← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

22. Haxh · Ajeti 73 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:70–22:78

Allahu di në hollësi për çdo send e qenie që ekziston, di edhe për kundërthëniet e idhujtarëve, sepse çdo gjë është e shënuar në Librin (në Levhi Mahfudh), pra gjykimi në ditën e kijametit është shumë i lehtë për Zotin.

Duke mos pasur kurrfarë faktesh e as kurrfarë njohurish, ata po adhuronin idhuj dhe aq shumë ishin dhënë pas tyre sa që kur u lexoheshin ajetet e Kur'anit, atyre u bëheshin fytyrat e tyre të vrazhda nga mllefi dhe orvateshin t'u vërsuleshin atyre që lexonin. Ata do t'i gjejë dënimi më i madh, do t'i kapë zjarri e aty do të mbesin.:

Sikur t'i bashkojnë fuqitë të gjithë zotat e tyre nuk do të mund të krijonin as një mizë që është më e dobëta, më e pavlera, më e mërzitshmja dhe që është më e përhapura në numër. E si mund të konsiderohen ata zotat" Ata nuk janë duke njohur si duhet Allahun, andaj bëjnë krahasime të tilla, duke mos qenë asgjë kundruall Fuqiplotit.

Allahu ka caktuar nga engjëjt të dërguar që ua sjellin pejgamberëve shpalljen, ka caktuar edhe prej njerëzve të dërguar që t'ua përcjellin shpalljen e Zotit njerëzve. Këtë duhet pasur të qartë e besimtarët duhet t'u përmbahen udhëzimeve të Zotit, ta adhurojnë vetëm Atë, të bëjnë vetëm vepra të mira, ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë fenë që e shpalli Zoti, fenë që e pati edhe Ibrahimi, sepse besimtarët janë të përcaktuar për këtë detyrë, andaj edhe në shpalljet e para e edhe në Kur'an janë quajtur myslimanë, dhe si të tillë do të jenë dëshmitarë ndaj popujve të tjerë në ditën e kijametit, sikurqë edhe Pejgamberi do të jetë dëshmitar për ymetin e vet, prandaj duhet mbështetur vetëm në Zotin, pse nuk ka ndihmës, as mbrojtës si madhëria e Tij.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Haxhxhu". Falënderuar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:73–22:74

Allahu i Lartësuar na tregon për idhujt, sa të përçmuar janë, si dhe për mendjelehtësinë e adhuruesve të tyre. Ai thotë: - “O njerëz! Ja një shembull!” - Po ju jepet një shembull për çfarë adhurojnë ata që nuk e njohin Allahun dhe që i shoqërojnë Atij idhuj dhe ortakë. - “Dhe dëgjojeni me vëmendje!” - Dëgjojeni me vëmendje, heshtni dhe dëgjoni me kujdes, që të kuptoni. - “Ata të cilët ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të. ” - Nëse ata tubohen të gjithë së bashku, që të krijojnë një mizë të vetme, nuk do të mund ta bënin. Buhariu dhe Muslimi sjellin hadithin e Umarates, që përcjell nga Ebu Zurate, dhe ky nga Ebu Hurejra, se Profeti ﷺ ka thënë: 1878. “Allahu i Lartësuar dhe Krenar thotë: “E ku ka më të padrejtë se ai i cili rreket që të bëjë diçka si krijimi Im! Le të krijojnë një thërrmijë të vogël! Le të krijojnë edhe një farë sinapi!” - “E nëse miza u rrëmben diçka, ata nuk mund ta rimarrin atë prej saj.” - Ata janë tërësisht të pamundur e të pafuqishëm, që të krijojnë qoftë edhe një mizë të vetme. Madje, tregues edhe më i fortë i pamundë -

sisë së tyre është fakti që ata as nuk mund të mbrohen kundër asaj që mund të shkaktojë një mizë e vetme. Ata nuk mund as të rimarrin diçka, që ajo ua rrëmben. Dhe të mendosh, që miza është prej krijesave më të vogla e të dobëta të Allahut e, në dukje, nga më të përçmuarat dhe të parëndësishmet.63 - “Të dobët janë edhe lutësit edhe të luturit.” - I dobët është idhulli, që në fakt është një zot i rremë, i paaftë që t’i marrë mizës edhe atë që ajo i rrëmben. I dobët është edhe lutësi, dhe i luturi, për t’ia arritur këtij qëllimi. - “Ata nuk e madhërojnë Allahun me madhërinë e Tij të vërtetë, ashtu siç e meriton.” - Ata nuk e njohin pushtetin dhe madhështinë e Allahut, në momentin kur ata adhurojnë dikë apo diçka tjetër veç Tij, edhe pse e dinë mirë se një idhull nuk mund as edhe të vetëmbrohet nga një mizë, e cila mund të marrë prej tij çfarë dëshiron. - “Dhe Allahu është i Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar.” - Allahu i Lartësuar është Ai i Cili, kur i thotë diçkaje “Bëhu!”, ajo bëhet dhe ekziston. Ai është i plotfuqishëm për gjithçka. Allahu është Krenari, Ngadhë - njimtari, Mposhtësi i gjithçkaje. Ai ka nënshtruar çdo krijesë. Askush nuk mund të mbrohet dhe t’i shmanget fuqisë dhe pushtetit të Zotit. Askush nuk mund të përballet me madhështinë, pushtetin dhe sundimin e Tij. Ai është i vetmi nënshtrues dhe mposhtës i gjithçkaje.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:73–22:74

