← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

23. Muminun · Ajeti 112 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:105–23:118

Pas pendimit të cilin do ta shfaqin xhehenemlinjtë, pas pranimit të gabimit, do të përpiqen i të kërkojnë ndjesë e t'u lehtësohet dënimi i idhët, po atyre së pari do t'u tërhiqet vërejtja për i udhëzimet e Kur'anit, që u patën ardhur e lexuar, e ata nuk i pranuan, andaj përbuzen, kur u thuhet: Heshtni aty!, fjalën "Ihseu" e përktheva me fjalën heshtni, që në të vërtetë është fjalë qortuese që i thuhet qenit për ta larguar, e që ne i themi "qybet" Pastaj, për të vërtetuar se ajo masë dënimi ndaj tyre është meritë e vetë atyre, e jo ndonjë padrejtësi, u përmenden talljet dhe fyerjet që ua bënin ata myslimanëve që ishin më të varfër, I si Bilali, Hababi, Suhajbi etj.,dhe u thuhet se për durimin që bënë ata myslimanë ndaj torturave të tyre dhe nuk u lëkundën asnjë herë në besimin e tyre të drejtë, e fituan xhennetin.

Në fund u tërhiqet vërejtja se kanë qenë të njoftuar për jetën e shkurtër në dynja, se nuk janë krijuar rastësisht njerëzit shkel e shko pa ndonjë qëllim të caktuar, andaj ata që nuk u besuan shpalljeve të Zotit, nuk do të gjejnë shpëtim. Bëmirësit udhëzohen që gjithnjë të kërkojnë mëshirën e Zotit xh. sh. Përfundoi, me ndihmën e Zotit, përkthimi dhe komentimi i sures "El Mu'minunë" Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:112–23:116

Allahu i Lartësuar i përkujton këta mohues dhe të panënshtruar për braktisjen e adhurimit dhe të bindjes ndaj Tij, përgjatë kohës së shkurtër në këtë dynja. Nëse ata do të bënin durim në këtë jetë, e cila është shumë e shkurtër, ata do të fitonin shumë, ashtu siç fituan të dashurit e Allahut, të devotshmit, besimtarët e sinqertë. Allahu i Lartësuar thotë: - “Atyre do t'u thuhet: “E sa vjet keni qëndruar në tokë?” - Sa ishte kohëzgjatja e qëndrimit tuaj në dynja? - “Ata do të thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës. Por pyeti ata që dinë mbajnë llogari!” - Pyet ata që dinë të llogarisin kohën. - “Pastaj do t'u thuhet: “Me të vërtetë keni qëndruar pak, veç sikur ta dinit!” Ishte kohë shumë e shkurtër, me çfarëdo gjykimi të shihet dhe kushdo qoftë ai që bën këtë përcaktim. Allahu i Madhëruar thotë: “...veç sikur ta dinit!” Pra, sikur ta kuptonit se po i jepni përparësi kësaj jete, e cila do të zhduket shpejt, kundrejt jetës tjetër, e cila do të jetë e përhershme, nuk do të vepronit kurrsesi ashtu dhe nuk do të bënit atë zgjedhje të keqe, që të meritonit zemërimin e Allahut. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ejfea Ibn Abd el Kelai, i cili duke u mbajtur një fjalim njerëzve, tha se Profeti i Allahut ka thënë: 1912. “Kur Allahu i Madhëruar t’i fusë banorët e Xhenetit në Xhenet dhe banorët e Zjarrit në Zjarr, do të thotë: “O banorë të Xhenetit, sa vite qëndruat në Tokë?” Ata do të thonë: “Ne qëndruam një ditë ose një pjesë dite.” Allahu i Lartësuar do të thotë: “Sa e mirë ishte tregtia juaj në atë ditë ose në atë pjesë dite! Ju fituat mëshirën Time, kënaqësinë Time dhe Xhenetin Tim. Qëndroni aty përjetë dhe përgjithmonë!” Pastaj thotë: “O banorë të Zjarrit, sa vite qëndruat në Tokë?” Ata do të thonë: “Qëndruam një ditë ose një pjesë dite!” Atëherë, Ai do të thotë: “Sa e keqe dhe e shëmtuar ishte tregtia juaj në atë ditë ose në atë pjesë dite! Ju merituat zjarrin Tim dhe zemërimin Tim mbi ju. Qëndroni aty përjetë dhe përgjithmonë!” - “A menduat, vallë, se Ne ju patëm krijuar kot ...” - Mos vallë, menduat se ju jeni krijuar kot, pa asnjë qëllim dhe pa asnjë kërkesë ndaj jush? Mos vallë, ju krijuam pa pasur asnjë urtësi dhe qëllim në këtë krijim? Një tjetër tefsir, që i është bërë këtij ajeti, thotë: Mos vallë, ju krijuam që të luani, të koteni e të dëfreheni në këtë dynja, ashtu si kafshët, të cilat nuk shpresojnë sevap dhe as i frikësohen ndëshkimit?! Përkundrazi, Ne ju krijuam që të jeni të nënshtruar në përmbushjen e urdhëresave dhe në adhurimin Tonë. - “... dhe se ju nuk do të ktheheshit te Ne?” - Mos menduat se ju nuk do të ktheheni në ahiret tek Ne? Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “ A mos mendon njeriu se do të lihet pa dhënë llogari?!” [Kijame 36]. A mos do të lihet pa u ngarkuar me urdhëresa e ndalesa e pa u shpërblyer ose ndëshkuar për to?! Ebu Naimi sjell hadithin nga Ibrahim Ibn Harithi, i cili rrëfen: 1913. “Njëherë, Profeti i Allahut na dërgoi në një ekspeditë ushtarake dhe na urdhëroi që, sa herë që të na zinte mbrëmja dhe mëngjesi, të thoshim (fjalët e ajetit kuranor): “ E fe ĥasibtum en - nemâ ħaleknâkum abetheu -ue en -nekum ilejnâ lâ turxheûn ?! (A menduat vallë, se Ne ju patëm krijuar kot dhe se ju nuk do të ktheheshit te Ne?)” Ne i thamë këto fjalë, ndaj u kthyem me plaçkë lufte dhe shpëtuam.” - “I lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi, i Vërteti!” - Allahu i Madhëruar është i Dëlirë, nuk ka të meta, ndaj nuk mund të krijojë diçka kot, pa qëllim dhe pa urtësi. E si mund të mendohet diçka e tillë, kur dihet se Allahu është Sunduesi dhe Mbretëruesi i vërtetë?!

