← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

28. Kasas · Ajeti 76 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 28:71–28:88

Rregullimi i natës për të pushuar e ditës për të punuar, është mirësi nga i madhi Zot, sepse edhe nëse mund të pushohet në ndonjë rast ditën, kurse të punohet natë, ato janë raste të rralla dhe nuk mund të jenë aq të përshtatshme. Për këtë të mirë duhet falënderuar vetëm Allahun.

Karuni ishte nga të afërmit e Musait, si duket ishte nga ata të shtatëdhjetit që shkuan me Musain në Tur, ishte një ndër më të aftit në leximin e Tevratit, por e tradhtoi besimin e drejtë, ia kishte zili Musait si pejgamber, e edhe Harunit si i parë, prandaj nuk falënderoi Zotin për atë pasuri aq të madhe që ia dhuroi, por iu rrit mendja dhe i përbuzi të gjitha ato të mira. Atë dhe pasurinë e tij e lëshoi toka, ajo ishte masë ndëshkimore kundër mendjemadhësisë së tij. Besimtarët e sinqertë i patën thënë: Përpiqu e fitoje xhennetin me këto të mira, bën mirë siç bëri Zoti ndaj teje, e ani, gëzoi edhe të mirat e kësaj jete që janë të lejuara, por ai, përkundër këshillave, edhe mëtej ishte arrogant. Ata që i patën lakmi atij, u dëshpruan kur panë shkatërrimin e e tij dhe u bindën se vetëm Zoti është Ai, i cili sipas urtësisë së vet, të cilën askush nuk mund ta kuptojë, i jep pasuri kujt të dojë dhe nuk i jep kujt të dojë, vetëm Ai e di pse. Ndodh që i jep, por jo për ta nderuar, ndodh që nuk i jep, por jo për ta nënçmuar, ajo është dëshirë dhe urtësi e Tij.

Vepër e mirë, e bukur është ajo që, kur e sheh i zoti në ditën e kijametit, i hijeshohet fytyra prej gëzimit, andaj edhe quhet e bukur. Ajo është vepër që njeriu e bën vetë ose dikush tjetër për te, f.v. sadaka për babë, nënë etj. Vepër e mirë është edhe nese nuk realizohet, gëllimi, orvatja për të, edhe nëse nuk realizohet, por kjo shpërblehet një për një, e jo shumëfish si ajo që kryhet. Në ajetin 85 mendohet se Muhammedit i është premtuar qysh heret se do të rikthehet prej Medinës në Meke, Pejgamberi porositet të mos lëshojë pe në asnjë rregull të mësimeve Kur'anore, të mos bëjë kurrfarë kompromisi me jobesimtarë, i e kjo vlen edhe për besimtarët, sepse e gjithë fuqia, madhëria i takon vetëm Allahut që çdo send zhduket e Ai jo; Ai gjykon, I tek Ai është fati i lumtur. Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Kasas". Falënderimi i takon vetëm Allahut!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 28:76–28:77

- “Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë (në padrejtësi) kundër tyre.” - Ai ishte djali i xhaxhait të tij. - “Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. ” - Ne i dhamë shumë pasuri të kësaj bote, aq sa çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. Kjo tregon se sa të shumta ishin ato dhe sa e rëndë ishte pesha e tyre. - “Populli i vet i tha atij: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i ata që e teprojnë në gëzim! ” - Allahu nuk i do ata të cilët e teprojnë me gëzimin që shfaqin, me mendjemadhësinë dhe lëvdatat e tyre, duke mos treguar mirënjohje për Atë që ua ka dhuruar. - “Por me atë (pasurinë) që të ka dhënë Allahu, kërko (të fitosh) botën tjetër dhe mos e harro atë që të takon në këtë botë!” - Mos harro ato gjëra të cilat Allahu i Lartësuar i ka bërë të lejuara, qofshin ushqime, pije, veshje, kënaqësi trupore, vendbanime etj., sepse vërtet që Zoti ka të drejtë mbi ty, por edhe vetja jote ka të drejtë mbi ty, edhe familja jote ka të drejta mbi ty, edhe bashkëshortja ka të drejta mbi ty, prandaj jepi çdokujt hakun që i takon. - “Bëj mirë, ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty ...” - Tregohu bamirës ndaj krijesave të Tij, ashtu sikurse Allahu ka treguar bamirësi ndaj teje. - “... dhe mos bëj të këqija në tokë, sepse Allahu nuk i do keqbërësit! ” - Mos e lejo që angazhimi për të grumbulluar pasurinë të të bëjë të shkatërrosh vendin dhe të dëmtosh krijesat e Allahut.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 28:76–28:82

