← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

25. Furkan · Ajeti 21 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 25:21–25:34

Idhujtarët me mendjemadhësinë e tyre tejkaluan çdo kufi. Ata kërkuan që t'u vijnë engjëjt. Ata do t'u vijnë për t'ua marrë shpirtin, por në atë moment nuk do të ketë gëzim për ta, përkundrazi, hidhërim e mjerim, pse në atë çast ata u thonë: Çdo e mirë, e edhe xhenneti është i ndaluar për ju. Veprat tuaja janë si pluhuri, të cilin e shpërndanë era, sepse ju nuk i keni bërë për hir se Zoti ka porositur, e derisa ju nuk e besuat Zotin, nuk keni bazë të shëndoshë. E ditën kur do të kërcasë kijameti, do të zbresin melekë të panumërtë dhe do të rrethojnë të gjithë të tubuarit, atë ditë tërë sundimi i përket Zotit, e do të jetë vështirë për kundërshtarët,, prandaj me dhembje do t'i kafshojnë duart e veta, pse nuk shkuan pas mësimeve të Pejgamberit, pse e zgjodhën për shok e mik dreqin, i cili e ka zakon pasi që ta mashtrojë njeriun ta lë të humbur në rrugë.

Kundërshtarët, përveç që nuk e pranuan Kur'anin si shpallje të Zotit, ata bënin vërejtje edhe përse nuk i zbriti përnjëherë, por pjesë-pjesë. Zoti e di më së miri pse e shpalli ashtu, pra edhe e ruajti të dërguarin e vet që të mos e rëndojë, ta mësojë më lehtë dhe sipas nevojës t'i zgjidhë çështjet që i paraqiteshin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 25:21–25:24

“Ata që nuk shpresojnë takimin me Ne, thanë: “Përse të mos na dërgohen melekë, ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” - Allahu i Lartësuar na njofton për ashpërsinë dhe këmbënguljen e jobesimta - rëve në mohimin dhe refuzimin e besimit të vërtetë. Kjo duket në fjalët e tyre, kur thonë: “Përse të mos na dërgohen melekë...”, pra, të na dërgohen edhe neve melekë me shpallje, ashtu sikurse u dërgohen profetëve. Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar thotë: “Kur u vjen ndonjë shenjë (nga Allahu), ata thonë: “Nuk kemi për të besuar, derisa neve të na jepet diçka e ngjashme me atë që u është dhënë të dërguarve të Allahut.” [Enam 124]. Gjithashtu, mundësi tjetër është që kuptimi të jetë: “Përse të mos na dërgohen melekë, që t’i shohim vetë me sy, dhe pastaj ata vetë të na tregojnë se Muhamedi është i dërguari i Allahut.” Kjo ngjan me një ajet tjetër në Kuran, ku Allahu i Lartësuar na tregon fjalët e tyre drejtuar Profetit, që thonë se nuk do të besojmë: “... derisa të na sjellësh Allahun dhe melekët pranë nesh (t’i shohim haptazi) .” [Isra 92]. Edhe në këtë ajet, i Lartësuari na tregon se ata, duke vazhduar me kokëfortësinë e tyre në mohim, thonë: “Përse të mos e shohim Zotin tonë?” - “Vërtet, ata e tejçmuan shumë lart veten e tyre dhe e tejkaluan me arrogancën e tyre të madhe. ” - Allahu i Madhëruar na tregon në ajete të tjera se vetëm Ai e ka në dorë udhëzimin ose jo të krijesave, si: “Ne do t'ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t'i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre. Edhe sikur t'u dërgonim melekët, t'i bënim të vdekurit t'u flisnin atyre dhe t'i tubonim të gjitha gjërat para tyre, ata përsëri nuk do të besonin, nëse Allahu nuk do të donte. Por shumica e tyre nuk e dinë (të vërtetën).” [Enam 110, 111]. - “Ditën kur të shohin melekët nuk do të ketë gëzim për keqbërësit.” - Ata kanë për t’i parë melekët veçse një ditë, e cila nuk do të sjellë asnjë mirësi e gëzim për ta. Ky kërcënim mund të jetë për kohën e agonisë së vdekjes, kohë kur melekët do t’i “përgëzojnë” ata me zjarrin dhe zemërimin e Krenarit të Gjithëpushtetshëm. Kështu Meleku i Vdekjes i paraqitet mohuesit të fesë në formën më të tmerrshme dhe i thotë: “Dil, o shpirt i keq e i poshtër, për në afshin përvëlues të zjarrit, tek uji i vluar, nën një hije tymi!” Por shpirti struket dhe shpërndahet nëpër trup (për të mos dalë). Atëherë, ai ia shkul nga trupi, ashtu si krehëri shkul fijet e leshit të lagur, kur i kreh ato. Domethënë, ia nxjerr shpirtin së bashku me nervat e damarët. Melekët e godasin me forcë që të dalë, siç thotë i Lartësuari: “Eh, sikur të shihje kur melekët ua marrin shpirtin mohuesve, si i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë) : “Shijoni dënimin e Zjarrit përvëlues!”” [Enfal 50]. Ose: “Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë.” [Enam 93]. Kjo ndryshon nga ajo që do të ndodhë me besimtarët në momentin e vdekjes së tyre. Ata do të përgëzohen me shumë gjëra të bukura, siç thotë i Lartësuari: “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë .”, dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë) : “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës i Madh e Mëshirë - plotë.”” [Fusilet 30 - 32]. Në një hadith të saktë, që e sjell Bera Ibn Azibi, tregohet: “Kur besimtarit i vjen agonia e vdekjes, tek ai vijnë melekë me fytyra e rroba të bardha dhe i thonë: “Dil, o ti shpirt i mirë, në rehati e mëshirë dhe aromë borziloku, për te një Zot që nuk është i zemëruar me ty!” Atëherë, ai del nga goja e tij, ashtu siç

