← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

22. Haxh · Ajeti 26 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:25–22:37

Në fund të kaptinës Bekare është përmendur se Allahu nuk e dënon askë, nëse nuk bën I ndonjë punë të keqe, por vetëm i shkon mendja. Këtu, te Qabja njeriu dënohet vetëm nëse i shkon mendja për të keq, pse Qabja është vend i shenjtë, e shpirti i njeriut duhet të jetë i pastër, zemra e tij të jetë e pa brenga, ndjenja e tij të jetë e shëndoshë, dhe e tërë qenia duhet të jetë e drejtuar vetëm Allahut (Shih ajetin 25). Ibrahimi u urdhërua të shkojë në vendin e Qabes, ta pastrojë atë vend dhe ta ndërtojë Qaben. U urdhërua të thërrasë e të lajmërojë për vizitën që duhet bërë asaj, të vijnë njerëzit nga të gjitha I anët e botës dhe të tubohen aty për ta përmendur Allahun e duke marrë tekbir, të therrin kurbanët, e pastaj t'i heqin ihramët, të rruhen, t'i shkurtojnë thonjtë, dhe të pastrohen pas atij qëndrimi i ca ditësh në ihramë, e më në fund ta bëjnë edhe tavaf Qaben. Tavafi që bëhet pas kryerjes së të gjitha detyrave gjatë haxhit, është farz, obligim i domosdoshëm, pra është një nga pjesët përbërëse të haxhit.

Këtu shpjegohet edhe mënyra e therrjes së kurbanëve, e posaçërisht e deveve, sepse ato therren duke qenë në këmbë, e pastaj bëhet shpërndarja e mishit të kurbanëve. Theksohet se qëllimi, nijeti për therrjen e kurbanëve duhet të jetë thjeshtë vullneti i Zotit, për hir të Zotit, e duhet ditur se as mishi e as gjaki i tyre nuk shkon te Zoti, por shkon vepra e përcjellë me ndjenjë të pastër e të sinqertë për zbatimin e porosisë së Zotit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:26–22:27

Ky ajet është qortim i rëndë për të gjithë kurejshët, të cilët, përveç Allahut, adhuro - nin idhuj pikërisht në atë vend, ku hodhi themelet faltorja e parë, në të cilën do të adhurohej Allahu si i vetëm dhe pa ortak. Allahu i Lartësuar thotë: - “Ne ia treguam Ibrahimit vendin e Shtëpisë ...” - Ne e udhëzuam drejt atij vendi dhe i dhamë lejë që të ndërtonte në të. Me këtë ajet argumentohen shumë prej atyre të cilët thonë se Ibrahimi (a.s) ishte i pari i cili ndërtoi ndërtesën e lashtë të adhurimit. Imam Ahmedi sjell hadithin se Ebu Dherri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen: 1843. “E pyeta njëherë: “O Profet i Allahut! Cila është xhamia e par ë, që është ngritur në tokë?” Ai tha: “Është Xhamia e Shenjtë (Qabja).” - “Po pas saj?” - “Xhamia Aksa (në Palestinë).” - “Sa kohë pati mes tyre?”- “40 vjet”. Unë përsëri e pyeta: “Po pastaj, cila xhami u ngrit?” Atëherë, Profeti a.s më tha: “Kudo që të të kapë namazi, fale atë, sepse e gjithë toka është xhami.” [Hadithin e kanë përnxjerrë Buhariu dhe Muslimi]. Më parë kemi përmendur shumë argumente në lidhje me ndërtimin e Qabes, hadithe të sakta, që nuk kanë nevojë që t’i përsërisim këtu. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: - “Mos adhuro askënd e asgjë tjetër veç Meje ...” - Ndërtoje atë shtëpi veçse në emrin Tim e për të më adhuruar Mua si një të vetëm të pashoq. - “... dhe pastroje shtëpinë Time për ata që bëjnë tavaf në të ose që qëndrojnë në këmbë, që përkulen dhe që bëjnë sexhde.” - Katadja dhe Muxhahidi shpje - gojnë se kuptimi është: “Pastroje këtë vend prej idhujtarisë! Sidomos për ata që e vizitojnë, pastroje nga çdo gjurmë idhujta - rie, që të jetë në dispozicion të plotë për ata, të cilët e adhurojnë Allahun si një të vetëm dhe pa ortakë. Tavafi është nga adhurimet e posaçme të cilat kryhen vetëm në Qabe dhe askund tjetër në botë. Tavafi nuk lejohet të bëhet në asnjë vend tjetër të Tokës, përveç Qabes. El Kâimin, pra, ata “që qëndrojnë në këmbë,” të përmendur në ajet, janë ata që qëndrojnë në këmbë për të falur namaz. Prandaj, në vijim, Allahu i Lartësuar e shtjellon: “... që përkulen dhe që bëjnë sexhde.” Në ajet janë përmendur bashkë tavafi me namazin, sepse këto dy rite janë ligjëruar që të kryhen në xhami. Ashtu si tavafi që bëhet vetëm në Qabe, po kështu edhe çdo namaz duhet të falet me drejtim nga kjo faltore. Ajo është kibla e çdo namazi të falur në botë. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Thirr ndër njerëz për haxh ...” - Ftoji njerëzit që të vijnë për haxh në këtë faltore, që të urdhëruam ta ndërtosh. 51 Është përmendur se, kur Allahu i Lartësuar i drejtoi këtë urdhër, Ibrahimi i tha: “O Zot, si të njoftoj njerëzimin, kur zëri nuk mund të arrijë tek të gjithë ata?!” Ai tha: “Ti vetëm thirri ata, sepse është detyra Jonë që t’ua çojmë këtë mesazh atyre.” Kështu, ai u ngrit në vendin e tij, që thuhet se ishte mbi Hixhër, disa thonë në kodrën Safa dhe disa të tjerë thonë se hipi në malin Ebu Kubejs, dhe tha: “O njerëz! Zoti juaj vendosi një shtëpi adhurimi për Të! Vizitojeni Atë në këtë shtëpi!” Thuhet se vetë malet u nënshtruan dhe u ulën, për ta çuar zërin në të gjitha skajet e Tokës. Madje këtë zë e dëgjuan edhe fëmijët që ishin në barkun e nënave, madje edhe ata që ishin ende në shpinat e etërve të tyre. Çdo gjë që e dëgjoi, qoftë ai gur, baltë dhe pemë, iu përgjigj

