← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

23. Muminun · Ajeti 108 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:105–23:118

Pas pendimit të cilin do ta shfaqin xhehenemlinjtë, pas pranimit të gabimit, do të përpiqen i të kërkojnë ndjesë e t'u lehtësohet dënimi i idhët, po atyre së pari do t'u tërhiqet vërejtja për i udhëzimet e Kur'anit, që u patën ardhur e lexuar, e ata nuk i pranuan, andaj përbuzen, kur u thuhet: Heshtni aty!, fjalën "Ihseu" e përktheva me fjalën heshtni, që në të vërtetë është fjalë qortuese që i thuhet qenit për ta larguar, e që ne i themi "qybet" Pastaj, për të vërtetuar se ajo masë dënimi ndaj tyre është meritë e vetë atyre, e jo ndonjë padrejtësi, u përmenden talljet dhe fyerjet që ua bënin ata myslimanëve që ishin më të varfër, I si Bilali, Hababi, Suhajbi etj.,dhe u thuhet se për durimin që bënë ata myslimanë ndaj torturave të tyre dhe nuk u lëkundën asnjë herë në besimin e tyre të drejtë, e fituan xhennetin.

Në fund u tërhiqet vërejtja se kanë qenë të njoftuar për jetën e shkurtër në dynja, se nuk janë krijuar rastësisht njerëzit shkel e shko pa ndonjë qëllim të caktuar, andaj ata që nuk u besuan shpalljeve të Zotit, nuk do të gjejnë shpëtim. Bëmirësit udhëzohen që gjithnjë të kërkojnë mëshirën e Zotit xh. sh. Përfundoi, me ndihmën e Zotit, përkthimi dhe komentimi i sures "El Mu'minunë" Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:108–23:111

- “Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni!” - Kjo është përgjigjja prej Allahut të Lartësuar drejtuar mohuesve, pasi ata i luten dhe kërkojnë që të dalin nga zjarri dhe për t’u kthyer edhe njëherë në dynja. Allahu i Lartësuar do t’u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! Qëndroni aty të poshtëruar dhe mos më flisni!” Pra, mos iu riktheni edhe njëherë të njëjtës lutje, sepse nuk keni për të patur përgjigje tjetër prej Meje, përveç ndëshkimit. Abdullah Ibn Amri ka thënë: “Betohem në Allahun se, prej tyre nuk do të dëgjohet asnjë fjalë dhe asgjë tjetër, përveç ofshamave e ngashërimeve në zjarri n e Xhehenemit. Zërat e tyre do t’u përngjajnë pëllitjes së gomarëve, frymëmarrja është me zë të shëmtuar zefir dhe frymënxjerrja me atë zë të shëmtuar shehik (nga dhimbja e ndëshkimit).” Kështu, e transmeton Ibn Ebu Hatimi. Abdullah Ibn Mesudi shpjegon këtë ajet: “Pasi Ai u thotë këtë fjalë, zjarri do të vërshojë dhe do të mbyllet mbi ta tërësisht dhe prej tyre nuk ka për të dalë askush. Më pas, Allahu i Lartësuar u kujton gjynahet e shumta në jetën e dynjasë dhe talljen e tyre me adhuruesit e sinqertë, besimtarët e vërtetë, të dashurit e Allahut.” - “Disa prej robërve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë, prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. ” - Ju talleshit me ta dhe me lutjet që ata më drejtonin Mua. Ju talleshit dhe i përçmonit për përunjësinë që tregonin në adhurimin ndaj Meje, derisa: “...ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim.” Kështu, urrejtja ndaj tyre ju bëri të harronit detyrimet dhe bindjen ndaj Meje. - “Ju qeshnit me ta. ” - Ju talleshit me veprat dhe adhurimet, që besimtarët më përkushto-nin. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Vërtet, keqbërësit talleshin me besimtarët dhe, kur kalonin pranë tyre, ata ia bënin me sy njëri -tjetrit. Kur ktheheshin në familjet e veta, ata ishin të kënaqur. Kur i shihnin, thoshin: “Me të vërtetë, këta janë të humbur!” [Mutafifin 29 - 32]. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon se si i shpërblen të dashurit e Tij, adhuruesit e përkushtuar dhe punëmirë: - “Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan të durueshëm. Ata janë vërtet fitimtarët.” - Unë i shpërbleva ata me Xhenet dhe i shpëtova nga zjarri, për durimin që treguan ndaj mundimeve dhe talljeve tuaja.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:101–23:114

