← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

21. Enbija · Ajeti 24 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:16–21:29

Krijimi i qiejve dhe i tokës me të gjitha dukuritë dhe fenomenet në to, janë argument i fuqisë pakufishme të Zotit. Në bazë të një studimi serioz të tyre, njerëzit do të arrijnë ta kuptojnë dhe ta besojnë Krijuesin e tyre. Ky është një fakt që asgjëson çdo gënjeshtër.

Duke qenë pronë e Zotit çdo qenie e send që ekziston, disa mendjelehtë i përshkruajnë Zotit edhe fëmijë, e dihet se melaiket që janë më afër Tij, e ndjejnë veten rob të Tij, e adhurojnë pa ndërprerë dhe pa u lodhur. Edhe përkundër të gjitha këtyre fakteve, idhujtarët vazhduan të adhurojnë zota të tjerë që nuk kanë kurrfarë fuqie, po janë vetëm trupa të ngurtë. më I Sikur të ekzistonin shumë zota, do të shkatërrohej rregulli që mbretëron në botë dhe do të shkatërrohej e tërë gjithësia, pse ekzistimi edhe i ndonjë zoti tjetër, vetvetiu jep të kuptohet se ai është i nevojshëm, e zoti që ka nevojë edhe për ndonjë tjetër, ai nuk është zot, sepse paaftësia e tij shkakton ekzistimin e tjetrit, e tjetri duhet të ketë kompetencë, e dy kompetenca nuk mund të realizohen njëkohësisht, e realizimi i njërës e i tjetrës jo, mohon aftësinë e të dytit, kështu pra, ekziston vetëm një Zot dhe vetëm rregulli i Tij mbretëron në gjithësi. Meqenëse vetëm Ai është i Zoti çdo gjëje, Ai nuk përgjigjet pse punon në këtë mënyrë ose në atë.

Në asnjë libër para Kur'anit e as në Kur'an nuk ka fakte se pos Zotit që është një, ka edhe zota të tjerë, prandaj është për t'u habitur se si mashtrohen idhujtarët dhe adhurojnë sende të kota"

Besimi në një Zot të vetëm, nuk është risi prej Kur'anit ose prej Muhammedit. Çdo pejgamber ka porositur e mësuar të njëjtin besim, ka mësuar se engjëjt janë rob të Zotit dhe nuk mund ta ndihmonjë askë, pos atij, që e pelqen Zoti e për atë që mënjanon atë besim, vendi i tij do të jetë xhehenemi.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:24–21:25

- “Mos, vallë, kanë gjetur zota të tjerë veç Tij? Thuaj: “Sillni argumentet tuaja! ” - Thuaju, o Muhamed, atyre që kanë zgjedhur të adhurojnë idhujt: Çfarë argumentesh keni për këto që thoni e bëni? - “Ky (Kuran) është argument për këta që janë me mua dhe (po kështu ishin shpalljet e Zotit) për ata që ishin para meje.”. - Si Kurani, që m’u dha mua, ashtu edhe librat e zbritur në të shkuarën, dëshmojnë për të kundërtën e asaj që ju pretendoni. Çdo libër që u zbriti profetëve dëshmon se nuk ka të

adhuruar tjetër me meritë, veç Allahut të Lartësuar. - “Megjithatë, shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, prandaj edhe nuk vështrojnë”. - Duke qenë se ju nuk e dini të vërtetën e sjellë nga librat e Zotit, ju e refuzoni atë dhe i ktheni shpinën, në vend që të mësoni e të kuptoni të vërtetën. - “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” - I Lartësuari thotë: “Pyeti ata që i dërguam para teje: A kemi lejuar që, në vend të Allahut, të adhurohen zota të tjerë?” [Zuhruf 45], ose: “Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni shejtanëve (adhurimit të tyre) !” Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe pati nga ata që merituan të mbeten në humbje. Pra, udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve!” [Nahl 36]. Të gjithë profetët dhe shpalljet e Zotit ftojnë në adhurimin e Allahut si një të vetëm dhe pa ortak. Edhe natyrshmëria e pastër dëshmon dhe pohon diçka të tillë, ndërsa idhujtarët nuk kanë asnjë fakt ose argument ku të mbështeten. Ju nuk keni asnjë burim nga shpalljet e Zotit, ku të gjeni argument. Argumentimi juaj është i hedhur poshtë. “Ata që kundërshtojnë fenë e Allahut, pasi është pranuar (ndër njerëz) , sjellin argumente që janë të pavlefshme te Zoti i tyre. Mbi ta do të bjerë zemërimi i Tij dhe do të kenë një dënim të rëndë. Allahu është Ai që e zbriti Librin me të vërtetën e sigurt dhe me drejtësinë. Ti nuk mund ta dish: Ndoshta çasti i shkatërrimit është afër.”. [Shura 16, 17].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:21–21:25

