← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

20. Ta Ha · Ajeti 47 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:36–20:56

Pëvreç asaj që ia plotëson kërkesat e Musait, Zoti ia përmend aty edhe të mirat që ia ka dhuruar atij prej kur ishte foshnjë. Derisa faraoni i mbyste fëmijët e beni israilve, Zoti fuqiplotë e udhëzoi nënën e Musait ta vë foshnjën në një arkë (tabut) dhe I ta hedhë në lumë. Motra e Musait e përcolli deri kur arka ra në duart e familjes së faraonit. Foshnja nuk pranoi gjinin e asnjë i gruaje, atëherë motra e tij i tha familjes së faraonit, se ajo di për një grua të ndershme e besnike e cila do t'i japë gji foshnjës. Ata pranuan dhe e thirrën gruan (nënën e Musait) dhe kur ajo i afroi gjinin atij, ai menjëherë e thithi, për çka gruaja e faraonit u gëzua shumë dhe e luti gjidhënësen të qëndrojë dhe të jetojë në pallatin mbretëror. Ajo u ankua se nuk mund ta lë shtëpinë dhe fëmijët e saj, prandaj propozoi ta merrte foshnjën me vete, e kohë pas kohe do t'ua sillte ta shohin, gjë kjo të cilën ata e pranuan. Urtësia e Zotit bëri që foshnja t'i kthehej nënës së vet, e të mos e përjetojë ajo dhembjen për ndarjen nga fëmija e vet.

Ai ia përmendi edhe ndihmën që ia pati ofruar kur e pat mbytur një njeri, pastaj ndihmën sa ishte në Medjen te Shuajbi: dhe i tregoi se atë e ka zgjedhur pikërisht pejgamber dhe e urdhëroi që ai së bashku me Harunin të shkonin te faraoni e t'i tregojnë se nuk ka zot tjetër pos Allahut.:

Musai me vëllain e vet shikuan te faraoni dhe e thirrën ta besojë Zotin një, Krijuesin që përsosi çdo krijesë, dhe të vetmin furnizues, i cili edhe pas vdekjes do t'i ringjallë të gjithë. Mirëpo, edhe pse Musai ia tregoi të gjitha mrekullitë që dokumentonin për Zotin fuqiplotë, faraoni nuk deshi t'i pranojë, nuk e njohu as Musain si pejgamber dhe u përpoq ta shpallte si magjistar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:45–20:48

Allahu i Lartësuar na tregon rreth Musait dhe Harunit - Paqja e Zotit qoftë mbi ta! - dhe lutjes që ata i drejtuan Atij. Duke i shprehur dobësinë, pafuqinë dhe nevojën e madhe për ndihmën dhe për mbrojtjen e Tij, ata të dy iu lutën Allahut: - “Ata të dy (Musai e Haruni) thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë, ose do t’i kalojë të gjithë kufijtë kundër nesh.”. - Ata kishi n frikë se Faraoni, si tiran i pamëshirshëm dhe gjakatar që ishte, do të tregohej i ashpër me ta dhe mund t’i vriste. Por Allahu i

