← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

23. Muminun · Ajeti 63 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:53–23:74

Edhe pse të gjithë pejgamberët mësuan për të njëjtin besim dhe njerëzit qenë thirrur të jenë të bashkuar, ata u ndanë në shumë grupe, si: mexhusë, jehudi, të krishterë, etj., dhe kështu morën rrugë të gabuara, duke pretenduar secili grup se rruga e tij është më e mira. Ata mendojnë se janë të privilegjuar pse Ne u kemi dhuruar pasuri e fëmijë, por e ta dijnë se janë të mashtruar.

Janë për t'u krenuar ata të cilët i kanë frikë madhërisë së Zotit, ata që i besojnë shpalljet e tij, ata që nuk adhurojnë tjetër pos Zotit, ata që duke e ditur se do të kthehen të Zoti kanë frikë në zemrat e tyre, dhe nga pasuria e tyre japin zeqat. Të pajisurit me këto virtyte, sigurisht do të arrijnë shpërblimin e merituar, e arritja e virtyteve të tilla nuk është e pamundshme.

Dënimi i zë zakonisht së pari ata që jetojnë në komoditet, ngase ata janë prijësit e punëve të këqia, e prandaj atyre nuk u pranohet as lutja për shpëtim, pse përveç se nuk ua vënin veshin mësimeve të Kur'anit, ata me kryelartësi fyenin si Kur'anin ashtu edhe vendin e shenjtë, Qaben, edhe pse e njihnin mirë besnikërinë dhe drejtësinë e Muhammedit, madje e quanin edhe i të çmendur. Kur'ani nuk përputhej me dëshirat e tyre, sepse ajo do të ishte shkatërrim. Megjithatë, qe Kur'ani ua shtonte atyre i famën dhe autoritetin, sikur ata ta besonin, ata e refuzonin, edhe pse Muhammedi nuk kërkonte nga ata ndonjë tagër, por vetëm i udhëzonte në rrugën e drejtë e të shpëtimit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:62–23:67

- “Ne nuk e detyrojmë askënd përtej mundësive të tij. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për drejtësinë e Tij absolute, të vendosur në Sheriatin e Tij, që njerëzit janë urdhëruar ta zbatojnë. Ai na tregon se e ka ngarkuar njeriun veçse me ato gjëra që janë brenda mundësive të tij për t’u përmbushur. Allahu na njofton se, Ditën e Kijametit, Ai ka për t’i marrë në llogari robërit për veprat e tyre, në lidhje me urdhëresat dhe ligjet e Tij. Allahu i Lartësuar i ka ruajtur të shkruara në një libër veprat e tyre. Asgjë nuk humb dhe nuk mund të fshihet: - “Te Ne është libri që shënon gjithçka me saktësi ...” - Është fjala për regjistrin e veprave. - “... dhe atyre nuk do t'u bëhet asnjë padrejtësi.” - Atyre nuk do t’u mohohet

