22. Haxh · Ajeti 5 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:1–22:10
Thirrja në fillim të kaptinës u drejtohet të gjithë njerëzve që t'u përmbahen urdhërave të Zotit e të largohen prej gjërave të ndaluara, sepse prapa e kanë tmerrin e ditës së kijametit, kur nëna harron foshnjën që e ka për gjini dhe që e ka më të dashurin në botë, shtatëzëna barrën e hedh para kohe prej frikës, kurse njerëzit duken si të ishin të dehur prej momentit të llahtarshëm.
Gjithnjë ka pasur njerëz që nga mendja e vet kanë trilluar shpifje ndaj Zotit dhe kanë ndjekur rrugën e dreqit, i cili e ka për detyrë ta humbë dhe ta orientojë për xhehenem atë që i bashkohet dhe vepron sipas mësimeve të tij.
I Njerëzit duhet ta vështrojnë fuqinë e Zotit në krijimin e njeriut të parë prej dheu, madje në krijimin e njerëzve të tjerë fazë pas faze, duke filluar prej një pike uji e me radhë, pastaj përsosjen e krijimit të disave në bark të nënës dhe mospërsosjen e të tjerëve, të cilët dështojnë e nuk linden të shëndoshë. Kurse ata që linden, disa vdesin heret e të tjerët jetojnë gjatë derisa të matufosen. Toka që duket e vdekur nga të thatit, kur t'i bjerë shiu ngjallet e zbukurohet. Këtë e bën Allahu i që ka mundësi të ringjallë edhe të të vdekurit, pas kijametit, për të cilin s'ka dyshim se do të ndodhë.
Disa arrogantë e horra lakojnë qafën, i ikin të vërtetës, duke mos pasur kurrfarë dije e argumenti, por me qëllim që të bëjnë shokë për rrugën e shëmtuar. Të tillët Zoti i poshtëron edhe në këtë jetë, kurse në jetën tjetër ata do t'i dënojë me zjarr, ngase vetë e fituan atë, sepse Zoti nuk ua imponoi.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:5–22:7
Allahu i Madhëruar përmendi më sipër kundërshtuesit e vërtetësisë së ringjalljes, ata që nuk e besojnë se ka një ditë kur njerëzit do të ringjallen e do të japin llogari. Në këto ajete, Allahu i Madhëruar na sjell një argument tregues të fuqisë të Tij për të ringjallur krijesat, argument që vetë krijesat e dëshmojnë në këtë jetë. Allahu i Madhëruar thotë: - “O njerëz! Nëse keni dyshime për ringjalljen ...” - Nëse keni dyshime për Ditën e Premtuar,kur shpirtrat do të kthehen në trupat e vet e do të ngrihen përpara Zotit për të dhënë llogari...
- “... atëherë (dijeni se) Ne ju krijuam prej dheu ...” - Kështu filloi krijimi i llojit njerëzor. Ademi u krijua prej dheut. - “... pastaj prej një pike fare ...” - Pastaj lloji njerëzor vazhdoi të shumohet me këtë mënyrë, që vendosi Krijuesi, siç thotë në ajetin tjetër: “Është Ai i Cili e përsosi gjithçka që ka krijuar dhe që krijimin e njeriut e filloi nga balta. Më pas, i bëri pasardhësit e tij prej prej një pike uji të përbuzur.” [Sexhde 7, 8] . - “... pastaj prej një droçke gjaku ...” - Kur ajo pikë fare zë vend në mitër, qëndron ashtu dyzet ditë dhe mblidhet e shtohet në të çfarë shtohet e mblidhet. Pastaj ajo shndërrohet në një droçkë të kuqe, me lejen e Zotit, dhe ashtu qëndron dyzet ditë. - “... pastaj sa një copë mishi e përtypur ...” - Domethënë, shndërrohet në një copë mishi e pa formësuar. Më pas fillon të marrë format e saj dhe trajtat e gjymtyrëve. Formësohet koka, duart, dallohet ana e gjoksit dhe shpinës, formohen kofshët e këmbët dhe të gjithë gjymtyrët e tjera. Ndonjëherë gruaja mund ta humbasë shtatzëninë para kohe, kur nuk janë shfaqur ende format e trupit. - “... që mund të bëhet një krijesë e plotë ose e paplotë ...” - Ashtu siç edhe mund ta shihni vetë. - “... për t'jua bërë të qartë . Ne e bëjmë që të rrijë në mitër atë që dëshirojmë deri në kohën e caktuar.” - Allahu e bën të qëndrojë në bark, derisa të plotësohet dhe të arrijë afatin e nevojshëm. Duke shpjeguar fjalinë: “që mund të bëhet një krijesë e plotë ose e paplotë...”, Muxhahidi ka thënë: “Është rasti kur femra e dështon barrën në fazën kur ajo është e paformësuar dhe rasti kur ajo e dështon në kohën kur fetusi ka marrë formë.” Pasi kalon edhe dyzet ditë si “copë mishi e përtypur”, Allahu i Madhëruar dërgon një melek, që i fryn shpirtin dhe e formëson ashtu si Ai dëshiron: dikë e bën mashkull, dikë femër, dikë të bukur e dikë të shëmtuar. Meleku urdhërohet t'i shkruajë krijesës së re veprat, riskun, ditën e vdekjes dhe se a do të jetë i mjeruar a i bekuar në jetën e pasosur. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1834. “Një qenie njerëzore (lënda e krijimit të saj) mblidhet bashkë në mitrën e nënës për dyzet ditë, pastaj ajo shndërrohet në një droçkë gjaku po për kaq ditë, pastaj bëhet si një copë mishi (e shtypur me dhëmbë) po për kaq ditë. Pastaj Allahu dërgon një melek, i cili urdhërohet t'i shkruajë atij katër gjëra. Ai urdhërohet t'i shkruajë (krijesës së re) veprat, riskun, ditën e vdekjes dhe se a do të jetë i mjeruar a i bekuar (në jetën e pasosur). Pas kësaj, krijesës do t'i fryhet shpirti. ...” - “Më pas, Ne ju nxjerrim si foshnja ...” - Domethënë, njeriu lind i dobët në trup, mendje dhe në të gjithë krijimin e tij. Pastaj, Allahu i Madhëruar i jep forcë pak e nga pak, i siguron përkujdesje maksimale nga prindërit e vet, që tregojnë dhembshuri të pashembullt, natën dhe ditën. - “(pastaj ju japim jetë) në mënyrë që të arrini moshën e pjekurisë. ” - kur njeriu merr pamjen e bukur të rinisë. - “Disa prej jush që vdesin herët ...” - Disa vdesin në moshë të re. - “... e disa të tjerë jetojnë deri në pleqëri të thellë ...” - Disa jetojnë gjatë, deri në pleqëri të thellë, kur njeriu humbet shumë nga aftësitë e tij mendore e trupore, siç thotë i Lartësuari: - “... aq sa nuk mbajnë mend asgjë nga çfarë kanë ditur më parë. ” - Siç thotë i Lartësuari në një ajet tjetër: “ Është Allahu Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj, pas asaj dobësie ju dha fuqi dhe pas fuqisë, Ai sjell dobësi e thinja në kokë (pleqëri). Ai krijon siç dëshiron Ai. Ai është i Gjithëdituri, i Plotpushtetshmi.” [Rum 54]. - “Ti e sheh tokën të tharë e pa jetë.” - Ky është një argument tjetër, që tregon për pushtetin e plotë të Zotit për të ngjallur të vdekurit, pikërisht ashtu siç e ngjall tokën e tharë e pa jetë. - “Por, kur Ne i lëshojmë shiun ajo trazohet (nga bimët), mbufatet gjelbërohet dhe nxjerr gjithfarë çifte bimësh të kënd -
shme.” - Kur Allahu i lëshon ujin, dheu lëviz dhe fillojnë të dalin bimët nga brenda tij, me shumëllojshmëri ngjyrash, cilësish, frutash, të lashta e bimësi të dobishme. - “Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta ...” - Allahu është Krijuesi i gjithçkaje, rregulluesi që kujdeset për çdo çështje të krijimit të Tij, Ai që vepron çfarë dëshiron në krijimin e Tij. - “... se Ai i ringjall të vdekurit ...” - Ashtu siç e ngjall tokën e tharë e pa jetë dhe nxjerr prej saj larmi bimësish e mirësish. - “... dhe se është Ai që ka fuqi për gjithçka.” - I Lavdëruari thotë në një ajet tjetër: “Nga shenjat e Tij është edhe toka, që ti e sheh të thatë e të shkretë e, kur Ne i lëshojmë asaj shiun, ajo gjallërohet e (prodhimi) shtohet. Nuk ka dyshim se Ai që e gjallëron atë, do t’i ngjallë të vdekurit , sepse Ai është i Plotpushtetshëm për çdo gjë.” [Fusilet 39]. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” Dhe ajo menjëherë bëhet.” [Ja Sin 82] - “Nuk ka dyshim se Ora do të vijë patjetër ...” - Askush nuk duhet të ketë ndonjë dyshim e pasiguri. - “... dhe Allahu do t’i ngjallë të gjithë ata që janë në varre .” - Ai ka për t’i rikthyer në jetë, pasi të jenë bërë pluhur. I Lavdëruari thotë në një ajet tjetër: “A nuk e sheh njeriu se Ne e krijuam atë prej një pike (fare)? Por ai bëhet një kundërshtar i hapur. Ai bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat, pasi të jenë kalbur?” Thuaj: “Do t'i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë. Ai, për çdo krijim, është i gjithëditur. Ai nxjerr për ju zjarrin prej drurit të gjelbër dhe ju prej tij ndizni zjarr”. A nuk mundet Ai, që krijoi qiejt e tokën t'i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” Dhe ajo menjëherë bëhet. I madhëruar qoftë Ai, në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka! Vetëm tek Ai do të ktheheni ju (për t’u gjykuar dhe shpërblyer me drejtësi).” [Ja Sin 78 - 80]. Ajetet për këtë çështje janë të shumta. Gjithashtu, Imam Ahmedi sjell hadithin nga Lakit Ibn Amiri, i cili tregon: 1835. “O i Dërguari i Allahut! Të gjithë ne do ta shohim Zotin tonë Krenar dhe të Lartësuar, Ditën e Kijametit? Çfarë shenje ilustruese prej krijesave (rreth mënyrës së shikimit të Tij) mund të na tregosh?” Profeti i Allahut tha: “A nuk e shikon secili prej jush hënën, kur është në vetmi?” - “Po.” - “Allahu është shumë më i madhërishëm.” 43 Pastaj - thotë Lakiti - unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Si i ngjall Allahu të vdekurit? Çfarë shenje ilustruese prej krijesave (rreth mënyrës se si i ngjall ato) mund të na tregosh?” Profeti i Allahut tha: “A ke kaluar në ndonjë luginë, që është zhuritur nga thatësira?” - “Po.” - “Po më pas, a ke kaluar dhe e ke parë se si gëlon në gjelbërim?” - “Po.” - “Kështu i ngjall Allahu të vdekurit, dhe kjo është një shenjë ilustruese në krijesat e Tij.” [Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe]. 44 Ibn Ebu Hatimi përcjell nga Muadh Ibn Xhebeli, se: “Ai që e di mirë se Allahu është e Vërteta e sigurt, se Ora (e Kijametit) ka për të ardhur dhe nuk ka asnjë dyshim
për këtë, dhe se Allahu ka për t’i ringjallur ata që janë në varre, ka për të hyrë në Xhenet.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:5–22:7
- O njerëz! Nëse ju dyshoni në Ringjalljen, atëherë (dijeni se) Ne ju krijuam prej dheu, pastaj prej një pike fare, pastaj prej një droçke gjaku, pastaj sa një copë mishi e përtypur, që mund të bëhet një krijesë e plotë ose e paplotë, për t'jua bërë të qartë (Fuqinë Tonë). - Nëse jeni në dyshim dhe të paqartë për ringjalljen, se si mund të ndodhë ajo, do t’ju tregojmë argumentet. Në fakt, është detyrë për ju që ta besoni Zotin dhe lajmet që ju sjellin profetët e Tij, por ju vazhdoni të keni dyshime. Po ju japim dy argumente logjike, që ju i dëshmoni vazhdimisht. Secili prej tyre tregon qartë vërtetësinë e asaj që ju e vini në dyshim. Këto argumente duhet të largojnë pikëpyetjet nga zemrat tuaja. 1. Fuqia e krijimit të njeriut për herë të parë. Ai që e krijoi njeriu në fillim është i plotfuqishëm që ta ribëjë atë. Për të na dhënë këtë mesazh, i Madhëruari thotë: “Ne ju krijuam prej dheu...”. Ky ishte fillimi i krijimit të njeriut. Pastaj vijoi shumimi i njerëzve përmes një mënyre tjetër të përcaktuar nga Zoti. Në vijim, Zoti i Lartësuar përmend fazat nëpër të cilat kalon kjo krijesë e re, kur del në botë: “...pastaj prej një pike fare, pastaj prej një droçke gjaku, pastaj prej një kafshate mishi, që mund të bëhet një krijesë e plotë ose e paplotë...” Lloji njerëzor shumohet prej një pikë fare, që depërton te vezoret e nënës. Ajo më pas, me lejen dhe rregullin e vendosur nga Krijuesi, kthehet në "një droçkë gjaku" të kuq. Pastaj ky gjak i kuq kthehet në një copë mishi, që ngjan si një kafshatë mishi e përtypur. Pastaj ajo “copë mishi” kalon në faza të ndryshme. Në fund, Zoti thotë: “...që mund të bëhet një krijesë e plotë ose e paplotë...". Pra, herë merr formën e plotë të një fetusi njeriu brenda