- Pastaj kur t’i fryhet Surit (herën e dytë), atë Ditë nuk do të ketë më lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesin më për njëri -tjetrin. - Allahu i Madhëruar na njofton për tmerret dhe ndodhitë e frikshme që do të përfshijnë gjithësinë atë ditë. Surit do t’i fryhet për ringjalljen e krijesave dhe atëherë të gjithë do të ngrihen nga varret, për t’u takuar në ditën e përcaktuar. Frika dhe tmerri i ka përfshirë thellë, aq sa harrojnë edhe prejardhjen dhe lidhjet e tyre farefisnore, të cilat në dynja ishin lidhjet më të forta. Mendo për lidhjet e tjera që janë më të dobta se ato! Askush nuk do të pyesë për gjë tjetër veç vetes. Çdokujt i mjafton vetja e vet, sepse nuk e di a do të shpëtojë dhe do të lumturohet përjetësisht, apo do të dëshpërohet përjetësisht për të mos parë më kurrë lumturi e mirësi? I Madhëruari thotë: "Por, kur të vijë ushtima, Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet." [Abese 33 – 37]. Ditën e Kijametit do të ketë momente kur

do të shtohet shumë vuajtja dhe dëshpërimi, frika nga ndëshkimi. Një nga këto momente është peshimi i veprave. Atë ditë, njeriu do të jetë i mbushur plot frikë kur të shohë të shfaqen hapur e me drejtësi veprat që janë pro tij dhe ato që janë kundër tij. Në peshore do të vendoset edhe grimca më e vogël, e mirë ose e keqe qoftë. - Atëherë, ata të cilëve u rëndojnë peshojat (e veprave të mira) - ata janë të shpëtuarit. - Atyre që u peshojnë më shumë veprat e mira se ato të këqijat, ata do të jenë fitimtarët, që do të shpëtojnë nga Zjarri dhe do të hyjnë në Xhenet. Ata do të nderohen me lëvdata të shumta përpara krijesave dhe me grada të larta. - Ndërsa, ata peshojat e të cilëve janë të lehta - ata e kanë humbur vetveten dhe janë në Xhehenem përgjithmonë. - Është fjala për ata të cilët kanë më shumë vepra të këqija se të mira. Për ata, Zoti thotë: "...ata e humbin vetveten...". Humbja e tyre është shumë e madhe, që kurrë nuk mund të kompensohet dhe të rregullohet. Ata humbin përjetësinë dhe e zhysin veten në dënimin dhe dëshpërimin e pafund. Ata e kanë patur mundësinë që të arrinin lumturinë e përjetshme pranë Zotit të botëve, por e humbin dhe e nënçmojnë veten, duke e lënë atë në dëshpërim e vuajtje të përjetshme. Allahu i Madhëruar thotë për ata që janë mbuluar tërësisht nga gjynahet se: "...janë në Xhehenem përgjithmonë." Kurrë nuk kanë për të dalë prej tij. Ky kërcënim, ashtu siç e theksuam, është për ata që janë mbuluar nga gjynahet e tyre, dhe të tillë mund të jenë veçse mohuesit. Këta lloj njerëzish nuk do ta kenë llogarinë si të tjerët, të cilëve u peshohen veprat e mira dhe të këqija, sepse këta nuk kanë ndonjë të mirë që t’u peshohet e t’u sjellë dobi, për shkak të kufrit të tyre. Por pasi të llogariten dhe përmblidhen veprat e tyre, ato do t’u paraqiten para syve të tyre dhe ata do t’i pranojnë se i kanë bërë dhe do të ndihen të poshtëruar. Ndërsa ata që e kanë themelin e imanit, teuhidin e Zotit, por kanë bërë shumë punë të këqija e gjynahe, aq sa ato peshojnë më shumë se veprat e mira të tyre, këta, edhe pse mund të hyjnë në zjarr, - nuk do të rrinë përjetësisht në të, ashtu siç tregojnë tekstet e Kur'anit dhe të Sunetit. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon përfundimin e keq të mohuesve: - Zjarri do t’ua djegë atyre fytyrat... - Zjarri i rrethon nga të gjitha anët, derisa u mbulon edhe fytyrën, që është pjesa më fisnike e trupit. Flakët e zjarrit do t’ua përpijnë fytyrat atyre. - ... dhe ata do të duken (të shëmtuar) pa buzë e me dhëmbë jashtë. - Fytyrat e tyre do të jenë të shëmtuara, të mbledhura nga zjarri, ndërsa buzët janë të prera nga dhimbja e madhe. Duke ua shtuar dhimbjen dhe poshtërimin, atyre u thuhet: - (atyre do t'u thuhet): A nuk u janë lexuar juve Ajetet e Mia;... - A nuk ju erdhën ajetet e Mia, që të merrnit mësim dhe të besonit Zotin dhe Shpalljen e tij? - ... e ju veçse i përgënjeshtruat? ” - Ju i mohuat ato padrejtësisht, me inat e arrogancë. Në fakt, nuk kishit asnjë të drejtë t’i mohonit, sepse ato ishin ajete të qarta dhe shumë mirë të shtjelluara. Ato jua bënin shumë të qartë të vërtetën nga e kota, të sinqertët nga gënjeshtarët. Atë ditë, ata do të pranojnë se ishin të padrejtë dhe keqbërës, por ky pendim e keqardhje tashmë nuk u vlen: - “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. - Ata i mposhti padrejtësia dhe refuzimi i së vërtetës, prandaj gjithmonë i ndoqi e liga dhe poshtërimi. Ata u bënë fatzinj, për shkak të refuzimit dhe mosbindjes ndaj së drejtës. Ata u bënë të pafuqishëm për t’iu shmangur rrugës së humbjes, sepse vetë e zgjodhën atë që u sillte dëm dhe i largonte nga e mira. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur." Ata e pranojnë se ishin të humbur e injorantë. Ata kishin njohuri për të vërtetën, por ishin të humbur sepse nuk kanë punuar sipas saj dhe nuk janë nënshtruar të adhurojnë Zotin sipas

