21. Enbija · Ajeti 15

سورة الأنبياء
Përkthimi Sherif Ahmeti
15

فَمَا زَالَت تِّلۡكَ دَعۡوَىٰهُمۡ حَتَّىٰ جَعَلۡنَٰهُمۡ حَصِيدًا خَٰمِدِينَ

Mjerimi i tyre vazhdoi ashtu derisa i bëmë të korrur e të ftohur (të vdekur).*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Njerëzve po iu afrohet momenti i përgjegjësisë para Zotit, ndërsa ata janë zhytur në kënaqësitë e kësaj jete dhe as nuk mendojnë fare për këtë. Afrimi i ditës ose i momentit të llogarisë është i sigurt, ngaqë çdo e ardhme është e afërt, po edhe vdekja është një moment i përgjegjësisë. Për çdo pjesë të re, e cila i shpallej Muhamedit a.s. idhujtarët e tallnin, madje bënin biseda të fshehura mes vete: Muhamedi është njeri sikurse edhe ne, si mund t’i vijë atij shpallja? E për t’i larguar të tjerët prej besimit, thonin: Kjo është magji, ose ai po ëndërron gjëra të kota apo ndoshta ai vetë e trillon këtë Kuran, e mund të jetë edhe poet. Kërkonin prej Muhamedit a.s. ndonjë mrekulli konkrete, si shkopi i Musait, deveja e Salihut etj. Zoti xh. sh. e sqaron Muhamedin a.s., se edhe ata që ishin para tyre kërkuan gjëra të ngjashme dhe kur u plotësuan kërkesat e tyre ata përsëri refuzuan, e kështu do të bëjnë edhe mekasit, prandaj hiqu prej tyre. Të gjithë pejgamberët ishin burra që ushqeheshin, që ecnin e që vdisnin, e nëse këtë nuk e kuptojnë, atëherë le të pyesin njerëzit që janë të dijshëm dhe që kanë lexuar librat e mëparshme në mënyrë që të binden. Kurejshitëve iu tërhiqet vërejtja, pse nuk e pranonin Kuranin kur ai ishte në gjuhën e tyre, e i ishte shpallur njeriut nga mesi i tyre. Thuhej se në të ishte edhe fama dhe autoriteti i tyre si popull i privilegjuar me shpallje në gjuhën e tyre, madje se mësimet e Kuranit do t’u ngrinin atyre karakterin njerëzor në këtë jetë dhe do t’i ngrinin në grada të larta në jetën tjetër. Kundërshtarët ishin kryelartë gjithnjë derisa e shihnin dënimin, atëherë ata ulnin kokën dhe orvateshin të iknin, por ishte e kotë, sepse urdhrit të Zotit nuk mund t’i iket, e engjëjt që iu merrnin shpirtin me atë dënim u thonin - në shenjë ironie: kthehuni në kënaqësitë që ishit, si mund të ndodhë, që të mos u pyes askush për fatin tuaj... Kështu bëhej tallje me ta, mu sikurse bënin tallje ata me Kuranin.