kësaj thirrjeje. Po kështu, edhe të gjithë ata të cilët Allahu e ka shkruar se do ta vizitojnë ketë shtëpi, prej krijesave që do të vijnë në këtë botë, deri në Ditën e Kijametit. Të gjithë thanë: Leb-bejke Allâhumme leb - bejk” (Të përgjigjemi, o Zoti ynë, të përgji - gjemi!) Kjo është përmbajtja e asaj që është përcjellë nga Ibn Abasi, Muxhahidi, Ikrima, Seid Ibn Xhubejri dhe dijetarë të tjerë selefë. Megjithatë, Allahu është më i ditur! - “... ata do të vijnë në këmbë e (hipur) në deve të rraskapitura, ngaqë vijnë prej rrugëve të gjata e vendeve të largëta. ” - Me këtë ajet janë argumentuar ata dijetarë të cilët thonë se: kryerja e haxhit duke ecur në këmbë për atë që ka mundësi është më e mirë dhe e shpërblyeshme sesa haxhi i kryer duke qenë hipur në kafshë ose në mjet. Arsyeja është se, në ajet, ai që ecën me këmbët e veta është përmendur më përpara se të tjerët. Sidoqoftë, shumica e dijetarëve janë të mendimit se haxhi i kryer hipur në kafshë ose në mjet është më i mirë, duke marrë si shembull Profetin ﷺ ,i cili e kreu haxhin hipur mbi kafshën e tij, edhe pse ishte plotësisht i fuqishëm dhe i aftë për ta kryer atë në këmbë. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: “ngaqë vijnë prej rrugëve të gjata e vendeve të largëta...”. Domethënë, vijnë nga e gjithë bota. Ky ajet i përngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, në të cilin Ai tregon rreth Ibrahimit dhe lutjes së tij, kur thotë: “O Zoti ynë! Unë e vendosa një pjesë të familjes sime në një luginë, ku nuk ka bimë, pranë Shtëpisë Sate të Shenjtë, që ta falin rregullisht namazin, o Zoti ynë! Pra - ndaj bëj që zemrat e njerëzve të mbushen me dashuri për ta, dhe furnizoji me mirësi, për të të lavdëruar me mirënjohje!”.” [Ibrahim 38]. Kështu, nuk ka njeri që ka përqafuar Islamin, që të mos ndihet i përmalluar e me dëshirë të fortë për të parë Qaben dhe për të bërë tavaf në të. Të gjithë njerëzit (muslimanë), nga çdo cep i botës dëshirojnë të shohin këtë vend.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:26–22:31