shpërblimi për veprat e mira në bindje ndaj Allahut të Madhëruar, por do të marrin maksimumin e tij. Ndërsa për sa u përket gjynaheve, Allahu i Lartësuar premton për shumë besimtarë falje dhe fshirje të të këqijave. Në vijim, Allahu i Lartësuar hedh poshtë pretendimet e idhujtarëve kurejshë: - “Por zemrat e tyre janë të verbuara ...” - Zemrat e tyre janë shpërfillëse ndaj Kuranit dhe Shpalljes së Zotit. - “... dhe ata do të vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija. ” - Përveç idhujtarisë, ku janë zhytur, ata kanë dhe shumë vepra të këqija, të cilat do ta bëjnë mëse të meritueshëm vendimin e Zotit për ndëshkimin e tyre. - “Kur Ne t’i dënojmë ata që kanë qenë të shfrenuar, ata do të ngrenë zërat me lutje (për ndihmë) .” - Kur t’u vijë ndë - shkimi i Allahut të shfrenuarve në gjynahe, padrejtësi dhe kufër, atyre që janë zhytur në mirësitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, ata do të bërtasin përvuajtshëm e do të kërkojnë ndihmë. Në një ajet tjetër thuhet: “M’i lër Mua ata gënjeshtarë pasanikë dhe jepu atyre një afat të shkurtër! Me të vërtetë, tek Ne ka ndëshkim dhe zjarr. Ka ushqim që nuk gëlltitet dhe dënim të dhembshëm.” [Muze - mil 11 - 13], ose: “Sa e sa breza kemi shka - tërruar Ne para tyre. Në fund, ata u lutën për (mëshirë e) shpëtim, por nuk kishte më kohë për shpëtim. ” [Sad 3]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: - “Mos e ngrini zërin sot, sepse ju nuk keni për t'u ndihmuar nga Ne! ” - Sot askush nuk mund t’ju strehojë dhe shpëtojë nga ndëshkimi Ynë. Për ju është njëlloj, si të kërkoni ndihmë duke bërtitur, si të heshtni. Vendimi tashmë është i pakthye - shëm dhe dënimi i pashmangshëm. Në vijim, Allahu i Lartësuar tregon padrejtësinë e tyre më të madhe, që i çon në atë përfundim të dhimbshëm: - “Sepse, kur ju lexoheshin ajetet e Mia, ju u kthenit shpinën dhe iknit. ” - Kur ju thuhej të pranonit ftesën e Allahut, ju refuzonit me forcë; kur ftoheshit për adhurime dhe vepra të mira, ju kthenit shpinën. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “ Ata do të thonë: “O Zoti ynë! Na bëre të vdesim dy herë dhe na ngjalle dy herë. Ne i pranojmë gjynahet tona tani. Prandaj, a ka për ne ndonjë rrugëdalje?” - “Këtë ndëshkim e merituat vetë, sepse kur ishte fjala për ta adhuruar Allahun si një të vetëm, ju e refuzonit. Por kur i bëheshin ortakë Atij (në adhurim), ju e pranonit. Por i tërë sundimi i përket Allahut, të Lartit, të Madhëruarit!” [Gafir 11, 12]. - “Tregonit arrogancë dhe bisedonit natën duke fyer atë. ” - Ju tregoheshit mendjemëdhenj, madje krenoheshit se ishit shërbëtorët e Shtëpisë së Zotit, ndërsa nga ana tjetër kalonit net duke refuzuar Kuranin dhe duke thënë të pavërteta për të, herë duke thënë se ai është magji, herë se është poezi, e herë të tjera se është fall. Ju e përmendnit vazhdimisht profetin Muhamed ﷺ duke e fyer dhe ofenduar, duke nxjerrë shpifje nga gojët tuaja, duke thënë se ai është poet, fallxhor, magjistar, mashtrues, i çmendur. Përkundrazi, ai ishte adhuruesi i Allahut, profet i dërguar prej Tij, të cilin Allahu e bëri të triumfonte mbi ju të gjithë. Allahu i Madhëruar bëri që ju të dëboheshit nga Vendi i Shenjtë, të përçmuar e të përulur. Kështu, idhujtarët e mbushnin Vendin e Shenjtë me fjalë të poshtra dhe përshkrime të padenja për Librin e Allahut dhe Profetin e Tij. Pa dyshim që kjo nuk kishte lidhje me përkujdesjen, ndërtimin dhe respektimin e Shtëpisë së Allahut, por ishte shkatërrim dhe çnderim i saj. Zoti na ruajtë nga të tilla devijime!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:63–23:71

