← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

23. Muminun · Ajeti 76 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:75–23:89

Kurejshitët idhujtarë i pat zënë skamje e tmerrshme, derisa detyroheshin të hanin edhe shtazë të ngordhura. Njëfarë Thumame bin Athal u kishte bllokuar rrugën e tregtisë dhe ishte betuar se nuk do të lejonte kokërr drithi të sillej në Meke derisa Pejgamberi të lejonte një gjë të tillë. Kur u shtrënguan së tepërmi nga skamja, Ebu Sufjani i tha Pejgamberit: Po mendon se je i dërguar mëshirë për botën" Pejgamberi i përgjegji: "Pot" Atëherë, ai tha: Prindërit e idhujtarëve ranë viktimë nga shpata, të bijtë e tyre po bijnë viktimë urie, atëherë Pejgamberit iu shpall ajeti: "Edhe sikur t'i mëshirojmë... dhe u tërhoqi vërejtjen se ata do t'i zë dënimi edhe më i ashpër, përderisa nuk i pranojnë mësimet e Allahut të shpallura në Kur'an.

Allahu ua numëron të mirat që u ka dhënë njerëzve, e megjithatë, disa prej tyre, si kurejshitët, nuk falënderojnë fare. Ai sqaron fuqinë e Vet të pakufishme në krijimin e çdo sendi, në pushtetin dhe kompetencën e Tij edhe ndaj Arshit të madh, për atë se vetëm Ai merr në mbrojtje atë që do dhe askush tjetër nuk mund të ketë mbrojtje jashtë mbrojtjes së Tij, po edhe pas këtyre fakteve ata bredhin në iluzionet e mëparshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:76–23:83

- “Ne i sprovuam ata me vështirësi ...” - I sprovuam ata me bela dhe vështirësi. - “... por ata nuk iu përulën Zotit të tyre e as nuk iu drejtuan n Atij me lutje. ” - Pavarësisht nga këto sprova nga Zoti, ata nuk hoqën dorë nga kufri dhe kundërshtimi i të vërtetës, por vazhduan në rrugën e humbjes, shfrenimit dhe të mosbindjes ndaj Allahut. Zemrat e tyre nuk u mbushën me frikë, nënshtrim dhe përunjësi për Allahun, prandaj nuk u kthyen tek Ai, për t’iu lutur me përunjësi. Pikërisht për këtë i zbret Allahu sprovat, siç thotë në ajetin: “Përse, atëherë, nuk mësuan të përuleshin, pasi u erdhi dënimi Ynë? Sepse zemrat e tyre ishin të ngurta dhe Shejtani ua hijeshoi atë që bënin.” [En’am 43]. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Abasi, i cili rrëfen: 1901. “Ebu Sufjani shkoi njëherë tek Profeti i Allahut dhe i tha: “O Muhamed, po të përgjërohem për hir të Allahut dhe të mëshirës për farefisin! Na shkatërroi ngrënia e lëkurëve dhe e gjakut (nga skamja e madhe që kishte goditur mbi ta) ...” Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin: “Ne i sprovuam ata me vështirësi, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre...”. Baza e këtij hadithi është në dy Sahih-ët, ku, ndër të tjera thuhet: 1902. “I Dërguari i Allahut u lut kundër kurejshëve, kur ata refu zuan të pasonin rrugën e tij: “O Zot, më ndihmo me shtatë vite (skamje) kundër tyre, ashtu si shtatë vitet e Jusufit!” - “Kur t’u hapim portën që të çon te dënimi i ashpër, ata do të mbeten aty të dëshpëruar.” - Kjo do të ndodhë kur të vijë befas urdhri i Allahut për t’u bërë Kijameti. Ata do t’i përfshijë ndëshkimi i Allahut dhe do të përballen me diçka, që kurrë nuk e kanë imagjinuar. Në këtë çast, ata do ta humbasin çdo shpresë për shpëtim. - “Është Allahu, Ai që ju dhuroi të dëgjuarit, të parët dhe aftësinë e të menduarit ...” - Allahu i Lartësuar flet për mirësitë mbi robërit e Tij besimtarë, duke u dhuruar aftësinë e të dëgjuarit dhe të shikimit, duke u dhënë zemër, me të cilën ata mund të meditojnë, të zgjedhin të mirën dhe ta duan atë. Është pikërisht aftësia e të menduarit dhe e të kuptuarit, nëpërmjet të cilës ata analizojnë çështjet dhe nxjerrin mësime prej tyre. Duke medituar në këtë gjithësi, në të cilën Allahu i Lartësuar ka sjellë shenja të panumërta, ata mund të argumentojnë faktin që Ai është një i vetëm dhe është i vetmi që vepron në gjithësinë e Tij, ashtu si Ai dëshiron dhe ashtu si e kërkon vullneti i Tij. - “... por shumë pak mirënjohje po tregoni ndaj Tij .” - Sa e pakët është mirënjohja juaj për Allahun, duke parë gjithë ato mirësi, që ju ka dhuruar dhe me të cilat ju ka bekuar dhe nderuar. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Shumica e njerëzve nuk do të jenë besimtarë, sado të ngulësh këmbë ti.” [Jusuf 103]. - “Është Ai që ju krijoi e ju shumoi në Tokë dhe vetëm tek Ai do të tuboheni . Është Ai që jep jetën dhe vdekjen dhe bën ndërrimin e natës dhe të ditës. ” - Allahu i Lartësuar na tregon për pushtetin madhështor dhe sundimin e Tij mbi çdo gjë. Ai na tregon se është i plotpushtetshëm për të krijuar qiejt e Tokën, të gjitha gjallesat që ato përmbajnë, si edhe njerëzit, që Ai i ka shpërndarë në Tokë, me larmishmërinë e tyre, me gjuhët, cilësitë dhe veçoritë e tyre. Allahu i Lartësuar ka fuqi, gjithashtu, që t’i

