]. Këto lutje të Musait tregojnë për diturinë e tij të thellë rreth Zotit të Madhëruar. Ato tregojnë për mprehtësinë dhe mençurinë e tij në trajtimin e çështjeve. Gjithashtu, ato dëshmojnë për dëshirën e mirë të Musait për të rregulluar dhe për të sjellë sa më shumë dobi për njerëzinë. I tillë duhet të jetë mësuesi dhe ftuesi i njerëzve në të mirën, në mënyrë të veçantë kur ka të bëjë me njerëz inatçorë, arrogantë e tiranë, kryeneçë e të pabindur. Përballë kësaj kategorie njerëzish, ftuesi ka nevojë të ketë gjoks të zgjeruar dhe zemër të madhe e durimtare, të mbushur me butësi e mëshirë, tolerancë e falje, në mënyrë që t’i bëjë ballë çdo lloj mundimi me të cilin do të përballet, t’i bëjë ballë furtunës me fjalë të shëmtuara e fyese, që do të derdhen mbi të. Ai ka nevojë për oratori dhe një gjuhë të zhdërvjellët e të mprehtë, të ëmbël dhe të aftë për të sqaruar sa më mirë të vërtetën. Oratoria dhe elokuenca në të tilla çështje është element i domosdoshëm, sepse përballjet në këto raste janë të forta dhe të mprehta. Është e nevojshme që, nëpërmjet fjalëve, të paraqesësh të vërtetën në formën më të bukur. Përveç kësaj, daveti kërkon mendje të urtë dhe stil të përshtatshëm komunikimi, sepse duhet t’i drejtohesh njerëzve ashtu siç u shkon për shtat, për të qenë sa më i dobishëm dhe që misioni të dalë me sukses. Mbi të gjitha, këtu është e nevojshme që Allahu të të lehtësojë çdo çështje, në mënyrë që ta nisësh nga ana e duhur, që t’i ftosh njerëzit në rrugën e drejtë me urtësi e butësi, që edhe polemikën ta bësh me mençuri dhe të jesh bindës. Në përfundim, është e nevojshme që Zoti të të japë mbështetës e bashkëpunëtorë të mirë në misionin tënd. Sa më shumë zëra të ngrihen për të mbrojtur e përhapur të vërtetën, aq më ndikues do të jenë ata. Kështu, Musai i dinte mirë këto çështje, prandaj u lut për to, dhe Allahu ia plotësoi të gjitha. Nëse studion historinë e profetëve, sheh se ata të gjithë i kanë patur këto cilësi dhe aftësi. Sigurisht, më i miri i të gjithëve është Muhamedi (a.s), i cili qëndron në nivelin më të lartë. Me gjoksin më të zgjeruar, atij iu lehtësuan të gjitha veprat, iu dha elokuencë e plotë dhe bukuria e të shprehurit. Atij iu dhanë shokët dhe mbështetësit më besnikë dhe durimtarë. Atij iu dha një popull pasues, që qëndron i palëkundur në fenë e tij.