← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

24. Nur · Ajeti 27 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:21–24:34

Ruanu e mos u mashtroni nga ngacmimet që ua bën dreqi, sepse ai çdo herë përpiqet t'ju shpjerë në punë, të pamoralshme, pra kërkoni ndihmën e Zotit, se vetëm Ai mund t'ju shpëtojë prej punëve të liga.

Ebu Bekri e kishte të afërt Mistahin dhe gjithmonë e kishte ndihmuar. Kur ndodhi shpifja rreth Ajshes, edhe Mistahi ishte përzier në përgojime. Atëherë Ebu Bekri betohet se më nuk do ta ndihmojë atë. Kur shpallet ajeti, i cili urdhëron që të mos betohen njerëzit e ndershëm e të pasur për të mos u dhënë më të afërmve etj., Ebu Bekri pendohet e thotë: unë dëshiroj të më falë Allahu, pra do ta ndihmoj Mustahun. Në këtë ajet thuhet: njerëzit e ndershëm, e aludohet në Ebu bekrin. Ky vlerësim prej Zoti xh. sh. është lavdatë e madhe për Ebu Bekrin.

Të mallkuar janë ata që trillojnë shpifje ndaj grave të pafajshme. Fjalët e këqia burojnë prej të këqinjve e të mirat prej të mirëve. Vetëm njerëzit e pamoralshëm anojnë kah të pamoralshmet, e të ndershmit anojnë kah të ndershmet. Të ndershmet dhe të ndershmit janë larg shpifjeve, të cilat ua kurdisin armiqtë. Ajshja ishte bashkëshortja e njeriut, e krijesës, e Pejgamberit më të lavdishëm, andaj për të mirin është e mira - Ajshja.

Rregullat e parashtruara në disa ajete rreth vizitave që iu bëhen familjeve, kanë për qëllim edukimin e myslimanëve në atë mënyrë që mos të mbetet vend për dyshim e këtë ta shfrytëzojnë armiqtë. Pastaj, vazhdojnë udhëzimet për ruajtjen e moralit e të nderit siç janë: mosshikimi i grave të huaja, moszbulimi i pjesëve të palejueshme të grave etj.

Frika nga varfëria për t'u martuar e krijuar familje, nuk është e rrugës. Allahu ndihmon kushtet jetësore të çdo bashkëshorti e nëse ngjan të mungojnë kushtet për martesë të menjëhershme, të tillët duhet të kenë durim dhe të ruhen prej punëve të pamoralshme, derisa t'u ofrojë Zoti ndihmën e vet.

Institucionin e skllavërisë nuk e shpiku feja islame, atë e gjeti rregull të kahmotshme të atyre shtresave shoqërore. Feja islame menjëherë parashtroi rregulla, sipas së cilave robërit do të lirohen. Një prej tyre është edhe ky që përmendet në këto ajete. Robi paraqet kërkesën te zotëriu i vet për liri në bazë të një kompensimi. Robi do të përpiqet ta sigurojë atë sasi të kompensimit e të lirohet. Zotëriu e ka për detyrë që t'i ndihmojë edhe ai në sigurimin e pjesës së nevojshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:27–24:29

