← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

28. Kasas · Ajeti 29 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 28:14–28:37

Pasi u rrit Musai dhe Zoti e pajisi me dituri, e kuptoi se rruga e besimit të atij populli ishte I e gabuar, por për atë qëndrim të tij iu tërhoq vërejtja, andaj nuk kishte guxim të dukej në qytet. Në një çast, i pahetuar, hyn në qytet dhe has në dy njerëz që ishin ngatërruar ndërmjet vete, njëri kibtij e tjetri beni israil dhe ky i fundit kërkon ndihmë prej Musait. Pa ndonjë qëllim të caktuar, Musai pendohet shumë për atë rast dh Musai e shtyn me grusht kibtin dhe ai vdes në vend. Musai pendohet shumë për atë rast dhe, kërkon prej Zotit falje, sepse me anën e të mirave që ia dhuroi Zoti, ai bëri gabim, por Zoti ia fali.. Pas atij momenti Musai rri i fshehur, por zbulohet kur ditën tjetër i njëjti person nga beni israilët ngatërrohet me një tjetër dhe e thërret për ndihmë Musain. Një besimtar e lajmëron Musain për konsultimet e parisë së shtetit të faraonit kundër tij dhe e këshillon të ikën. Musai ik kah Medjeni e në rrugë has në një pus ku barinjtë u jepnin ujë kafshëve. Më larg, dy vajza kishin menjanuar kafshët e tyre e prisnin të largohen barinjtë dhe pastaj t'u jipnin ujë bagëtive të veta. Pusi ishte i mbuluar me një rrasë guri që me vështirësi hiqej, por pasi që i ati i tyre ishte i shtyrë në moshë, ato duhej ta kryenin atë punë. Nga mëshira, Musai u ndihmoi, e pastaj shkoi te një hije, ishte i lodhur, por edhe shumë i uritur, sepse kishte shtatë ditë që nuk kishte pasur ç'te hajë, përveç barishteve, andaj e luti Zotin ta ndihmojë. Merre me mend, njëri ndër më të zgjedhurit nga krijesat e Zotit është sprovuar deri në atë masë.

Vajzat kthehen në shtëpi, i tregojnë të atit për ndihmën e një njeriu, e ai e dërgon njërën vajzë ta ftojë për shpërblim. Vajza e ndershme, përpiqej t'i mbuloje pjesët e trupit. Por Musai ishte edhe më i ndershëm, e urdhëron vajzën të ecë prapa tij dhe t'i tregojë për rrugën.

Kur arriti tek i zoti i shtëpisë, ai plak kishte qenë Shuajbi, e Musai i tregoi për rastin e vet dhe ai i tha se ishte i shpëtuar prej atij populli zullumqarë. Shuajbi bisedoi me Musain për shërbim si bari dhe Musai pranoi. E martoi me njërën nga vajzat e veta. Si duket Musai qëndroi aty si bari dhjetë vjet, e pastaj e mësyu Egjiptin. Rrugës iu dha shpallja e parë, përmes Zotit u njoftua i për dy mrekullitë dhe iu dha shenjë se e vërteta do të shkëlqejë si dora e tij.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 28:29–28:32

- “Kur Musai e plotësoi afatin dhe u nis në udhëtim me familjen e vet, vërejti anash (malit të) Turi Sinait një zjarr .” - Pasi përmbushi kohën më të plotë të shërbimit, pra, 10 vjet, Musai u nis në