Shpalljes. Ata e pranojnë se vepronin si mendjelehtë e të humbur, që nuk arrijnë të dallojnë të mirën e vetes dhe dëmin e saj, si tregon Allahu në një tjetër ajet: "Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit.”. Pra, kështu i pranojnë ata gjynahet e veta. Larg mëshirës qofshin banorët e Zjarrit!" [Mulk 10, 11]. - O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” – Ata gënjejnë, në fakt, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim Argumentat e Zotit tonë por do të bëheshim besimtarë.” Por, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” [En'am 27, 28]. Kështu, Allahu i Madhëruar nuk u lë atyre asnjë shteg justifikimi, sepse Ai u ka dhënë kohë të mjaftueshme në jetën e kësaj bote, aq sa ai që dëshiron të kuptojë dhe të ndjekë të mirën, e ka mundësinë ta bëjë. Kjo është kohë mëse e mjaftueshme që i padrejti të pendohet dhe të kthejë rrugë. Prandaj, në përgjigje të lutjeve të tyre në Zjarr, Allahu i Madhëruar thotë: - Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! - Zoti na ruajt nga zemërimi i Tij! Kjo është absolutisht fjala më tmerruese, më e dhimbshme dhe më poshtëruese, që u thuhet atyre të mjerëve. Ajo u këput çdo shpresë për ndonjë çlirim e të mirë dhe është paralajmëruese e vuajtjeve pa fund. Kjo fjalë dhe zemërimi i Zotit Mëshirëplotë do t’u duket shumë më e dhimbshme sesa frika nga dënimi i Zjarrit, që do të përjetojnë përjetësisht. Pastaj Allahu na tregon se çfarë i çon ata në Zjarr dhe ua këput shpresat për mëshirë e shpëtim: - Disa prej robve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” - Ata patën besim të sinqertë, i cili i nxiti të bëjnë punë të mira. Ata iu lutën Zotit për falje dhe mëshirë dhe kërkuan të afroheshin tek Ai duke dëshmuar aspektin rububije dhe faktin se ishte Ai që u dhuroi imanin. Ata kërkuan ndërmjetësim dhe afrim me Allahun duke e lëvduar dhe lutur me emrat dhe cilësitë e Tij, duke iu lutur me mëshirën e Tij dhe bamirësinë e Tij të përgjithshme. Të gjitha këto tregojnë se ata janë të nënshtruar e të mbushur me përunjësi e frikërespekt për Zotin. Ata e adhurojnë Zotin me përunjësi e frikë nga ndëshkimi i Tij dhe shpresë për shpërblimin e Tij. - Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. - Në fakt, ata ishin zotërinjtë e vërtetë dhe më të zgjedhurit e njerëzve, po ju: "...i tallët ata." Ju, mohues të besimit, keqbërës, mendjelehtë e faqezinj, guxuat që të talleshit me njerëzit më të zgjedhur e më të lartë. Ju i përçmuat dhe u tallët me ta. Kjo vepër e ulët ju angazhoi aq shumë, saqë: "...ju bëri të harronit të më kujtonit Mua." Kjo vepër e keqe u bë shkak që ata të