- “O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa u përshëndetur me njerëzit në to! ” - Këto janë disa norma të edukatës të përcaktuara nga Sheriati i Zotit, në rastet e vizitave në shtëpitë e njëri -tjetrit. Kështu, i Lartësuari na ka urdhëruar që të mos hyjmë në shtëpitë e të tjerëve pa marrë leje fillimisht. Pasi na jepet leja të hyjmë, i përshëndesim të zotët e shtëpisë me selam. Leja kërkohet deri në tri herë. Nëse na jepet, hyjmë, në të kundërt largohemi. Në një hadith të saktë thuhet: 1936. “Njëherë, Ebu Musa i kërkoi leje Umer Ibn Hatabit, që të hynte në shtëpinë e tij. Pas tri herëve, ai u kthye të largohej. Më pas, Umeri tha: “Sikur dëgjova zërin e Ebu Musës, që kërkonte leje të hynte! Lejojeni të hyjë!” Njerëzit e kërkuan, por ai ishte larguar. Kur ai u kthye më vonë, Umeri e pyeti: “Pse u largove?” - “Unë kërkova leje të hyja tri herë, por nuk mora përgjigje. Atëherë u largova, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Nëse dikush kërkon leje për të hyrë, dhe nuk i jepet leje, atëherë le të largohet!” Umeri i tha: “Ose do të më sjellësh argument për këtë që the, ose kam për të të rrahur paq!” Atëherë, Ebu Musa shkoi te një grup ensarësh dhe u rrëfeu se çfarë i tha Umeri. Ata thanë: “Për ty do të të dëshmojë më i vogli ndër ne.” Kështu, ishte Ebu Seid el Hudriu ai që shkoi së bashku me Ebu Musën dhe që i dëshmoi Umerit për këtë hadith. Umeri (duke qortuar veten) tha: “Ndërsa mua më ka penguar (nga dituria) mbledhja e fitimit nëpër tregje ...” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Enesi dhe të tjerë se: 1937. “Profeti i kërkoi lejë të hyjë në shtëpinë e Seid Ibn Ubade dhe tha: “Es-selâmu alejke ue raĥmetullah !” Sadi u përgjigj: “Ue alejkes-selamu ue raĥmetullah !” Por Profeti nuk e dëgjoi përgjigjen e tij dhe vazhdoi të jepte selam deri në tri herë. Sadi ia ktheu përgjigjen tri herë, por Profeti nuk e dëgjonte, ndaj u kthye të largohej. Atëherë Sadi e ndoqi dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, m’u bëfshin kurban nëna e babai im! Të gjitha selamet që dhe, unë i dëgjova dhe madje ta ktheja selamin me zë të ulët, që ti nuk mund ta dëgjoje, sepse unë desha të merrja sa më shumë selame prej teje dhe prej bekimit tënd!” Pastaj ai e futi

në shtëpi dhe i ofroi rrush të thatë. Pasi hëngri pak, Profeti e uroi: “E hëngshin ushqimin tuaj bamirësit, u lutshin për ju melekët dhe çelshin iftar tek ju agjëruesit!” Ebu Daudi sjell hadith in: “Na ka treguar Uthman Ibn Ebu Shejbe një hadith me senedin e tij nga Hudhejli, i cili tregon: 1938. “Erdhi një burrë (Uthmani shton: u ngjit dhe qëndroi tek porta e Profetit) dhe kërkoi leje të hynte. Ai qëndroi tek porta (Uthmani shpjegon: “përballë portës”). Atëherë, Profeti i tha: “Qëndro këtej ose këtej (anash portës, jo përballë), sepse kërkimi i lejes është bërë pikërisht për të ruajtur shikimin.” Nga kjo mësojmë se është detyrë për atë që kërkon leje të hyjë në një shtëpi të huaj, që të qëndrojë anash portës, jo përballë saj. Pra, porta të jetë në krahun e djathtë ose të majtë të tij, e jo përballë fytyrës. Në dy Sahih-ët është hadithi se Profetit ka thënë: 1939. “Nëse dikush hedh shikimin për të parë (në shtëpinë tënde) pa lejen tënde, nëse ti e qëllon me gur në sy dhe ia nxjerr syrin, nuk ke asnjë gjynah për këtë.” Xhabiri rrëfen: 1940. “Unë shkova tek Profeti për të folur në lidhje me një borxh të babait tim dhe trokita në portën e tij. Ai tha: “Kush është?” Unë u përgjigja: “Jam unë.” Ai tha: “Unë, unë...”. Duket se nuk i pëlqeu kjo përgjigje.” Profetit nuk i pëlqeu kjo përgjigje, sepse qëllimi i kërkimit të lejës është siguria e banorëve të shtëpisë përkundër vizitorit, dhe kjo nuk arrihet pa një identifikim të saktë të atij që kërkon të hyjë në shtëpi. Çdokush mund të shprehet e të thotë “Jam unë!”, por kjo formë nuk jep një identifikim të saktë, që t’i jepet leje ose jo. Ebu Daudi sjell rrëfimin nga Ribiu: 1941. “Një burrë nga Beni Amiri shkoi tek shtëpia e Profetit dhe tha: “A mund të hyj?” Profeti i tha shërbëtorit të tij: “Dil e mësoji atij si kërkohet leje!” Mësoje: Thuaj: “ Esselâmu alejkum ! A mund të hyj?”. Ai burri e dëgjoi dhe tha: “ Es-selâmu alejkum! A mund të hyj?”. Atëherë Profeti e lejoi dhe ai hyri.” Është detyrë, gjithashtu, të kërkosh lejë për të hyrë në dhomën e nënës ose të motrës. Esh ’athi përcjell hadithin nga Adij Ibn Thabiti: 1942. “Një grua ensarë tha: “O i Dërguari i Allahut! Shpeshherë, jam në shtëpi në një gjendje, në të cilën nuk dua të më shohë askush, as prindi im e as fëmija im, por më ndodh shpesh që ata më vizitojnë e më gjejnë në atë gjendje ...” Atëherë zbriti ajeti: “O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje ...”. - “Kjo është më e mira për ju, në mënyrë që të kujtoni.” - Kërkimi i lejes është më i mirë, si për banuesit e shtëpisë, edhe për vizitorin. - “Por, nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni derisa t’u jepet leje!” - Sepse, në të kundërt, kjo do të ishte një ndërhyrje në pronën e tjetrit, pa lejen e tij. I takon të zotit të shtëpisë të të lejojë ose jo. - “E, nëse ju thuhet të ktheheni, kthehuni!” - Nëse ju kërkojnë që të largoheni, atëherë largohuni. - “Kjo është më e ndershme për ju. ” - Është një veprim më i mirë dhe më i pastër për ju.