udhëtim me familjen e vet, duke marrë me vete edhe kopenë e deleve, që ia kishte dhuruar babai i gruas së tij. Ata u nisën dhe tashmë ndodheshin shumë larg, në një natë të errët, të ftohtë dhe me shi. Ata qëndruan në një vend. Sa herë që Musai përpiqej që të ndizte zjarr, duke goditur fort gurin, ai nuk nxirrte asnjë shkëndijë. Musai u çudit nga kjo që po shihte. Ndërkohë, ai vërejti anash malit të Turi Sinait një zjarr. Ai ndiçonte shumë, edhe pse ishte shumë larg. - “Atëherë i tha familjes së vet: “Rrini këtu! Unë po dalloj një zjarr ...” - Qëndroni këtu, derisa të shkoj në atë vend. - “Shpresoj të mësojmë diçka prej andej ...” - Sepse ata kishin humbur orientimin dhe nuk dinin nga të vazhdonin udhëtimin. - “... ose të sjell ndonjë dru të ndezur, që të ngroheni.” - Ose të marr pak zjarr, që të ngrohemi, gjatë kësaj nate të ftohtë e me shi. - “Por, kur arriti atje, u dëgjua një zë nga një pemë, nga ana e djathtë e luginës së atij vendi të bekuar: “O Musa! Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” - Zëri u dëgjua anash asaj lugine, pikërisht nga faqja e djathtë e malit, e cila ishte në pjesën perëndimore, siç thotë Allahu i madhëruar në ajetin tjetër: “ Ti nuk ishe në anën perëndimore (të vendit, ku Allahu i foli Musait), kur Ne ia besuam Musait Shpalljen dhe as nuk ishe dëshmitar në atë ngjarje. ” [Kasas 44]. Kur u afrua, Musai pa që zjarri po shkëlqente në një pemë jeshile, që ndodhej rrëzë malit, pranë luginës. Ai u habit nga ajo që po shihte dhe pikërisht në këtë kohë, Zoti i foli. Allahu i Lartësuar iu drejtua me fjalët: “O Musa! Unë jam Allahu, Zoti i botëve!” Pra, Ai i Cili është duke të folur ty, o Musa, është Zoti i botërave, Ai që përmbush gjithçka që Ai dëshiron. Nuk ka të adhuruar me meritë tjetër veç Atij dhe nuk ka Zot, që përkujdeset dhe ndihmon krijesat, përveç Atij. I Lartësuar është Ai, i Dëlirë nga çdo mangësi është Ai, i Cili nuk ka të ngjashëm, qoftë në Qenien e Tij, qoftë në cilësitë, fjalët dhe në veprat e Tij. - “Hidhe shkopin tënd! ” - Musai mbante në dorë një shkop, sikurse është përmendur në ajetin tjetër: “Ç’është ai në të djathtën tënde, o Musa? Ai (Musai) tha: “Ai është shkopi im, me të cilin mbahem dhe u shkund gjethe dhenve të mia; me të kryej edhe punë të tjera.” [Ta ha 17, 18]. Pra, atë shkop që mban në dorë, hidhe në tokë! - “Kur Musai e pa se po lëvizte si një gjarpër i shpejtë, u kthye të ikte e nuk vështroi prapa.” - Musai pa se ai po lëvizte me një shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa goja e gjarpërit ishte shumë e madhe, me nofulla e dhëmbë të tmerrshëm, të tillë që, sapo kalonte pranë ndonjë shkëmbi, ai e thërrmonte dhe shkëmbi rrokullisej brenda gojës së tij, sikur rrëzohej nga një faqe e pjerrët mali. Pikërisht duke e parë këtë skenë, Allahu i Lartësuar na tregon për Musain, që: u kthye të ikte e nuk vështroi prapa. Ai nuk e kthente kokën pas, sepse natyra e njeriut është e tillë që frikësohet nga të tilla pamje. Por Allahu i Lartësuar i tha:

- “O Musa! Kthehu ku ishe e mos u frikëso, se ti je nga ata që janë të sigurt. ” - Kur Allahu i tha këto fjalë, ai u kthye dhe qëndroi në vendin ku ishte më parë. Pastaj Allahu i Lartësuar i tha: - “Fute dorën në gjoks, dhe ajo do të dalë e bardhë, pa ndonjë të metë! ” - Pasi ta futësh dorën nën sqetullën tënde, pastaj ta nxjerrësh, ajo do të vezullojë fort, si të ishte copëz hëne, pa ndonjë të metë, pra, jo për shkak të ndonjë sëmundjeje, si lebra apo diçka tjetër. Kështu, Musai u qetësua dhe u bind se Ai që ishte duke i folur ishte pikërisht Ai i Cili mjafton që t’i thotë diçkaje “bëhu”, dhe ajo menjëherë bëhet . Më pas, Allahu i Madhëruar i tha: - “Shtrëngoje krahun pas trupit, që të mos frikësohesh!” - Muxhahidi shpjegon: “Domethënë, kur të ndiesh frikë, shtrëngoje krahun tënd pas trupit.” Pra, Musai (a.s) u urdhërua që, nëse frikësohej nga diçka, ta shtrëngonte krahun e tij pas trupit. Kështu do t’i largohej frika. Mbase, nëse këtë e bën çdokush, duke marrë si shembull Musain, pra, duke e ngjeshur dorën pranë zemrës, ka për t’iu larguar ndenja e frikës, në dashtë Allahu i Lartësuar.” Kësisoj, Allahu i Lartësuar e largoi frikën nga zemra e Musait. Ndërsa nga ana tjetër, Ai futi frikë në zemrën e Faraonit, sa herë që ai shihte Musain. - “Këto janë dy mrekulli nga Zoti yt për te Faraoni dhe hordhia tij ...” - Këto dy shenja ishin shndërrimi i shkopit në gjarpër që lëvizte me shpejtësi dhe nxjerrja e dorës nga sqetulla me bardhësi vezulluese, pa asnjë të metë. Këto do të ishin dy mrekulli të dukshme, që tregonin fuqinë e madhe të Allahut të Lartësuar dhe vërtetësinë e profetësisë së Musait, sepse të tilla mrekulli mund t’u jepeshin veçse profetëve të Zotit. Këto dy shenja erdhën për t’iu treguar Faraonit dhe ndjekësve të tij, qofshin ata prej parisë apo shërbëtorëve të tyre. - “sepse ata janë vërtet njerëz të ligj. ” - Njerëz që kishin dalë nga kufijtë e Allahut dhe i kundërviheshin fesë së Tij.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 28:29–28:35

