28. Kasas · Ajeti 13

سورة القصص
Përkthimi Sherif Ahmeti
13

فَرَدَدۡنَٰهُ إِلَىٰٓ أُمِّهِۦ كَيۡ تَقَرَّ عَيۡنُهَا وَلَا تَحۡزَنَ وَلِتَعۡلَمَ أَنَّ وَعۡدَ ٱللَّهِ حَقّٞ وَلَٰكِنَّ أَكۡثَرَهُمۡ لَا يَعۡلَمُونَ

Dhe ashtu atë e kthyem te nëna e vet që ajo të jetë e kënaqur e jo e pikëlluar dhe që ta kuptojë ajo se premtimi i All-llahut është i vërtetë e i sigurt, por shumica e tyre nuk e dinë.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Shkronjat e ndara në fillim japin për të kuptuar, se ky libër i mrekullueshëm dhe i pashoq është i përbërë prej shkronjave të tilla. Përmes engjëllit Xhibril i lexohet Muhamedit a.s. tregimi rreth Musait e faraonit, në mënyrën më të vërtetë e më të sigurt, por për atë popull që e beson Kuranin. Faraoni i kohës së Musait ishte aq kryelartë, saqë e quante veten zot, e popullin e kishte ndarë në grupe, dhe atë të Beni Israilëve e shtypte pa masë, ua vriste meshkujt, e ua linte të gjalla femrat sa për shërbime. Mëshira e Zotit ishte ta ndihmojë atë popull të shtypur, e faraonit dhe ministrit të tij, Hamanit që ishin zullumqarë t’iu tregojë, se e ardhmja do të jetë në duar të atyre të shtypurve, gjë së cilës ia kishin frikë. Faraoni kishte urdhëruar të mbytet çdo fëmijë mashkull, që lind ndër Beni Israilët. Nënën e Musait e kishte frymëzuar Zoti, që për një kohë t’i japë ajo gji, e kur t’i kërcënohet rreziku për të, ta hedhë në lumë e të mos frikësohet, as të mos pikëllohet, se Zoti do ta ruajë atë, madje edhe do ta shpallë pejgamber. Lumi e barti, e çoi tek dera e faraonit dhe atë e gjeti familja e tij. Gruaja e faraonit, Asija u gëzua dhe kërkoi që të mos vritej, ta rrisnin dhe ta adoptojnë për fëmijë. Nëna e Musait gati u çmend kur kuptoi, se ai kishte rënë në duar të faraonit, por besimi në Zotin e përforcoi. Ajo i tha bijës së vet, motrës së Musait që të vështrojë prej së largu, të mos hetohet që po e përcjell se ç’po ndodh me të. Familja e faraonit u interesuan për një grua, që do t’i japë gji, por Musai si foshnjë nuk merrte gjirin e asnjë gruaje. Atëherë motra e Musait shfrytëzoi rastin dhe iu tha, se di për një grua që do të mund t’i jipte gji dhe se është e një familjeje të mirë e të ndershme. Ata çuan dhe e thirrën atë grua, në të vërtetë vetë nënën e Musait, por nuk e dinin se ajo ishte nënë e tij. Fuqia e Zotit bëri që ta shpëtojë fëmijën, ta gëzojë nënën e tij dhe t’i japë të kuptojë, se udhëzimi i Zotit është i vërtetë, i sigurt dhe i pathyeshëm. Për nënën e Musait thuhet, se e kishte emrin Juhaze, e për motrën Merjem ose Katime, apo Kulsum. Thuhet se faraoni dyshoi kur pa se foshnja po e thith gjirin e asaj gruaje, prandaj e pyeti: Si është puna që asnjë gji tjetër nuk pranoi e tëndin po? Ajo tha: Jam e tillë, që çdo fëmijë më thith mua, si duket e kam qumështin të mirë! Ia dhanë foshnjën ta mbajë në shtëpinë e vet dhe e shpërblyen me gjëra të çmueshme.