24. Nur · Ajeti 30 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:21–24:34
Ruanu e mos u mashtroni nga ngacmimet që ua bën dreqi, sepse ai çdo herë përpiqet t'ju shpjerë në punë, të pamoralshme, pra kërkoni ndihmën e Zotit, se vetëm Ai mund t'ju shpëtojë prej punëve të liga.
Ebu Bekri e kishte të afërt Mistahin dhe gjithmonë e kishte ndihmuar. Kur ndodhi shpifja rreth Ajshes, edhe Mistahi ishte përzier në përgojime. Atëherë Ebu Bekri betohet se më nuk do ta ndihmojë atë. Kur shpallet ajeti, i cili urdhëron që të mos betohen njerëzit e ndershëm e të pasur për të mos u dhënë më të afërmve etj., Ebu Bekri pendohet e thotë: unë dëshiroj të më falë Allahu, pra do ta ndihmoj Mustahun. Në këtë ajet thuhet: njerëzit e ndershëm, e aludohet në Ebu bekrin. Ky vlerësim prej Zoti xh. sh. është lavdatë e madhe për Ebu Bekrin.
Të mallkuar janë ata që trillojnë shpifje ndaj grave të pafajshme. Fjalët e këqia burojnë prej të këqinjve e të mirat prej të mirëve. Vetëm njerëzit e pamoralshëm anojnë kah të pamoralshmet, e të ndershmit anojnë kah të ndershmet. Të ndershmet dhe të ndershmit janë larg shpifjeve, të cilat ua kurdisin armiqtë. Ajshja ishte bashkëshortja e njeriut, e krijesës, e Pejgamberit më të lavdishëm, andaj për të mirin është e mira - Ajshja.
Rregullat e parashtruara në disa ajete rreth vizitave që iu bëhen familjeve, kanë për qëllim edukimin e myslimanëve në atë mënyrë që mos të mbetet vend për dyshim e këtë ta shfrytëzojnë armiqtë. Pastaj, vazhdojnë udhëzimet për ruajtjen e moralit e të nderit siç janë: mosshikimi i grave të huaja, moszbulimi i pjesëve të palejueshme të grave etj.
Frika nga varfëria për t'u martuar e krijuar familje, nuk është e rrugës. Allahu ndihmon kushtet jetësore të çdo bashkëshorti e nëse ngjan të mungojnë kushtet për martesë të menjëhershme, të tillët duhet të kenë durim dhe të ruhen prej punëve të pamoralshme, derisa t'u ofrojë Zoti ndihmën e vet.
Institucionin e skllavërisë nuk e shpiku feja islame, atë e gjeti rregull të kahmotshme të atyre shtresave shoqërore. Feja islame menjëherë parashtroi rregulla, sipas së cilave robërit do të lirohen. Një prej tyre është edhe ky që përmendet në këto ajete. Robi paraqet kërkesën te zotëriu i vet për liri në bazë të një kompensimi. Robi do të përpiqet ta sigurojë atë sasi të kompensimit e të lirohet. Zotëriu e ka për detyrë që t'i ndihmojë edhe ai në sigurimin e pjesës së nevojshme.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:30
Ky është një urdhër i Allahut të Madhëruar për besimtarët, për të ulur e ruajtur shikimin nga ato gjëra që Ai i ka bërë haram të shihen. Nëse ndodh që shikimi të hidhet papritur e pa qëllim në ndonjë haram, është detyrë ta largosh menjëherë prej saj. Në dy Sahih-ët shënohet hadithi nga Xherir Ibn Abdullah el Bexheli (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), që tregon: 1943. “E pyeta Profetin rreth shikimit të papritur (në haram), dhe më tha që duhet ta largoja menjëherë shikimin prej andej.” Ebu Daudi sjell hadithin nga Burejde, se Profeti i Allahut i tha Aliut: 1944. “O Ali, mos e ndiq shikimin (në haram) me një shikim tjetër. Nëse shikimi i parë është i yti, i dyti nuk është i lejuar.” Nga Ebu Seidi përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 1945. “Kujdes nga qëndrimi në rrugë!” Njerëzit thanë: “O i Dërguari i Allahut, po neve na duhet të ulemi dhe të kuvendojmë në to me njëri - tjetrin?” Profeti tha: “Atëherë, nëse patjetër duhet të uleni, atëherë jepini hakun rrugës!” - “Po cili është haku i rrugës, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Ulja e shikimit, ruajtja nga padrejtësitë (ndaj të tjerëve), kthimi i përshëndetjes me selam (atij që ta jep), urdhërimi për mirë e ndalimi nga e keqja.” Disa selefë kanë thënë: “Shikimi në haram është një shigjetë e helmuar në zemër.” Allahu i Lartësuar, ashtu sikurse na urdhëroi të ruajmë organet intime (nga marrëdhëniet e ndaluara), po ashtu na ka urdhëruar që të ruajmë shikimin nga harami, sepse shikimi është nxitës i fortë drejt imoralitetit. - “Thuaju besimtarëve të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) dhe të ruajnë nderin e tyre ...” - Ruajtja e organeve intime nënkupton ruajtjen nga imoraliteti, marrëdhëniet jashtëmartesore, sikurse thotë i Lartësuari, kur na tregon cilësitë e atyre që do të hyjnë në xhenet : “Ata, që e ruajnë ndershmërinë e vet dhe shkojnë vetëm me gratë e veta ose me robëreshat, që kanë në zotërim, për të cilat nuk fajsohen. Ndërsa ata që kërkojnë më tepër - ata janë të shfrenuarit.” [Muminun 5 - 7]. Ajo nënku - pton, gjithashtu, edhe ruajtjen e organeve intime nga shikimi i tyre prej atyre që nuk u lejohet, siç thotë hadithi në Musned-in e Ahmedit dhe në Sunen: 1946. “Ruaji organet intime (nga shikimi), përveçse nga bashkëshortja jote ose skllavet që ke në pronësi.” - “... sepse kjo është më e pastër për ta!” - Është më e pastër për zemrat dhe më e dëlirë për fenë e tyre, ashtu siç është thënë: “Atij që ruan shikimin e tij, Allahu ka për t’i dhuruar dritë në arsyetimin e tij.” - “Allahu di çdo gjë që bëjnë ata. ” - Siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “Allahu e