- “Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju. ” - Katade shpjegon: “Një muhaxhir tha: “E kam kërkuar (që ta zbatoj) këtë ajet gjithë jetës sime dhe nuk ia kam arritur që të kërkoj leje të hyj tek ndonjë prej vëllezërve të mi e, pasi ai të më thotë: “Largohu!”, unë të largohem i kënaqur.” 93 - “Nuk është gjynah për ju, nëse hyni në shtëpi të pabanuara, nëse keni ndonjë përfitim në to. Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani të fshehtë.” - Ky ajet është më specifik se ajeti para tij, sepse në të lejohet që të hyjmë edhe pa marrë leje, por në ato shtëpi ku nuk ka njeri, nëse ka ndojë përfitim, si rasti i shtëpisë ose dhomës së miqve, nëse fillimisht i është dhënë leje të hyjë në të. Domethënë, kjo leje është e mjaftueshme, që pastaj të hysh e të dalësh në të, pa marë përsëri leje. Ndërsa disa të tjerë thonë se bëhet fjalë për dhomat e tregtarëve, si hanet dhe dhomat e udhëtarëve, ose ndërtesat e Mekës 94 apo të tjera të ngjashme. Këtë mendim e ka përzgjedhur Ibn Xheriri dhe na tregon se është edhe mendimi i një grupi prej atyre prej të cilëve sjell transmetimet. Megjithatë, mendimi i parë është më i dukshëm. Është thënë, gjithashtu, se bëhet fjalë për tendat prej lëkure.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:27–24:29

