← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

21. Enbija · Ajeti 30 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:30–21:47

Në Kur'an thuhet se qiejt e toka ishin të bashkuar në një, e pastaj janë ndarë. Pas këtij konstatimi të Kur'anit nuk kemi kurrfarë nevoje për ndonjë dokument tjetër mendor. Po kështu përmendet uji si bazë për jetën e çdo sendi, pra, asgjë nuk është krijuar pa qëllim të caktuar. Edhe bjeshkët e mëdha e të forta garantojnë stabilitetin e tokës, sikurse edhe atmosfera rreth tokës që shërben si kulm i cili mbron prej meteorëve e sendeve të tjera. Madje ndryshimi i relievit të tokës nuk është pasojë rasti, por rrjedhim i një qëllimi të caktuar që njerëzit të orientohen më lehtë.

Idhujtarët thonin se pas vdekjes së Muhammedit, ata do t'i kthenin besimtarët përsëri në fene e tyre, ndërsa Kur'ani u thotë se ajo gjë nuk do të ndodh, sepse ata do të zhdukeshin, e feja islame Jo të vazhdojë. Askush nuk është i pavdekshëm, çdo krijesë do ta shijojë vdekjen. Të gjithë do të sprovohen me të mira e të këqia, në mënyrë që të shihet edhe falënderimi për të mirat dhe durimi ndaj vështirësive, kurse shpërblimi do të jepet sipas qëndrimit tuaj.

Jobesimtarët kurejshitë si Ebu Xhehli etj., përqeshnin Muhammedin, pse ai fyente zotat e tyre, e nuk vërenin veten se bënin gabim të madh, duke mos e besuar Zotin e vërtetë. Ata e dinin se do t'i zë dënimi, e duke mos pasur durim të rrinin gjithnjë në pritje, kërkonin që dënimi t'u vijë më shpejt, e nuk e dinin se ai do t'u vijë befas e do t'i tmerrojë e atëherë ata nuk do të mund të largojnë prej vetes zjarrin. Zotat e tyre janë të ngurtë dhe nuk kanë kurrfarë mundësie, e kush do t'i mbrojë pos Zotit. Ata ishin të mashtruar, ngase Zoti u kishte dhënë jetë të begatshme dhe harronin se do të vdesin. Nuk e vërenin se dita ditës ngushtohej territori i vendit të tyre, ndërsa i myslimanëve, përkundrazi, zgjerohej. Kështu atyre u vinte fundi i jetës, shfarosja e tyre.

Në ditën e gjykimit nuk mbetet asnjë send pa u vënë në peshojë, e as vepra më e vogël, askujt nuk i bëhet padrejtë, por atëherë do ta vajtojnë veten kokëfortit, edhe pse me vonesë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:30–21:33

- “A nuk e dinë jobesimtarët se qiejt e Toka ishin bashkë (si një e tërë) , pastaj Ne i ndamë dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo gjallese?” - A nuk e dinë ata që nuk e pranojnë faktin se Allahu i Lartësuar është i vetmi që meriton adhurimin e krijesave, ata të cilët adhurojnë edhe idhuj, si ortakë të Zotit, se Allahu është i vetëm në pushtetin për të krijuar dhe i vetëm në administrimin dhe rregullimin e çështjeve të krijesave?! A nuk e dinë ata se qiejt e Toka, në fillim ishin njësh, të bashkuara, pastaj Allahu i Lartësuar i ndau, duke krijuar 7 qiej dhe 7 toka? Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë që e ka bërë ujin origjinë të çdo gjëje të gjallë. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, i cili rrëfen: 1808. “Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, kur unë të shoh ty, shpirti më kënaqet dhe sytë më qetësohen. Më trego për çdo gjë, o i Dërguari i Allahut!” Atëherë, ai i tha: “Çdo gjë është e krijuar nga uji.” - “Më trego për një gjë që,

