← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

21. Enbija · Ajeti 74 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:74–21:86

Pasi qe larguar Ibrahimi me të birin e vëllait të vet, Lutin, prej Irakut e vajtën në Palestinë, Zoti xh. sh. e dërgoi Lutin pejgamber te populli i Sedumit, por për shkak se ai popull ishte shumë i prishur, Zoti e shkatërroi, ndërsa Lutin e shpëtoi. Edhe Nuhun e shpëtoi prej atij populli që ishte shumë kokëfortë, ngase nuk pranonin asnjë këshillë të pejgamberit, andaj e merituan përmbytjen në ujë, Në kohën e Davudit kishte ndodhur që delet e dikujt kishin dalë natën dhe meqenëse nuk kishte bari ato kishin kullotur e rrafshuar I tërë bimën e mbjellë të njerit, Davudi e pleqëroi këtë duke ia dhënë delet të zotit të bimës. Duke dalë ata prej Davudit i takoi Sulejmani, I e kur kuptoi gjykimin e babait, i tha: O i dërguar i Zotit, do të ishte më i arsyeshëm ky gjykim: delet 'i jepen të zotit të bimës që t'i shfrytëzojë I deri sa i zoti i tyre la përgatiste arën, ta mbjellte bimën, e kur të vijë koha e korrjes, delet t'i kthehen të zotit, ndërsa fryti nga korrja të zotit të bimës. Me këtë gjykim u kënaq edhe Davudi.

Edhe në tjera vende në Kur'an përmendet se çdo gjë që ekziston madhëron dhe lartëson Zotin në gjuhën e vet, edhe pse ne nuk e kuptojmë. Thuhet se Davudi e kishte zërin shumë të këndshëm, e kur e lexonte Zeburin, ndaleshin edhe shpendët në ajër dhe e shoqëronin atë. Po ashtu bënin edhe malet. Gjithashtu për Davudin thuhet se ishte i pari mjeshtër që punonte prej hekuri këmisha mbrojtëse për luftë. (Përmendet edhe një gjykim mes dy nënave për një fëmijë).

Sulejmani e kishte nën sundimin e vet erën, me anën e të cilës udhëtonte për një kohë shumë të shkurtër prej Jerusalemit në Sham - Siri, vend për të cilin thuhet se ishte tokë e bekuar për arsye se në të kishte llojlloj frutash, ujërash etj. Xhinet të cilët nuk ishin besimtarë quhen edhe shejtanë, e fjala është për të tillët, të cilët ishin të detyruar të punonin për Sulejmanin. Për pejgamberin Ejub thuhet se ishte europian e kishte pasur edhe fëmijë e pasuri. Më vonë ai mbeti pa pasuri, ndërsa fëmijët i vdesin, por ishte shumë i durueshëm. Dhe, e kap sëmundje e rëndë edhe atë, por prap ai ishte i durueshëm. Kur populli filloi ta përgojojë duke thënë se ka bërë mëkat të madh ndaj Zotit derisa po provohej ashtu, ai iu drejtua Zotit që t'ia largojë atë mundim. Sipas një transmetimi thuhet se gruaja e vet i paska thënë se përse nuk po i lutet Zotit që t'ia largojë atë sëmudje të gjatë, që sipas disave ka zgjatur tetë vjet, e sipas disa të tjerëve tetëmbëdhjetë vjet, ai i paska thënë gruas: "Sa vjet isha i shëndoshë" Ajo i thotë, tetëdhjetë, atëherë ai paska thënë: Më vjen turp prej Zotit të ankohem pa i bërë po aq vite sëmundjeje sa kam qenë i shëndoshë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:71–21:75

- “Ne e shpëtuam atë së bashku me Lutin, për t’i vënë në atë tokë, që e kemi bekuar për njerëzit .” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai e ruajti dhe e shpëtoi Ibrahimin nga zjarri, në të cilën e hodhën populli i tij, dhe i mundësoi atij që të largohej prej tyre si muhaxhir, për të shkuar në Sham, dhe pikërisht në vendin e bekuar atje. Ai ishte në tokën e Irakut, kur Allahu i Lartësuar e shpëtoi atë së bashku me Lutin, djalin e vëllait të tij, për të shkuar në Sham, për të cilin thuhet se është: “Qendra e hixhretit”. Në të bën pjesë dhe Palestina. Është thënë se atje do të jetë sheshi i Mahsherit (tubimit të njerëzve para Kijametit) dhe Mensherit. Në të do të zbresë Isai, i biri i Merjemes (paqja e Zotit qoftë mbi të), dhe pikërisht në të do të shkatërrohet edhe Dexhali. Më pas, Ibrahimi u martua me bijën e xhaxhait të tij, Sarën, dhe doli së bashku me të si muha - xhir, për t’u larguar nga vendi i tij, Iraku, e për të shkuar, siç thotë Allahu: “... në atë tokë, që e kemi bekuar për njerëzit” .