Allahu i Madhëruar na njofton rreth gjendjes së Karunit për atë që ai bëri dhe për paralajmërimet dhe këshillat e shumta që iu dhanë atij. Ai thotë: - Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë (në padrejtësi) me ta. - Ai ishte nga bijtë e Izraelit, nga ata që Zoti i dalloi mbi njerëzit e asaj kohe dhe u bëri mirësi të shumta. Këto mirësi dhe veçori me të cilat Zoti i dalloi duhet të ishin shkak e nxitje që të ishin të udhëzuar dhe punëmirë. Por nuk ndodhi kështu me Karunin. Ai, përkundrazi, bëri padrejësi dhe e teproi kundër popullit të tij. Ai i kaloi kufijtë me pasurinë e madhe që i dha Zoti. Ajo pasuri u

bë shkak për shfrenimin dhe padrejtësitë e tij. Zoti thotë: - Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. - Allahu i dha pasuri aq të madhe saqë: "...çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm." Edhe 9 burra mezi i mbanin çelësat e depove të tij. Përfytyro tani pasuritë brenda atyre depove! - Populli i vet i tha atij: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë në gëzim! - Duke e këshilluar që të hiqte dorë nga padrejtësitë e kalimi i kufijve, populli i tha: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i ata që e teprojnë!" Pra, mos u gëzo me këtë pasuri të madhe të kësaj dynjaje dhe të lëvdohesh me të, duke harruar ahiretin. Allahu i Lartësuar nuk i do atë që gëzohen dhe lëvdohen me pasuri, duke u dhënë tërësisht asaj dhe duke harruar ahiretin. - Por me atë (pasurinë) që të ka dhënë Allahu, kërko (të fitosh) botën tjetër... - Në dorën tënde janë vendosur mjete, me të cilat mund të kërkosh dhe fitosh ahiretin më shumë sesa u është dhenë të tjerëve. Puno, atëherë, me këtë pasuri, që të fitosh ahiretin, duke dhënë e shpenzuar për hir të Allahut dhe mos e prish atë thjesht për përmbushjen e kënaqësive personale. - ...dhe mos e harro atë që të takon në këtë botë! - Nuk je urdhëruar që të shpenzosh të gjithë pasurinë tënde dhe të mbetesh duarthatë, por shpenzo për ahiretin tënd dhe kënaqu gjithashtu me dynjanë, me kënaqësi që nuk cenojnë fenë, besimin dhe ahiretin tënd. - Bëj mirë, ashtu siç të ka bërë mirë Allahu ty... - Tregohu bamirës ndaj robve të Zotit, ashtu siç të bëri Zoti mirësi kur të dhuroi këto pasuri. - ...dhe mos bëj të këqija në tokë... - Shkatërrimi i tokës bëhet duke u treguar kryeneç, duke bërë poshtërsi dhe duke u angazhuar me stolitë dhe kënaqësitë, në vend që të angazhohesh për të kënaqur dhe adhuruar Allahun, Dhuruesin e këtyre mirësive. - ...sepse Allahu nuk i do keqbërësit! - Madje, Ai ka për t’i ndëshkuar ata ashpër. Por Karuni, duke refuzuar këshillën e tyre dhe duke mohuar mirësitë e Allahut, tha: - “Kjo më është dhënë vetëm në sajë të dijes sime.” - Këtë pasuri e kam arritur në sajë të aftësisë dhe gjenialitetit, prej shkathtësisë dhe mprehtësisë së mendjes sime. Edhe Allahu e di gjendjen time dhe e di që unë e meritoj këtë pasuri. Atëherë, përse po më qortoni për këtë pasuri që ma ka dhënë Allahu? Duke qartësuar se pasja e pasurisë nuk tregon mirësinë dhe drejtësinë e personit që e zotëron, Allahu i Lartësuar thotë: - Po a nuk e dinte ai se Allahu ka shkatërruar para tij breza të tërë, që ishin edhe më të fuqishëm se ai dhe që kishin bërë pasuri më shumë se ai? - Atëherë, çfarë e pengon atë që të mos e shkatërrojë edhe Karunin, nëse ai përmbush të gjitha kushtet për t’u ndëshkuar, sipas ligjit të pandryshueshëm të Zotit për tiranët dhe kryeneçët mosmirënjohës? Çdokush që bën të meritueshëm dënimin, asgjë nuk mund ta mbrojë më atë. - Por keqbërësit as që do të pyeten për gjynahet e tyre. - Allahu ka për t’i ndëshkuar sipas asaj që Ai di për ta dhe për padrejtësitë e tyre. Edhe nëse keqbërësit pretendojnë se janë bamirës dhe se do të shpëtojnë, fjala e tyre nuk vlen dhe nuk ka për t’ua larguar dënimin e Zotit. Gjynahet e tyre nuk mund t’i fshihen Zotit, edhe pse ata mund t’i mohojnë apo fshehin ato. Kështu vazhdoi Faraoni me inatin, kokëfortësinë, kalimin e kufijve dhe mospranimin e këshillave. Ai vazhdoi të lëvdohej e vetëkënaqej me pasuritë që zotëronte. - Ai (Karuni) doli para popullit të tij me gjithë stolinë e tij. - Një ditë, ai doli përpara popullit me gjithë stolitë e tij të mëdha, të papara ndonjëherë nga njerëzit. Të gjithë kishin ngulur shikimet të mahnitur nga ajo pasuri përrallore. Në varësi të synimeve të tyre, pati dy grupe njerëzish:

- Ata që kishin synim jetën e kësaj bote, thanë: “Ah, të kishim pasur edhe ne si ajo (pasuri) që ka Karuni!” - Këto ishin fjalët e atyre që i kishin zemrat të lidhura me dynjanë, që ishte motivi i vetëm për të cilin mendonin dhe punonin. Ata thanë: “Ah, të kishim edhe ne si ajo (pasuri) që ka Karuni! Ai është me shumë fat! Ah, sikur edhe ne të kishim pasuritë e dynjasë, kënaqësitë dhe stolitë e saj!” - Ai është vërtet me fat të madh! - Nisur nga motivet dhe besimi i tyre se pas kësaj jete nuk ka jetë tjetër, me të vërtetë Karuni dukej se kishte shumë fat. Atij i ishte dhënë pasuri shumë e madhe dhe shumë kënaqësi, sepse përmbushte të gjitha synimet e tij. Kështu e shihnin ata njerëz të vegjël, me ambicie të vogla pasurinë e Karunit. Ata shihnin si fatin më të madh që mund të kishte dikush. Por ajo mendje që sheh pasuritë e kësaj dynjaje si fatin më të madh është mendje e dobët. Ata njerëz nuk kanë qëllime të larta. Ata janë shumë larg mirësive të përjetshme të Xhenetit dhe besimit në Zot. - Por ata të cilëve u ishte dhuruar dituri e vërtetë thanë: “Të mjerët ju! - Këta fatlumë arritën të njihnin realitetin e çështjeve dhe të gjërave. Ata arritën të shihnin qartë në brendësi të kësaj dynjaje, kur të tjerët shihnin vetëm anën e jashtme të saj. Ata u thanë të mashtruarve: “Të mjerët ju!" Kjo ishte një fjalë me tone qortuese e këshilluese për ata që po lakmonin atë që kishte Karuni. - Shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira... - Shpërblimet e Zotit janë më të mira dhe ato jepen në dynja dhe në ahiret. Në këtë jetë nuk ka si kënaqësia që të sjell adhurimi i Zotit, dashuria për Të, kthimi tek Ai dhe përkushtimi për të kënaqur Atë. Ndërsa në ahiret është Xheneti dhe gjithçka e tij. Atje janë kënaqësi që i dëshirojnë zemrat dhe që kënaqin sytë. Kështu, këto shpërblime janë shumë më të mira nga ajo që ju dëshironi për veten tuaj. Ky është realiteti që duhet t’ju qëndrojë vazhdimisht para syve dhe në zemrat tuaja. Megjithatë, jo çdokush që e di këtë gjen forcën që t’i japë përparësi më të lartës, kundrejt më të ultës. Kjo zgjidhje i jepet veçse një kategorie të caktuar, të cilët Zoti i përshkruan: - ...por këtë nuk mund ta arrijë askush, përveç durimtarëve. - Ata që gjetën forcë dhe e nënshtruan veten në durim, për t’ju bindur Zotit dhe përmbushur urdhëresat e Tij; gjetën durimin për t’iu larguar ndalesave të Tij; gjetën durimin për të përballuar me kënaqësi e durim caktimet dhe sprovat e Zotit për ta. Ata bëjnë durim që të mos mashtrohen nga fitoret dhe joshjet e kësaj dynjaje. Asgjë nuk mund t'i shmangë dhe largojë ata nga adhurimi i Zotit të tyre. Ata nuk lejojnë që stolitë e pasuritë e kësaj dynjaje të ndërhyjnë mes tyre dhe qëllimit përse Zotit i krijoi në këtë dynja - adhurimi i Tij si një i vetëm. Ata i japin përparësi shpërblimit të Allahut, kundrejt kësaj dynjaje të përkohshme, e cila shumë shpejt do të zhduket.