harronin të përmendnin Zotin. Mospërmendja e Zotit i nxiste dhe ua bënte të thjeshtë talljen me besimtarët, vepër e cila i bëri të meritonin që zemrat e tyre çdo ditë e më shumë të largoheshin nga përmendja e Zotit. Këto janë të lidhura me njëra tjetrën. Kjo është humbja e sigurt. - Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan të durueshëm. – Sot, Unë po i shpërblej ata për bindjen ndaj Meje dhe për durimin kundrejt mundimeve që ju u jepnit me talljet tuaja. Me punë të mira dhe me durimin e plotë, arritën gradën e lartë, që Zoti thotë: - Ata janë, vërtet fitimtarët.” - Ata fituan mirësitë e përjetshme dhe shpëtimin nga Zjarri i ndezur fort, ashtu siç thuhet në një ajet tjetër: “Por sot janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë. A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?" [Mutaffifin 34 – 36]. Duke i qortuar, Allahu i Madhëruar u drejtohet atyre fatzinjve dhe, duke i bërë të shohin mendjelehtësinë e tyre, u thotë: - Atyre do t'u thuhet: “E sa vjet keni qendruar në tokë?” - Edhe pse koha ka qenë shumë e shkurtër, ata kanë bërë aq shumë të këqija sa meritojnë zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut. Ata janë treguar mendjelehtë, sepse nuk e kanë shfrytëzuar këtë kohë të shkurtër për të bërë vepra të mira dhe për të fituar përjetësinë, ashtu siç veprojnë besimtarët, të cilëve Zoti u dhuroi urtësi e mençuri dhe ata fituan lumturinë e përjetshme dhe kënaqësinë e Zotit të tyre. - Ata do të thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës. - Kjo fjalë tregon opinionin e tyre në lidhje me kohën e qëndrimit në dynja dhe për faktin se ata e shihnin si një kohë shumë të shkurtër. Por ky nuk ishte përcaktim i saktë, prandaj do të thonë: - Por pyeti ata që dinë mbajnë llogari!” – Pyesni ata që e dinë me saktësi kohën e qëndrimit. Thonë kështu sepse ata të mjerë janë të zhytur në një dënim që ta heq mendjen nga gjithçka. - Pastaj do t'u thuhet: “Me të vërtetë keni qëndruar pak, veç sikur ta dinit!” - Sido që të jetë, e përcaktuat apo jo saktësisht kohën e qëndrimit në dynja, ju keni qëndruar shumë pak, sikur ta dinit.

← Muminun 23:108