nëse e bëj, kam për të hyrë në Xhenet!” Ai tha: “Përhap selamin, shpërnda ushqim (për nevojtarët), mbaji fort lidhjet farefisnore, ngrihu për t’u falur natën kur njerëzit janë në gjumë, pastaj do të hysh në Xhenet me selam.” Isnadi i këtij hadithi është sipas kushteve të dy Sahih-ëve, përveç faktit se Ebu Mejmunete është prej transmetuesve të Sunen-eve dhe emri i tij është Sulejm. Imam Tirmidhiu ka quajtur të saktë hadithe që kanë ardhur prej tij. - “A nuk do të besojnë, atëherë? ” - A nuk besojnë, kur dëshmojnë krijesa, të cilat dalin në jetë gradualisht? Këto të gjitha tregojnë për ekzistencën e Krijuesit, i Cili vepron me vullnetin dhe përzgjedhjen e Tij dhe i Cili është i plotpushtetshëm për gjithçka, siç ka thënë një poet: “Çdo gjë që ekziston, për Zotin që është Një tregon.” Sufjan el Theuriu sjell hadithin nga Ikrima, dhe ky nga i ati, i cili rrëfen se Ibn Abasi është pyetur njëherë: “A ka ekzistuar nata në fillim, apo dita?” Ai tha: “Kur qiejt dhe Toka ishin bashkë, a kishte gjë tjetër mes tyre, përveçse errësisrë? Kështu që, ta dini se nata ishte para ditës.” - “Në Tokë, Ne kemi vënë male të paluhatshme, që ajo të mos lëkundet. ” - Allahu i Lartësuar vendosi malet, për ta bërë Tokën të palëvizshme. Kështu, Allahu i Lartësuar e forcoi atë, që ajo të mos të lëkundet dhe të anojë bashkë me njerëzit, e që ata të mos gjejnë prehje mbi të. Toka është në ujë, pra, është e mbuluar me ujë, përveç një të katërtës së saj, e cila është e shfaqur ndaj ajrit dhe diellit. Banorët e saj vështrojnë qiellin dhe gjithçka të saj, shenja të mrekullueshme që tregojnë për ekzisten - cën dhe për urtësinë e Krijuesit, që është i ditur, i plotpushtetshëm dhe i urtë në krijimin e Tij. - “Midis tyre kemi bërë lugina e rrugë të gjera për të kaluar, që ata të dinë të orientohen.” - Allahu i Lartësuar bëri të mundur të ketë hapësira mes maleve, që njerëzit të hapin rrugë dhe të lëvizin nga një vend në tjetrin. - “Qiellin e kemi bërë si një mbulesë të sigurt.” - E bëmë qiellin mbulesë, si kubé. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ne e ngritëm qiellin me fuqinë Tonë dhe Ne e zgjerojmë atë.” [Dharijat 47]. Ose: “Betohem për qiellin dhe për Atë që e ndërtoi.” [Shems 5]. Ose: “A nuk e vështrojnë qiellin sipër tyre, se si e kemi ndërtuar dhe zbukuruar, pa lejuar në të asnjë të çarë?!” [Kaf 6]. Kështu, Allahu i Madhëruar na tregon se e ka ndërtuar qiellin dhe e ka ngritur kupolën e tij. Ndërsa në këtë ajet, Ai thotë se e ka bërë atë si mburojë, që askush nuk mund të depërtojë në të. - “Megjithatë, ata u kthejnë shpinën shenjave, që këto objekte tregojnë. ” - Ata nuk thellohen në madhështinë e këtij krijimi. Ata nuk meditojnë mbi trupat qiellorë, për ata që janë të qëndrueshëm (në dukje), apo për ata që lëvzin, me të cilët Allahu i Lartësuar ka zbukuruar qiellin. - “Është Allahu Ai që krijoi natën dhe ditën. ...” - Ai e krijoi natën të errët, ndaj krijesat pushojnë dhe qetësohen gjatë saj. Ndërsa ditën e bëri të shndritshme, që njerëzit të lëvizin të qetë, për të kërkuar mirësitë e Allahut. Allahu i Madhëruar herë zgjat njërën, duke shkurtuar tjetrën dhe herë tjetër bën të kundërtën. - “... Diellin dhe Hënën.” - Dielli ka dritën e vet, që është e veçantë për të, ashtu siç ka edhe një rrugë të përcaktuar, nëpër të cilën lëviz. Ai ka kohën e vet të lëvizjes, të posaçme për të. Ndërsa Hëna ka dritë tjetër, që është e veçantë për të, si dhe një rrugë të përcaktuar, nëpër të cilën lëviz. Ajo ka kohën e vet të lëvizjes, të posaçme për të dhe të ndryshme nga tjetra. Por Allahu i Lartësuar thotë për të dyja: - “Të gjithë notojnë - secili në orbitën e tij (të caktuar) .” - Jedûrûn, domethënë, vërtiten në formë rrethore. Ibn Abasi ka thënë: “Domethënë, vërtiten ashtu si filli i perit në tjerrëse.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:30

- A nuk e dinë jobesimtarët se qiejt e Toka ishin bashkë (si një e tërë) , pastaj Ne i ndamë dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo gjallese? - Allahu i Madhëruar i fton ata që e mohojnë me forcë, që t’i nënshtrohen për të adhuruar vetëm Atë me sinqeritet dhe që të meditojnë mbi faktet e shumta që Ai ka vendosur në qiej dhe në tokë. I gjithë ky krijim tregon qartë, për ata që kanë sy të shohin, se Allahu është Zoti i Lavdëruar, i Adhuruari i Vetëm. Allahu i Madhëruar u ka mundësuar njerëzve që ta shohin qiellin, i cili është si një i tërë e i mbyllur, në të cilin nuk ka asnjë re dhe nga i cili nuk duket se do të dalë shi. Edhe tokën e ka përshkruar si “ ratkan”, që do të thotë se ajo është e vdekur, e thatë, e shkretë dhe nuk duket se do të dalë bimësi prej saj. Pastaj - thotë Ai - qiellin e mbush me shi, ndërsa tokën e çan me bimësi. A nuk është Allahu Ai që nxjerr re në qiell kur ai është i kthjellët e krejt i pastër? A nuk është Zoti Ai që lëshon aq shumë shi, ku ndoshta pak më parë nuk shihej asgjë në qiell, madje ai dukej si diçka e mbyllur e vulosur, nga i cili nuk mund të dilte asgjë?! Allahu e lëshon shiun në një tokë të vdekur e të thatë, anët e së cilës janë pluhurosur dhe ku uji është zhdukur e tharë me kohë. Kur shiu bie mbi të, toka hapet dhe gjallërohet me bimësi. Ajo mbushet me lloj -lloj bimësh në çift. A nuk tregojnë të gjitha këto se Allahu është i

Vërteti dhe se çdo gjë tjetër që njerëzit adhurojnë, është e kotë? A nuk tregon kjo se Allahu i Madhëruar do t’i ringjallë të vdekurit dhe se Ai është i Gjithëmëshirshëm e Mëshirëplotë? Prandaj Ai fton te besimi i vërtetë kur thotë: - Atëherë a nuk do të besojnë? - Nuk po kthejnë rrugë dhe të besojnë me një iman të saktë, të sigurt dhe të pastër nga shirku?

← Enbija 21:30