- Pastaj Ne bëmë që t'i përpinte dheu atë dhe pallatin e tij. - Karuni arriti në një gjendje vetëkënaqësie dhe padrejtësie shumë të madhe. Ai ishte tërësisht i dehur me pasuritë e tij. Pikërisht kur kishte arritur kulmin e vetëkënaqësisë, atë e befasoi ndëshkimi i hidhur. Allahu thotë: "Ne bëmë që t'i përpinte dhéu atë dhe pallatin e tij." Ky ishte një shpërblim sipas veprës së tij. Ai e ngriti dhe e lartësoi veten mbi robërit e Allahut, prandaj Allahu i Lartësuar e zhyti poshtë. Allahu e zhyti atë dhe të gjithë atë pasuri që e mashtroi dhe e çoi në humbje. Allahu groposi Karunin dhe pasurinë e tij, madje edhe kështjellat. - Ai nuk pati asnjë që ta mbronte nga Allahu dhe as veten nuk mundi ta mbronte. - Askush nuk i erdhi atij në ndihmë, as rrethi i ngushtë, ushtria, shërbëtorët e punëtorët e tij, dhe as mundi ta përballonte vetë dënimin. - Ata që deri dje patën lakmuar të ishin në vendin e tij, filluan të thoshin: “A nuk shihni se Allahu i jep me bollëk atij që do nga robërit e Vet dhe ia pakëson atë atij që do?” - Ata që deri dje thoshin: "Ah, të kishim pasur edhe ne si ajo (pasuri) që ka Karuni! Ai është, vërtet me fat të madh!”, tashmë thoshin: “A nuk shihni se Allahu i jep me mbushulli atij që Ai do dhe ia pakëson atij që do? Këto fjalë i thanë të frikësuar se mos i përfshinte edhe ata dënimi. Pra, është Allahu Ai që ia shton pasurinë atij që Ai dëshiron dhe ia ngushton atij që do. Ata e kuptuan mirë që shtimi i pasurisë së Karunit nuk ishte provë se ai ishte njeri i mirë. Ata e pranuan që gabuan kur thanë: "Ai është vërtet me shumë fat!” - Sikur Allahu të mos tregonte mëshirë për ne, do ta bënte dhéun të na përpinte edhe ne. - Allahu i Lartësuar na mëshiroi që nuk na dënoi për ato fjalë që thamë. Po të mos ishte mirësia dhe bujaria e Tij, do ta bënte dhéun të na përpinte edhe ne. Kështu, dënimi i Karunit u bë për të marrë mësim edhe të tjerët. Edhe ata që deri dje shprehnin se e kishnin zili atë dhe pasurinë e tij, tashmë ndryshuan qëndrim. - Ata që mohojnë Allahun kurrë nuk gjejnë shpëtim?” - Ata nuk shpëtojnë as në dynja dhe as në ahiret.

← Kasas 28:76