27. Neml · Ajeti 93

سورة النمل
Përkthimi Sherif Ahmeti
93

وَقُلِ ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ سَيُرِيكُمۡ ءَايَٰتِهِۦ فَتَعۡرِفُونَهَاۚ وَمَا رَبُّكَ بِغَٰفِلٍ عَمَّا تَعۡمَلُونَ

Dhe thuaj: "Falënderoj All-llahun, e Ai do t'ua tregojë argumentet e veta dhe do t'i kuptoni ato atëherë (kur nuk u bën dobi). Zoti yt nuk është indiferent ndaj asaj që veproni ju".*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Kur do të jetë afër koha e ndëshkimit të atyre, që nuk besuan, dhe koha e Kijametit do të dalë një shtazë nga toka - “dabetul erdi”, e cila do t’u flasë njerëzve, do t’i mallkojë ata që nuk besuan argumentet e Zotit. Sipas hadithit, që e shënon imam Ahmedi në Musnedin e vet: Kijameti, Katastrofa e përgjithshme, nuk do të ndodhë para se të paralajmërohen dhjetë shenja... e në mesin e tyre e numëron edhe “dabetul erdin”... Po ashtu edhe Muslimi e shënon në Sahihun e vet me disa ndryshime në vetë citatin e hadithit. Në Ditën e Tubimit pas Ringjalljes do të tubohen në grupe të gjithë ata që nuk pranuan mësimet e Zotit, do të jenë të rrethuar dhe të shtrënguar e të shtyrë me rrëmbim drejt vendit, ku do të përgjigjen për veprat e bëra, do t’iu thuhet se i mohuat faktet e Allahut, duke mos i studiuar ato, dhe ata pa e folur asnjë fjalë i kap dënimi. Kur do t’i fryhet surit, do të trishtohet nga frika çdo kush, përpos pejgamberëve, shehidëve dhe engjëjve, e pastaj të gjithë me respekt do t’i paraqiten Zotit. Ka mendime se surit (bririt) do t’i fryhet tri herë: një herë për frikësim, herën tjetër për shkatërrimin e çdo gjëje dhe për vdekjen e gjallesave, dhe herën e fundit për ringjallje. Çdo vepër e mirë do të shpërblehet shumëfish. Vepra e keqe për të cilën flitet në këtë ajet është kufri, mosbesimi, e jo vepër e keqe e ndonjë besimtari, sepse ndëshkimi që përmendet për të: hudhjen në xhehenem me fytyra të përmbysura, e pësojnë vetëm idhujtarët, por jo edhe besimtarët mëkatarë. Në fund Pejgamberi a.s. urdhërohet të deklarohet haptazi për drejtimin e vet në besim, për detyrën që ka ndaj njerëzve dhe ta falënderojë Allahun për pozitën e lartë, të cilën ia dhuroi si mëshirë për mbarë botën. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës “En Neml”. I falënderuar je prej meje o i Madhërishëm!