Allahu i Madhëruar na tregon madhështinë e kësaj xhamie të shenjtë dhe rëndësinë e saj të madhe. Ai na tregon gjithashtu, edhe rëndësinë e atij njeriu që e ndërtoi atë, pra, të Ibrahim el Halilit (a.s). I Madhëruari thotë: - (Kujto) kur Ne ia treguam Ibrahimit vendin e Shtëpisë (dhe i thamë) "Mos adhuro askënd e asgjë tjetër veç Meje ... - Është Allahu i Madhëruar Ai që bëri të mundur që ajo xhami të ndërtohej nga Ibrahimi dhe që pranë saj të vendosej një pjesë e pasardhësve të tij. Allahu e urdhëroi Ibrahimin që të ndërtonte atë xhami, dhe ai e ndërtoi atë mbi bazat e devotshmërisë dhe bindjes ndaj Allahut. Ibrahimi e ndërtoi së bashku me djalin e vet, Ismailin. Ai e urdhëroi të birin, - dhe të gjithë pasardhësit, - që të mos i shoqëronin Zotit asgjë në adhurim, por të ishin të sinqertë vetëm ndaj Tij në çdo adhurim dhe në çdo vepër. Ata e ndërtuan Qaben duke përmendur emrin e Allahut. Pastaj Allahu e urdhëroi: - ...dhe pastroje shtëpinë Time për ata që e vizitojnë (bëjnë tauaf), ose që qëndrojnë në këmbë, që përkulen dhe që bëjnë sexhde (kur falen). - Pastroje xhaminë Time nga idhujtaria dhe gjynahet, nga ligësitë e papastërtitë e çdo lloji! Allahu thotë: “Shtëpinë time.” Pra, ia atribuoi Vetes atë xhami, për të treguar rëndësinë, nderimin dhe vlerën e saj. Ai e bëri që dashuria për Qaben të jetë shumë e madhe dhe që zemrat e besimtarëve të përmallohen për të nga çdo vend i largët i botës. Allahu e quan “Shtëpinë Time”, në mënyrë që pastrimi dhe ruajtja e saj të bëhen me më tepër përkushtim. Ai ia shton edhe më shumë rëndësinë Qabes kur thotë se kjo shtëpi e Tij është vend adhurimi i atyre që bëjnë tavaf dhe itikaf, pra, mbyllen në të për të adhuruar Zotin. Ajo është shtëpia ku besimtarët kryejnë adhurime të shumta, si dhikri, leximi i Kur'anit, mësimi i diturisë e shumë vepra të mira që të afrojnë tek Zoti. Pastaj Allahu përmend një adhurim tjetër shumë të rëndësishëm, që është namazi, duke thënë: “...që qëndrojnë në këmbë duke u falur, që përkulen dhe që bëjnë sexhde.” Pra, pastroje Qaben për këta të zgjedhur e të nderuar, të cilët i angazhon vetëm adhurimi i Allahut, të Dashurit të tyre, dhe përkushtimi për t’i