- Por zemrat e tyre (mohuesve) janë të verbuara... - Allahu i Madhëruar na përshkruan zemrat e atyre që mohojnë profetët dhe shpalljet e Tij, duke thënë se ato janë të zhytura në padituri e padrejtësi, harame e shkujdesje ndaj së vërtetës. Ata i kanë kthyer shpinën asaj dhe kjo i pengon ata nga Kur'ani. Atyre nuk u bëhet mbarë që të arrijnë te Kur'ani dhe asgjë prej tij nuk arrin në zemrat e tyre, siç thotë Zoti i Madhëruar: “Kur ti e lexon Kur’anin, në mes teje dhe atyre që nuk e besojnë Botën Tjetër, Ne vëmë një perde të padukshme. Në zemrat e tyre kemi vënë mbulesë, që të mos e kuptojnë atë (Kur'anin) dhe në veshët e tyre ka shurdhim të thellë. E, kur ti (O Muhamed) e përmend në Kur’an Zotin tënd, si Një të Vetëm, ata kthejnë shpinën dhe largohen.” [Isra 45, 46]. Kështu, duke qenë se zemrat e tyre janë të zhytura në padituri e mohimin e së vërtetës, ata vazhdojnë të bëjnë vepra të ulëta kufri dhe në kundërshtim me Sheriatin e Zotit, gjë që e bën të detyruar ndëshkimin e tyre. - ... dhe ata do të vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija. - Ata do të vazhdojnë të bëjnë punë të ulëta kufri e poshtërsie, por ti mos u çudit nga afatizimi i Zotit për ta dhe mosndëshkimi i tyre. Allahu i Urtë dhe i Plotpushtetshëm i afatizon ata, që të mund t'i kryejnë ato vepra që është shkruar se do t’i bëjnë. Por kur ata t'i bëjnë dhe t’i plotësojnë ato, atëherë do të tmerrohen kur

t’i godasë zemërimi dhe ndëshkimi i Allahut. - Kur Ne t’i dënojmë ata që kanë qenë të shfrenuar,... - Bëhet fjalë për ata që janë mësuar me luksin e stolitë e shumta të kësaj bote dhe asnjëherë nuk janë prekur nga ndonjë bela e vështirësi. Pikërisht këta njerëz të padrejtë e keqbërës, kur t’i prekë dënimi i Zotit: - ... ata do të ngrenë zërat me lutje (për ndihmë). - Do të ulërasin nga dhimbjet, të cilat duken shumë më të forta për shkak se nuk janë mësuar me to. Ata kërkojnë ndihmë me përgjërim, por do t'u thuhet: - Mos e ngreni zërin sot, sepse ju nuk keni për t'u ndihmuar nga Ne! - Duke qenë se nga Allahu nuk do t’u vijë asnjë ndihmë, ata do të dëshpërohen. As veten e vet nuk mund ta ndihmojnë dhe askush nuk do të vijë për t’i shpëtuar. Nëse dikush pyet: Po përse erdhën ata në këtë pikë? Përgjigjja është: - Sepse, kur ju lexoheshin ajetet e Mia, ju u kthenit shpinën dhe iknit. - Ajetet e Zotit ju lexoheshin që ju t’i besonit ato dhe të përkushtoheshit për të adhuruar Zotin dhe për të jetuar sipas ligjit të Tij, por ju refuzuat ta bënit diçka të tillë. Përkundrazi: - Tregoheshit arrogantë ndaj tij e me fyerje kundër tij natën bisedonit. - Ju tërhiqeshit dhe e lëshonit veten tërësisht drejt ligësisë. Me fjalë të tjera, nëse do të punonit e të besonit Kur'anin, ju do të përparonit drejt së mirës, por duke qenë se e refuzuat atë, u tërhoqët pas ligësisë, e kështu do të bini në gradën më të ulët. Jo vetëm kaq, por: “e fyenit në bisedat tuaja të natës." Kjo u drejtohet fillimisht arabëve, të cilëve u foli ky Kur'an dhe u thotë: “Ju lavdëroheshit dikur me Shtëpinë e Shenjtë, Qaben, dhe pretendonit se ishit më të mirë se njerëzit e tjerë, sepse ishit kujdesatarë të Qabes. Por kur ju erdhi e vërteta, ju shpifët fjalë të ulta për Kur'anin në bisedimet tuaja të përbashkëta të natës. Kjo ishte rruga dhe sjellja e mohuesve në lidhje me Kur'anin. Jo vetëm që e refuzonin, por edhe flisnin me njëri tjetrin e shpifnin kundër tij, siç thotë Zoti për ta: "Ata që nuk besojnë thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran dhe, kur të lexohet, llomotitni, se ndoshta ia dilni mbanë!” [Fusilet 26]. Gjithashtu: "Vallë, prej këtyre fjalëve po habiteni dhe po qeshni, e nuk po qani?! Madje, zhyteni me thellë në shkujdesje?! Bini në sexhde për Allahun dhe adhurojeni Atë! [Nexhm 59 – 61]. Ose thotë: "Në fakt, ata thonë: “Ai e trilloi atë (Kuranin).” Jo, kurrsesi nuk është ashtu, por ata nuk besojnë. Le ta sjellin një libër si ai, nëse është e vërtetë ajo që thonë!" [Tur 33, 34]. Duke qenë të bashkuar në të tilla poshtërsi, nuk ka dyshim se mbi ta do të zbresë ndëshkimi i Zotit. Dhe kur mbi ta të bjerë ndëshkimi, askush nuk ka për t’i ndihmuar. Nuk do të gjejnë asnjë që t’i luten për ndihmë dhe që mund t’ua ofrojë atë. Ata do të poshtërohen edhe më shumë me fjalë therëse, për shkak të veprave të tyre të këqija: - A nuk mendojnë ata thellë mbi fjalën e Allahut (Kur’anin),... – Pse nuk meditojnë rreth këtij Kur'ani? Kjo do të sillte imanin në zemrat e tyre, do t'i shëronte dhe do t’i

