← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

24. Nur · Ajeti 35 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 24:35–24:52

Sipas Taberisë, interpretues i njohur i përmbajtjes së Kur'anit: drita e përmendur është Kur'ani në zemrat e atyre që i besuan, e për ta kuptuar njerëzit më lehtë, Zoti sjell shembullin e një drite të shkëlqyer, të cilën ata e fitojnë përmes mjeteve më të mira për ndriçim siç ishte kandili, qelqi, vaji etj.

Zemra e besimtarit është e shndritur me ajete të Kur'anit dhe me argumente të tjera sikurse vrima në të cilën është vënë drita e ndezur mes atij qelqi që flakëron prej dritës së kandilit. Argumentet e Zotit janë aq shumë të qarta për ata që mendojnë thellë e i studiojnë, sa që drita e tyre e kthjellët do të mjaftonte, edhe sikur të mos e përforconte Zoti atë dritë me shpalljen e Kur'anit. Mirëpo, me shpalljen e Kur'anit, Zoti ndriçoi aq fort zemrat sa që bestytnive nuk u mbeti vend.

Drita e besimit manifestohet pandërprerë prej besimtarëve nëpër xhamitë e shtëpitë e tyre, duke mos u shmangur nga zbatimi i detyrimeve dhe as përpjekjeve të përditshme të tyre për gjallërim.

Veprat e jobesimtarëve janë vetëm formale, janë artificiale, janë mashtruese sikundër valët që duken prej rrezeve të forta të diellit në ndonjë rrafshinë si të ishte ujë, e në realitet nuk janë asgjë. Janë aq shumë të humbur në errësirën e injorancës, sa që nuk e shohin as veten: pra janë të verbër.

Në disa nga këto ajete përshkruhet fuqia e pakufishme e Zotit xh. sh., e cila manifestohet përmes dukurive të llojllojta siç është shiu, ndërrimi i natës e ditës, krijimi i qenieve të ndryshme, përgatitja e çdo sendi në gjithësi për ta adhuruar Zotin në gjuhën e vet etj.

Hipokritët gjithnjë japin deklarata që nuk përputhën me ndjenjën e tyre të brendshme, e Zoti pranon vetëm ato deklarime që burojnë prej zemrës së pastër e të sinqertë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 24:35

- “Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës.” - Ali Ibn Ebu Talha tregon se Ibn Abasi ka shpjeguar: “Domethënë, është Udhëzuesi i banorëve të qiejve dhe të tokës.” Ibn Xheriri sjell thënien e Enesit (r.a.): “Allahu i Lartësuar thotë: “Drita Ime është udhëzimi Im.” Këtë mendim e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. - “Shembulli i Dritës së Tij i ngjan një fitili të vendosur në një zgavër të errët.” - Domethënë, “shembulli i udhëzimit të Tij” është si ai besimtari, në zemrën e të cilit Allahu ka futur imanin dhe Kuranin. Ubej Ibn Keabi e lexonte këtë ajet në këtë mënyrë: “ Methelu n ûri men âmene bihi ”, pra, “shembulli i dritës së atij që beson Atë (Allahun)” është si ai besimtari, në zemrën e të cilit është futur imani dhe Kurani.” Seid Ibn Xhubejri dhe Kajs Ibn Sadi përcjellin nga Ibn Abasi se edhe ai e ka lexuar kështu ajetin: “ Methelu n ûri men âmene bil -lâhi”, pra: “shembulli i dritës së atij që beson Allahun.”. Ndërsa disa të tjerë e kanë lexuar: “Allahu muneu-uiru semâuâti uel erd”, pra: “Allahu është ndriçuesi i qiejve dhe i tokës.” Nga Dahhaku përcillet se e ka lexuar: “Allahu neu-uera semauâti uel erd”, domethënë: “Allahu ndriçoi qiejt dhe tokën” (pra, vjen si folje: ‘ neu-uera’ - ‘ndriçoi’.). Në dy Sahih-ët është hadithi nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tregon: 1961. “Kur Profeti ﷺ zgjohej natën për t'u falur, thoshte: “Allahume, lekel ĥamdu, ente