- “Nuk ka zot tjetër, përveç Tij. Ai është Zoti i Arshit madhështor. ” - Përmendet Arshi, sepse ai është tavani i të gjitha krijesave. I Madhëruari e përshkruan Arshin si kerim, pra: me një pamje të bukur, me një formë mahnitëse. Ibn Ebu Hat imi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1914. “Sigurimi dhe shpëtimi i umetit tim nga mbytja, nëse hipin në një anije është që ata të thonë: “ Bismillâhil melikil ĥakk. Ue mâ kaderull -llâhe ĥak-ka kadrih uel erdu kabdatuhû jeumel kijâmeti ues -semâuâtu matuij -jâtun bi jeminih. Subĥânehû ue teâlâ am -mâ jushrikûn. Bismil -lâhi mexhrâhâ ue mursâhâ. In -ne rab -bi le gafûrur -raĥim! (Me emrin e Allahut, Mbretit e Sunduesit të vërtetë! Ata nuk e madhëruan Allahun me madhështinë që i takon, ndërsa Ditën e Kijametit e tërë toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do jenë të mbështjellë në të djathtën e Tij. I lavdëruar dhe i lartësuar qoftë Ai nga ajo që ata i shoqërojnë! Me emrin e Allahut, ajo lundron dhe ndalet! Vërtet, Zoti im është Falës i madh e Mëshirëplotë”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:101–23:114

