← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

20. Ta Ha · Ajeti 42 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:36–20:56

Pëvreç asaj që ia plotëson kërkesat e Musait, Zoti ia përmend aty edhe të mirat që ia ka dhuruar atij prej kur ishte foshnjë. Derisa faraoni i mbyste fëmijët e beni israilve, Zoti fuqiplotë e udhëzoi nënën e Musait ta vë foshnjën në një arkë (tabut) dhe I ta hedhë në lumë. Motra e Musait e përcolli deri kur arka ra në duart e familjes së faraonit. Foshnja nuk pranoi gjinin e asnjë i gruaje, atëherë motra e tij i tha familjes së faraonit, se ajo di për një grua të ndershme e besnike e cila do t'i japë gji foshnjës. Ata pranuan dhe e thirrën gruan (nënën e Musait) dhe kur ajo i afroi gjinin atij, ai menjëherë e thithi, për çka gruaja e faraonit u gëzua shumë dhe e luti gjidhënësen të qëndrojë dhe të jetojë në pallatin mbretëror. Ajo u ankua se nuk mund ta lë shtëpinë dhe fëmijët e saj, prandaj propozoi ta merrte foshnjën me vete, e kohë pas kohe do t'ua sillte ta shohin, gjë kjo të cilën ata e pranuan. Urtësia e Zotit bëri që foshnja t'i kthehej nënës së vet, e të mos e përjetojë ajo dhembjen për ndarjen nga fëmija e vet.

Ai ia përmendi edhe ndihmën që ia pati ofruar kur e pat mbytur një njeri, pastaj ndihmën sa ishte në Medjen te Shuajbi: dhe i tregoi se atë e ka zgjedhur pikërisht pejgamber dhe e urdhëroi që ai së bashku me Harunin të shkonin te faraoni e t'i tregojnë se nuk ka zot tjetër pos Allahut.:

Musai me vëllain e vet shikuan te faraoni dhe e thirrën ta besojë Zotin një, Krijuesin që përsosi çdo krijesë, dhe të vetmin furnizues, i cili edhe pas vdekjes do t'i ringjallë të gjithë. Mirëpo, edhe pse Musai ia tregoi të gjitha mrekullitë që dokumentonin për Zotin fuqiplotë, faraoni nuk deshi t'i pranojë, nuk e njohu as Musain si pejgamber dhe u përpoq ta shpallte si magjistar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:41–20:44

- “Dhe Unë të kam përgatitur ty për Vete (për të më shërbyer) .” - Domethënë, të përzgjodha për të qenë i dërguari Im dhe për të më shërbyer, ashtu siç Unë dëshiroj dhe vendos. - “Prandaj, ti dhe vëllai yt, shkoni me argumentet e Mia, ...” - Shko së bashku

