جَنَّٰتُ عَدۡنٖ تَجۡرِي مِن تَحۡتِهَا ٱلۡأَنۡهَٰرُ خَٰلِدِينَ فِيهَاۚ وَذَٰلِكَ جَزَآءُ مَن تَزَكَّىٰ
(do ta presin) Xhennete të Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përjetë. Ky është shpërblimi i atij që është pastruar nga mosbesimi.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Edhe pse i pa mrekullitë faraoni nuk deshi t’i pranojë, e Musain e quajti magjistar, duke i thënë se do të kundërvihemi edhe ne me magji. Musai caktoi vendin e kohën, ku do të zhvillohen garat në magji. Caktoi ditën e një feste të tyre, në mënyrë që të tuboheshin sa më shumë popullsi, që ta përjetonin të vërtetën sa më shumë njerëz. Faraoni i thirri të gjithë magjistarët dhe ndër më të aftit prej tyre i zgjodhi shtatëdhjetë e dy sish. Para se të fillonin t’i provonin forcat Musai ua tërhoqi vërejtjen magjistarëve për mëkatet e gënjeshtrës, prandaj ata u frikësuan dhe biseduan fshehtas për atë që ju tha Musai, por publikisht i quajtën magjistarë, edhe Musain, edhe Harunin. Musai nuk i paraqiti mrekullitë e veta i pari, por iu tha atyre të fillonin. Kur i hodhën në atë fushë litarët dhe shkopinjtë e tyre ata u dukën, se u shndërruan në gjarpërinj të mëdhenj, që rrëshqitnin barkas, saqë edhe Musai hetoi një farë frike. Atëherë Zoti e trimëroi, duke i thënë se magjia e tyre është mashtrim, mos të frikësohet, por ta hedhë shkopin e vet. Kur Musai e hodhi shkopin e vet ai u shndërrua në një gjarpër të madh, i cili një nga një i gëlltiti të gjitha mjetet e tyre, ndërsa njerëzit e shikonin me habi këtë ngjarje. Kur e panë këtë gjë magjistarët e kuptuan, se nuk ishte punë magjie, por mrekulli e Zotit, prandaj të gjithë u përulën në shenjë mirënjohjeje, pranimi dhe respektimi ndaj Allahut. I dëshpëruar nga disfata faraoni u kërcënua duke iu thënë, se Musai është mësuesi i tyre, prandaj ai do t’ua shkurtojë gjymtyrët e trupit nga një dorë e këmbë të djathtë e nga një të majtë. Mirëpo edhe pas këtij kërcënimi magjistarët që besuan Zotin, nuk u luhatën, i thanë se ai mund t’i gjykojë në këtë jetë, por kjo është e shkurtër, e se nuk dëshironin t’i paraqiteshin Zotit në Ditën e Gjykimit si kriminelë, e ta meritonin xhehenemin, por do të donin t’i paraqiteshin si besimtarë të sinqertë e me vepra të mira ta gëzojnë shpërblimin e vërtetë.