nûrus-semâuâti uel erdi, ue men fihine, ue lekel ĥamdu ente kaj-jimu semâuâti uel erdi ue men fihine, ue lekel ĥamdu entel ĥak -ku ue ua’duke ĥak -kun, ue kauluke ĥak -kun ue likâuke ĥak-kun, uel xhennetu ĥak -kun uennâru ĥakun, ues -sâatu ĥak -kun, ue nebij - jûne ĥak -kun, ue Muhamedun ĥak -kun, Allahume leke eslemtu ue alejke teuek keltu ue bike amentu ue ilejke enebtu, ue bike ħâsamtu, ue ilejke ĥâkemtu, fagfir li m â kaddemtu ue ma aħ ħartu, ue ma esrartu ue ma ea’lentu, ente el mukad dimu ue ente el muaħħiru, lâ il âhe il -lâ ente”, ose ka thënë: “lâ ilâhe gajruke.” (O Allah, Ty të takon falënderimi, Ti je Drita e qiejve dhe Tokës dhe ç'ka në to! Ty të takon lavdërimi, Ti je Kujdestari i qiejve dhe Tokës dhe ç'ka në to! Ty të takon lavdërimi! Ti je i Vërteti! Premtimi Yt është i vërtetë! Fjala Jote është e vërtetë! Takimi me Ty është i vërtetë! Xheneti është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë! Kijameti është i vërtetë! Profetët janë të vërtetë dhe Muhamedi ﷺ është i vërtetë! O Allah, Ty të jam nënshtruar, te Ti jam mbështetur, në Ty kam besuar dhe te Ti jam kthyer! Për Ty armiqësohem, te Ti gjykohem, m'i fal gjynahet e kaluara, të tashmet, të fshehurat dhe të shfaqurat! Ti je i Pari dhe i Fundit, s'ka të adhuruar të denjë përveç Teje!) Në lidhje me fjalën e Allahut: “Shembulli i Dritës së Tij.” E pikërisht me përemrin “së tij” janë dhënë dy mendime. Njëri mendim thotë se nëkupton Allahun e Madhëruar. Kështu kuptimi i saj është: “shembulli i udhëzimit të Tij, pra udhëzimit të Allahut në zemrën e besimtarit, ...”. Kështu ka thënë Ibn Abasi. Sipas mendimit tjetër ai nënkupton besimtarin, për të cilin tregon edhe i gjithë konteksti. Kësisoj, kuptimi është: “Shembulli i Dritës së tij.” Pra, shembulli i dritës që është në zemrën e besimtarit, është si ai kandili...” Këtu kemi të bëjmë me një krahasim, që Zoti i bën zemrës së besimtarit, e cila përveç faktit që është e brymosur me një natyrshmëri të pastër, që e pranon udhëzimin e drejtë, ajo ndriçohet edhe nga ai udhëzim e dritë, që e merr nga Kurani, i cili gjithashtu është në përputhje të plotë me natyrshmërinë e pastër, siç thotë i Lartësuari në ajetin tjetër: “E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij, i ndjekur nga dëshmues prej tij ...” [Hud 17].102 Kësisoj, Allahu i Madhëruar e përshkruan zemrën e besimtarit, me kthjelltësinë e pastërtinë e natyrshmërisë së saj, si një llambë qelqi të tejdukshëm, brenda së cilës është një fitil, që lëshon dritë prej vajit të pastër (pra, drita e Kuranit dhe e imanit të pastër e të vërtetë). Ndërsa dritën e Kuranit dhe Sheriatit përmes së cilës ai gjen rrugën e drejtë dhe e sheh qartë atë, e përshkruan si ai vaji i mirë i kulluar, pa papastërti. Sipas Ibn Abasit dhe një grupi tabiinësh, fjala “ Mishkât” tregon zgavrën, ku vendoset fitili që ndriçon. Ky është mendimi i përhapur mes tyre, prandaj i Lartësuari thotë më pas: “... i ngjason një fitili të vendosur në një zgavër të errët.” Pra, misbaĥ është fitili i vendosur në atë zgavër dhe që lëshon dritë. Ubej Ibn Keabi ka thënë: “ El misbaĥ është (fitili) drita. Pra, është drita e Kuranit dhe e imanit, që gjendet brenda në zemrën e besimtarit.” - “Fitili është brenda një qelqi ...” - Ky misbaĥ që ndriçon është vendosur në një llampë qelqi, të tejdukshëm e të kristaltë, të kthjellët, ashtu si zemtra e besimtarit, e pastër me natyrshmëri të papërlyer. - “... e qelqi, si të ishte yll i shndritshëm. ” - Vezullon si yll madhështor, prej një guri të çmuar, që jep një ndriçim të qartë. - “Ai (fitili) ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, - prej ullirit, që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit ...” - Ndizet nga vaji i ullirit, i cili jep zjarr me ndriçim. Allahu e përshkruan këtë pemë të bekuar, duke thënë: "...nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit." Pra, ajo qëndron në një vend ku e kap dielli edhe paradite, edhe pasdite, prandaj vaji i saj është shumë i kulluar e kur digjet, ai lëshon shumë dritë. Shpjegim të ngjashëm kanë sjellë Ibn Abasi, Ikrime, Muxhahidi, Seid Ibn Xhubejri dhe Suddiju. Janë dhënë edhe