- Pastaj kur t’i fryhet Surit (herën e dytë), atë Ditë nuk do të ketë më lidhje familjare mes tyre e as që do të pyesin më për njëri -tjetrin. - Allahu i Madhëruar na njofton për tmerret dhe ndodhitë e frikshme që do të përfshijnë gjithësinë atë ditë. Surit do t’i fryhet për ringjalljen e krijesave dhe atëherë të gjithë do të ngrihen nga varret, për t’u takuar në ditën e përcaktuar. Frika dhe tmerri i ka përfshirë thellë, aq sa harrojnë edhe prejardhjen dhe lidhjet e tyre farefisnore, të cilat në dynja ishin lidhjet më të forta. Mendo për lidhjet e tjera që janë më të dobta se ato! Askush nuk do të pyesë për gjë tjetër veç vetes. Çdokujt i mjafton vetja e vet, sepse nuk e di a do të shpëtojë dhe do të lumturohet përjetësisht, apo do të dëshpërohet përjetësisht për të mos parë më kurrë lumturi e mirësi? I Madhëruari thotë: "Por, kur të vijë ushtima, Ajo është dita kur njeriu ikën prej vëllait të vet, prej nënës dhe prej babait të vet, prej gruas dhe prej fëmijëve të vet. Atë ditë, çdo njeriu i mjafton çështja e vet." [Abese 33 – 37]. Ditën e Kijametit do të ketë momente kur

do të shtohet shumë vuajtja dhe dëshpërimi, frika nga ndëshkimi. Një nga këto momente është peshimi i veprave. Atë ditë, njeriu do të jetë i mbushur plot frikë kur të shohë të shfaqen hapur e me drejtësi veprat që janë pro tij dhe ato që janë kundër tij. Në peshore do të vendoset edhe grimca më e vogël, e mirë ose e keqe qoftë. - Atëherë, ata të cilëve u rëndojnë peshojat (e veprave të mira) - ata janë të shpëtuarit. - Atyre që u peshojnë më shumë veprat e mira se ato të këqijat, ata do të jenë fitimtarët, që do të shpëtojnë nga Zjarri dhe do të hyjnë në Xhenet. Ata do të nderohen me lëvdata të shumta përpara krijesave dhe me grada të larta. - Ndërsa, ata peshojat e të cilëve janë të lehta - ata e kanë humbur vetveten dhe janë në Xhehenem përgjithmonë. - Është fjala për ata të cilët kanë më shumë vepra të këqija se të mira. Për ata, Zoti thotë: "...ata e humbin vetveten...". Humbja e tyre është shumë e madhe, që kurrë nuk mund të kompensohet dhe të rregullohet. Ata humbin përjetësinë dhe e zhysin veten në dënimin dhe dëshpërimin e pafund. Ata e kanë patur mundësinë që të arrinin lumturinë e përjetshme pranë Zotit të botëve, por e humbin dhe e nënçmojnë veten, duke e lënë atë në dëshpërim e vuajtje të përjetshme. Allahu i Madhëruar thotë për ata që janë mbuluar tërësisht nga gjynahet se: "...janë në Xhehenem përgjithmonë." Kurrë nuk kanë për të dalë prej tij. Ky kërcënim, ashtu siç e theksuam, është për ata që janë mbuluar nga gjynahet e tyre, dhe të tillë mund të jenë veçse mohuesit. Këta lloj njerëzish nuk do ta kenë llogarinë si të tjerët, të cilëve u peshohen veprat e mira dhe të këqija, sepse këta nuk kanë ndonjë të mirë që t’u peshohet e t’u sjellë dobi, për shkak të kufrit të tyre. Por pasi të llogariten dhe përmblidhen veprat e tyre, ato do t’u paraqiten para syve të tyre dhe ata do t’i pranojnë se i kanë bërë dhe do të ndihen të poshtëruar. Ndërsa ata që e kanë themelin e imanit, teuhidin e Zotit, por kanë bërë shumë punë të këqija e gjynahe, aq sa ato peshojnë më shumë se veprat e mira të tyre, këta, edhe pse mund të hyjnë në zjarr, - nuk do të rrinë përjetësisht në të, ashtu siç tregojnë tekstet e Kur'anit dhe të Sunetit. Në vijim, Allahu i Madhëruar tregon përfundimin e keq të mohuesve: - Zjarri do t’ua djegë atyre fytyrat... - Zjarri i rrethon nga të gjitha anët, derisa u mbulon edhe fytyrën, që është pjesa më fisnike e trupit. Flakët e zjarrit do t’ua përpijnë fytyrat atyre. - ... dhe ata do të duken (të shëmtuar) pa buzë e me dhëmbë jashtë. - Fytyrat e tyre do të jenë të shëmtuara, të mbledhura nga zjarri, ndërsa buzët janë të prera nga dhimbja e madhe. Duke ua shtuar dhimbjen dhe poshtërimin, atyre u thuhet: - (atyre do t'u thuhet): A nuk u janë lexuar juve Ajetet e Mia;... - A nuk ju erdhën ajetet e Mia, që të merrnit mësim dhe të besonit Zotin dhe Shpalljen e tij? - ... e ju veçse i përgënjeshtruat? ” - Ju i mohuat ato padrejtësisht, me inat e arrogancë. Në fakt, nuk kishit asnjë të drejtë t’i mohonit, sepse ato ishin ajete të qarta dhe shumë mirë të shtjelluara. Ato jua bënin shumë të qartë të vërtetën nga e kota, të sinqertët nga gënjeshtarët. Atë ditë, ata do të pranojnë se ishin të padrejtë dhe keqbërës, por ky pendim e keqardhje tashmë nuk u vlen: - “Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur. - Ata i mposhti padrejtësia dhe refuzimi i së vërtetës, prandaj gjithmonë i ndoqi e liga dhe poshtërimi. Ata u bënë fatzinj, për shkak të refuzimit dhe mosbindjes ndaj së drejtës. Ata u bënë të pafuqishëm për t’iu shmangur rrugës së humbjes, sepse vetë e zgjodhën atë që u sillte dëm dhe i largonte nga e mira. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, ne na mundën të këqijat, prandaj u bëmë njerëz të humbur." Ata e pranojnë se ishin të humbur e injorantë. Ata kishin njohuri për të vërtetën, por ishin të humbur sepse nuk kanë punuar sipas saj dhe nuk janë nënshtruar të adhurojnë Zotin sipas