rrjedh e shkëputet pika e ujit nga buzët e enës.” Ndërsa të tjerë kanë thënë se në ajet flitet për Ditën e Kijametit. Megjithatë, Muxhahidi, Dahaku dhe të tjerë thonë se nuk ka kundërthënie mes këtyre dy opinio - neve. Nuk ka dyshim se melekët, si në ditën e agonisë së vdekjes së tyre, ashtu dhe në Ditën e Kijametit, kanë për t’iu shfaqur si besimtarëve, ashtu edhe mohuesve, por besimtarët do të përgëzohen prej melekëve me mëshirën e Allahut dhe kënaqësinë e Tij, si edhe me mirësi të shumta, ndërsa mohuesit do të dëshpërohen prej ndëshkimit të merituar që i pret. Mohuesi i besimit të vërtetë nuk ka për të gjetur asnjë përgëzim atë ditë, përkundrazi, çdo keqbërës do të dëshpërohet, madje , siç thotë Allahu i Lartësuar në vijim: - “Ata do t'u thonë: “Juve ju është ndaluar çdo gjë e mirë!” - Pra, melekët do t’u thonë mohuesve: "Ju jeni të privuar nga çdo e mirë dhe jeni të pambrojtur nga çdo e keqe”, sepse fjala “el hixhër”, me të gjitha kuptimet e saj, tregon ndalim, pengim, privim. Pikërisht për këtë arsye është quajtur “ el hixhr ” pjesa rrethore përbri Qabes, sepse ndalohet që ta kapërcesh atë gjatë tavafit, pasi ajo hapësirë është pjesë e Qabes. Me fjalë të tjera, përemri “Ata” nënkupton melekët. Janë pikërisht melekët që u thonë këto fjalë mohuesve të besimit të vërtetë. Ky është mendimi i Muxhahidit, Ikrimes, Hasenit e të tjerë, dhe ky është mendimi që e ka përzgjedhur Ibn Xheriri. - “Dhe Ne do t'i kthehemi ndonjë vepre të kryer nga ata dhe do ta bëjmë atë hi e pluhur.” - Bëhet fjalë për veprat të cilat ata kanë menduar se ato do të jenë shpëtimtaret e tyre, por, në fakt, ato nuk i përmbushin kushtet e pranimit të tyre. Çdo punë që nuk bëhet me qëllimin e pastër për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe që nuk bëhet në përputhje me Sheriatin e Tij, është e papranueshme dhe do të asgjësohet. Pa dyshim që veprat e mohuesve nuk janë të sinqerta për Allahun dhe nuk përputhen me Sheriatin, që Ai na e bëri të detyrueshëm për ta zbatuar. Për këtë arsye, ato janë krejt të pavlefshme, të papranueshme dhe të asgjësuara. Për sa i përket togut të fjalëve: “hebâen menthurâ ” (i përkthyer “hi e pluhur”), Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë se ato janë rrezet e diellit kur kalojnë nga një vrimë duke krijuar një kon drite.” Ndërsa Hasen el Basriu shpjegon: “Janë rrezet e diellit që hyjnë në të çarën e një çadre, të cilat, nëse dëshiron t’i kapësh me dorë, nuk i kap dot. Kështu ndodh edhe me mohuesit, të cilët mendojnë se janë në rrugë të drejtë, por, kur veprat i tyre dalin para Mbretëruesit të Drejtë dhe të Urtë, i Cili gjykon me drejtësi dhe nuk i bën padrejtësi askujt, e kuptojnë se ato janë kurrgjë, janë tërësisht të pavlera, siç thotë Allahu i Lartësuar në ajete të tjera: “Ja si është shembulli i atyre që mohojnë Zotin e tyre. Veprat e tyre janë si pluhuri, të cilin era e shpërndan në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të përfitojnë asgjë nga veprat që kanë bërë. Kjo është një humbje e madhe.” [Ibrahim 18]. “O ju që keni besuar! Mos i prishni sadakatë tuaja me të përmendur dhe me fyerje, siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit! Ky ngjan me atë gurin e madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur. Ata nuk arrijnë asgjë nga ato gjëra që kanë bërë. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë një popull që refuzon besimin.” [Bekare 264]. “Kurse ata që nuk besuan, - veprat e tyre janë si mirazhi në një rrafshinë, të cilin i eturi e merr për ujë, derisa kur i afrohet e sheh se është asgjë. Por ai e ka Allahun pranë dhe Ai do t’ia bëjë të plotë llogarinë. Allahu është i shpejtë në bërjen e llogarisë .” [Nur 39]. Tefsiri i të gjitha këtyre ajeteve është bërë më lart - Allahut i takon lavdërimi dhe mirënjohja! - “Banorët e Xhenetit do të jenë mirë atë ditë në banesën e tyre dhe do të kenë vendin më të mirë për pushim. ” - Ditën e Kijametit nuk do të jenë njëlloj banorët e Zjarrit dhe banorët e Xhenetit. I Lartësuari thotë: “Nuk janë njëlloj banorët e Xhenetit

