← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

23. Muminun · Ajeti 17 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:12–23:22

Pas përshkrimit të cilësive të besimtarëve, kjo pjesë i bën një vështrim fuqisë krijuese të Zotit. Përmenden nëntë etapa, nëpër të cilat kalon njeriu dhe përfundon me ringjalljen. Origjina e njeriut të parë ishte prej balte, e për njerëzit e tjerë ajo zëvendësohet me një pikë uji dhe kështu vazhdon krijimi i tyre. Përmenden shtatë palë të larta që ne i quajmë qiej, e gjenden mbi ju, megjithse kur u krijuan ato, ne ende nuk ishim krijuar. Më pas, përmenden të mirat që vijnë pas shiut e edhe dobitë që kemi prej kafshëve, prej të cilave përfitojmë qumështin, leshin, mishin, e edhe bartjen e tyre. Të gjitha këto do të duhej t'i shërbenin njeriut si argument për respekt dhe falënderim ndaj Krijuesit fuqiplotë, që ta meritojë shpërblimin e madh në jetën e amshueshme. Duhet vërë veshin thënies: Ne nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam. E dihet se mbikëqyrja, kujdesi i Zotit ndaj çdo sendi e krijese, nuk përfundon me krijimin e tij, po kjo mbikëqyrje e ky kujdes janë të përhershme: Ai gjithnjë dhe në çdo çast udhëheq dhe orienton krijesat e veta, nuk i krijoi I e pastaj t'i lë pa mbikëqyrje të përherëshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:17

Pasi foli për krijimin e njeriut, Allahu i Lartësuar flet për krijimin e 7 qiejve. Janë të shpeshta rastet në Kuran, kur Allahu i Lartësuar përmend bashkë krijimin e qiejve dhe të Tokës me krijimin e njeriut, si për shembull: “S’ka dyshim se krijimi i qiejve dhe i Tokës është çështje më e madhe se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” [Gafir 57]. - “Ne kemi krijuar një shtatëshe mbi ju ...” - Domethënë, 7 qiej. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Allahu është Ai që krijoi shtatë qiej dhe Toka po aq sa ata. Nëpër to zbret vendimi i Tij, për të qenë të bindur se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka dhe se me të vërtetë, Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen e Vet.” [Talak 12] - “... dhe Ne nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam.” - Siç thotë në ajetin tjetër: “Ai di gjithçka që futet në Tokë dhe gjithçka që del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu vështron gjithçka që bëni ju.” [Hadid 3]. Allahut të Lartësuar nuk mund t’i fshihet një qiell nga një qiell tjetër dhe as njëra tokë nga toka tjetër. Diturisë së Tij gjithëpërfshirëse nuk mund t’i fshihet asgjë në qiell dhe në Tokë, as malet dhe asgjë që fshihet në thellësi të tyre apo në humnerat mes tyre. Atij nuk i fshihet asgjë që ndodhet në det, por Ai e di mirë se çfarë ndodhet në thellësitë e errëta të tij. Ai di saktësisht numrin e të gjitha thërrmijave dhe të çdo gjëje që ndodhet në male e kodra, di numrin e kokrrave të rërës e çdo gjë që gjendet brenda oqeaneve tyre. Ai di numrin e pemëve dhe të bimësisë. Madje, sikurse thotë i Lartësuari: “... Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë.”[En’am 59].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:17–23:20