barkut të nënës, dhe herë ndërpritet para se të kompletohet krijimi. Kështu, Allahu i Madhëruar na qartëson se çfarë fuqie dhe pushteti ka Ai. Ai thotë: “...për t'jua bërë të qartë.” Pra, për t’ju sqaruar origjinën e ekzistencës tuaj dhe pushtetin e plotë të Allahut të Lartësuar. Ai është i Plotfuqishëm që ta plotësojë krijimin tuaj në një çast të vetëm, por nëpërmjet këtyre fazave, Ai tregon urtësinë e Tij të plotë, pushtetin e tij të madh dhe mëshirën e Tij të gjerë. - Ne e bëjmë që të rrijë në mitër atë që dëshirojmë deri në kohën e caktuar (për lindje). - Ne e bëjmë të vazhdojë zhvillimin në mitër atë që dëshirojmë të vazhdojë deri në një afat të caktuar, që është koha e shtatzanisë. - Pastaj Ne ju nxjerrim si foshnja (pastaj ju japim jetë) në mënyrë që të arrini moshën e pjekurisë. - Nga barku i nënave tuaja, ju nxjerrim foshnja të dobëta, që nuk
dinë asgjë. Allahu vë në shërbimin tuaj nënat, që t’ju shërbejnë me dashuri e mëshirë. Ai ju ushqen përmes gjirit të tyre. Pastaj vazhdoni të kaloni nga një fazë në tjetrën, derisa arrini në moshën e pjekurisë të plotë në aspektin fizik dhe mendor. - Ka prej jush që vdesin herët,... - Disa vdesin pa arritur moshën e pjekurisë dhe të tjerë e kalojnë këtë moshë e jetojnë derisa plaken dhe i harrojnë të gjitha. Allahu e quan këtë moshë “erdhelul umr” (mosha më e përçmuar), sepse ajo është periudha kur njeriu humbet mendjen dhe forcën trupore. - ...e disa të tjerë jetojnë deri në pleqëri të thellë, aq sa të mos dijnë asgjë nga dija që kanë pasur. - Në këtë moshë njeriu nuk mban mend asgjë nga ato që dinte më parë, sepse mendja e tij dobësohet. Kështu, njeriu preket dy herë nga dobësia dhe paaftësia: në kohën e fëmijërisë dhe në kohën e pleqërisë, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Allahu ju krijon në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie, ju jep fuqi, e pas fuqisë, jep dobësi e pleqëri. Ai krijon çfarë të dojë. Ai është i Gjithëdituri dhe i Plotpushtetshmi.” [Rum 54]. Argumenti i dytë është ngjallja e tokës, pasi është bërë e shkretë e pa jetë. Allahu i Madhëruar thotë: - Ti e sheh tokën të tharë e pa jetë. – E sheh të shkretë e të pluhurosur, pa asnjë bimësi e jetë. - Por, kur Ne i lëshojmë shiun ajo trazohet (nga bimët) , mbufatet gjelbërohet dhe nxjerr gjithfarë çifte bimësh të këndshme. – Me t’i hedhur ujin, ajo fillon të lëvizë dhe të gjallërohet, duke rritur bimësinë, që Zoti e përshkruan si behixh, pra, që i kënaq shikuesit dhe ata që meditojnë në atë pamje. Këto janë dy argumente të qarta dhe të prera, që tregojnë për vërtetësinë e çështjeve që do të përmenden në vijim. Krijimi i llojit njerëzor ashtu siç u përshkrua dhe ngjallja e tokës pas shkretimit të saj tregojnë se: - Kjo është kështu sepse Allahu është e Vërteta,... – Allahu është i vetmi Krijues, Sundues, Furnizues e Rregullues i çështjeve të krijesave, dhe për këtë arsye është i Vetmi që meriton adhurimin. Askush nuk meriton adhurimin veç Allahut. Vetëm adhurimet përkushtuar Atij janë të vërteta dhe të vlefshme, ndërsa adhurimi i gjithçkaje tjetër është i kotë dhe i pavlerë. - ...se Ai i ringjall të vdekurit... - Ai do t’i ringjallë të vdekurit e do t’i risjellë në jetë, ashtu sikurse e filloi krijimin nga hiçi dhe ashtu siç e ringjall tokën pasi është shkretuar. - ... dhe se është Ai që ka Fuqi për gjithçka. - Allahu ju tregon pushtetin e plotë në krijimin e Tij. Gjithashtu, ato shembuj tregojnë se: - Nuk ka dyshim se Ora (Kijameti) do të vijë patjetër ... – Ai nuk duket larg ose i pamundur me pushtetin absolut të Allahut. - ... dhe Allahu do t’i ngjallë të gjithë ata që janë në varre (të vdekurit). - Pastaj do t’i shpërblejë sipas veprave të tyre të mira ose të këqija.