- Mos, vallë, i gjejnë në tokë zotat që mund të ringjallin? - Allahu i Madhëruar na qartësoi në ajetet më sipër madhështinë e Tij dhe të pushtetit të Tij gjithëpërfshirës, pasi çdo gjë i është nënshtruar Atij. Në vijim, i Madhëruari i qorton idhujtarët, të cilët kanë marrë si zota idhuj nga krijesat, që janë tërësisht të pafuqishëm dhe pa asnjë kapacitet. Ata nuk kanë fuqi të ringjallin krijesat dhe t’i tubojnë për të dhënë llogari. Këtë e shpjegon më shumë fjala e Allahut të Madhëruar: “Ata (idhujtarët), në vend të Tij adhurojnë zota të tjerë, të cilët nuk kanë krijuar asgjë, sepse ata edhe vetë janë të krijuar. Ata nuk kanë mundësi t’i bëjnë vetes as mirë e as keq. Ata nuk kanë në dorë as vdekjen, as jetën e as ringjallje.” [Furkan 3]. Idhujtari adhuron krijesën, e cila as nuk sjell ndonjë dobi e as dëm. Ai nuk është i sinqertë në adhurimin e Allahut, të Cilit i takon çdo atribut i plotë dhe në dorën e të Cilit është çdo çështje. Dobia dhe dëmi janë në dorë të Allahut. Sigurisht, kjo tregon se Zoti i Urtë dhe i Gjithëditur nuk ia ka bërë mbarë idhujtarit që të gjejë udhën e drejtë, sepse ai e lë veten në padituri dhe e refuzon diturinë që i ofron Zoti. Ai zhytet në padrejtësi dhe mosbindje ndaj Zotit. Këtë gjithësi e rregullon veçse një Zot i vetëm, ashtu sikurse edhe u krijua nga një Zot i vetëm. - Sikur të kishte në to zota të tjerë veç Allahut, ato do të shkatërroheshin. - Nëse do të ekzistonin në qiej dhe në tokë dy Zota, ata dhe çdo krijesë do të ishin shkatërruar. Për ta kuptuar më mirë këtë, le të meditojmë pak në krijimin e qiejve dhe të tokës, në botën qiellore dhe atë tokësore, për aq sa mund të shohim dhe dimë për to. Çdo gjë është në perfeksion, në rregull dhe funksionon sipas një ligji shumë të saktë e preciz, që nuk ka asnjë të metë. Çdo gjë në gjithësi i është nënshtruar tërësisht një ligji të saktë dhe kurrë nuk del jashtë tij. Kjo tregon se Ai që rregullon dhe administron çështjet e kësaj gjithësie është Një dhe i vetëm. Ashtu siç e pranojmë se Krijuesi, Rregulluesi dhe Ligjvënësi i këtij krijimi është Një dhe i vetëm, ashtu duhet të besojmë se Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe që t’i nënshtrohesh dhe të jetosh sipas ligjit të Tij. Nëse do të kishte më shumë se një rregullues, atëherë ai ligj i rregullt do të prishej, sepse ata të dy do të binin në konflikt e do të kërkonin secili të

