← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

27. Neml · Ajeti 54 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 27:45–27:66

Një pjesë e vogël e popullit Themud i besuan Salihut, kurse shumica që mbeti në besimin I e kotë, e kundërshtuan. I thonin Salihut sillna azabin prej Zotit, madje i thonin se ai dhe besimtarët i e tij ishin shkaktarë (baksuza) të disa të këqijave që i goditnin. Disa djem të parisë kundërshtare përgatitën mbytjen e Salihut dhe të familjes së tij, u besatuan ta bëjnë këtë fshehtas dhe të mos tregojnë. Të gjitha ato dredhi të tyre dështuan, Allahu i shkatërroi, e vendbanimet e tyre mbetën të shkreta. Edhe populli i Lutit ishte shumë i pamoralshëm, e ai ves i tyre e brente edhe më shumë, kur shihnin Lutin dhe rrethinën e tij se ishin të ndershëm, andaj për të qenë të gjithë njësoj të ndyer, donin ta përzënin Lutin. Edhe ai popull përjetoi atë që e meritoi.

Për të mos i gjetur edhe të tjerët ndonjë fatkeqësi e tillë. Zoti tërheq vëmendjen e njeriut në disa fakte, të cilat japin të kuptosh për fuqinë e Tij të pakufishme dhe nga të cilat do të duhej bindur se Ai është i vetmi Krijues i çdo sendi në gjithësi dhe se vetëm Atij duhet drejtuar me lujte e adhurime e askujt tjetër, sepse çdo send apo gjallesë, është krijesë e Tij, e krijesa nuk mund ta zëvendësojë krijuesin e vet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 27:54–27:58

Allahu i Lartësuar na tregon historinë e Profetit dhe robit të Tij të dashur, Lutit. Ai e paralajmëroi popullin e tij për zemërimin e Allahut, në lidhje me atë poshtërsi të pashembullt, që nuk ishte parë kurrë më herët, pra, për marrëdhëniet meshkuj me meshkujt dhe femrat me femrat. - “Luti i tha popullit të vet: “Si e bëni atë punë të shëmtuar, duke parë njëri - tjetrin?” - Ju kryeni poshtërsi duke parë njëri-tjetrin në takimet tuaja të mbushura me degjenerim. Në një ajet tjetër thuhet: “Ju bëni një punë shumë të shëmtuar, që askush para jush nuk e ka bërë në tërë botën.”. Ju kontaktoni me meshkujt, sulmoni njerëzit në rrugë dhe në vendtubimet tuaja bëni punë të liga.” [Ankebut 28, 29]. - “Ju, nga epshi, kontaktoni me meshkuj dhe braktisni gratë tuaja. Ju jeni popull shumë injorant. ” - Ju nuk dini asgjë dhe jeni larguar nga natyrshmëria. Ju nuk respektoni asnjë ligj të zbritur nga Zoti. Në një ajet tjetër thuhet: “Nga të gjitha krijesat e kësaj bote, ju po shkoni pas meshkujve dhe i lini mënjanë ato, të cilat Zoti juaj i krijoi si bashkëshorte për ju?! Ju jeni, vërtet një popull që kalon çdo kufi (të së keqes).”” [Shuara 165, 166]. - “Por populli i tij pati vetëm një përgjigje: “Dëbojeni familjen e Lutit nga vendi juaj, sepse ata janë njerëz që ruajnë pastërtinë!” - Pra, ky na qenkësh gabimi i tyre: ata ishin njerëz që ngushto - heshin dhe ndiheshin keq nga të tilla vepra; ata nuk i pranonin dhe nuk pajtoheshin me veprat e tyre, prandaj thanë: “Largojini ata, sepse nuk e meritojnë të jetojnë në