Lartësuar, që kujdeset për të dashurit e Tij, u drejtohet atyre dhe u thotë: - “Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, sepse Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh (gjithçka)”. - Mua nuk më fshihet asgjë prej çështjeve tuaja! Gjithashtu, dijeni mirë dhe të jeni të bindur se ai tiran është tërësisht në dorën Time dhe nën pushtetin Tim. Ai as nuk mund të flasë dhe as nuk mund të marrë frymë, apo të bëjë diçka, pa lejen Time dhe jashtë vullnetit Tim. Unë jam me ju të dy, me mbrojtjen, ndihmën dhe mbështetjen Time! - “Kështu, shkoni e i thoni atij: “Ne jemi të dërguar të Zotit tënd. Lëri bijtë e Izraelit të vijnë me ne dhe mos i mundo!” - Ibn Abasi tregon: “Musai dhe Haruni qëndruan gjatë në portat e kështjellës së Faraonit, sepse nuk u jepej lejë që të hynin. Më në fund, iu dha leja, por të shoqëruar nga shumë roje.” Sudiju tregon se, kur Musai mbërriti në Egjipt, ai takoi nënën dhe vëllain e vet, të cilët nuk e njohën fillimisht. Pasi e vërejtën me kujdes dhe e njohën, ata u përshëndetën me selam. Më pas, Musai i drejtohet vëllait dhe thotë: “O Harun, Zoti im më ka urdhëruar që të shkoj tek ky burrë (Faraoni) dhe ta ftoj atë që të besojë dhe t’i nënshtrohet Allahut. Por Allahu i Madhëruar të ka urdhëruar edhe ty, që të jesh ndihma dhe krahu im në këtë mision.” Haruni tha: “Do të bëj gjithçka që të ka urdhëruar Zoti yt!” Kështu, ata u nisën me natë. Kur arritën atje, Musai e goditi fort me shkopin e tij portën e kështjellës. Faraoni, që e dëgjoi këtë goditje të fortë, u zemërua dhe tha: “Kush guxon të bëjë këtë vepër të shëmtuar?!” Rojet dhe portierët e njoftuan se në portë ishte një burrë i çmendur, i cili thoshte se është i dërguari i Allahut. Atë - herë, Faraoni dha urdhër: “Ma sillni këtu!” Kur ishin përballë Faraoni, ata i thanë: - “Ne kemi ardhur me argumente nga Zoti yt dhe shpëtimi është për atë që ndjek Rrugën e Drejtë. ” - Ne kemi ardhur me mrekulli dhe shenja të jashtëzakonshme nga Zoti yt. Nëse ndjek udhëzimin e Zotit, atëherë paqja e Zotit qoftë mbi ty, por: - “Neve na është shpallur se dënimi është për atë që mohon (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit”. - Allahu i Madhëruar na ka njoftuar në Shpallje, - dhe Shpallja e Tij është ruajtur dhe kurrë nuk gabon, - se ndëshkimi i Tij godet ashpër mbi të gjithë ata që refuzojnë shpalljet e Tij, që nuk marrin mësim dhe nuk besojnë mrekullitë dhe shenjat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Për sa i përket atij, që i ka kaluar kufijtë dhe i ka dhënë përparësi jetës së kësaj bote, Xhehenemi do të jetë vendi i tij.” [Naziat 37 - 39]. Ose: “Unë ju kam tërhequr vërejtjen për Zjarrin e ndezur fort. Në të nuk hyn tjetërkush, veç më fatziu, i cili e mohoi (Shpalljen) dhe i ktheu shpinën (të vërtetës) .” [Lejl 14 - 16], ose: “ Por ai (mosbesimtari) nuk beson dhe as nuk fal namaz, por vetëm mohon dhe kthen shpinën,” [Kijame 31, 32]. Domethënë, ai nuk beson me zemrën e tij dhe nuk nënshtrohet të adhurojë Zotin me vepra të mira, sipas këtij besimi.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:47–20:55

- Kështu, shkoni e i thoni atij: “Ne jemi të dërguar të Zotit tënd. Lëri bijtë e Israelit të vijnë me ne dhe mos i mundo!” - Shkoni tek Faraoni me dy misione: së pari, ta ftoni për të pranuar Islamin dhe, së dyti, të lejojë popullin e Izraelit të largohet dhe të shpëtojë nga vuajtjet e torturat. Lejoi ata të zgjedhin atë që duan dhe që Musai të gjykojë mes tyre me ligjin dhe fenë e Allahut. - Ne kemi ardhur me argumente nga Zoti yt . - Këto shenja tregojnë për vërtetësinë tonë si profetë të Zotit. Pastaj Musai filloi të paraqiste shenjat e mëdha. Ai hodhi shkopin, dhe “ai u bë gjarpër i vërtetë. Pastaj nxori dorën e tij: ajo ishte e bardhë për të gjithë shikuesit.” [Araf 108]. - dhe shpëtimi është për atë që ndjek Rrugën e Drejtë. - Paqja e shpëtimi qoftë për këdo që ndjek rrugën e drejtë dhe ligjin e qartë të Zotit. Këta do të jetojnë në paqe e mirësi, në këtë botë dhe në ahiret. - Neve na është shpallur... – Ky lajm na ka ardhur nga Allahu, pra, nuk e kemi shpikur vetë: - ... se dënimi është për atë që përgënjeshtron (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit”. - Kush i quan gënjeshtra lajmet e Zotit dhe të profetëve të Tij dhe u kthen shpinën atyre, duke mos u nënshtruar që t’i zbatojë e të jetojë sipas tyre, meriton dënimin e Tij të drejtë. Këto fjalë ishin nxitje për Faraonin që të besonte Zotin dhe të pasonte Shpalljen e Tij, por edhe një kërcënim, gjithashtu. Por ai njeri nuk përfitoi nga kjo dhe përsëri e mohoi Zotin, madje refuzoi me inat dhe arrogancë, duke thënë: - Faraoni tha: “E kush është, atëherë Zoti juaj, o Musa?” – Duke mos pranuar të besonte, Faraoni e pyeti Musain: “E kush është Zoti juaj, o Musa?” Atëherë, Musai i kthen një përgjigje të plotë, të qartë dhe shteruese, duke thënë: - Musai Tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet (të krijimit) dhe pastaj e ka udhëzuar.”” - Zoti ynë është Ai që ka krijuar të gjitha krijesat, duke i dhënë secilit formën e përshtatshme, që tregon për bukurinë e urtësinë e Krijuesit. Dikë e krijoi të madh, dikë të vogël e dikë të mesëm, në çdo cilësi e atribut. Pasi i krijon, Allahu e udhëzon çdo krijesë në qëllimin për të cilin e ka krijuar. Ky është udhëzimi i përgjithshëm, që mund të shihet në të gjitha krijesat. Çdo krijesë duket qartë që vepron ashtu si i përshtatet krijimit të vet, për të arritur dobitë e veta e për t’u ruajtur nga çdo e keqe. Madje edhe kafshëve u është dhënë një udhëzim i tillë, për t’iu mundësuar të arrijnë të mirat e të ruhen nga të këqijat. Kjo ngjan me ajetin tjetër kuranor: “Është Ai i cili e përsosi krijimin e çdo gjëje...”. [Sexhde 7]. Allahu jo vetëm që i krijoi, por edhe e përkreu dhe e zbukuroi krijimin e tyre. Askush nuk mund të bëjë diçka më të përkryer dhe të bukur se ajo që ka bërë Zoti. Ai i udhëzon