me vëllain, sepse do t’ju jepen mrekullitë e Mia. - “... e mos harroni të më kujtoni Mua!” - Kurrsesi mos u dobësoni dhe mos e pakësoni përkujtimin e Allahut të Lartësuar. Përkujtimi i Allahut do të jetë një ndihmë e madhe, në përballje me Faraonin, një forcë e pathyeshme, me të cilën do të arrini ta mposhtni atë. Në një hadith ( kudsij) thuhet: 1781. “Me të vërtetë, adhurues i vërtetë dhe i dorëzuar ndaj Meje, është ai i cili më përkujton Mua kur është duke u përballur me armikun e vet.” 18 Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! ” - Ai është rebeluar dhe ka shprehur kryelartësi dhe mosbindje ndaj Allahut. Ai është treguar kryeneç dhe nuk i është nënshtruar Allahut të Madhëruar. - “Por t’i flisni me fjalë të buta! ” - Në këtë ajet ka shumë mësime të mëdha, në lidhje me mënyrën e ftesës së njerëzve në fenë e Zotit. Ne mësojmë se, gjatë davetit, duhet të tregojmë butësi e mirësjellje, siç ka thënë edhe Jezid el Rakashiu në vargjet e tij: “Ti që tregon dashuri dhe ngrohtësi me armikun, që të kundërshton dhe të lufton, / si sillesh me atë që dëshiron afër ta mbash dhe ta ftosh atje ku ti synon? ” Allahu i Lartësuar i porositi ata që ta këshillonin dhe përkujtoni Faraonin se është një Zot, i Cili i ka krijuar të gjithë dhe që vendos për gjithçka, ta kujtonin se është një Ditë e Premtuar, kur të gjithë do te dalin para Zotit dhe se përfundimi atë ditë do të jetë ose në Xhenet, ose në Zjarr. Allahu i porositi ata që këto mesazhe t’ia thoshin me fjalë të zgjedhura, të buta e të ngrohta, që të pranoheshin lehtë. Në këtë mënyrë, fjalët do të zinin vend në shpirtin e dëgjuesit, do të ishin më ndikuese dhe më frytdhënëse. Allahu i Madhëruar thotë: “Thirr për në Rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me mënyrën më të mirë! Zoti yt e di më së miri për atë që është larguar nga rruga e Tij dhe për të udhëzuarit.”[Nahl 125] . - “Ndoshta ai mendohet e frikësohet. ” - Drejtojini këtë ftesë, me shpresë që ai të kthejë rrugë, duke mos vazhduar në rrugën e humbjes dhe shkatërrimit; si edhe me shpresë që zemra e tij të mbushet me frikë për Zotin. Kështu, përmes përkujtimit, robi heq dorë nga ligësitë, ndërsa kur zemra mbushet me frikë e respekt për Zotin, frikë që ndërtohet mbi diturinë e vërtetë rreth Zotit, njeriu përkushtohet për t’iu bindur Atij. Në këtë mënyrë, Allahu i Lartësuar dërgoi Musain dhe Harunin te faraoni, me qëllim që t’i paraqisnin atij argumente të plota dhe të qarta, duke e paralajmëruar përpara se të vinte dita kur ndëshkimi i Zotit të gllabëronte çdo mohues.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:42–20:46

Pasi i kujtoi Musait (a.s) mirësitë e shumta që i kishte dhuruar në aspektin fetar dhe jofetar, Allahu i Madhëruar i thotë: - Prandaj, ti dhe vëllai yt, shkoni me argumentet e Mia,... – Shkoni te Faraoni, ti dhe yt vëlla Haruni, me shenjat e Mia, që tregojnë besnikërinë tuaj si profetë dhe vërtetësinë e Shpalljes. Ato tregojnë të vërtetën dhe bukurinë e saj. Gjithashtu, ato tregojnë të kotën dhe shëmtinë e saj, duke qortuar njerëzit dhe porositur për t'iu larguar. Allahu e pajisi Musain me shenja të mëdha, siç qe dora që vezullonte me bardhësinë e saj, shkopi që shndërrohej në gjarpër të madh që zvarritej frikshëm etj. Allahu i dhuroi nëntë shenja të qarta për Faraonin dhe palën e tij. Pastaj i dha një porosi të mrekullueshme: - ...e mos harroni të më kujtoni Mua! - Asnjë çast mos reshtni e mos ndaloni nga kujtimi e përmendja Ime. Kurrë mos u dembelosni e ta lini përmendjen Time, por