shoqërinë tonë dhe nuk u nënshtrohen rregullave, që ne kemi vendosur”. Kështu, ata vendosën që t’i dëbonin prej qytetit, por Allahu i Lartësuar i shkatërroi tërësisht ata. Le ta dinë mohuesit e sotëm dhe të të gjitha kohërave, që kryejnë të njëjtat krime dhe poshtërsi, se për ta janë rezervuar të njëjta ndëshkime. - “Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij. E kishim përcaktuar që ajo të mbetej me të dënuarit.” - Ajo do të ishte me të shkatërruarit në popullin e saj, sepse ajo ndiqte fenë e tyre. Ajo ishte mbështetse e fesë së tyre, pajtohej me ta dhe nuk e refuzonte mënyrën e tyre të jetesës. Madje, ishte ajo që u tregoi atyre për ardhjen e dy vizitorëve të bukur tek Luti. Në fakt, ajo nuk bënte të njëjtat poshtërsi si populli i saj, sepse Allahu i Lartësuar nuk do ta lejonte kurrë këtë cenim morali për një grua profeti. Ky ishte thjesht kujdesi i Zotit për të ruajtur nderin e Profetit dhe jo se ajo meritonte ndonjë gjë. - “Atyre u lëshuam një rrebesh. ” - Ishte një rrebesh gurësh balte të forcuar, siç thotë Allahu në ajetin tjetër: “Kur erdhi caktimi Ynë, Ne e kthyem çdo gjë përmbys dhe lëshuam mbi ta një rrebesh të pandërprerë gurësh balte të forcuar, të shenjuar nga Zoti yt. Një dënim i tillë nuk është larg për të padrejtët.” [Hud 82]. - “Sa i keq ishte ai rrebesh për ata të cilëve u erdhi paralajmërimi. ” - Atyre u erdhën argumente të qarta, që asgjësonin çdo justifikim përpara Zotit e, megjithatë, iu kundërvunë Profetit, madje duke tentuar ta dëbonin. Për këtë lloj vepre, ata e merituan rrebeshin e tmerrshëm nga qielli.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 27:54–27:58

- (Kujto) Kur Luti i tha popullit të vet: “Si e bëni atë punë të shëmtuar, që edhe vetë ju e kuptoni (se është e keqe) ?!” - Kujto adhuruesin dhe profetin Tonë të sinqertë, me përpjekjet e tij të lëvdueshme në ftesën e popullit të tij. Duke i ftuar në besimin e drejtë dhe largimin nga poshtërsitë, ai u tha: “Si e bëni atë punë të shëmtuar, që edhe vetë ju e kuptoni se është e keqe?! Ajo është një poshtërsi e madhe, të cilën e urren çdo natyrë e pastër dhe çdo mendje e shëndoshë. Në çdo ligj që ka zbritur Zoti, ajo është e ndaluar. Edhe pse e shihni dhe e dini mirë sa e shëmtuar dhe e poshtër është kjo vepër, ju tregoheni inatçorë e të shfrenuar dhe e bëni atë gjë. Kjo është një padrejtësi dhe paturpësi ndaj Zotit të Madhëruar! Pastaj e shtjelloi, duke e treguar qartë atë poshtërsi që e bënin: - Ju, për shkak të epshit, kontaktoni me meshkujt dhe braktisni gratë tuaja! - Si është e mundur që arritët në këtë gjendje dhe epshet tuaja tjetërsuan e u bënë për burrat?! Ajo është një gjë e pështirë e jo e natyrshme. Ju bëni këtë gjë të pështirë dhe lini gratë, që Zoti i krijoi për ju, me atë trup e konstrukt të bukur dhe të hijshëm, që çdokush është i prirur dhe është krijuar t’i dëshirojë?! Ju i kini kthyer përmbys gjërat, prandaj shihni të bukur diçka të shëmtuar dhe shihni të shëmtuar diçka të bukur. - Ju jeni popull shumë injorant. - Ju i kaloni të gjitha kufijtë e Zotit dhe keni guxim të bëni haramet e Tij. - Por përgjigjja e popullit të tij ishte veçse kjo: “Dëbojeni familjen e Lutit nga vendi...” - Ata nuk morën mësim dhe nuk treguan pendim, përkundrazi refuzuan me forcë dhe filluan të kërcënonin profetin Lut, atë profet besnik që dëshironte të mirën dhe rregullimin për ta. Ata e kërcënuan se do ta dëbonin dhe largonin nga vendi i tij. - ...sepse ata janë njerëz që ruajnë pastërtinë! - Duket sikur u kanë thënë: “Çfarë gabimi kanë bërë, që të meritojnë dëbimin nga vendi?” Atëherë thanë: "...sepse ata janë njerëz që ruajnë pastërtinë!” Pra, ata e quanin gabim atë vepër nga e cila duhet të ruhesh dhe ta mbash veten të pastër. Allahu i shëmtoftë! Atë vepër që konsiderohet pastërti dhe dëlirësi e konsideronin si gabimin më të madh. Nuk mjaftoi që e mohuan dhe refuzuan besimin në të cilin i ftoi profeti i

