ذَٰلِكَ بِمَا قَدَّمَتۡ يَدَاكَ وَأَنَّ ٱللَّهَ لَيۡسَ بِظَلَّٰمٖ لِّلۡعَبِيدِ
Këtë, për shkak të asaj që bënë duart tua, ndërsa All-llahu nuk është zullumqar ndaj robërve.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Thirrja në fillim të kaptinës iu drejtohet të gjithë njerëzve, që t’iu përmbahen urdhrave të Zotit e të largohen prej gjërave të ndaluara, sepse prapa kanë tmerrin e Ditës së Kijametit, kur nëna harron foshnjën që e ka për gjiri, dhe që e ka më të dashurin në botë, shtatzëna barrën e hedh para kohe prej frikës, kurse njerëzit duken sikur të ishin të dehur prej momentit të llahtarshëm. Gjithnjë ka pasur njerëz, që nga mendja e vet kanë trilluar shpifje ndaj Zotit dhe kanë ndjekur rrugën e djallit, i cili e ka për detyrë ta humbë dhe ta orientojë për xhehenem atë që i bashkohet dhe vepron sipas mësimeve të tij. Njerëzit duhet ta vështrojnë fuqinë e Zotit në krijimin e njeriut të parë prej dheu, madje në krijimin e njerëzve të tjerë fazë pas faze, duke filluar prej një pike uji e me radhë, pastaj përsosjen e krijimit të disave në bark të nënës dhe mospërsosjen e të tjerëve, të cilët dështojnë e nuk linden të shëndoshë. Kurse ata që linden, disa vdesin herët e të tjerët jetojnë gjatë deri në pleqëri të thellë. Toka që duket e vdekur nga të thatit, kur t’i bjerë shiu ngjallet e zbukurohet. Këtë e bën Allahu, që ka mundësi të ringjallë edhe të të vdekurit pas Kijametit, për të cilin s’ka dyshim se do të ndodhë. Disa arrogantë e të prishur lakojnë qafën, i ikin të vërtetës, duke mos pasur kurrfarë dije e argumenti, por me qëllim që të bëjnë shokë për rrugën e shëmtuar. Të tillët Zoti i poshtëron edhe në këtë jetë, kurse në jetën tjetër ata do t’i dënojë me zjarr, sepse e fituan atë vetë, sepse Zoti nuk ua imponoi. atyre që ishin jehudi, sabejë, të krishterë, zjarrputistë, idhujtarë. Allahu është Dëshmitar i çdo gjëje.