krijesat tek më e dobishmja për ta. Allahu është Krijuesi, Furnizuesi e Sunduesi, dhe kushdo që mohon këtë fakt është njëlloj si të ketë mohuar çdo gjë që ekziston. Mohimi i Zotit në fakt është arrogancë, kokëfortësi dhe këmbëngulje në të kotën. Nëse dikush mohon ekzistencën e gjërave që dihet botërisht se ekzistojnë, madje dëshmohen edhe nga shqisat, ky veprim do të konsiderohej si mendjelehtësi, arrogancë e këmbëngulje në kotësi. Mohimi i Zotit është më i keq dhe më i padrejtë se ky lloj mohimi. Kështu, kur Faraoni nuk mundi të hidhte poshtë këtë argument të prerë dhe të padiskutueshëm, iu shmang bisedës dhe filloi të polemizonte jashtë temës, për t’iu larguar qëllimit bazë. - Faraoni tha: “Si është, atëherë gjendja e popujve të hershëm?”” - Çfarë ka ndodhur me ta? Edhe ata, ashtu si ne, nuk i besuan këto që ti po na thua. Ata janë shembulli ynë. Atëherë, Musai i tha: - Musai Tha: “Dija për ata është te Zoti im, e shënuar, ashtu siç duhet, në një libër. Zoti im nuk gabon asnjëherë e as nuk harron asnjëherë”. - Allahu i ka ruajtur të gjitha veprat e tyre, të mira ose të këqija, dhe i ka shënuar në një libër madhështor, - Leuhi Mahfudh. Allahu i di me hollësi veprat e gjithësecilit. Asgjë nuk i shpëton diturisë së Zotit dhe Ai nuk harron kurrë. Ata popuj për të cilët po pyet bënë çfarë bënë dhe morën atë që merituan. Ata do të shpërblehen për veprat e tyre, prandaj pyetja jote për ta është e pakuptimtë dhe e pavend. Nëse shenjat e mrekullië që të treguam janë të vërteta prej Zotit, dhe të tilla janë, atëherë bindju të vërtetës dhe ftesës që po të jepet dhe largohu nga mohimi e padrejtësia! Lëre këtë polemikë të kotë! Gjithashtu, nëse pretendon se ato argumente nuk mjaftojnë, atëherë biseda është e hapur dhe ti mund të sjellësh argumente, që të hedhësh poshtë argumentet e mia! Me shmangie nga biseda, nuk ke për të shpëtuar! Allahu na njofton se Faraoni ishte i sigurt për vërtetësinë e Musait si profet, por sërish e mohoi. Allahu thotë: “Ata i mohuan ato (argumentet) në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, edhe pse ishin të bindur dhe të sigurt në to (se ishin nga Zoti). Shikoje se cili ishte fundi i shkatërrimtarëve!” [Neml 14]. Prandaj dhe Musai i tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o Faraon, se ti je i shkatërruar.”. [Isra 102]. Nga kjo kuptohej qartë se ai po tregohej kokëfortë dhe i padrejtë në polemikën e tij. Qëllimi i tij ishte thjesht madhështia dhe tirania në Tokë. - ... (Zoti im) është Ai, i cili e ka bërë Tokën si qilim për ju... - Allahu është Ai që Tokën jua shtroi dhe e përshtati, që të mund të jetoni në të në mënyrë komode, të ndërtoni, të mbillni e ta kultivoni tokën, të hapni rrugë e ta shtroni atë, e shumë gjëra të tjera. Ai nuk e bëri Tokën të papërshtatshme për ju, që të mos përfitonit prej saj. - ... dhe për të mirën tuaj hapi rrugë nëpër të. - Allahu ju mundësoi rrugë nëpër tokë e mes malesh, dhe kështu mundësoi të