tyre, por arritën deri aty sa ta dëbonin nga vendi. Mendoni se deri ku kishte arritur e keqja që kishte kapluar mendjet dhe zemrat e tyre. Ata thanë: “Dëbojeni familjen e Lutit nga vendi juaj, sepse ata janë njerëz që ruajnë pastërtinë!” Duke qenë se ata ishin të zhytur në mohim e poshtërsi, atëherë përfundimi i kësaj vepre ishte i ditur. Të gjithë ata që do mbeteshin brenda do të shkatëroheshin dhe të gjithë ata që do të dilnin do të shpëtonin. Prandaj Zoti thotë: - Ne e shpëtuam atë dhe familjen e tij, përveç gruas së tij. E kishim përcaktuar që ajo të mbetej me të dënuarit. - Kur dy melekët shkuan tek Luti në formën e dy djemve të bukur, si miq tek ai, këtë lajm e mori vesh edhe ai popull i mbrapshtë. Kështu, ata shkuan tek shtëpia e Lutit me synim të keq. Atëherë, Luti e mbylli portën nga brenda dhe gjendja e tij u rëndua shumë nga pamundësia për të mbrojtur miqtë. Megjithatë, melekët e njoftuan se kush ishin dhe e përgëzuan se kishin ardhur për ta shpëtuar dhe për ta nxjerrë atë nga ai vend i poshtëruar dhe i mbushur me gjynahe. Ata njoftuan se ata ishin dërguar për ta shkatërruar dhe dënuar atë popull. Koha e dënimit të tyre do të ishte agimi. Ata e urdhëruan dhe porositën Lutin që të nisej që në pjesën e parë të natës pa u ndier, përveç gruas së tij, e cila do të mbetej pas dhe do të dënohej së bashku me atë popull të ulët. Kështu, ata u nisën që në fillim të natës dhe shpëtuan, ndërsa atë popull të mjerë e kapi agimi me ndëshkimin e pashembullt. Allahu i Lartësuar e ktheu përmbys atë qytet të poshtër dhe i gjuajti prej së larti me gurë të ndezur, siç tha: "Kur erdhi caktimi Ynë, Ne e kthyem çdo gjë përmbys dhe lëshuam mbi ta një rrebesh të pandërprerë gurësh balte të forcuar. Të shenjuar nga Zoti yt. Një dënim i tillë nuk është larg për të padrejtët." [Hud 82, 83]. Ndërsa këtu thotë: - Atyre u lëshuam një rrebesh (gurësh). Sa i keq ishte ai shi (si dënim) për ata, të cilëve u erdhi paralajmërimi (dhe nuk ia vunë veshin)! - Sa i keq dhe i dhembshëm ishte ndëshkimi i tyre dhe sa i keq ishte ai shi, që i rrënoi. Ky ishte ndëshkimi, sepse atyre iu tërhoq vërejtja dhe u kërcënuan, por nuk morën mësim e as u penduan. Ky është ndëshkimi i Zotit për të tilla poshtërsi.

← Neml 27:54