mendime të tjera, por ky mendim është më i sakti. Pra, ajo pemë rritet në një rrafshnaltë të gjerë e të hapur, ku e kap dielli nga fillimi i ditës, deri në perëndim, kushte këto që e bëjnë vajin e saj të pastër, të kulluar. - “... e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri. ” - Për shkak të cilësisë së vajit të kulluar. - “Dritë mbi dritë! ” - Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, imani i njeriut dhe punët e tij të mira.” Po kështu janë edhe drita e Kuranit dhe drita e imanit. Ato janë gjithmonë bashkë me njëra-tjetrën. Nëse njëra prej tyre zë vend në zemër, me të duhet të jetë edhe tjetra. - “Allahu udhëzon drejt Dritës së Vet atë që do Ai. ” - Allahu i Madhëruar e drejton dhe ia mundëson që të marrë e të ndriçohet prej dritës së Tij atij që Ai e përzgjedh, siç thuhet në një hadith të saktë, që e sjell Imam Ahmedi nga Abdullah Ibn Amri, i cili rrëfen se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: 1962. “Allahu i Lavdëruar i krijoi krijesat në errësirë, pastaj hodhi mbi ta atë dritë prej dritës së (udhëzimit të) Tij. Ai të cilin e kapi drita e (udhëzimit të) Tij atë ditë, ai u udhëzua në rrugë të drejtë, ndërsa ai të cilin nuk e kapi ajo dritë, ai mbeti në humbje (errësirë).” 103 Prandaj po ju them se: Tashmë është tharë boja e lapsit (dhe asgjë nuk ndryshon) në atë që u shkrua sipas dijes së Zotit Krenar dhe të Lartë - suar.”. Pasi na tregoi një shembull të dritës së udhëzimit në zemrën e besimtarit, Allahu i Madhëruar e mbyll ajetin me fjalët: - “Kështu, Allahu sjell shembuj për njerëzit dhe Allahu di gjithçka për çdo gjë.” - Ai është i gjithëditur për ata që meritojnë udhëzimin në rrugën e drejtë dhe ata që nuk e meritojnë këtë, por meritojnë të mbetën në errësirë e humbje. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu, se Profeti i Allahut ka thënë: 1963. “Zemrat janë katër llojesh: Një zemër e pastër qelq (exhred), brenda së cilës ndodhet një kandil (siraxh) rrezatues; një zemër e mbështjellë, që i është lidhur fort gryka; një zemër e përmbysur dhe një zemër me dy faqe (museffaĥ). Për sa i përket zemrës së pastër qelq, ajo është zemra e besimtarit dhe kandili në të është drita e (imanit të) tij. Zemra që është e mbështjellë është zemra e mohuesit (të besimit). Zemra e përmbysur është zemra e munafikut, i cili e njeh të vërtetën dhe pastaj e braktis atë. Ndërsa zemra me dy faqe është ajo që ka edhe iman, edhe hipokrizi. Imani që ndodhet në të është si fruti, që rritet e forcohet nga uji i pastër, ndërsa hipokrizia që ndodhet në të është si plaga e mbuluar nga gjaku e qelbi. Ajo anon në varësi të asaj që mbizotëron në të (ose nga imani, ose nga hipokrizia).” Isnadi i hadithit është i mirë.104

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 24:35

- Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës. - Ai është dritë fizike, konceptuale e shpirtërore. Allahu është Nur në veten e Tij. Sikur të mos ishte butësia e mëshira ndaj krijesave, rrezatimi i dritës së fytyrës së Tij do të digjte çdo gjë ku shkon shikimi i Tij, pra, të gjitha krijesat. Ai është Dritë dhe me të është ndriçuar e shkëlqen Froni i Tij, Kursija, Dielli, Hëna. Ai është Dritë, me të cilën vezullon dhe shkëlqen përjetësisht Xheneti. Po kështu edhe drita shpirtërore, për të cilën ka nevojë njerëzimi, e ka burimin nga drita e Zotit. Librat e shpalljet e Tij janë dritë, edhe Sheriati i Tij është dritë. Imani dhe dituria e thellë që gjendet në zemrat e profetëve dhe adhuruesve të Tij besimtarë është dritë. Sikur të mos ishte kjo dritë nga Zoti, errësirat do të mbulonin gjithçka, duke u dendësuar njëra mbi tjetrën. Çdo gjë që është e privuar nga Nuri i Tij, është në errësirë të thellë, e ngushtuar