- O ju që keni besuar! Mos hyni në shtëpi të huaja pa kërkuar leje dhe pa u përshëndetur me njerëzit në to! - Allahu i Madhëruar i udhëzon besimtarët që të pajisen me këtë edukatë në marrëdhëniet e tyre të përditshme. Ai i porosit që kurrë të mos hyjnë në ndonjë shtëpi të huaj pa kërkuar në fillim leje. Hyrja pa leje sjell shumë të këqija. Një nga ato të këqija e shpjegon edhe Profeti (a.s.) kur thotë: “Është bërë detyrë kërkimi i lejes para hyrjes, për shkak të shikimit (në haram) e ruajtjes së tij." Nëse hyn pa t’u dhënë leje, mund të kapë syri pamje brenda shtëpisë që nuk duhet t'i shohësh. Shtëpia është vendi ku njeriu fshihet nga shikimet e njerëzve jashtë saj. Ajo i ngjan rrobës, që mbulon vendet e turpshme të njeriut. Gjithashtu, hyrja pa leje e ekspozon njeriun ndaj keqkuptimeve, akuzave dhe problemeve të ndryshme, si akuza për vjedhje etj. Madje, edhe hyrja vjedhurazi tregon në vetvete ligësi e keqdashje. Kështu, Allahu i ndalon besimtarët që të hyjnë në ndonjë shtëpi të huaj, pa kërkuar fillimisht leje dhe pa iu dhënë ajo leje. Madje, duke na mësuar se si të kërkojmë leje për të hyrë në një shtëpi të huaj, Allahu na porosit duke përdorur fjalën "hat-ta jeste’nisu", pra: mos hyni derisa të siguroheni mirë dhe të qetësoheni se ju është dhënë leje. Me kërkimin dhe dhënien e lejes janë të qetë dhe të sigurt si banorët e shtëpisë, ashtu edhe ai që hyn në të. Ndërsa pa leje ndodh e kundërta, domethënë, pasiguria e frika nga e keqja e ndërsjelltë. Pastaj Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i përshëndesim banorët e shtëpisë. Mënyra e selamit është ajo e treguar në hadithin e Profetit: “Es -selamu alejkum! A mund të hyj brenda?” - Kjo është më e mira për ju, në mënyrë që të kujtoni (atë që ju sjell mirësi) . - Marrja e lejes dhe përshëndetja është shumë më e mirë për ju, për shumë e shumë arsye dhe mirësi që përmban. Ndër të tjera, ajo është prej virtyteve të larta, të cilat i keni detyrë t’i përvetësoni. Nëse ju jepet leje, hyni, e nëse jo: - Por, nëse nuk gjeni aty asnjë, atëherë mos hyni derisa t’u jepet leje! E, nëse ju thuhet të ktheheni, kthehuni! ... - Mos ngurroni të ktheheni e të largoheni dhe as të mos zemëroheni që nuk ju jepet leje për të hyrë. Nuk keni arsye të zemëroheni, sepse në fund të fundit, i zoti i shtëpisë nuk ju ka privuar nga ndonjë e drejtë e juaja. Nëse ju lejon të hyni, kjo është në dëshirën e tij. Askush nuk ka të drejtë që të zemërohet e të ndizet nga mendjemadhësia në një gjendje të tillë. Madje, Zoti thotë: - Kjo është më e ndershme për ju. - Pra kjo është më afër pastrimit tuaj nga të këqijat dhe ndryshimit dhe animit tuaj drejt të mirës. - Dhe Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju. - Ai do të shpërblejë çdo njeri sipas punës së tij, shumë apo pak, mirë apo keq.

Ky është gjykimi për të hyrë në shtëpitë e banuara. Ndërsa në lidhje me shtëpitë e pabanuara, Allahu i Lartësuar thotë: - Nuk është gjynah për ju, nëse hyni në shtëpi të pabanuara, nëse keni ndonjë përfitim në to. - Ky ajet tregon se hyrja në shtëpitë e banuara ndalohet, derisa të jepet leje për të hyrë nga banorët e shtëpisë. Edhe nëse është shtëpi e pabanuar dhe nuk ka ndonjë interes për të hyrë në to, nuk lejohet të hyhet. Ndërsa në rastin kur është shtëpi e pabanuar dhe njeriu kërkon diçka aty dhe përfiton nga hyrja në të, nuk ka gjynah nëse hyn. Vini re! Në fillim, Allahu thotë: “Mos hyni në shtëpi të huaja (veç shtëpive tuaja),.....” dhe ky është një gjykim gjithëpërfshirës që na ndalon nga hyrja në çdo shtëpi tjetër, veç shtëpive tona. Pastaj përjashtoi nga ky gjykim gjithëpërfshirës ato shtëpi që, vërtet nuk janë pronë e jona, por ato janë të pabanuara dhe hyrja në to na shërben për diçka. Në të tilla raste, Ai e lejoi hyrjen në to dhe përfitimin prej tyre. - Dhe Allahu e di atë që e shfaqni haptas dhe atë që e mbani të fshehtë. - Ai i di mirë gjendjet tuaja të dukshme dhe të fshehura. Ai e di mirë atë që ju shërben juve dhe jua lejoi atë për të cilën keni nevojë, prandaj i vendosi këto ligje.

← Nur 24:27