Shpalljes. Ata e pranojnë se vepronin si mendjelehtë e të humbur, që nuk arrijnë të dallojnë të mirën e vetes dhe dëmin e saj, si tregon Allahu në një tjetër ajet: "Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar dhe pasur mend, ne nuk do të ishim tani ndër banorët e Zjarrit.”. Pra, kështu i pranojnë ata gjynahet e veta. Larg mëshirës qofshin banorët e Zjarrit!" [Mulk 10, 11]. - O Zoti ynë! Na nxirr prej këtu! E, nëse gabojmë përsëri, atëherë, vërtet jemi të padrejtë.” – Ata gënjejnë, në fakt, sepse Allahu i Madhëruar thotë: "Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim Argumentat e Zotit tonë por do të bëheshim besimtarë.” Por, atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Por, edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” [En'am 27, 28]. Kështu, Allahu i Madhëruar nuk u lë atyre asnjë shteg justifikimi, sepse Ai u ka dhënë kohë të mjaftueshme në jetën e kësaj bote, aq sa ai që dëshiron të kuptojë dhe të ndjekë të mirën, e ka mundësinë ta bëjë. Kjo është kohë mëse e mjaftueshme që i padrejti të pendohet dhe të kthejë rrugë. Prandaj, në përgjigje të lutjeve të tyre në Zjarr, Allahu i Madhëruar thotë: - Ai do t'u thotë: “Heshtni aty e mos më flisni! - Zoti na ruajt nga zemërimi i Tij! Kjo është absolutisht fjala më tmerruese, më e dhimbshme dhe më poshtëruese, që u thuhet atyre të mjerëve. Ajo u këput çdo shpresë për ndonjë çlirim e të mirë dhe është paralajmëruese e vuajtjeve pa fund. Kjo fjalë dhe zemërimi i Zotit Mëshirëplotë do t’u duket shumë më e dhimbshme sesa frika nga dënimi i Zjarrit, që do të përjetojnë përjetësisht. Pastaj Allahu na tregon se çfarë i çon ata në Zjarr dhe ua këput shpresat për mëshirë e shpëtim: - Disa prej robve të Mi thanë: “O Zoti ynë, ne besojmë. Prandaj na fal dhe na mëshiro, sepse Ti je më i miri i mëshiruesve!” - Ata patën besim të sinqertë, i cili i nxiti të bëjnë punë të mira. Ata iu lutën Zotit për falje dhe mëshirë dhe kërkuan të afroheshin tek Ai duke dëshmuar aspektin rububije dhe faktin se ishte Ai që u dhuroi imanin. Ata kërkuan ndërmjetësim dhe afrim me Allahun duke e lëvduar dhe lutur me emrat dhe cilësitë e Tij, duke iu lutur me mëshirën e Tij dhe bamirësinë e Tij të përgjithshme. Të gjitha këto tregojnë se ata janë të nënshtruar e të mbushur me përunjësi e frikërespekt për Zotin. Ata e adhurojnë Zotin me përunjësi e frikë nga ndëshkimi i Tij dhe shpresë për shpërblimin e Tij. - Por ju i tallët ata, saqë ajo tallje ju bëri të harronit Mesazhin Tim. Ju qeshnit me ta. - Në fakt, ata ishin zotërinjtë e vërtetë dhe më të zgjedhurit e njerëzve, po ju: "...i tallët ata." Ju, mohues të besimit, keqbërës, mendjelehtë e faqezinj, guxuat që të talleshit me njerëzit më të zgjedhur e më të lartë. Ju i përçmuat dhe u tallët me ta. Kjo vepër e ulët ju angazhoi aq shumë, saqë: "...ju bëri të harronit të më kujtonit Mua." Kjo vepër e keqe u bë shkak që ata të