me banorët e Xhehenemit! Banorët e Xhenetit janë të fituarit.” [Hashr 20]. Kështu do të jetë, sepse banorët e Xhenetit do të kenë shpërblime, pikërisht për shkak të punëve të tyre të mira dhe të pranueshme nga Zoti. Ata hyjnë në atë vend të mrekullueshëm, ndryshe nga banorët e Zjarrit, të cilët nuk kanë asnjë vepër të mirë, që t’u mundësojë futjen në Xhenet dhe shpëtimin nga zjarri i Xhehenemit. Kështu, duke na treguar gjendjen e të lumturve, Allahu i Madhëruar na bën që të meditojmë për gjendjen e shëmtuar dhe të dëshpëruar të të humburve në Xhehenem. Në këtë ajet bëhet fjalë pikërisht për ato çaste në Xhenet, kur të dashurit e Allahut shtrihen të kënaqur në shtretërit e tyre, bashkë me hyritë sybukura, ndërkohë që armiqtë e Zotit do të qëndrojnë së bashku me shejtanët e tyre në zjarr, të lidhur dhe të shtrënguar në pranga përvëluese.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 25:21–25:23

- Ata që nuk shpresojnë takimin me Ne, thanë: “Përse të mos na dërgohen melekë (si profetë në vend të njerëzve), ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” - Ata që mohojnë Profetin dhe premtimet e Allahut, ata nuk kanë në zemrat e tyre frikë nga kërcënimet e Zotit dhe as shpresë për shpërblimet e Tij dhe për takimin me Të. Këta thonë: “Përse të mos na dërgohen melekë (si profetë në vend të njerëzve) , ose përse të mos e shohim Zotin tonë?” Pra, i thoshin Profetit (a.s.): “Përse nuk zbresin melekë, që të dëshmojnë për Shpalljen që sjell nga Zoti dhe të jenë krah për ty, ose të vijnë vetë melekët si profetë?! Ose të vijë vetë Zoti, që ne ta shohim dhe Ai të na thotë drejtpërdrejt: ‘Ky është Profeti Im, prandaj pasojeni e binduni atij!" Kjo është një shprehje e arrogancës, mendjemadhësisë dhe refuzimit pa të drejtë të Profetit (a.s). Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: - Vërtet, ata e tejçmuan shumë lart veten e tyre dhe e tejkaluan me arrogancën e tyre të madhe. – Si guxuan të bëjnë të tilla propozime?! E kush jeni ju, o të varfër e të mjerë, që të kërkoni të shihni Allahun,