mbledhë së bashku të parët dhe të fundit Ditën e Kijametit, - ditë e përcaktuar nga Ai, - ashtu sikurse i krijoi herën e parë: - “A nuk do të kuptoni? ” - A nuk keni logjikë, e cila ju drejton t’i nënshtroheni Krenarit e të Gjithëditurit, vullnetit të të Cilit i është nënshtruar çdo gjë? - “Edhe këta flasin (kotësira), ashtu siç flisnin ata para tyre. ” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth atyre që nuk e besojnë ringjalljen. Fjalët e tyre ngjajnë me ato të popujve të shkuar, të cilët gjithashtu mohuan të vërtetën. I Lartësuari thotë: - “Ata thonë: “Mos vallë, pasi të vdesim e të bëhemi dhé e eshtra, do të ringja - llemi?!” - Ata e konsiderojnë si të pamundur çështjen e ringjalljes, pasi të jenë tretur në tokë. Ata thonë: - “Të tilla gjëra na janë premtuar neve dhe prindërve tanë më parë! Ato nuk janë gjë tjetër, veçse mite të vjetra.” - Ata nënkuptojnë se ringjallja pas vdekjes nuk mund të ndodhë kurrë. Ata mëtojnë se, të gjithë ata që flasin rreth ringjalljes nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përcjellin mite të vjetra të popujve të shkuar, të cilat janë thjesht trillim i mendjes së njeriut. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar në ajetin tjetër: “Ata (mohuesit) thonë: “A thua, do të bëhemi përsëri kështu si jemi, edhe pasi të jemi bërë eshtra të kalbura?!” Ata (mohuesit) thonë: “Atëherë, ai kthim do të jetë dëshpërues për ne!” Ajo do të jetë një britmë e vetme, dhe menjëherë ata do t’ia behin mbi sipërfaqen e tokës.” [Naziat 11 - 14]. Ose: “A nuk e sheh njeriu se Ne e krijuam atë nga një pikë lëng? Por sërish ai bëhet kundërshtar i hapur! Ai bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat, pasi të jenë kalbur?!” Thuaji: “Do t'i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë. Ai, për çdo krijim, është i Gjithëditur.” [Ja sin 77 - 79].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:75–23:77

