26. Shuara · Ajeti 160 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 26:160–26:191
Përmes këtyre tregimeve për pejgamberët që u përmendën në këtë kaptinë, duket qartë se të gjithë pejgamberët ishin të dërguar me një qëllim të njëjtë, se thirrja e tyre ishte një, se ata ua treguan njerëzve qëllimin e të mirës së thirrjes së tyre, nuk kërkuan prej njerëzve kurrfarë shpërblimi.
Veset e popullit Lutë ishin më të shëmtuarat, ata çonin dashuri me meshkuj (bënin livata) gjë që nuk e bëjnë as shtazët, pra e merituan dënimin, e së bashku me ta edhe gruaja tradhtare e Lutit.
Popullin e padëgjueshëm të Shuajbit e pat kapur një vapë shumë e madhe dhe e padurueshme. Zoti e çon një re të madhe e të dendur, e kur hyjnë nën hijën e saj gjejnë freski dhe fillojnë ta thërrasin njëri-tjetrin e të tubohen nën atë hije, atëherë i kap zjarri dhe rrufeja që të gjithë, andaj edhe i thuhet dënim i hijës.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 26:160–26:164
Allahu i Lartësuar na njofton rreth robit dhe Profetit të Tij, Lutit (a.s). Ai ishte Lut Ibn Aran Ibn Azeri, pra, ishte djali i vëllait të Ibrahimit (a.s). Allahu i Lartësuar e dërgoi atë mes një populli, të cilët jetonin në zonën e Sodomës dhe rrethinat e saj. Allahu i Lartësuar e shkatërroi atë vend dhe e shndërroi në një liqen të pështirë dhe të ndotur. Ai ndodhet në zonën e quajtur El Goul, pranë maleve të Bejtul Makdesit. Kështu, Profeti i tyre i ftoi që ta adhuronin Allahun si një të vetëm, t’i bindeshin Profetit që u dërgua ndër ta dhe i ndaloi prej poshtërsisë së përhapur ndër ta, që ishin marrëdhëniet homoseksuale, duke u larguar nga marrëdhëniet e rregullta mashkull - femër, që Zotit i ka lejuar.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 26:160–26:175
- Populli i Lutit nuk i besoi të dërguarit. Vëllai i tyre, Luti, i tha: “A nuk keni frikë (Allahun)?” Unë jam një profet i besuar, i dërguar (veç) për ju. Prandaj, kijeni frikë Allahun dhe m’u bindni mua! Unë nuk kërkoj prej jush asnjë shpërblim për këtë. Shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve. - Profeti i ftoi në mirësi dhe besim, por ata iu përgjigjën njëlloj si popujt e shkuar, që refuzuan profetët e tyre. Të ngjashme ishin zemrat e tyre në kufër, prandaj ishin të ngjashme edhe fjalët e tyre në refuzimin e profetëve dhe mohimin e të vërtetës. Por këta të poshtër, përveç idhujtarisë, bënin edhe një poshtërsi që askush para tyre nuk e kishte bërë. - Nga të gjitha krijesat e kësaj bote, ju po shkoni pas meshkujve dhe lini mënjanë ato, të cilat Zoti juaj i krijoi si bashkëshorte për ju?! Ju jeni vërtet një popull që kalon çdo kufi (të së keqes) .” - Ata parapëlqenin marrëdhëniet homoseksuale, aq të ulët, të poshtër dhe të pisët. Ata nuk pëlqenin gratë e pastra dhe të mira, që Zoti kishte krijuar për ta, sepse ishin një popull që kishte kaluar çdo kufi në armiqësi e padrejtësi. Profeti i tyre vazhdoi t’i ndalonte nga këto poshtërsi, por ata thanë: - “O Lut! Nëse nuk ndalesh (nga këto që na thua) , me siguri do të të dëbojmë.” - Kuptimi: Ne do të të dëbojmë nga vendi ynë.
Kur Luti pa këmbënguljen e tyre në poshtërsi, u tha: - Unë e urrej atë që bëni ju. - Kuptimi: Unë e urrej këtë punë që bëni ju dhe ju ndaloj nga ajo me forcë, duke ju kërcënuar me ndëshkimin e Zotit. Pastaj u lut për vete dhe për besimtarët. - O Zoti im! Më shpëto mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!” - Na ruaj nga veprat dhe ndikimi i tyre, si dhe ndëshkimi që ai sjell me vete. Dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tij: - Kështu, Ne e shpëtuam atë dhe tërë familjen e tij. Përveç një plake (gruas së tij), që mbeti me ata (në dënim) . - Pra, përveç gruas së tij, e cila mbeti së bashku me ta në ndëshkim. - Më pas i shkatërruam të tjerët, duke u lëshuar një breshëri (gurësh nga qielli) . Eh, sa i keq ishte ai rrebesh për ata që u paralajmëruan (por nuk ia vunë veshin) ! - Mbi ta u hodhën gurë të ndezur. Eh, sa i dhembshëm ishte ai shi gurësh për atë popull që iu tërhoq vërejtje nga Profeti i Zotit! Allahu i shkatërroi nga i pari, deri tek i fundit. - Vërtet, këtu ka faakte, por shumica e tyre nuk besojnë. Nuk ka dyshim se Zoti yt është Ngadhënjimtari e Mëshirëploti. - Kështu i shkatërroi Zoti me krenarinë e Tij mohuesit dhe shpëtoi me mëshirën e Tij besimtarët e ruajtur.