madje ta kërkoni këtë edhe si kusht për pranimin ose jo të profetësisë dhe Shpalljes që solli Muhamedi (a.s)?! E çfarë mendjemadhësie mund të jetë më e madhe se kjo e tyre? Allahu thotë për ta: "...ata e tejçmuan shumë lart veten e tyre dhe e tejkaluan me arrogancën e tyre të madhe. " Zemrat e tyre u ngurtësuan dhe u vrazhdësuan, prandaj nuk e pranuan të vërtetën. Zemrat e tyre ishin më të forta se guri dhe hekuri. Ato kurrë nuk u zbutën për të pranuar të vërtetën. Ata as nuk ua vënë veshin këshilluesve, prandaj dhe këshilla e qortimi nuk gjeti rrugë në zemrat e tyre. Ata ishin mopërfillës e mëndjemëdhenj, që nuk e pasonin të vërtetën edhe pse u vinte e qartë nga Zoti. Ata refuzuan të pasonin njeriun më të mirë dhe dashamirës ndaj krijesave dhe refuzuan të besonin ajetet e qarta të Zotit. Ata mohuan Profetin dhe kundërshtuan Shpalljen e sjellë nga ai. A nuk ishte ky tregues i ngurtësisë dhe vrazhdësisë së zemrave të tyre? Për shkak të këtij mohimi e ngurtësie të zemrave të tyre, veprat e tyre u asgjësuan dhe u zhvlerësuan. Kështu, ata dështuan dhe u zhytën në dëshpërimin më të thellë. Ata u privuan nga çdo e mirë. - Ditën kur të shohin melekët (kur t'u meret shpirti, ose në varr, ose në ringjallje), nuk do të ketë gëzim për keqbërësit. Ata (melekët) do t'u thonë: “Ju është ndaluar gjithçka e mirë.”” - Ata kërkuan të shihnin melekët, që t’u zbrisnin para tyre, që të besonin, por Allahu na tregon se ditën kur ata të shohin melekët, ajo do të jetë një ditë e vështirë për keqbërësit zemërgurë. Kështu do të ndodhë, sepse duke vazhduar në mohimin, vrazhdësinë dhe inatin e tyre, ata kanë për t’i parë melekët në momentet kur t’u shfaqet dënimi i Zotit. Takimi i parë i tyre me melekët e Zotit do të jetë në momentin e vdekjes, siç thotë Zoti: "Eh, sikur t’i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! Tani do të vuani dënimin poshtërues sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë. Tashmë ju na vini të vetmuar, ashtu si ju krijuam së pari, duke lënë pas vetes gjithçka që ju patëm dhënë. Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj, për të cilët mëtonit se ishin ortakët e Allahut. Pa dyshim, sot është këputur çdo lidhje mes jush dhe ka humbur gjithçka që ju shpresonit.” [En'am 93, 94]. Pastaj do të përballen me melekët në varr, me Munkerin dhe Nekirin, kur ata do t’i pyesin: “Kush është Zoti yt? Kush është Profeti yt? Cila është feja jote?” Dhe ata të mjerë nuk do të jenë në gjendje të japin përgjigjet që do t’i shpëtonin nga ndëshkimi. Atje do të përfshihen e mbulohen nga zemërimi i Zotit dhe nuk do të shohin mëshirë prej Tij. Pastaj do të shohin melekët në Ditën e Gjykimit, kur ata t’i shtyjnë me forcë si turmë, për t’i hedhur në zjarr. Pastaj ata do t’i dorëzojnë këta keqbërës në duart e zebanive të Xhehenemit, të cilët do të merren me ndëshkimin dhe torturimin e tyre. Kështu, ajo që kërkuan, pra, shikimi i melekëve, do t’u jepet në këtë formë, nëse vazhdojnë t’i kthejnë shpinën së vërtetës. Atë ditë nuk do të duan të shohin melekët, por do të kërkojnë mbrojtje dhe do të tmerrohen prej tyre. Ata do të kërkojnë të fshihen prej tyre, por nuk kanë ku të fshihen e të shpëtojnë. Allahu i Lartësuar thotë: "O turma e xhindeve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të Tokës, dilni! Por ju nuk mund ta bëni këtë, veçse me ndonjë fuqi të madhe. " [Rahman 33]. - E Ne do t'i kthehemi ndonjë vepre që ata e bënë (në këtë botë) dhe do ta bëjmë atë hi e pluhur. - Për ndonjë vepër, që i ka munduar në këtë botë, e që ata shpresojnë se do t’u sjellë ndonjë të mirë, Allahu thotë: "... dhe do ta bëjmë atë hi e pluhur." Zoti do t’i zhvlerësojë e fshijë ato vepra, prandaj ata do të jenë të privuar nga shpërblimet. Ata madje do të ndëshkohen për ato punë të cilave u mungon kushti bazë, imani. Ato janë vepra të kryera nga mohuesit e Zotit dhe Profetit të Tij. Veprat që Zoti i pranon dhe i shpërblen janë ato që bëhen nga

besimtari i sinqertë, që i beson profetët dhe i pason ata në shpalljet që sollën nga Zoti.

← Furkan 25:21