vazhdoni të më lavdëroni e përmendni, ashtu siç keni premtuar!” Musai tha: “O Zoti im! Zgjeroma gjoksin, lehtësoma këtë punë dhe zgjidhma nyjën e gjuhës (pengesën që kam kur flas), që ta kuptojnë fjalën time! Më jep një ndihmëtar nga familja ime, Harunin, timvëlla! Ma shto fuqinë me të Dhe bëma shok në punën time, Që të të lavdërojmë Ty shumë e më shumë Dhe të të kujtojmë Ty shumë e më shumë!" Përmendja e Zotit është ndihmë dhe lehtësim i madh për të gjitha veprat. Ajo lehtëson kryerjen e veprave dhe barrën e rëndë të vështirësive. - Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! - Faraoni i kishte kaluar kufijtë me padrejtësitë, tiraninë dhe ligësinë e tij. Megjithatë, shiko me kujdes porosinë e të Urtit: - Por, i flisni me fjalë të buta! Ndoshta ai mendohet e frikësohet. - Drejtoju me fjalë të lehta e të buta, me edukatë dhe dashamirësi, e jo me vrazhdësi. Drejtoju me fjalë të zgjedhura dhe me sjellje të mirë e të ngrohtë, me shpresë që të përfitojë dy gjëra: 1. të kujtojë e të kuptojë se çfarë i sjell dobi dhe të gjejë forcë të hedhë hapin drejt së mirës; 2. të frikësohet nga çfarë i kanoset dhe të mendojë për të shpëtuar prej saj. Fjalët e buta dhe sjellja e mirë e bëjnë të mundur diçka të tillë, ndërsa fjalët e ashpra dhe sjellja e keqe janë të dëmshme dhe e largojnë njeriun. Disa shpjegojnë se “fjalët e buta” ishin ato të Musait kur i tha Faraonit: “A dëshiron që të pastrohesh? Unë do të të udhëzoj për te Zoti yt, që t’ia kesh frikën!”. [Naziat 17 – 19]. Këto ishin vërtet fjalë të buta e të thjeshta. Nëse i studion, e sheh se sa të ngrohta ishin këto fjalë: “A do të pastrohesh?” Pra, a dëshiron të fillosh të pastrosh zemrën e shpirtin?! Ky më shumë duket si një propozim i butë, sepse bashkëfolësit i lihet në dorë që ta bëjë vetë zgjedhjen, duke aluduar se ai është i urtë dhe i mençur. Musai e ftoi Faraonin që të pastrohej e të largohej nga cilësitë e ulëta, dhe më i rëndësishëm këtu ishte pastrimi nga shirku. Ajo ishte ftesë për të reflektuar mbi një çështje që të gjithë e pranojnë: largimin nga shirku. Musai nuk i tha: “Unë kam ardhur të të pastroj”, por: “Të pastrohesh dhe lartësoshesh ti vetë.” Pastaj Musai e ftoi në rrugën e Zotit, i Cili i kishte dhuruar Faraonit shumë mirësi dhe pushtet. Ai e nxiti të reflektonte dhe të meditonte për mirësitë e shumta që kishte, dhe kështu të falënderonte Zotin, që ia kishte dhuruar. Musai i tha: “Unë do të të udhëzoj për te Zoti yt, që t’ia kesh frikën.”. Pra, të udhëzoj të jesh mirënjohës ndaj Zotit tënd, në mënyrë që të lartësohesh e pastrohesh. Por me gjithë këto fjalë të ngrohta, që ta rrëmbejnë zemrën, Faraoni nuk e pranoi ftesën. Atëherë, Musai e kuptoi se kjo ftesë nuk kishte efekt te Faraoni. Si pasojë, Allahu i Madhëruar e ndëshkoi atë, siç di të ndëshkojë Ngadhënjimtari i Plotpushtetshëm. - Ata të dy (Musai e Haruni) thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë, ose do t’i kalojë të gjithë kufijtë kundër nesh.”. ” - Ne kemi frikës se mos Faraoni na ndëshkon pa na dëgjuar e pa ia përcjellë mesazhin Tënd. Ne druhemi se ai do ta refuzojë të vërtetën dhe do ta teprojë me pushtetin, forcën dhe ushtrinë e tij. - Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, sepse Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh (gjithçka)”. - Mos u frikësoni nga ndëshkimi i tij, sepse: “Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh gjithçka”. Ju të dy jeni nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen Time. Unë i dëgjoj fjalët tuaja dhe ju shikoj në të gjitha gjendjet tuaja. Pra, mos kini frikë prej Faraonit! Kështu, me këtë premtim të Zotit, zemrat e tyre u qetësuan dhe u siguruan.

← Ta Ha 20:42