- “Ne i falëm atij Is’hakun dhe më pas edhe Jakubin, si dhuratë.” - Ibn Abasi dhe të tjerë kanë thënë që: en nafile quhet fëmija i fëmijës (nipi). Domethënë, atij iu dhurua Jakubi, i cili ishte fëmija i Is’hakut. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ne e përgëzuam atë me Is’hakun, e pas Is’hakut, me Jakubin.” [Hud 71]. Abdurrahman Ibn Zejd Ibn Eslemi ka thënë që: kur Ibrahimi u lut për një fëmijë, tha: “O Zoti im! Më dhuro pasardhës të mirë!” [Safat 100]. Allahu i Lartësuar i dhuroi Is’hakun, dhe më pas Jakubin (nafile), si dhuratë bujare prej Tij. - “Që të gjithë i bëmë të mirë .” - Të gjithë këta, Allahu i Lartësuar i bëri punëmirë. - “Ne i bëmë ata shembuj të mirë, që udhëzonin sipas urdhrit Tonë. ” - I bëmë udhëheqës të së mirës, që njerëzit t’i kenë si shembuj të mirë, për t’u ndjekur. Ata i ftonin njerëzit që, me lejen e Allahut, të nënshtroheshin për adhurimin e Tij. - “Ne i orientuam në vepra të mira, në faljen e namazit dhe në dhënien e zekatit. Ata ishin adhurues të sinqertë .” - Ata ishin adhurues të sinqertë të Allahut, që zbatonin çdo urdhër e porosi dhe i përmbushnin të parët ato gjëra për të cilat ftonin të tjerët. - “Edhe Lutin e bëmë profet dhe të ditur.” - Flitet për Lutin, të birin e Haranit, që ishte biri i Adharit. Ai e besoi Ibrahimin (Paqja e Zotit qoftë me ata të dy!), pasoi rrugën e tij dhe emigroi së bashku me të. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Luti besoi në të (Ibrahimin) dhe ai tha: “Unë do të mërgoj atje ku më udhëzoi Zoti im. Ai është i Gjithfuqishmi, i Urti”. ” [Ankebut 26]. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë për të: “Lutin e bëmë profet dhe të ditur.” Allahu i Lartësuar i dha aftësinë e të gjykuarit drejt dhe dituri të madhe. Ai i dha, gjithashtu, shpallje dhe e bëri profet, për ta dërguar te banorët e Sodomës dhe për t’i paralajmëruar ata, në lidhje me punët e tyre të këqija. Ai i këshilloi ata për t’u larguar nga poshtërsitë që kryenin, por ata e kundërshtuan, duke e konsideruar gënjeshtar. Atëherë, Allahu i Lartësuar i shkatërroi ata, bashkë me vendbanimet e tyre. - Ne e shpëtuam atë prej atij vendi që bënte vepra të ndyra. Ata ishin një popull i keq dhe i shfrenuar . Atë e shpëtuam dhe e përfshimë në mëshirën Tonë. Ai ishte vërtet prej më të mirëve .

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:74–21:75

- Edhe Lutin e bëmë profet dhe të ditur. - Allahu i Madhëruar e lavdëron Profetin e Tij, Lutin (a.s), duke e përshkruar si dijetar të madh të fesë dhe gjykatës të drejtë për njerëzit. Allahu ia dhuroi diturinë dhe gjykueshmërinë e drejtë dhe Ai e dërgoi si profet në popullin e tij. Luti e ftoi popullin në adhurimin e Allahut dhe i paralajmëroi për ndëshkimin, për shkak të veprave të poshtra që kryenin. Ai i ftoi pandërprerë dhe pa u lodhur, por ata vazhduan në perversitetin e tyre. - Ne e shpëtuam atë prej atij vendi që bënte vepra të ndyra. - Ata nuk iu përgjigjën ftesës së tij, prandaj Allahu ua ktheu përmbys vendbanimet dhe u zbriti një dënim shfarosës, që nuk la asnjë të gjallë mbi dhe. Ata u ndëshkuan kështu, sepse - siç thotë edhe Allahu - ata ishin një popull i keq, që shkelën çdo kufi. - Ata ishin një popull i keq dhe i shfrenuar. - Ata e refuzuan njeriun që i ftonte në rrugën e Zotit, madje e kërcënuan se do ta dëbonin nga vendi. Por Allahu i Madhëruar e shpëtoi Lutin dhe familjen e tij, duke e urdhëruar që të iknin herët, pa çelur dita, që të largoheshin sa më shumë nga ai vend, i cili do të goditej nga zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut. Kështu, ata u larguan dhe shpëtuan, me mirësinë dhe kujdesin e madh të Allahut. - Atë e shpëtuam dhe e përfshimë në mëshirën Tonë. - Çdokush që hyn në mëshirën e Allahut është i siguruar nga e keqja, frika dhe ankthi dhe ka për të arritur lumturinë dhe emrin e mirë në botë.

- Ai ishte vërtet prej më të mirëve. – I tillë ishte Luti (a.s.), sepse ai bënte vepra të mira. Nuk ka dyshim se përmes veprave të mira, Allahu ndreq të metat që gjenden te njeriu. Veprat e mira janë shkaqe që të fusin në mëshirën e Allahut, ashtu sikundër gjynahet bëhen shkak që të privohesh nga mëshira e Allahut. Njerëzit që bëjnë më tepër vepra të mira janë profetët, prandaj Allahu i Madhëruar i përshkruan ata si punëmirë. Edhe Sulejmani (a.s) u lut që të ishte vepërmirë, kur tha: “Zoti im, më mundëso që të falënderoj për të mirat e Tua, që m’i ke dhuruar mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, që Ti i pëlqen! Me mëshirën Tënde, më fut në mesin e robve të Tu të mirë!”. [Neml 19].

← Enbija 21:74