- Sikur Ne t’i mëshironim ata dhe t’ua largonim fatkeqësinë që u ka rënë, ata do të ngulmonin me kryeneçësi në shfrenimin e tyre. - Në këto ajete jepet qartë inati, rebelimi i madh dhe mosmirënjohja e tyre ndaj Zotit. Kur u bie ndonjë bela, ata i luten Zotit dhe i premtojnë se nëse Ai do t’ua largojë fatkeqësinë dhe vuajtjet, do ta besojnë dhe do t’i nënshtrohen Atij. Ndonjëherë, Allahu i Madhëruar i sprovon ata që t’i kthehen dhe t’i nënshtrohen. Por kur Ai ua largon vështirësinë, ata zhyten më thellë në shfrenim e poshtërsi. Ata harrohen në mohimin e tyre dhe janë tërësisht të humbur e të devijuar. Allahu përshkruan gjendjen e tyre kur janë në anije, në mes të dallgëve: "Ai jua bëri të mundur udhëtimin në tokë e në det. Kur janë në anije, të cilat i lëviz era e lehtë, ata janë të lumtur me këtë; por, kur vjen ndonjë erë e fortë dhe ata përfshihen nga valët nga të gjitha anët, ata binden se janë të shkatërruar; prandaj e lusin Allahun me sinqeritet, duke iu përkushtuar vetëm Atij në fenë e Tij (duke thënë) : “Nëse na shpëton nga kjo gjendje, ne do të të jemi gjithnjë falënderues.” Por, kur Ai i shpëton,

ata përsëri i kalojnë kufijtë në tokë, pa asnjë të drejtë. O ju njerëz! Padrejtësia juaj është veçse kundër vetes suaj. Ky është veçse një përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne . Ne do t’ju tregojmë gjithçka që keni bërë." [Junus 22, 23]. - Ne i sprovuam ata me Dënim,... – Shpjeguesit e Kur'anit thonë se këtu bëhet fjalë për urinë e madhe që i kaploi ata për 7 vjet rresht. Allahu i sprovoi ata me këtë krizë, që ata të ktheheshin duke iu dorëzuar dhe nënshtruar tërësisht vetëm Atij. Megjithatë, kjo nuk pati efekt tek ata, prandaj askush prej tyre nuk shpëtoi. I Lartësuari thotë: - ... po ata nuk iu përulën Zotit të tyre... - Ata nuk u nënshtruan para Zotit. - ... e as nuk iu drejtuan Atij me lutje. – Ata i treguan Atij nevojën dhe varfërinë e tyre, por për ta ajo ishte thjesht një vështirësi kalimtare, thua se nuk kishte ndodhur kurrë. Kështu, ata vazhduan përsëri me mashtrimin e vetes dhe mohimin e Zotit. Por në fund, ata i pret një dënim që nuk mund të shmanget më dhe që kurrë nuk do të përfundojë e as do të largohet prej tyre. I Madhëruari thotë: - (kështu do të vazhdojnë) Derisa t’ua hapim portën që të çon te dënimi i ashpër - atëherë ata do të mbesin aty me shpresa të humbura. – Kështu, ata u ndëshkuan në luftën e Bedrit dhe në vitet në vazhdim. Ndëshkimet i goditën njëra pas tjetrës dhe ata mbetën të pashpresë dhe të pamundur për të arritur ndonjë të mirë. Ata i gllabëroi e keqja me të gjitha llojet e saj. Le të ruhen këta të mjerë nga ligësitë dhe rrugët e tyre, para se t’u vijë ai dënim, që do të jetë shumë i ashpër, dhe jo si këto vështirësi të kësaj jete, të cilat ndoshta largohen. Vështirësitë e kësaj bote vijnë që njerëzit t’i kthehen Zotit, i Cili thotë: "Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det katastrofa, që ata të shijojnë një pjesë të ndëshkimit që meritojnë dhe me shpresë që të kthehen (nga të këqijat)." [Rum 41]. Por dënimi i ahiretit është i pafundmë dhe i padurueshëm dhe atëherë nuk të bën më dobi besimi.

← Muminun 23:76