harronin të përmendnin Zotin. Mospërmendja e Zotit i nxiste dhe ua bënte të thjeshtë talljen me besimtarët, vepër e cila i bëri të meritonin që zemrat e tyre çdo ditë e më shumë të largoheshin nga përmendja e Zotit. Këto janë të lidhura me njëra tjetrën. Kjo është humbja e sigurt. - Unë do t'i shpërblej ata sot, sepse u treguan të durueshëm. – Sot, Unë po i shpërblej ata për bindjen ndaj Meje dhe për durimin kundrejt mundimeve që ju u jepnit me talljet tuaja. Me punë të mira dhe me durimin e plotë, arritën gradën e lartë, që Zoti thotë: - Ata janë, vërtet fitimtarët.” - Ata fituan mirësitë e përjetshme dhe shpëtimin nga Zjarri i ndezur fort, ashtu siç thuhet në një ajet tjetër: “Por sot janë besimtarët që do të tallen me jobesimtarët. Duke qëndruar mbështetur në kolltukë, ata do të vështrojnë. A u shpërblyen plotësisht jobesimtarët për atë që kanë bërë?" [Mutaffifin 34 – 36]. Duke i qortuar, Allahu i Madhëruar u drejtohet atyre fatzinjve dhe, duke i bërë të shohin mendjelehtësinë e tyre, u thotë: - Atyre do t'u thuhet: “E sa vjet keni qendruar në tokë?” - Edhe pse koha ka qenë shumë e shkurtër, ata kanë bërë aq shumë të këqija sa meritojnë zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut. Ata janë treguar mendjelehtë, sepse nuk e kanë shfrytëzuar këtë kohë të shkurtër për të bërë vepra të mira dhe për të fituar përjetësinë, ashtu siç veprojnë besimtarët, të cilëve Zoti u dhuroi urtësi e mençuri dhe ata fituan lumturinë e përjetshme dhe kënaqësinë e Zotit të tyre. - Ata do të thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës. - Kjo fjalë tregon opinionin e tyre në lidhje me kohën e qëndrimit në dynja dhe për faktin se ata e shihnin si një kohë shumë të shkurtër. Por ky nuk ishte përcaktim i saktë, prandaj do të thonë: - Por pyeti ata që dinë mbajnë llogari!” – Pyesni ata që e dinë me saktësi kohën e qëndrimit. Thonë kështu sepse ata të mjerë janë të zhytur në një dënim që ta heq mendjen nga gjithçka. - Pastaj do t'u thuhet: “Me të vërtetë keni qëndruar pak, veç sikur ta dinit!” - Sido që të jetë, e përcaktuat apo jo saktësisht kohën e qëndrimit në dynja, ju keni qëndruar shumë pak, sikur ta dinit.

← Muminun 23:112