dilte mbi tjetrin. Nëse njëri do të dëshironte diçka dhe tjetri jo, atëherë mundësitë janë: ose të realizohen të dyja të kundërtat, gjë që është e pamundur; ose të realizohet dëshira e njërit, gjë që tregon se tjetri është i pafuqishëm dhe, si i tillë, ai nuk është Zot. Një mundësi e tretë është që ata të bien dakord për çdo çështje, por edhe kjo është e pamundur. Kjo tregon se ka vetëm një mundësi. I Plotpushtetshmi është vetëm Një i vetëm, që pushtetin dhe vullnetin e Tij nuk e ndan me asnjë dhe Atë nuk e pengon dot askush. Allahu i Madhëruar përmend këtë argument, që tregon se nuk mund të pranohen dy zota: “Allahu nuk ka zgjedhur për Vete asnjë fëmijë (as nga melekët, e as nga njerëzit) dhe, përveç Tij, nuk ka ndonjë të adhuruar tjetër, përndryshe secili zot do të sundonte atë që ka krijuar, dhe do të dominonin njëri mbi tjetrin. I lartë dhe i dëlirë është Allahu nga shpifjet e tyre. Ai e di të fshehtën e të dukshmen. Ai është i dëlirë nga ajo që ata i shoqërojnë.” I njëjtë me këtë është edhe ajeti tjetër, sipas njërit prej kuptimeve të tij: “Thuaj: “Sikur të kishte zota të tjerë përveç Atij, sikundër thonë ata, atëherë ata (zotat) do të kërkonin rrugë për mbizotërim ndaj Zotit të Fronit (për t’ia marrë pushtetin) ”. I dëlirë dhe i lartësuar qoftë Ai nga ato gënjeshtra që thonë ata!” - Larg asaj që i përshkruajnë është Allahu, Zoti i Fronit! – I pastër, pa të meta dhe i lartësuar është Allahu nga çdo mangësi. Ai është i Vetmi dhe Absoluti në të gjitha cilësitë dhe emrat e bukur që ka. Allahu është: “Zoti i Fronit”. Froni është mbulesa e të gjitha krijesave dhe krijesa më madhështore e Zotit. Zoti i Fronit është edhe Zoti i të gjitha krijesave poshtë tij. I pastër është Allahu nga shpifjet e trillimet e mohuesve. Ai nuk ka nevojë për bir apo grua, ashtu si nuk ka nevojë për partner e ndihmës në pushtetin e Tij. - Ai nuk pyetet për çfarë bën, ndërsa ata do të pyeten. - Allahu është Ngadhënjimtari i Madhëruari dhe i Ploti në pushtetin e Tij. Askush nuk mund ta kundërshtojë dhe ta pengojë Atë që të thotë ose të bëjë diçka. Ai është i Urti absolut, që i vendos gjërat në vendin e vet duke i përkryer ato. Çdo gjë e ka bërë të bukur dhe Atij nuk mund t’i kërkojë llogari askush. Në krijimin e Zotit nuk mund të gjesh asnjë mangësi. Ndërsa krijesat, të gjitha pa përjashtim, do të pyeten për fjalët e thëna dhe për veprat që bëjnë, sepse ata janë të varfër e të pafuqishëm dhe janë të nënshtruar e pa pushtet. Ata nuk mund të veprojnë dhe kontrollojnë asgjë, as në vetet e tyre e as në të tjerët. - Mos, vallë, kanë gjetur zota të tjerë veç Tij? - Këtu kemi përsëri një përçmim të gjendjes së idhujtarëve, që adhurojnë zota të tjerë. Duke i qortuar e paralajmëruar, Allahu i Madhëruar thotë: - Thuaj: “Sillni argumentet tuaja!” - Thuaju të sjellin argumentet e tyre për saktësinë e besimit që kanë. Por ata kurrë nuk kanë për të gjetur argument. Përkundrazi, argumentet dhe faktet e shumta janë për kotësinë e idhujtarisë dhe për ndëshkueshmërinë e saj. Prandaj tha: - “Ndërsa ky është argument për këta që janë me mua dhe për ata që ishin para meje”. Megjithatë, shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, prandaj edhe nuk vështrojnë. - Kështu, të gjithë librat dhe shpalljet janë unanimë në mesazhin për lartësimin e teuhidit dhe ndalimin e idhujtarisë. Këta janë librat e Zotit, ku është përmendur gjithçka që robërit kanë nevojë, së bashku me argumentet e shumta dhe faktet e pamohueshme. Të gjitha shpalljet e Zotit janë kundër idhujtarisë. Duke qenë se para njerëzve ka argumente të prera dhe të pakundërshtueshme, tashmë ata nuk kanë më asnjë justifikim para Zotit. Gjithashtu, kuptohet se ata nuk kanë argumente për atë që besojnë, sepse argumentet e prera dhe bindës nuk ka asgjë që mund t’i hedhë poshtë. Në të kundërt, ato nuk do të quheshin argumente të prera, por thjeshtë supozime, hamendësime e dyshime të kota. Të tilla supozime e hamendësime nuk sjellin asgjë kundrejt të vërtetës. Vërej me

kujdes! Allahu i Lartësuar thotë: “...shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, ndaj edhe nuk vështrojnë.” Kjo tregon se ata vazhdojnë t’u përmbahen kotësirave thjesht të shtyrë nga pasimi i verbër i të parëve të tyre. Për hir të këtij pasimi të verbër, ata polemizojnë për të kotën, pa pasur udhëzim dhe dritë nga Zoti. Gjithashtu, fakti që ata nuk dinë rreth të vërtetës nuk është për shkak se e vërteta është e paqartë apo është e fshehtë dhe nuk mund të kuptohet. Kjo ndodhi për tjetër shkak: ata i kanë kthyer shpinën së vërtetës. Nëse do ta shihnin dhe mendonin rreth së vërtetës, qoftë edhe me një shikim të shpejtë, do t’u bëhej e qartë e vërteta pa u lënë asnjë dyshim. Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na udhëzon që për të tilla çështje, të shohim edhe në shpalljet e shkuara. Në vijim, Ai bën një qartësim të plotë, duke thënë: - Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” - Të gjithë profetët para teje dhe librat e tyre, në thelb kishin urdhrin për adhurimin e një Zoti të vetëm dhe të pashoq. Të gjithë ata kishin sqaruar se Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë dhe se adhurimi i gjithçkaje tjetër është i kotë.

← Enbija 21:24