di shikimin e hedhur fshehtas dhe për gjithçka që fshehin zemrat .” [Gafir 19]. Në një hadith të saktë, të përcjellë prej Ebu Hurejrës, thuhet: 1947. “Për birin e Ademit është shkruar pjesa e imoralitetit, e cila do ta kapë në mënyrë të pashmangshme. Kështu, imoraliteti i syrit është shikimi (në haram), imoraliteti i gjuhës është të folurit (në haram), imoraliteti i veshit është dëgjimi (i haramit), imoraliteti i dy duarve është goditja (padrejtësisht), imoraliteti i këmbëve është ecja (në haram); shpirti e synon dhe e dëshiron, ndërsa organi intim e vërteton këtë ose e përgënjeshtron (duke bërë zina ose jo).”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:30
- Thuaju besimtarëve të të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) dhe të ruajnë nderin e tyre, sepse kjo është më e pastër për ta! - Ai udhëzoi dhe porositi me këto këshilla ata që kanë në zemër iman të tillë që i bën të dëgjojnë e t’i binden. Le ta dinë se këto porosi do t'i ndihmojnë ata për të ruajtur imanin e tyre. Këta janë njerëz që ruhen nga çdo vepër që cenon imanin e tyre. Kështu, Allahu i këshilloi që të ndalin frenojnë dhe ruajnë ruajnë sytë nga paturpësitë dhe gratë e huaja, shikimi i të cilave është i ndaluar. Ai e ndalon shikimin e çdo gjëje që të çon dhe nxit fitne dhe imoralitet. Gjithashtu, ndalohet edhe shikimi i stolive të kësaj dynjaje, që të shtyjnë në gjëra të ndaluara. Pastaj "...dhe të ruajnë nderin e tyre ,...". Pra, të ruhen nga marrëdhëniet intime jo të lejuara, si marrëdhëniet jashtëmartesore ose marrëdhëniet anale. Madje mos lejo që dikush, që nuk i lejohet, t’i shohë apo prekë vendturpin tënd. Allahu i njofton besimtarët se "...kjo është më e pastër për ta." Kështu, ruajtja e shikimit dhe vendturpit është më e pastër për ne, se na pastron nga gjynahet dhe na mundëson shumë të mira e begati. Ai që ruan shikimin dhe organin e tij është i pastër nga poshtërsitë me të cilat ndoten ata që bëjnë paturpësi. Nga ana tjetër, punët e tij do të jenë të begatshme dhe të dobishme, sepse ai e ka ruajtur veten nga haramet. Nefsi dhe dëshirat e shfrenuara e tundojnë robin, por kur ai e frenon veten nga paturpësitë, kjo bën që punët e tij të pastrohen dhe ai të lartësohet e rregullohet. Nëse ai lë diçka për hir të Allahut, Allahu do t’ia zëvendësojë me diçka edhe më të mirë se ajo. Ai që e lë shikimin në haram, Allahu ka për t’ia ndriçuar shikimin dhe mendjen e tij. Nëse robi arrin të ruajë shikimin dhe nderin e tij nga harami dhe rrugët që të çojnë në të, me gjithë animin e fortë të nefsit drejt tij, atëherë për çështje të tjera do të jetë, sigurisht, më i aftë për t’i përballuar. Vini re! Kur Allahu i Madhëruar na ka këshilluar për të ruajtur nderin dhe dëlirësinë (seksuale) ka përdorur fjalën ‘jahfedhu furuxhehum’ - të ruajnë me kujdes vendturpin. El hifdhu është ruajtja në mënyrë të vazhdueshme dhe me shumë kujdes, sepse në asnjë rast nuk lejohet ta shkelësh ligjin në këtë drejtim. Kështu, nëse robi nuk kujdeset në mënyrë të vazhdueshme e vigjilente për ruajtjen e ndershmërisë dhe dëlirësisë, dhe nëse nuk merr të gjitha masat mbrojtëse, nuk mund të arrihet ruajtja e saj. Madje, një pakujdesi në këtë drejtim do të çonte në sprova të forta. Ndërsa kur porositi për ruajtjen e shikimit,
tha: “jegud-du min ebsarihim" - të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) pra le të ulin sytë nga disa lloj vështrimesh, jo nga të gjitha”. Të tërheq vëmendjen shprehja min ebsarihim që fjalë për fjalë do të thotë "disa lloj vështrimesh" , e cila tregon pjesë të së tërës. Kjo është bërë për të treguar që jo të gjitha shikimet janë të ndaluara. Në disa raste e kur e lyp nevoja, është lejuar të shohësh diçka, që në kushte të tjera nuk do të lejohej, si për shembull, shikimi i dëshmitarit për identifikim në gjyq, ose për rast martese, kur sheh vajzën para se të vendosësh për martesë etj. Pastaj Allahu i Madhëruar i kujton ata për diturinë e Tij gjithëpërfshirëse rreth veprimeve të tyre. - Allahu Di çdo gjë që bëjnë ata. - Ai ua përmend këtë që ata të përpiqen më shumë për të ruajtur veten nga haramet.