Pasi përmendi krijimin e llojit njerëzor, Allahu i Madhëruar flet për vendin ku njeriu do të kalojë jetën e këtushme dhe mirësitë e shumta që i janë mundësuar në të. Ai thotë: - Dhe Ne kemi krijuar shtatë palë (qiej) mbi ju... - I ka bërë si tavan mbrojtës për njerëzit dhe të mbushur plot me dobi jetike për ta. Ata janë shtatë qiej, që Zoti i ka vendosur njëri sipër tjetrit, me kate. Allahu i Madhëruar e ka zbukuruar qiellin me yje dhe ka vendosur në të Diellin dhe Hënën. Ai ka bërë që ky qiell të jetë i mbushur plot mirësi të domosdoshme për jetën e krijesave. I Gjithëmëshirshmi thotë: - ... dhe Ne nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam. - Asgjë nuk del jashtë krijimit të Zotit. Çdo gjë është krijim i Tij. Po kështu, asgjë nuk mund të dalë jashtë përkujdesit të Tij. Kurrë nuk mund të ndodhë që Zoti të jetë i shkujdesur për krijesat dhe as nuk mund të ndodhë që të harrojë ndonjë gjë të tyre. Nuk mund të ndodhë që Zoti të krijojë diçka dhe ta lërë në harresë atë. E si mund të jetë Zoti i shkujdesur ndaj qiejve e Tokës?! Nëse do të ndodhte kjo, ata do të rrëzoheshin e shkatërrroheshin. Zoti është i Gjithëpushtetshmi dhe i Gjithëdituri, që kujdeset edhe për thërrmijën më të thellë në oqean dhe për grimcën më të fshehtë mes maleve e humnerave. Për çdo gjallesë, është Zoti Ai që ia lehtëson dhe ia jep rrizkun. Siç thotë i Madhëruari: "Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos ushqehet nga Allahu. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e tyre. Gjithçka gjendet në një Libër të qartë (Leuhi Mahfudh)." [Hud 6]. Në shumë ajete, Allahu i Madhëruar përmend së bashku krijimin dhe diturinë e Tij absolute, siç për shembull: "I fshihni ose i thoni fjalët tuaja haptas, nuk ka dyshim se Ai e di çfarë fshihni në zemrat tuaja. A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret." [Mulk 13, 14]. Ose: "A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, që t’i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi dhe i Gjithëdituri." [Ja sin 81]. Kjo bëhet për të treguar se krijimi i Zotit dhe çdo krijesë e Tij, është nga argumentet logjike më të forta dhe të qarta, që tregojnë për diturinë dhe urtësinë e Krijuesit të tyre. - Dhe Ne lëshojmë ujë nga qielli me masë të caktuar... - Nga ky ujë sigurohet jetesa juaj dhe e kafshëve tuaja. Furnizimi është gjithmonë i mjaftueshëm për ju dhe është bërë që juve të mos ju mungojë asgjë. Shiu bie në masë të mjaftueshme për tokën dhe bimësinë, që të plotësohen nevojat e saj. Ai bie në formë aq të bukur dhe të butë, që të mos jetë i dëmshëm e shkatërrues për të mbjellat dhe banesat tuaja. - ... dhe Ne e bëjmë atë (ujin) të futet në Tokë për ju. - E lëshojmë në tokë, e

grumbullojmë dhe ruajmë brenda saj. Pastaj, me pushtetin e të Gjithëmëshirshmit, dalin larmi bimësh në çift. Një pjesë të madhe të këtij uji, i Urti e mban nëpër burime e rezerva të mëdha ujore, që ju ta keni mundësinë për ta nxjerrë përsëri. Ai nuk është bërë të humbasë në thellësi të tokës dhe që ju të mos keni mundësi ta nxirrni: - Por Ne, sigurisht mund ta bëjmë atë (ujin) që të humbë (në thellësi të tokës). – Mund ta zhdukim duke mos e lejuar të bjerë nga qielli ose dhe e bëjmë të zhduket në thellësi të tokës, që ju të mos mund ta nxirrni, ose mund të bjerë furishëm e të shkatërrojë gjithçka. Kjo është një ftesë dhe nxitje për krijesat, që t’i shprehin mirënjohjen Zotit për mirësitë që u ka dhënë. Ata duhet ta vlerësojnë dhe dinë mirë se si është të mos i kesh ato mirësi, siç thotë i Madhëruari: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjellë juve ujë në sipërfaqe?!” [Mulk 30]. - Me anë të tij (ujit) Ne rrisim për ju kopshte hurmash e rrushi. - Nëpërmjet ujit, Ne bëjmë për ju kopshte me hurma e vreshta rrushi. Allahu i Madhëruar i përmend në mënyrë të veçantë këto dy lloje pemësh, - edhe pse bimësia që jeton me ujë është shumë e larmishme, - sepse ato janë shumë të dobishme dhe vlerat e tyre ua kalojnë shumë e shumë bimëve të tjera. Më pas, i Madhëruari thotë se në të gjitha llojet e bimësisë njerëzit kanë dobi e përfitime. - Në ato kopshte ju keni fruta me mbushulli me të cilat ju ushqeheni. - Nga ato kopshte, ju nxirrni fruta të shumta të llojeve të ndryshme, si ullinj, qitro, shegë, mollë etj. - Dhe (krijuam) një dru (ullirin) që rritet në Turi Sina e që jep vaj dhe mëlmesa për ata që e përdorin për ushqim. – Është fjala për pemën e ullirit. Ajo përmendet në mënyrë të veçantë, sepse është pemë shumë e dobishme. Gjithashtu, ulliri rritet shumë në rajonin e Shamit. Një nga mirësitë e mëdha të kësaj peme është vaji, i cili përdoret për ushqim, por edhe si lëndë djegëse, ndriçim apo gjëra të tjera.

← Muminun 23:17