shpëtonte nga kufri. Por ata i goditi një bela e madhe, për shkak të refuzimit dhe shpërfilljes së këtij Kur'ani. Kjo tregon se të medituarit në Kur'an sjell vetëm të mira dhe të mbron nga të këqijat. Ajo që i pengoi ata nga meditimi në Kur'an ishte fakti se zemrat e tyre ishin të kyçura. - ... apo mos u ka ardhur diçka (e re), që të parëve të tyre të lashtë nuk u pati ardhur? - Apo mohuan sepse Kur'ani solli diçka që binte ndesh me rrugën e të parëve të tyre? Ata e refuzuan Kur'anin dhe Profetin, sepse ndoqën rrugën e të parëve të tyre, që ishin të humbur. Ata kundërshtonin çdo rrugë që binte ndesh me rrugën e të parëve të tyre. Allahu na tregon fjalët e tyre, kur thotë: "Ne nuk kemi dërguar para teje profet në ndonjë vendbanim, që paria e shfrenuar e tij të mos i ketë thënë: “Ne i kemi gjetur të parët tanë në këtë fé, prandaj do t’i ndjekim gjurmët e tyre me këmbëngulje”. Ai (Profeti) u thoshte: “Vallë, edhe pse ju kam sjellë një udhëzim më të mirë nga ai që ju keni gjetur tek të parët tuaj?” Ata thoshin: “Ne e mohojmë atë gjë, për të cilën ju jeni dërguar.” [Zuhruf 23, 24]. Nëse do të kishit synim të ndiqnit të vërtetën, ju do ta bënit. Megjithatë, përgjigjja e tyre ishte: “Ne e mohojmë atë gjë, për të cilën ju jeni dërguar.” - Apo mos, vallë, nuk e njohin të dërguarin e tyre (Muhamedin), prandaj dhe e refuzojnë atë?! – Vallë, e mohuan Shpalljen sepse Muhamedi ishte i panjohur mes tyre? Vallë, e refuzuan të vërtetën se nuk dinin sa duhej për Profetin e tyre, Muhamedin? Mos, vallë, thoshin: “Nuk e dimë kush është ai, nuk e njohim sinqeritetin e tij, prandaj kemi nevojë për njëfarë kohe, që ta njohin besnikërinë e tij?” Mos, vallë, thonë: "Prisni, sa të pyesim rreth tij ata që kanë përvojë!"? Por çështja nuk qëndronte aspak kështu. Ata e njihnin profetin Muhamed plotësisht. Të vegjlit dhe të mëdhenjtë ia njihnin Muhamedit virtytet e larta. Ata e njihnin shumë mirë sinqeritetin dhe besnikërinë e tij. Edhe para se të bëhej profet, e thërrisnin Emin - Besniku. Atëherë, përse nuk e pranonin besnikërinë dhe vërtetësinë e tij në Shpallje? Përse e refuzuan kur ai u solli nga Zoti të vërtetën e qartë, me besnikërinë më të madhe? - Apo mos thonë për të se "është i çmendur"? - Ata e konsideruan të çmendur. Për këtë arsye, thanë që të çmendurit nuk i merren për bazë fjalët dhe as që duhet dëgjuar. I çmenduri thotë përçartje të kota dhe fjalë pa lidhje e të ulëta. Por Allahu i Madhëruar u përgjigjet dhe ua hedh poshtë atyre këtë pretendim, kur thotë: - Jo, kurrësesi! Ai u ka sjellë atyre të Vërtetën, por e shumica e tyre e urrejnë të Vërtetën. - Përkundrazi! Ai ju solli një çështje shumë të rëndësishme. Shpallja që ju solli Muhamedi është e gjitha drejtësi dhe vërtetësi, pa asnjë dyshim në të. Në të, askush nuk ka për të gjetur kundërthënie e kundërshti. Atëherë, si mund ta quani të çmendur atë që e solli këtë shpallje madhështore nga Zoti?! Ky profet është besnik dhe në gradën më të lartë të përsosmërisë, në drejtim të diturisë, logjikës së plotë, dhe moralit të lartë. Madje, përkundrazi, ajo që ju pengoi që të besoni këtë njeri, i cili ju solli të vërtetën nga Zoti është fakti që ju e urreni të vërtetën. E vërteta më e madhe që ky njeri ju solli nga Zoti është urdhri për sinqeritet të plotë në përkushtimin e të gjitha adhurimeve veçse për Atë dhe për braktisjen e çdo adhurimi për ndonjë tjetër. Dihet mirë se sa shumë e urreni ju këtë. Ky profet e solli këtë të vërtetë të madhe nga Zoti, por ju e mohuat atë, sepse urreni mesazhin e vërtetë, e jo sepse keni dyshime në Profetin që u dërgua ndër ju: "Ata, në të vërtetë, nuk të mohojnë ty, por ata keqbërës mohojnë me forcë argumentet e Allahut." [En'am 33]. Nëse dikush thotë: përse të mos ishte e vërteta në përputhje me shijet dhe dëshirat e popullit, dhe kështu ata do të nënshtroheshin dhe do ta besonin atë profet? Allahu i Madhëruar i përgjigjet:

- Sikur e vërteta të kishte qenë sipas dëshirave të tyre, sigurisht do të ishin shkatërruar qiejt e Toka dhe çdo gjë që gjendet në to. - Kjo do të ndodhte, sepse dëshirat e tyre janë të lidhura ngushtë dhe të ndërtuara mbi padrejtësinë, mohimin dhe cilësitë më të këqija e të ulëta. Nëse e vërteta do të shkonte pas dëshirave të atyre të humburve, do të shkatërroheshin qiejt e toka, sepse ato dëshira do të prishnin rregullin e funksionimit të gjërave. Nëse rregullimi dhe funksionimi i çështjeve ndërtohen mbi padrejtësinë e ligësinë, qiejt dhe toka do të shkatërroheshin, pasi ato qëndrojnë vetëm sepse janë të ndërtuara mbi drejtësinë e mirësinë e Zotit. - Ne u sollëm atyre Këshillën (Kur’anin),... - Ne u dhamë këtë Kur'an, që i kujton dhe i nxit ata për çdo të mirë. Përmes mirësive dhe Kur'anit, do të lartësohet fama dhe krenaria e tyre ndër njerëz. Nëse do të zbatojnë këtë Kur'an dhe do ta ndërtojnë jetën e tyre sipas tij, ata do të jenë udhëheqës të botës. - ... por ata i kthyen shpinën. - Kjo është fatkeqësia më e madhe për ta. Nëse Zoti të privon nga kjo mirësi, atëherë je zhytur në fatkeqësinë më të madhe. Kjo ndodh nëse shpërfill ftesën bujare të Zotit, siç thotë i Madhëruari: "Ata e kanë harruar Allahun, prandaj Ai i ka harruar ata." [Teube 67]. Ose: "Mos u bëni si ata që e harruan Allahun e prandaj Allahu i bëri që të harrojnë vetveten! Ata janë të shfrenuarit." [Hashr 19}. Kur'ani, ashtu si edhe Profeti të cilit iu shpall ky libër, është mirësia më e madhe që ju dha këtij populli, por ata iu kundërvunë me mohim. A ka privim më të madh sesa ky? Fundi i këtij privimi është humbja dhe dëshpërimi më i madh.

← Muminun 23:63