۞ وَمَن يَقُلۡ مِنۡهُمۡ إِنِّيٓ إِلَٰهٞ مِّن دُونِهِۦ فَذَٰلِكَ نَجۡزِيهِ جَهَنَّمَۚ كَذَٰلِكَ نَجۡزِي ٱلظَّٰلِمِينَ
Ndërsa, kush thotë prej tyre se unë jam zot pos Tij, ndëshkimi për të është xhehennemi. Kështu i ndëshkojmë Ne zullumqarët.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Krijimi i qiejve dhe i tokës me të gjitha dukuritë dhe fenomenet në to janë argument i fuqisë së pakufishme të Zotit. Në bazë të një studimi serioz të tyre njerëzit do të arrijnë ta kuptojnë dhe ta besojnë Krijuesin e tyre. Ky është një fakt që asgjëson çdo gënjeshtër. Duke qenë pronë e Zotit çdo qenie e send që ekziston disa mendjelehtë i përshkruajnë Zotit edhe fëmijë, e dihet se melaiket që janë më afër Tij, e ndjejnë veten rob të Tij, e adhurojnë pandërprerë dhe pa u lodhur. Edhe përkundër të gjitha këtyre fakteve idhujtarët vazhduan të adhurojnë zota të tjerë, që nuk kanë kurrfarë fuqie, po janë vetëm trupa të ngurtë. Sikur të ekzistonin shumë zota do të shkatërrohej rregulli që mbretëron në botë dhe do të shkatërrohej e tërë gjithësia, pse ekzistimi edhe i ndonjë zoti tjetër, vetvetiu jep të kuptohet, se ai është i nevojshëm, e zoti që ka nevojë edhe për ndonjë tjetër, ai nuk është zot, sepse paaftësia e tij shkakton ekzistimin e tjetrit, e tjetri duhet të ketë kompetencë, e dy kompetenca nuk mund të realizohen njëkohësisht, e realizimi i njërës e i tjetrës jo, mohon aftësinë e të dytit; kështu pra, ekziston vetëm një Zot dhe vetëm rregulli i Tij mbretëron në gjithësi. Meqenëse vetëm Ai është i Zoti çdo gjëje, Ai nuk përgjigjet pse punon në këtë mënyrë ose në atë. Në asnjë libër para Kuranit, e as në Kuran nuk ka fakte, se pos Zotit që është një ka edhe zota të tjerë, prandaj është për t’u habitur se si mashtrohen idhujtarët dhe adhurojnë sende të kota? Besimi në një Zot të vetëm, nuk është risi prej Kuranit, ose prej Muhamedit a.s. Çdo pejgamber ka porositur e mësuar të njëjtin besim, ka mësuar se engjëjt janë rob të Zotit, dhe nuk mund ta ndihmojnë askënd, pos atij, që e pëlqen Zoti e për atë që mënjanon atë besim, vendi i tij do të jetë xhehenemi.