- O njerëz! Ja një shembull! Dhe dëgjojeni me vëmendje! - Ky është një shembull, që Allahu i Madhëruar na sjell për të na treguar se sa i shëmtuar është adhurimi i idhujve dhe sa të mangëta janë mendjet e atyre që i adhurojnë ata. I Madhëruari na tregon se, që të dy, lutës dhe të lutur, janë të dobët e të varfër. Kjo fjalë u drejtohet të gjithë njerëzve, besimtarëve dhe jobesimtarëve. Besimtarëve u shtohet dituria dhe qetësia në çështjet e tyre, ndërsa mohuesit nuk do të kenë më justifikim para Krijuesit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ja, ku po ju vjen një shembull, ndaj dëgjojeni me kujdes!” Dëgjojeni me kujdes dhe kuptojeni mesazhin e tij. Kujdes që ky ajet të mos i gjejë zemrat tuaja të shkujdesura dhe veshët

të shurdhër. Hapni veshët dhe zemrat tuaja për këtë mesazh. - Ata të cilët ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë asnjë mizë, edhe nëse tubohen të gjithë për të. – Të gjithë ata që ju adhuroni veç Allahut nuk mund të krijojnë asnjë mushkonjë, edhe nëse mblidhen të gjithë bashkë për këtë qëllim. Mushkonja është nga krijesat më të vogla dhe të përçmuara ndër njerëz. Megjithatë, edhe një krijesë të tillë të dobët ju nuk mund ta krijoni. Sigurisht që, po të jetë fjala për krijesa më të mëdha, e keni më të pamundur t’i krijoni, edhe sikur të mblidheni të gjithë së bashku. Madje, për të treguar se sa të pafuqishëm janë njerëzit, Allahu i Madhëruar thotë: - Dhe nëse miza ua rrëmben diçka, ata nuk do të mund ta rimarrin atë prej saj. - Ky është tregues i pazotësisë e dobësisë së skajshme. - Të dobët janë edhe lutësit edhe të luturit. - Si idhujt, që ata adhurojnë, ashtu edhe mushkonja janë të dobët. Por, më të dobët se këta të dy janë ata që i konsiderojnë këto puta e idhuj si Zotin e botëve dhe u luten dhe u përulen atyre. - Ata nuk e kanë madhëruar Allahun me madhërinë e Tij të vërtetë, ashtu siç e meriton. - Këta nuk e kanë lartësuar Zotin me madhërimin që i takon, sepse e kanë barazuar me krijesat e dobëta. Këta të mjerë e trajtuan njëlloj krijesën, që është e dobët, e varfër dhe e pafuqishme nga çdo aspekt, me Allahun e Madhëruar, i cili është i Pasur, Jonevojtar për asgjë dhe i Plotfuqishëm e absolut në çdo drejtim. Ata e trajtuan njëlloj si atë që nuk ka në dorë as për veten e vet e as për të tjerët të bëjë mirë apo keq, që nuk ka në dorë të japë jetë dhe të ringjallë, me Atë që, në fakt, është i Vetmi që ka në dorë të mirën dhe të keqen, që jep dhe privon dhe që ka në dorë të gjitha çështjet e krijesave dhe administrimin e tyre. - Dhe Allahu është i Plotfuqishëm, Ngadhënjimtar. - Ai është i Plotë dhe Absolut në fuqinë e Tij, Ai është i Plotë në krenarinë e Tij dhe Ngadhënjimtar. Një fakt që tregon se Ai është Fuqiplotë dhe Ngadhënjimtar, është se të gjitha krijesat janë në dorë të Tij. Askush dhe asgjë nuk lëviz ose të qëndrojë në prehje pa lejen e Tij, vetëm nëse Ai dëshiron dhe ashtu siç Ai e dëshiron dhe e vendos. Ajo që Allahu ka dashur të jetë është, dhe ajo që nuk ka dashur të jetë nuk është. Tregues i fuqisë së Tij të plotë është edhe se Ai i mban qiejt dhe tokën që të mos bien dhe të shkatërrohen. Ai është i Plotfuqishmi dhe, si i tillë, do t’i ringjallë të gjitha krijesat nga vdekja, nga i pari deri tek i fundit, me një të fryrë të bririt. Ai është i Plotfuqishmi, prandaj edhe i shkatërron tiranët - dhe të gjithë popujt arrogantë e të padrejtë - veçse me pjesë të vogël të fuqisë dhe të dënimit të Tij.

← Haxh 22:73