shërbyer Atij. Ata kanë ardhur në këtë vend veçse për t’iu afruar Allahut me adhurime që Ai ua ka mësuar dhe kërkuar. Këta e meritojnë plotësisht të nderohen dhe lëvdohen. Këtyre duhet t’u shërbehet me përkushtim. Një ndër shërbesat ndaj këtyre të nderuarve është edhe pastrimi i Shtëpisë për shkak të tyre. Pjesë e pastrimit dhe ruajtjes është edhe përkujdesja për të shmangur zërat e lartë dhe shqetësues, të cilët shpërqendrojnë adhuruesit që falin namaz e bëjnë tavaf. Allahu ka përmendur tavafin para itikafit dhe namazit, sepse tavafi është një adhurim i veçantë që bëhet veçse në Qabe e askund tjetër. Pastaj Allahu përmend itikafin, që kryhet veçse nëpër xhamia, dhe në fund namazin, që mund të kryhet kudo. - Thirr ndër njerëz për haxh:... - Lajmëroi dhe ftoji njerëzit për të kryer haxhin! Mësoji të afërtit dhe të largëtit se haxhi është detyrë dhe tregoju atyre për vlerën dhe shpërblimin e tij të lartë. Nëse i fton, ata kanë për të ardhur në këmbë të kryejnë haxhin dhe umren, nga malli e dëshira e madhe për këtë adhurim. - ... ata do të vijnë në këmbë e (hipur) në deve të rraskapitura ngaqë vijnë prej rrugëve të thella e vendeve të largëta,... - Do të vijnë edhe nga vendet e largëta hipur mbi deve e kafshë të tjera, për në vendin më të nderuar në Tokë. Dhe, në fakt, Halili i Rahmanit (Ibrahimi) e kreu këtë detyrë që ia ngarkoi Zoti i tij. Këtë detyrë e vazhdoi dhe e përkreu edhe pasardhësi i tij, Muhamedi (a.s), i cili i ftoi njerëzit për kryerjen e haxhit në Qabe. Ata e kryen me besnikëri këtë detyrë, duke u bërë realitet ajo që Zoti lajmëroi. Njerëzit nisen drejt Qabes në këmbë dhe hipur nga viset e largëta të lindjes dhe të perëndimit. Më pas, Allahu i Madhëruar përmend dobitë e vizitës së Shtëpisë së Shenjtë, duke nxitur për këtë gjë: - ... për të parë të mirat që u janë falur atyre... – Ata e bëjnë këtë vizitë në Shtëpinë e Zotit, që të arrijnë atje mirësi të shumta fetare, përmes disa adhurimeve të veçanta, që nuk mund të kryen në asnjë vend tjetër. Por ata përfitojnë edhe të mira të kësaj bote, përmes tregtisë e mundësive që ofron udhëtimi e njohja me njerëz nga e gjithë bota. Ky është një realitet që të gjithë e shohin. - ... dhe për të madhëruar emrin e Allahut në ditë të caktuara për bagëtitë të cilat Ai ua ka dhënë (për kurban). - Kjo është mirësi edhe fetare, edhe jofetare. Njerëzit duhet të përmendin emrin e Allahut gjatë therjes së kurbaneve, në shenjë mirënjohjeje për Allahun, që ua ka dhuruar ato begati dhe i ka lehtësuar për ta. Pasi t’i therin me emrin e Allahut, atëherë të ushqehen vetë me to dhe le të ushqejnë gjithashtu të varfërit: - Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të varfrin dhe nevojtarin. - Kujdesuni dhe ndihmoni kategoritë në nevojë. Jini bamirës ndaj tyre, ashtu siç ka qenë Zoti me ju. - Pastaj le të plotësojnë ritet e tyre,... - Pasi të përfundojnë adhurimet, mund të largojnë prej vetes papastërtitë dhe kufizimet, që i kishin gjatë ihramit. - ... le t’i përmbushin premtimet e veta (ndaj Zotit)... – Të përmbushin zotimin për kryerjen e haxhit, umres dhe kurbaneve. - ... dhe le të sillen (bëjnë tauaf) rreth Shtëpisë së Lashtë. - Të bëjnë tavafin në këtë Shtëpi të Vjetër, e cila është absolutisht xhamia më e mirë. Ajo xhami është e mbrojtur nga e keqja e tiranëve. Ky është urdhër për të kryer tavafin në veçanti, pas urdhrit të përgjithshëm për të kryer adhurime. Kjo porosi e veçantë për tavafin bëhet për të treguar rëndësinë dhe vlerat e mëdha të këtij riti. Ai është riti kyç i haxhit dhe të gjitha adhurimet e tjera gjatë haxhit të çojnë drejt tij. Mbase, kjo porosi e veçantë është bërë edhe për një arsye tjetër: tavafi është ligjëruar të kryhet në çdo kohë të vitit, edhe pa qenë i lidhur me adhurimet e haxhit dhe të umres. - Ja, kështu. Kush madhëron Shenjtëritë e Allahut, kjo është më e mirë për të te Zoti i vet. – Kështu, të gjitha këto dispozita

