← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

21. Enbija · Ajeti 10 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:1–21:15

Njerëzve po u afrohet momenti i përgjegjësisë para Zotit, ndërsa ata janë zhytur në kënaqësitë e kësaj jete dhe as nuk mendojnë fare për këtë. Afrimi i ditës ose i momentit të llogarisë, është i sigurt ngase çdo e ardhme është e afërt, po edhe vdekja është një moment i përgjegjësisë.

Çdo pjesë të re e cila i shpallej Muhammedit, idhujtarët e tallnin, madje bënin biseda të fshehura mes vete: Muhammedi është njeri sikurse edhe ne, si mund t'i vijë atij shpallja? E për t'i larguar të tjerët prej besimit, thonin: Kjo është magji, ose ai po ëndërron gjëra të kota apo ndoshta ai vetë e trillon këtë Kur'an, e mund të jetë edhe poet. Kërkonin prej Muhammedit ndonjë mrekulli konkrete si shkopi i Musait, deveja e Salihut etj. Zoti xh. sh. i sqaron Muhammedit se edhe ata që ishin para tyre kërkuan gjëra të ngjashme dhe kur u plotësuan kërkesat e tyre ata përsëri refuzuan, e kështu do të bëjnë edhe mekasit, andaj hiqu tyre.

Të gjithë pejgamberët ishin burra që ushqeheshin, që ecnin e që vdisnin, e nëse këtë nuk e kuptojnë, atëherë le të pyesin njerëzit që janë të dijshëm dhe që kanë lexuar librat e mëparshme në mënyrë që të binden.

Kurejshitëve u tërhiqet vërejtja, pse nuk e pranonin Kur'anin kur ai ishte në gjuhën e tyre, e i ishte shpallur njeriut nga mesi i tyre. Thuhej se në të ishte edhe fama dhe autoriteti i tyre si popull i privilegjuar me shpallje në gjuhën e tyre, madje se mësimet e Kur'anit do t'u ngritnin i atyre karakterin njerëzor në këtë jetë dhe do t'i ngritnin në grada të larta në jetën tjetër.. i Kundërshtarët ishin kryelartë gjithnjë derisa e shihnin dënimin, atëherë ata ulnin kokën dhe orvateshin të iknin, por ishte e kotë, sepse urdhërit të Zotit nuk mund t'i iket, e engjëjt që u merrnin i shpirtin me atë dënim u thonin - në shenjë ironie: kthehuni në kënaqësitë që ishit, si mund të ndodhë që të mos u pyes askush për fatin tuaj... Kështu bëhej tallje me ta, mu sikurse bënin tallje ata me Kur'anin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:10–21:15

Allahu i Lavdëruar tregon për vlerën e madhe të Kuranit dhe i nxit njerëzit që ta besojnë dhe ta mësojnë mirë atë: - “Ne shpallëm Librin (Kuranin), në të cilin gjendet krenaria juaj. ” - Ibn Abasi shpje-gon: “Domethënë, nderi e fisnikëria juaj.” Ndërsa Muxhahidi shpjegon: “Domethënë, fama e krenaria juaj”. Ndërsa Haseni shpje-gon: “Domethënë, feja juaj” - “A nuk e kuptoni? ” - A nuk e kuptoni çfarë mirësie e madhe dhe e pashembullt është kjo?! A nuk jeni mirënjohës për të? I Lartësuari thotë: “Me të vërtetë, ai (Kurani) është lëvdatë e madhe për ty dhe për popullin tënd, dhe për këtë (mirësi) do të përgjigjeni.” [Zuhruf 44]. Ai është krenari për ty dhe për popullin tënd, sepse ai zbriti me gjuhën tuaj. 28 - “Sa e sa popuj që ishin keqbërës, Ne i shkatërruam ...” - Janë të shumtë popujt që Ne i shkatërruam. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Sa e sa breza kemi shkatërruar pas Nuhut. Mjafton që Zoti yt i di dhe i sheh të gjitha gjynahet e robërve të Tij.” [Isra 17]. Ose: “Sa e sa fshatra keqbërësish kemi goditur, që janë rrënuar tërësisht. Puset janë braktisur e pallatet e larta janë shkretuar . A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë, që zemrat e tyre të mund të mësojnë urtësinë dhe veshët e tyre të mund të dëgjojnë (të mirën) ?! Vërtet, nuk verbohen sytë, por verbohen zemrat në kraharor.” [Haxh 45]. - “... e në vend të tyre sollëm popuj të tjerë.” - Erdhën shumë popuj të tjerë. - “Ata kur e vinin re fuqinë e dënimit tonë ...” - Kur e shihnin se dënimi Ynë do t’i rrëmbente në mënyrë të pakthyeshme, ashtu siç u paralajmëruan nga profetët e tyre, ata - “... iknin me shpejtësi. ” - Iknin, me shpresën për t’i shpëtuar ndëshkimit. - “Mos ikni, po kthehuni në pasuritë dhe në banesat tuaja ...” - Kjo qe tallje me ta dhe poshtërim i tyre. Pra, mos ikni me vrap, por kthehuni në vendbanimin tuaj! Por si të ktheheshin, kur ata i përfshiu dënimi i ashpër i Zotit?! - “... se ndoshta do të mund të merreni vesh!” - Ndoshta mund t’ju lejohet të flisni e të përgjigjeni, në lidhje me mosmirë - njohjen që treguat ndaj Bamirësit të Madhëruar. - “Ata thoshin: “O të mjerët ne, që ishim zullumqarë!” - Ata i pranuan gjynahet dhe