ndërtoni lidhje mes vendeve të largëta. Njeriu mund të shkojë sot në çdo cep të botës me lehtësi. Nëpërmjet udhëtimeve, ai përfiton më shumë sesa në vendin e vet. - Ai e ka zbritur ujin prej qielli dhe me të mbijnë në çift bimë të llojeve të ndryshme. - Allahu hedh nga qielli shiun, prej të cilit mbijnë në çift bimë të llojeve të ndryshme, me forma e karakteristika të veçanta për secilën. Është Allahu që e mundëson ujin, si furnizim e begati për ne dhe për kafshët tona. Nëse nuk do të binte shi prej qiellit, do të vdiste çdo gjallesë në tokë. - Hani (nga mirësitë e Tij) dhe kulloteni bagëtinë tuaj (në atë bimësi) ! - Në kontekstin e mirësive, kjo tregon se, në origjinë, bimësia që del nga toka është e lejuar për ushqim, përveç atyre që dihet se janë dëmtuese, si bimët helmuese etj. - Vërtet, në të gjitha këto ka Shenja për ata që mendojnë. - Janë shenja të mjaftueshme për ata që kanë mendje të shëndoshë dhe të papërlyer, që të kuptojnë mirësinë, mëshirën, bujarinë dhe dhuratat e mëdha të Zotit. Çdo i logjikshëm e kupton përmes këtyre shenjave përkujdesjen e madhe të Allahut dhe bindet se Ai është i vetmi Zot, Krijues e i Plotpushtetshëm që meriton të adhurohet. Allahu është Sunduesi i Lavdëruar, i vetmi që meriton t’i përkushtohesh me adhurime, duke i shprehur dashurinë më të lartë dhe përunjësinë më të thellë. Vetëm Ai meriton të gjitha përlëvdimet, lavdërimet, mirënjohjen dhe adhurimin. Allahu është i vetmi që dhuron të gjitha mirësitë. Këto shenja tregojnë se Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka. Ashtu siç e ringjall tokën pasi është tërësisht e shkretë e pa jetë, ashtu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Allahu i Madhëruar i përmendi veçmas njerëzit me logjikë dhe që kuptojnë, sepse janë ata përfitojnë nga shenjat e Tij. Ata dinë të vështrojnë e të përfitojnë, ndërsa të tjerët janë si kafshët e bagëtitë, që nuk e kuptojnë qëllimin e këtyre shenjave. Ato hanë pinë, por zemrat i kanë të fjetura e të pavëmendshme, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “Sa e sa argumente ka në qiej e në tokë, pranë të cilave kalojnë, por u kthejnë shpinën. Shumica e tyre e besojnë Allahun veçse duke bërë idhujtari.” [Jusuf 105]. - Prej asaj (tokës) ju krijuam, në të do t’ju kthejmë përsëri e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër. - Allahu i Madhëruar na tregoi më lart për begatinë dhe bujarinë e tokës, e cila, kur bie shi, nxjerr prodhimet e saj, si falënderim dhe mirënjohje për Zotin e saj dhe me lejen dhe urdhrin e Tij. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se Ai na krijoi nga toka, tek ajo do të na kthejë kur të vdesim dhe të varrosemi, dhe prej saj do të na nxjerrë sërish, kur të vijë Dita e Llogarisë. Ashtu siç na krijoi kur nuk ekzistonim, dhe për këtë jemi të sigurt, do të vijë dita që Ai të na ringjallë pas vdekjes, për të na shpërblyer sipas veprave që kemi bërë në jetën e kësaj bote. Këto janë dy argumente logjike për vërtetësinë e ringjalljes: 1. nxjerrja e bimësisë nga toka e shkretë dhe e pajetë; 2. krijimi i njerëzve nga toka, kur ata nuk ekzistonin.

← Ta Ha 20:47