e në mangësi të plotë. Allahu i Lartësuar thotë: - Shembulli i Dritës së Tij i ngjason një kandili... - Allahu i Lartësuar jep një shembull për dritën e Tij, pra, dritën e imanit e të Kur'anit në zemrat e besimtarëve. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit - ...të vendosur në një zgavër të errët. - Zgavra e mbledh dhe nuk e lë të humbasë e të largohet drita. Ai kandil ndodhet brenda një kristali, i cili, ngaqë është shumë i kthjellët e i pastër, duket sikur vezullon e shndrit. Allahu thotë: - Kandili është brenda një qelqi e qelqi, si të ishte yll i shndritshëm. Ai (kandili) ndizet prej (vajit të) një Druri të bekuar, - prej ullirit, që nuk mund të quhet as i Lidjes e as i Perëndimit e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri. - Pra, shndërrohet në një smerald vezullues. Ky kandil brenda llampës së kristaltë ndizet e ndriçon "...prej një druri të bekuar", pra, nga vaji i ullirit, i cili jep zjarrin me ndriçim. Allahu e përshkruan këtë pemë të begatshme duke thënë: "... nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit." Pra, atë e kap dielli jo vetëm në fillim të ditës, por edhe në fund të saj. Të tillë janë ullinjtë e Shamit. Ata janë shumë të këndshëm dhe vaji që del prej tyre është shumë i kulluar: "...e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri", ngaqë është shumë i kulluar. Kur digjet, ai lëshon shumë dritë. - Dritë mbi dritë! – Pra, ndriçimi i vajit dhe ai i zjarrit. Ky është një shembull që Allahu që jep për të treguar gjendjen e zemrës së besimtarit dhe dritës së Tij në këtë zemër. Kështu, natyrshmëria e pastër, në të cilën e krijoi Zoti njeriun është si ai vaji i kulluar e i pastër. E tillë është natyra në të cilën Zoti i krijoi njerëzit. Kur është e pastër dhe e kulluar, ajo është e gatshme që të mësojë udhëzimet hyjnore, të pranojë ligjin e Zotit e të jetojë sipas tij. Kur i vjen dituria dhe imani i pastër, asaj i ndizet drita, që e ndriçon fort. Kjo i ngjan ndezjes së fitilit të kandilit, që është i lagur me vaj të pastër e të kulluar. Zemra e robit është e kulluar dhe e pastër nga synimet e këqija. Nëse zemra është e pastër dhe e papërlyer, ajo i kupton qartë mesazhet e Zotit. Kur në këtë zemër të kulluar ndizet zjarri i imanit, ajo lëshon një dritë të fortë, që ndriçon edhe ata rreth e rrotull saj. Kjo i ngjan llambës, që shpërndan dritën që vezullon brenda saj. Tek ky njeri bashkohen drita e natyrshmërisë së pastër, drita e imanit, drita e diturisë së Shpalljes, drita e njohurisë së Zotit dhe pastërtia që ajo i sjell shpirtit. Dritë mbi dritë. Por duke qenë se të gjitha këto lloje dritash janë prej dritës së Zotit, që jo çdokush e meriton ta ketë, Allahu i Madhëruar dhe i Urtë thotë: - Allahu udhëzon drejt Dritës së Vet atë që do Ai. - Ai udhëzon në këtë Nur ata, pastërtinë dhe vlerat e të cilëve i di mirë. Ai u jep dritë, që të pastrohen dhe të rregullohen veprat e gjendja e tyre. - Ja kështu, Allahu sjell shembuj për njerëzit - Në mënyrë që njerëzit të logjikojnë e të kuptojnë mesazhet e Tij. Kjo është mëshira e butësia e Zotit me robërit, bamirësia e Tij ndaj tyre. Kështu ua sqaron Ai të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e gabuara. Shembujt e sjellin njeriun më pranë kuptimit të gjërave. Përmes shembujve, çështjet konceptohen e bëhen të qarta, njëlloj si ato të prekshmet nga shqisat, dhe njeriu qetësohet plotësisht rreth tyre. - dhe Allahu Di gjithçka për çdo gjë. - Dituria e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe shembujt që Ai sjell i di me hollësi. Ai e di mirë se shembujt janë të dobishëm për krijesat, të cilët duhet të përpiqen që të logjikojnë dhe meditojnë me kujdes rreth tyre e jo t’u kthejnë shpinën, t’i lënë në harresë ose t’i kundërshtojnë. Allahu e di dhe ata nuk e dinë.

← Nur 24:35