- Kur Musai e plotësoi afatin, u nis në udhëtim me familjen e vet, vërejti anash (malit të) Turi Sinasë një zjarr. Atëherë i tha familjes së vet: “Rrini këtu, se unë po shoh një zjarr. Shpresoj t’ju sjell nga ai ndonjë lajm (për rrugëtimin tonë) ose ndonjë dru të ndezur, që të ngroheni.” - Mendohet që Musai të ketë punuar dhjetë vjet, sepse dihet që Musai ishte bamirës. Pasi mbaroi marrëveshja, Musai u përmallua për familjen, nënën, fisin dhe vendin e tij, ndaj mendoi që, pas gjithë asaj kohe të gjatë, tashmë e kishin harruar çështjen e tij. Kështu, u nis në udhëtim për në Egjipt me familjen e vet. Rrugës vërejti anash (malit të) Turi Sinasë një zjarr. Kjo ndodhi pikërisht atëherë kur kishin humbur rrugën dhe po ndienin ftohtë. Kur u afrua pranë atij vendi, Musai u thirr prej atje: - Por kur arriti atje (tek zjarri), u dëgjua një zë nga një pemë, nga ana e djathtë e luginës së atij vendi të bekuar: “O Musa! Unë jam Allahu, Zoti i botëve.... - Pra, e njoftoi Musain për rububijen dhe për uluhijen e Tij. Nga kjo kuptohet se e urdhëroi që Musai t’i përkushtohej me adhurime e nënshtrim, sikurse e ka thënë qartë në ajetin tjetër: "Jam Unë, Allahu. Nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) , përveç Meje. Pra, vetëm Mua më adhuro dhe fale namazin rregullisht për të më kujtuar Mua!" [Ta Ha 14]. Pastaj i tha: - Hidhe shkopin tënd!” Kur Musai e pa se po lëvizte si një gjarpër i shpejtë, u kthye të ikte e nuk vështroi prapa. - Pasi e hodhi shkopin, "...Musai e pa se po lëvizte si një gjarpër i shpejtë...". Ai po lëvizte me shpejtësi dhe kishte një pamje të tmerrshme. Ai u shndërrua në formën e një gjarpri mashkull e të madh. Kur pa këtë pamje të frikshme, Musai "... u kthye të ikte e nuk vështroi prapa." Pra, u largua pa kthyer kokën pas, sepse frika kishte zaptuar zemrën e tij. Allahu i Madhëruar i tha: - O Musa! Kthehu ku ishe e mos u frikëso ... - Kjo është një fjalë qetësuese, për të larguar frikën. Së pari, Allahu i tha: ‘Kthehu!’ Dhe ky ishte një urdhër që ai duhej t’i përgjigjej. Por mund të ndodhte që ai të përmbushte urdhrin për t’u kthyer, por frika i vazhdonte, sepse shkaku i saj vazhdonte të ishte. Prandaj dhe i tha: "...mos u frikëso...". Kështu, i dha dy urdhra "Kthehu!" Dhe “Mos u frikëso”! Me këto dy urdhra, ai duhej të kthehej dhe të mos kishte frikë në zemër. Por mbetej edhe një mundësi tjetër. Ai mund të kthehej dhe të mos kishte frikë, por mund të shqetësohej dhe të ndihej i pasigurt, prandaj në fund i tha: - ... se ti je i siguruar. - Kështu, ai u sigurua edhe nga ky drejtim, dhe frikës iu pre rruga nga të gjithë drejtimet. Musai u kthye i qetë dhe i sigurt në premtimin e Zotit dhe me iman të shtuar. Këto shenja Allahu ia tregoi Musait para se ta dërgonte atë tek Faraoni dhe rrethi i tij, në mënyrë që të ishte më i qetë dhe në siguri të plotë, që kjo t’i jepte qëndrueshmëri e forcë në përballjen me Faraonin. Pastaj i tregoi një shenjë tjetër dhe i tha:

- Fute dorën në gjoks, se ajo do të dalë e bardhë pa ndonjë të metë! Dhe shtrëngoje krahun pas trupit, që të mos frikësohesh! - E futi dorën në gjoks dhe pasi e nxori, ndodhi ajo që tha Zoti. Pastaj tha: "... shtrëngoje krahun pas trupit, që të mos frikësohesh. Pra, shtrëngoje krahun pas trupit, që të largohet frika nga zemra jote. - Këto janë dy mrekulli nga Zoti yt për te Faraoni dhe hordhia tij... - Këto dy shenja, shkopi i kthyer në gjarpër dhe dora që vezullonte e bardhë, Zoti do t’i japë për të shkuar te Faraoni dhe hordhia e tij. - ....sepse ata janë vërtet njerëz të ligj. - Atyre nuk iu mjafton paralajmërimi dhe urdhri nga një profet i Zotit, por duhen edhe shenja e mrekulli, që mbase u bëjnë dobi. - Ai tha: “O Zoti im! Unë kam vrarë një njeri të tyre, prandaj kam frikë se mos më vrasin.” - Kështu, duke i kërkuar ndihmë Allahut, Musai i tregoi për këtë çështje të pazgjidhur mes tij dhe Faraonit. Ai i kërkoi ndihmë Zotit që t’i largonte këtë pengesë në kryerjen e misionit. Prandaj tha: “O Zoti im! Unë kam vrarë një njeri të tyre e kam frikë se mos më vrasin. Pra, kam frikë se do të më ekzekutojnë para se të mund të kryej misionin, për të cilin po dërgohem ndër ta.” - Vëllai im, Haruni, është më gojëtar se unë, prandaj dërgoje atë me mua si ndihmës... - Pra, dërgoje atë së bashku me mua, si ndihmësin tim. - .... që t’i vërtetojë fjalët e mia. Unë kam frikë se nuk do të më besojnë. - Për arsye se, sa më shumë mbështetës të ketë e vërteta, aq më e besueshme dhe e pranueshme bëhet ndër njerëz. Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së tij: - “Ne do të ta përforcojmë krahun me vëllanë tënd dhe të dyve do t’ju japim fuqi, që ata të mos ju afrohen...” - Pra, do të të mbështesim nëpërmjet tij. Pastaj Allahu e qetësoi Musain edhe në lidhje me çështjen e pambyllur të vrasjes, duke i thënë: “Ne do të ta përforcojmë krahun me vëllanë tënd dhe të dyve do t’ju japim fuqi, që ata të mos ju afrohen (e t'ju lëndojnë) . Pra, do t'ju japim fuqi e autoritet gjatë komunikimit me Faraonin. Kështu, armiku nuk do të guxojë t’ju afrohet. - “Me shenjat Tona, ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë.” - Kjo do të ndodhë për shkak të shenjave madhështore që Zoti do t’u japë. Ato shenja tregojnë qartë të vërtetën dhe lënë gjurmë të forta në zemrat e atyre që i dëshmojnë. Nëpërmjet këtyre shenjave, Zoti do të largojë prej jush kurthet e armikut. Ato do të jenë për ju mbrojtëse dhe mbështetje më e madhe sesa një ushtri e armatosur rëndë: "Me shenjat Tona, ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”. Ky premtim i jepej Musait në një kohë që ishte fill i vetëm e pa asnjë mbështetje në dukje, e pikërisht kur kthehej në vendin e tij, pas një largimi të gjatë. Por ngjarjet ndryshuan hap pas hapi, derisa Allahu e realizoi atë që i premtoi Musait. Ai i bëri vend Musait mes njerëzve, ndërsa në fund, atij e popullit të tij të dobët, ju dha pushtet në tokë. Kështu, Musai shkoi tek Faraoni me mesazhin e Zotit të tij.

← Kasas 28:29