padrejtësitë e tyre, në një kohë kur kjo nuk u vlente aspak (pra, në kohën e zbritjes së dënimit). - “Shkatërrimi i tyre vazhdoi, derisa i bëmë trupa të rrëzuar e të ftohur. ” - Ata vazhduan të përsërisnin këto fjalë, derisa i kapi dhe shfarosi dënimi, pastaj heshtën dhe trupat e tyre ngrinë pa jetë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:10

Allahu i Madhëruar i drejtohet popullit të fundit, ndër të cilët u dërgua Profeti më i zgjedhur, Muhamed Ibn Abdilah, dhe u thotë: - Ne shpallëm Librin (Kur'anin) në të cilin gjendet krenaria juaj. - Ju kemi zbritur një libër madhështor, të qartë dhe qartësues për gjithçka që keni nevojë. Ky libër ka për të qenë fama juaj, krenaria dhe lavdia juaj, nëse i jepni hakun. Detyra kundrejt tij është të besoni rrëfimet që gjenden në të si të vërteta të padiskutueshme, të zbatoni urdhëresat dhe të largoheni nga ndalesat e shkruara në të dhe të ruani kufijtë e Zotit, që ai ka përshkruar. Kështu do të rritet prestigji juaj ndër popuj. - A nuk e kuptoni? – A nuk arrini të dalloni atë që ju vlen dhe ju shpëton nga çdo ligësi? Vallë, a nuk doni që ky Kur'an të jetë lavdia juaj në këtë botë dhe në ahiret? Nëse do të kishit logjikë e të kuptonit, do ta ndiqnit udhën e duhur. Nëse ende nuk e keni ndjekur, atëherë ju nuk po gjykoni drejt dhe dijeni se kështu i keni hyrë një rruge që do të jetë poshtërimi, nënçmimi, dëshpërimi juaj i përjetshëm në këtë botë dhe në ahiret. Ky ajet është pasqyrues i asaj që ndodhi në realitet. Besimtarët e këtij Profeti që jetuan sipas Kur'anit, Allahu i Madhëruar i lartësoi. Sahabët dhe brezat e afërt me ta, Zoti i Madhëruar i lartësoi dhe ata u lëvduan në këtë botë dhe do të kujtohen gjithmonë për madhështinë e tyre mbi të gjithë mbretërit e historisë. Çdokush i njeh sahabët e Profetit dhe nxënësit e tyre të bindur dhe të ditur. Nga ana tjetër, dihet se çfarë ndodhi me ata që nuk jetuan sipas Kur'anit dhe nuk përfituan nga udhëzimi i tij. Për të tillët ngeli urrejtja, nënçmimi, harresa dhe dëshpërimi. Atëherë, nuk ka rrugë tjetër për të arritur lumturinë në të dyja jetët, veç asaj të Kur'anit.

← Enbija 21:10