që ju mësuam përmbajnë madhërim e respekt të shenjtërive të Allahut, i Cili dëshiron prej besimtarëve që t’i respektojnë shenjtëritë e Tij. Ky lloj nderimi i tyre të afron tek Allahu. Kush i respekton shenjtëritë dhe ligjet e Zotit, Ai do t’i japë shpërblime të mëdha dhe shumë të mira në fe e në të dyja jetët. Shenjtëri të Allahut quhen të gjitha ato adhurime që Ai ka urdhëruar të kryhen e të respektohen, si dhe ato kohë e vende ku jemi urdhëruar për kryer këto adhurime. Të tilla konsiderohen të gjitha adhurimet, si: haxhi, ihrami, kurbanet etj. T’i nderosh këto shenjtëri do të thotë t’i respektosh ato me zemër, t’i duash dhe t’i përkryesh, e jo t’i nënvlerësosh dhe as t’i bësh me përtaci e rëndesë. Më pas i Lartësuari përmend mirësinë dhe mëshirën e Tij që u lejoi njerëzve të përfitojnë nga kafshët dhe bagëtitë, si: devetë, lopët, delet etj. Ai mundësoi, gjithashtu, që nëpërmjet bërjes kurban të këtyre bagëtive, besimtarët t’i afrohen Atij. Pra, Ai u dhuroi dyfish mirësi: - Juve ju janë lejuar kafshët (për ushqim), përveç atyre që ju janë thënë (në këtë Shpallje). - Përveç atyre që do t’ju lexohen në këtë Kur'an, siç është ajeti: “Haram janë për ju: të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit, ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut, ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë , ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat, përveç asaj që arrini ta therni, ajo që është therur për idhuj dhe që ta kërkoni fatin me short. Të gjitha këto janë gjynah (e të ndaluara nga Zoti) . Sot u dëshpëruan ata që mohuan dhe humbën çdo shpresë që t'ju largojnë prej fesë suaj. Mos i kini frikë ata, por më kini frikë vetëm Mua! Sot e përsosa fenë tuaj për ju, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj. Kush detyrohet nga uria, duke mos e tepruar dhe duke mos pasur qëllim mëkatin, Allahu është Falës Mëshirëplotë." [Maide 3]. Nuk ka dyshim se është tregues i mëshirës së gjerë të Allahut fakti që Ai ua bëri njerëzve të ndaluara këto gjëra dhe i porositi që të ruhen prej tyre. Ai dëshiron t’i pastrojë ata nga çdo ndyrësi, t’i shpëtojë nga shirku, fjalët mashtruese dhe shpifja kundër Tij, prandaj thotë: - Largohuni nga ndytësia e idhujve... – Ndyrësi (er-rixhsu) quhet çdo gjë e pështirë dhe e neveritshme. Të tillë janë idhujt e çdo gjë që ju, o idhujtarë, adhuroni përveç Allahut. Madje këto janë llojet më të pështira të ndyrësive. Ajeti na ndalon nga të gjitha llojet e poshtërsive e ndalesave dhe, ndër to, madje më të rëndësishmet, janë idhujt dhe idhujtaria. Kjo është arsyeja që Allahu e përmend ndalesën për idhujt në mënyrë të veçantë, edhe pse ajo përshihet te poshtërsitë e ndyrësitë në përgjithësi. - ... dhe largohuni nga shpifjet! - Ajeti urdhëron që t’u largohemi të gjitha fjalëve të ndyra e të ndaluara. Të gjitha ato konsiderohen si kauluz-zur - fjalë mashtruese. E tillë është edhe dëshmia e rreme. Pasi urdhëroi të largohemi nga çdo poshtërsi, ndyrësi dhe fjalët mashtruese, i

Madhëruari urdhëron që të jemi hunefa, duke thënë: - Jini të sinqertë në besimin tek Allahu,... - Hunefae lil -lahi domethënë: të sinqertë e të përkushtuar në besimin dhe adhurimin e Allahut si Një i Vetëm, duke u larguar nga adhurimi i gjithçkaje tjetër. - ... dhe mos i bëni Atij shok! - Urdhërohet për përkushtim në adhurimin e një Zoti të vetëm me sinqeritet, duke u larguar nga shirku. - Kush i bën shok Allahut, është sikur ai të ketë rënë nga qielli e ta kenë rrëmbyer shpendët (grabitqarë), ose sikur ta ketë rrëmbyer era e ta ketë hedhur në ndonjë vend të humbur. - Kush i bën shok Zotit i ngjan atij që, duke rënë nga qielli, e rrëmbejnë zogjtë menjëherë, ose e hedh furtuna shumë larg. I tillë është idhujtari. Imani është si qielli i lartë dhe i ruajtur. Kush e braktis ose e refuzon imanin është si ai që bie nga ky qiell poshtë dhe iu dorëzohet dënimeve. Atë do ta rrëmbejnë zogjtë e ta bëjnë copa copa. Ky është mohuesi dhe idhujtari, i cili e braktis dhe e refuzon imanin e pastër. Atë e rrëmbejnë shejtanët nga çdo anë dhe e copëtojnë, duke ia shkatërruar fenë dhe jetën e tij.

← Haxh 22:26